Jozefina Topalli, Arian Çani dhe sozia im i panjohur - nga Kolec Traboini


JOZEFINA TOPALLI, ARIAN ÇANI DHE SOZIA IM I PANJOHUR
-        Në tallavanë televizive “Zonë e lirë” –

Nga KOLEC TRABOINI

Ka histori që të vënë ndër mendime apo të bëjnë për të qeshur për tërë jetën. Një prej këtyre historive është ajo në mes meje e Arian Çanit. Dikush mund të me pyes që në krye a e njeh Arian Çanin? E them hapur se nuk e njoh. E kam parë, e kam soditur në emisione televizive ku më është dukur konfuz dhe i papërqendruar, me një dëshirë snobizmi, për të bërë shou artificialisht dhe kaq. Nuk kam pasur asnjëherë interes të takohem e flas me gazetarin e bujshëm të Tiranës, ku e tërë gazetaria televizive është në tollovi, ngjashëm me muzikën tallava.
Por ndoshta ai nuk ka pas të njëjtin mendim, sepse pasi ka kërkuar në internet shkrime për Jozefina Topallin ka gjetur shkrimin tim “Bukuri shkodrane” që kisha vite që e kisha shkruar kur Jozefina nuk kishte funksione shtetërorë. Arian Çani është marr me atë shkrim gjërë e gjatë. Ai shkrim i imi nuk ishte një shkrim emfatik, sepse nuk shquhem për emfazë, përkundrazi jam tepër skeptik, dyshues, por isha përpjekur të paraqisja një vizion fizik dhe një imazh tradicional të bukurisë së femrës shkodrane, si një prej bukurive tipike të këtij qyteti që niste me Teutën, tek Motra Tone e mrekullitë që Marubi e Idromeno i kanë fiksuar në xhamat fotografikë.
Pasi e lexoi atë shkrim, gazetarit Arian Çani i lindi ideja ta përdorte në një intervistë në studio me kryetaren e Kuvendit aso kohe Jozefina Topalli, të cilën e kisha përmendur si mjaft emra të tjerë si Jolanda Pogu, Lili Leka, Meri Topallaj, se thënë të drejtën edhe ajo, Jozi, ishte e vazhdon të mbetet një femër e bukur. E kisha njohur që në kohën e rinisë së saj, kur punonte në Institutin e Misrit  Dobraç. Atje shkoja shpesh se kisha disa miq të mi, Shyqyri Mollën, Ahmet Osen e Genc Drinin, atje punonte si specialist seleksioner edhe një komshi i imi në Shkodër nga një familja shumë e mirë gjakovare, Gjergj Dionizi, që kishte një vëlla të arratisur, si dhe Pjetër Logoreci. Por shkoja edhe si redaktor i kronikës në Kinostudio për xhirime. Por mua më intereson më se shumti bukuria fizike e gërshetuar me bukurinë e mendjes e jo thjeshtë fytyra të pispillosura që me i shti frikën edhe shejtanit.
Kësisoj duke shfrytëzuar shkrimin tim Arian Çani na e paska bërë emisionin në shoun e tij të radhës me Jozefina Topallin. Unë as e kam parë atë emision dhe as kam kërkuar nëpër arkiva televizionesh për ta parë. Shkaku kryesor se ndodhesha përtej oqeanit Atlantik, në Boston, që prej verës së vitit 1995.
Por një telefonim nga Tirana pas disa ditësh më vuri në mendime. Ime bijë që ishte në Tiranë e kishte parë emisionin e Çanit dhe intervistën e Jozefina Topallit ku qe përmendur disa herë edhe emri im. Çani e kish pyetur a e njeh Kolec Traboinin. Jozi kishte thënë jo. Dhe kjo qe e vërtetë. Anipse kisha qenë në institutin e Misrit në Shkodër dikur kur atje punonte edhe ajo. Ajo nuk më mbante mend. Por, gjatë një xhirimi në atë institut, në vitet 80 të shekullit të kaluar, pra rreth 30 vjet më parë,  një zë pak si dridhshëm më tha me një ton pëshpëritës, “mos e xhironi në fytyrë atë vajzë” dhe bëri me shenjë nga njëra prej vajzave me bluze të bardhë. I thashë se si të mos e xhironim kur ajo kishte fytyrën më të bukur ndoshta në tërë Shkodrën. E, tha ai i Partisë,...është si puna e mollës. Molla e bukur ka krimb. Ka biografi të keqe.
Ne vazhduam punën, në fund, nën vështrimin egërshan të sekretarit të Partisë që nuk na i ndante sytë,  me operatorin Ibrahim Kasapi shkuam e i takuam vajzat një e nga një, i dhamë dorën edhe asaj me “biografi të keqe” por me një portret të mrekullueshëm duke i bërë komplimente për bukurinë e saj. Ajo vajzë që na buzëqeshi me mirësi ishte Jozefina Çoba. Ende nuk ish martuar që të merrte mbiemrin Topalli dhe ende nuk ishte bërë kryetare kuvendi që të etiketohej soj-soj prej kundërshtarëve të vet politik siç bëjnë në këtë palo pluralizëm. Duhej të kalonin vite për këtë. Pikërisht për këtë shkodrane të bukur kisha shkruar pak rreshta, të cilat Arian Çani i kishte mbërthyer e zbërthyer shumë mirë sipas mendjes së vet. Madje i kish thënë thukshëm, ky Kolec Traboini të paska krehur mirë e mirë. Llafet e Çanit gjithmonë janë ilaritet.
Më mori ime bijë në telefon nga Tirana e më tha se më kishin intervistuar edhe mua në telefon. Por....e vajza e ndërpreu bisedën paksa, nuk e di bâ... por nuk mu duk si zëri yt.
Atëherë vendin e meditimit e zuri buzëqeshja. Çfarë rrengu kishte punuar Arian Çani që kishte thënë në emision se po intervistojmë autorin e shkrimit Kolec Traboini, kur unë kurrë nuk kisha folur me të në telefon!
Kush ishte ai që kishte folur në emrin tim kur unë isha në Boston? Nga cili shtet? Apo ishte thjesht nga një dhomë tjetër e televizionit dhe Arian Çani improvizonte si nëpër studiot e filmave vizatimorë ku dublohen zërat. Kush ishte dublanti im?!
Kjo është një çudi që kurrë nuk kam arritur ta kuptoj, një enigmë që është e bukur sa kohë që është e fshehtë.
Prandaj herë më vë ndër mendime e herë-herë më vjen për të qeshur.
Në fund të fundit unë kisha folur e nuk kisha folur me Arian Çanin. Ec e jepi zgjidhje  këtij lëmshi mediatik. Por kur pas disa kohe e takova Jozefina Topallin në zyrën e saj, nuk ja përmenda. Ajo më priti me përzemërsi me mendimin se kishim folur me njeri tjetrin nëpërmjet linjës telefonike ndërkombëtare të Arian Çanit. Nuk i thashë asgjë se nuk desha ta çmeritoj nga kënaqësia që kish ndjerë në emision “Zonë e lirë”, por edhe ajo modestish nuk më pyeti. Nuk e dija si do ta priste atë lojë që ishte bërë me atë ne një emision televiziv alla Çan.
Nuk i bëra të ditur as atë takimin tonë në Institutin Misrit. Ajo tashmë ishte në qiellin e shtatë, e kur ndodhesh aq lart, kujtesa është kthyer në pluhur. Pati mirësinë të më sillte në zyrën e saj, ku dikur kishte qenë ndenja e diktatori Enver Hoxha, një kafe që e piva me kënaqësi. E falënderova. E falënderoj edhe tani. Se e bukura, thënë të drejtën, e ka tagrin e vet, respektohet nga të gjithë, ani pse politika fëlliq gjithçka, si qentë borën e bardhë e të butë, të cilës vazhdojnë ti këndojnë pa nda, poetët.

TRABOINI ART STUDIO CHANNEL