Meteorologe apo top modele?/ nga Kolec Traboini


METEOROLOGE  APO TOP MODELE?

Nga KOLEC  TRABOINI

Kjo zonjë apo zonjushe, kush po e merr vesh cila është, për ditë e natë del e na njofton si ka qenë moti sot e si do jetë për nesër. Deri këtu jemi në rregull. Po kjo asnjë dite a natë të vetme nuk paraqitet me një veshje standarde siç e kërkon etika televizive. Televizionet vërtetë janë private por komisioni i etikës  duhet të jetë rregullator shtetëror sepse komunikimi bëhet me publikun.
Merreni me mend sikur, zot na ruaj,  stjuardesat e avionëve të jenë të gjitha me bikini. Të shkretet pasagjerë burra (por edhe ndonjë lesbike) si do të tundoheshin së
përbrendshmi. Mirëpo kjo zonja që shihni në foto në ABC News, mesa duket i ka rregulluar  pipëzat me pronarët e Televizionit e nuk vishet asnjë herë njësoj. Ajo të jep përshtypjen se reklamon rrobe. E ka kthyer emisioni në Fashion Parade  ABC News me ja pas zili edhe Donatela Versaçe.
Por edhe deri këtu hajt ma, se në Shqipërinë e sallhaneve gjithçka është e mundshme në kopjime si majmunëri gjithëpërfshirëse, po kjo del edhe me veshje provokuese. Disa herë është shfaqur me shalë jashtë si të ishte në plazh. Edhe në këtë kuadër paraqitet me paliçeta si vajzat e vogla në kopshte fëmijësh parashkollor, po kjo është goxha në moshë, more,  e jo një vajzuke si ato të Fiks Fare që fundja janë balerina.
Kjo zonjë që shihni këtu bashkë me drejtuesit e televizionit ABC News, apo ata të komisionit të Medies dhe Etikës që marrin rroga kot, pa bërë kurrgjë, duhet ta ndajnë këtë punë. Zonja në fjalë, me këto farë veshjeje, o të bëjë Top Modelen, ose të bëjë Meteorologen, megjithëse as në njërën e as në tjetrën gjë prej gjëje në torbë nuk ka.
Profesionalisht është jashtë loje për atë pozicion që shfaqet, që dikur,  në kohë të vjetër na e jepte një specialist i fushës se Meteorologjisë, i madhi e i papërsëritshmi Petrit Leka. Mirëpo këta injorantë pronarë televizionesh, gjithçka duan ta bastardojnë nën kamuflimin gjoja moderne.  Siç ka nis puna do të dalë ndonjë ditë dimri edhe me bikini, se kjo në veshje as nuk e respekton stinën e motit që paraqet.
Moti mund të jetë i parashikueshëm, kjo jo për besë, nuk ka sinoptikant, por as astrologe si Meri, që ta parashikojë se çfarë do të veshë të nesërmen.  
 Jepni fund këtij karnivalesku në parashikimin e motit se ndryshe do na bjerë borë në mes të korrikut dhe do të na  piqet buka në diell në kulm të janarit.

© 2018