Dada ime Katrina Traboini, vajza e Motres Tone- nga Kolec Traboini

DADA IME KATRINË – BIJË E MOTRËS TONE

Nga Kolec TRABOINI

Dada ime Katrinë, italiane në atësi, në dije e në kulturë, shqiptare në karakter, që më mbulonte kur më zinte gjumi, që ma hiqte lehtë librin nga dora, që bënte kujdes të vinte një shënjë në faqen që kisha lënë përgjysëm, ishte e bija e Motrës Tone, mbesa e Kolë Idromenos dhe gruaja e tim eti. Që kur kam lindur u lidha me Dadën Katrinë si ajo lule dorëzoja që ngjitej nëpër muret e avllitë e oborreve shkodrane, po edhe ajo i kish derdhur të gjitha dashuritë e zemrës së saj dhe ditën që linda më vuri emrin e dajës së vet Kolë Idromeno.
Nuk isha më shumë se dhjetë vjeç, kur Dada Katrinë më tha që të shkoja në Fushë-Çelë (qëndra e Shkodrës), që të shihja një fotografi ku bashkë me Ded Gjo Lulin e hotjanët e tjerë, ishte edhe Palok Traboini.
Që nga ajo ditë, kerkimi për babanë do të ishte pasioni dhe ankthi im. Kurrë nuk do të reshtnin. Sepse shumë gjëra ishin shkatrruar e humbur në shtëpinë tonë të vjetër, e cila pothuajse ishte kthyer në gërmadhë. Edhe reliket familjare ishin zhdukur.
Dada Katrinë, ajo plakë e dashur dhe fetare( tezja e Monsinjor Ernest Çobës i vdekur në burgjet e diktaturës), me vel te zi mëndafshi, se mbante jazin e burrit, tim eti,  që shkonte e para në orët e mëngjezit në Kishën e Madhe; ishte një histori e gjallë, qoftë me jetën e saj, qoftë me çka dinte e tregonte. Më tregonte për kandilët e mëdhej në të cilët kishte mbajtur të fshehur flamurin kombëtar, të Skënderbegut, se kështu i thoshte. Më tregonte për fatin e saj zi të vdekjes së djalit, vëllait tim, Tomës shtatëvjeçar, të cilit kur ishte ende ferishte ja kishte prerë flokët si kumbarë Dedë Gjo Luli. Si sot më vjen ndërmënd ai çast kur më vuri në dorë një dorëshkrim, që shënonte vitin 1911. Tha se ishte poema historike «Lufta e Maleve» - e Palok Traboinit, të cilën do ta çonte në Tiranë me poetin e asaj kohe Mark Gurakuqi, që ta botonin. Nuk e di çfarë u bë me atë dorëshkrim me kaligrafi të përsosur, të cilin Dada Katrinë e ruante me aq kujdes, mbledhur me një fjongo. E vendoste në mes të çarçafave të punuar në avelmënd, që i ruante për vdekjen e vet, siç bënin të gjitha plakat e mira e ta urta shkodrane. Ate dorëshkrim, i mbetur edhe ai pezull në kujtesën time, e kërkoj edhe sot por janë fare të vogla shpresat se mund të gjëndet. Aq më shumë që me vdekjen e Dadës Katrinë, humbën të gjitha reliket familjare.
Kur u sëmur, isha në shkollën pedagogjike dy vjeçare „Ndrec Ndue Gjoka“, në Tiranë. Në atë shkollë, mbaj mend se kishte qënë nxënës edhe një tjetër i hot si unë, Ndoc Kol Martini.
Shkova në shkollë pedagogjike vetëm për hatrin e Dadës. Duhej të bëhesha mësues si baba im Palok Traboini nga fisi Gojçaj i Hotit e si baba i saj Andrea Skanjeti, i vjetri. Nuk hoqi dorë kurrë prej kësaj ëndrre e deri në fund më thoshte ”Kur të mbarosh shkollën e të emnohesh mësues si baba jot e si baba jem, do të vi me ty në Malci, e aty do të jetojmë bashkë me malësoret e vocërr, që ti do tu mësosh shkrim e këndim!“.
Po kjo shpresë mbylli sytë bashkë me njeriun, amanetin nuk ja mbajta dot, nuk u bëra kurrë mësues, por veç e di, po të jetonte ende Dada Katrinë, nuk do të më linte lehtë të hiqja dorë nga mësuesija. 
Pas një operacioni diletant në spitalin e Shkodrës, kirurgu, (emrin e të cilit nuk dua ta përmënd sepse nuk jeton më dhe... ka një ëmer me publicitet politik),  që ja kish lënë operacionin studentëve, e pa se ishte një diagnozë e ndërhyrje e gabuar e fatale. E bënë për të dytën herë , e ajo nuk duroi se ishte e vjetër,  e nisi të shuhej ngadalë.
I thanë që duhej të më lajmëronin mua në Tiranë, por ajo u la amanet: “ Kurrsesi! Djali është në kohë provimesh (ishte fillimi i qershorit)...do të dali mësues. Edhe po të vdes, mos i thoni. Kur të vijë në Shkodër, mos harroni të ma sillni në Rrmaj te vorri, ta shoh, se ka shumë mallë Dada për djalin!“.
Mbylli sytë, ata sy të bukur e inteligjentë që kurrë më në këtë botë nuk do ti shoh. Mua shtua edhe një brëngë në kërkim. Kur në vitin 1982 në Fototekën „Marubi“ gjeta fotografinë e saj,  në rini, bashkë me tim atë, nga thellësia e shpirtit thashë: “Dadë, kërkova veç njërin e ju gjeta të dyve, e, për besë,... tashmë kurrë nuk do t’ju humbas!“.
Dhe them, se nuk i humba, as Atin, as Daden Katrinë. 
Kur erdha në Shkodër e kishin varrosur.Trokita në derën e trashegimtarëve të Jakë Zorbës dhe të Elenës, motrës së Dadës Katrinë sepse aty kishte kaluar ditët e fundit të jetës. Shtëpia ndodhej diku pranë vilës së Doktor Prelës dhe Kishës së Fretenve, por vajzat e Tezes Lenë, së kështu e therrisja kur ishte gjallë, më thanë se nuk kishin asgjë. Po ndonjë fotografi, u thashë, ndonjë letër a ka lënë, ndonjë relike familjare a diç tjeter. Kurrgjë më thanë, kurrgjë! Ma prenë shkurt, nuk kish farë kuptimi ndënja, aq më tepër, krejt kot po përpiqesha ta fshihja një pikë loti prej 16 vjeçari, që më tradhëtonte, çka nuk desha...
 Ndërkohë në atë dhomë pritje, ku u ula për disa çaste, vura re një burrë të panjohur, që nisi të fliste ca fjalë si nëpër dhëmbë. Është burri im, më të cilin jam martuar kohët e fundit, më tha vajza e Tezes Lenë. E urova. Ma ktheu se, se i shoqi me të cilin kishte pak kohë që ishte martuar kishte qënë në burg politik e, sapo kishte dalë.
Ika me duar zbrazur nga shtëpia Zorba, nga ajo shtëpi, që tashmë e di gjithkush, se aty përditë meditohej poezi nga poeti Zef (Bep) Zorba, i biri i Tezes Lenë, nip i Dadës time Katrinë,  të cilin e kam takuar veç një herë, në vitet kur të dy punonim në Kombinatin e Drurit në Shkodër...
Me vdekjen e Dadës Katrinë ndjehesha dy herë i humbur. Se me Dadën kishin ikur të gjitha ato detaje e mikrosende me të cilat mund të lidhesha në mungesë të njeriut, pra si të thuash ishte shuar dhe shpresa e fundit në atë kërkim që ajo ma kishte nxitur...
Por në këtë botë, njeriu nuk mund të jetë pafundësisht pa fat e pa shpresë... Ky fat kish qëndruar diku përskaj, duhej vetëm të trokisja në një portë, në porten e intelektualit shkodran Andrea Skanjeti, nipi i Dadës Katrinë,  regjisor e dramaturg i njohur që mbante emrin e gjyshit të vet, mësuesit të tim eti dhe babait të Dadës Katrinë, i cili, për lumturinë time (se vërtetë në atë çast u gjenda i lumtur e kolegu im Gjovalin Hajati që më shoqëronte e ndjeu këtë), veterani i teatrit shkodran, më tha se ruante një kopje të daktilografuar të poemës «Lufta e Maleve», këngën e parë të së cilës e kishte botuar në almanakun «Shkodra 1962». Kështu poema e humbur e tim eti, u gjend më së fundi në dorën time në saj të intelektualit të mirënjohur shkodran Andrea Zef Skanjeti, kujtimi i të cilit meriton çdo mirënjohje.
Ai ishte nip i Dadës sime Katrinë, djali i vëllait të saj Zef Skanjeti, kësisoj gjithçka në jetën time, është e lidhur me atë mrekulli që unë që kur kam lindur e kam thirrur Dadë.

Nga libri me ese “Bukuri Shkodrane“ 2007, të cilin ja kam kushtuar Dadës sime Katrina Skanjeti-Traboini, vajzës së Motrës Tone e mbesë e Kol Idromenos.     
Katrina Skanjeti-Traboini me të shoqin mësuesin Palok Traboini(1889-1951)
Lidhet me këtë temë, jeta e nipit të Dadës Katrinë, Zef Zorba:

Disidenti i heshtur Zef Zorba - nga Kolec Traboini...
KATËR INTERVISTA NGA KOLEC TRABOINI

https://www.youtube.com/user/pendekaltri