Kush ishte Palok Traboini, sekretari i Ded Gjon Lulit

PALOK TRABOINI
nga fisi Gojçaj/ familja Çek Nik Lulashit/ i Traboinit të Hotit

1- Palok Luc Traboini ka qenë mësues i parë i dalë prej Malësisë së Madhe, mësues i gjuhës shqipe që në vitin 1911 në Prizren krahas Lazër Lymezit e në vazhdim kudo në trojet shqiptare.

2- Ka marrë pjesë në kryengritjen e vitit 1911-12, ku është plagosur gjatë luftimeve më 15 korrik 1912 në majën e Haramisë.

3- Ka qenë sekretar i Ded Gjo Lulit sipas dëshmisë së shkruar nga mësuesi veteran Gjush Sheldia në 1959.

4- Palok Traboini ka shkruar plot artikuj atdhetare në gazetën e Dom Ndoc Nikës “Koha –Bashkimi” në vitin 1910 e në vazhdim, në të cilat lartëson kombin shqiptar e tregon origjinën shqiptare prej pellazgëve dhe ilirëve, por edhe shkrime për bashkimin kombëtar të shqiptareve.

5- Ka sjellë në Shqipëri përmes Dalmacisë Flamurin Kombetar i ngritur më 6 prill 1911 në Bratilë të Deçiqit.

6- Në një foto të Marubit ku ndodhet dhe Palok Traboini, fotografi i madh ka shënuar Luftëtarët e Deçiqit. Gjithashtu është fiksuar në një fotografi përkrah Ded Gjo Lulit dhe krerëve të Malësisë së Madhe.

7- Ka shkruar një poemë epike për kryengritjen e Malësisë së Madhe me rreth 1700 vargje që mban vitin 1911, kur ende nuk ishte shpallë pavarësia.

8- Ka organizuar rezistencën dhe ka marrë pjesë me armë në dorë me luftën e Koplikut në vitin 1920.

9- Në 1927 ka ndërtuar me shpenzimet e veta një shkollë në Hot të Ri dhe ka dhënë mesim mbi një vit pa pagesë nga shteti për femijët e hotjanëve të përzënë nga trojet etnike.Më vonë shkollën ja ka miratu miku i tij Hile Mosi.

10-Ka vazhduar të jetë mësues i gjuhës shqipe për afro 40-vjet në Shqipëri, Kosovë dhe trojet shqiptare në Mal të Zi.


Dhe rezultati historik:
U propozua të dekorohej në 1962 në 50 vjetorin e pavarësisë nga bashkëluftëtarët e vet në Hot të Ri të cilët ishin ende gjallë dhe propozimi shkoi në Kuvendin Popullor, por u anashkalua sepse shpifësit komunistë kishin bërë punën e tyre dhe im atë i vdekur nuk kish si të mbrohej. Ndërkohë unë isha fëmijë në shtëpinë e jetimëve. Po ashtu është propozuar për tu dekoruar dhe më parë nga Shkolla e Barbullushit ku ka shërbyer si mësues dhe është marrë në evidencë ky propozim nga Seksioni i Arsimit ne qytetin e Shkodrës por pa rezultat.
50 vjet fle në sirtarin e Kuvendit Popullor ai propozim. Qeveritë ndërrohen, komunizmi u shemb por druaj se ai jeton si një atavizëm historik ne nënshtresë, ne koncept e mendësi të administratës publike dhe të vetë shtetit.
Pra, e kam një shembull se si vlerësohen atdhetarët e patriotët në një kaos institucional siç gjendet sot Shqipëria.

Ky shkrim është publikuar më 6 prill 2012
nga Kolec Palok Traboini



____________ ____________