Flamuri i Deçiqit nuk mund të tjetërsohet - nga Kolec Palok Traboini



FLAMURI I DEÇIQIT NUK MUND TË TJETËRSOHET

Nga Kolec Palok Traboini

Pas hamendjeve të hallakatura të një historiani që përzihet edhe me politikën, duke e bëre historinë politikë e politikën histori e të dyja lëmsh, kinse flamuri i Deçiqit, sipas studimeve të tij, ishte punuar e sajuar në sarajet e Krajl Nikollës ( bah!), ndërkohë sipas rrokanisjes së kryeministrit shqiptar flamurin e Deçiqit ka gjasa t’ja kenë dhurue Ded Gjon Lulit, Loli, Ilua e Pilua nga fshatrat e Përmetit që silleshin si mërgimtarë poshtë e lart siujdhesës ballkanike, e...na del tani dhe një variant se atë flamur e paska ngritur në Deçiq një malësore nga Gruda. Nuk e di çfarë ka dashtë të thotë Martin Berishaj nga Sllovenia për këtë pandehmë të fundit që unë, si i biri i Palok Traboinit, sekretarit të Ded Gjon Lulit e konsideroj lajthitje historike, por jo e paqëllimtë. Se kësisoj pandehma po ndodhin shpesh. Historia për disa paska qenë një pemë që gjithë se kush e gjuan me gurë për ti marrë kokrrat. Në mënyrë të pa meritueshme sigurisht.
Mirë është që kur flitet për datën 6 prill 1911 tu referohemi dokumenteve e jo ca shkrimeve që flasin për ngjarje të mëhershme apo të mëvonshme.
Po pse po nguten disa njerëz  për ti venë kësaj datë të 6 prillit të 107 të ngritjes së Flamurit në Bratilë të Hotit e në mal të Deçiqit atë farë lajmi se flamurin Ded Gjo Lulit ja paska ngritë Tringa e Grudës. A nuk e ka pas të renë, Nore Kolën afër, meqë u dashka lanë kjo punë flamurësh grave, të cilat padyshim që kanë dhënë një  kontribut të jashtëzakonshëm, e thotë bukur Ndre Mjeda në tingëllimën e vet poetike  "Liria" për nanat e Hotit.  
Por aty ku janë shtuar ndërkamca në pasqyrimin e kësaj ngjarje  thuhet “ tuj u kujtue, se Turku ditën e Shna Kryqit 1911 po e thete besën e vumë”. Po cilën besë pra? Për çfarë armëpushim po flitet më 6 prill 1911. Armëpushimi është bërë më vonë. Aq më tepër se flitet për një ngjarje në ditën e Shna Kryqit që i bie të jetë të paktën një muaj ditë pas ngritjes së flamurit në Bratilë të Hotit në mal të Deçiqit. Pse kjo sjellje, mos valle qe lexuesve tu ngulitet një emër tjetër e jo me ata qe e kryen ketë akt sublim atdhetar që nderon kombin.
Duhet vënë në dukje se janë vra shumë trima malësorë para se të bëhej armëpushimi, për të cilët thuhet në shënimin që përcjellin, dhe që nuk ka lidhje kurrqysh me atë datë e atë ngjarje. Historia nuk është një kapotë e vjetër që mund ti fusim ca arna për ti shty ditët. Për ma tepër Hotit në atë kohë lufte, nuk i kishte mbetë me ja ngrit flamurin ndonjë grua, se ishte vra Kol Marash Vata, Lek Marash Peci, Frano Zek Pllumi, Gjon e Zef Lulash Leka, Zef Lan Ula, Ujk Gjelosh Leka, Zef Vuksan Leka,  kushëriri im Gjon Ujk Çeku e do djem të tjerë, por nuk i ishin vra tanë burrat Hotit. Nuk besoj se është ashtu siç thuhet në këtë rast dhe të tjerë raste në përpjekje të sforcuara të krijojnë pasqyrë të tjetërsuar mbi ngjarjen e 6 prillit 1911.
Në bazë të dokumenteve historike "Palok Traboini në 1911 kishte kthye prej  prej Austrisë e tre flamujt  që kishte pru prej andej i kishte nda kështu: njënin Ded Gjon Lulit, tjetrin Ujkës së Grudës e të tretin Prel Lucës së Trieshit".
Ky citim ndër thonjëza është një dëshmi historike e dokumentuar në librin e historianit Prof. Petraq Pepo "Lufta për çlirim kombëtar në vitet 1878-1912" f.446,  botuar në vitin 1962, pra në vitin jubilar të 50 vjetorit të pavarësisë. Ata që rrokanisën ti pështjellojnë ngjarjet nuk paskan mbërrit për ti lexuar librat mbi historinë e mbi atë ngjarje. Tash pas 107 vjetëve po ja heqin flamurin nga dora edhe trimit Ujk Hasani i Grudës e po ja japin Tringës Smajles.
I panevojshëm ky modifikim historik. Kësisoj retushimesh për qëllime politike shpesh bëheshin në kohën pa kohë të diktaturës.  Askush nuk ka të drejtë me i heq e me i vu ngjarjet e historisë sipas dëshirës. Historia është punë e kryer. Të kemi dinjitetin ta respektojmë atë dhe ata që e bënë historinë. Në ngjarje të tjera Tringa e Grudës vërtetë ka vendin e vet të merituar, por me 6 prill 1911 ku duan ta vendosin, nuk gjendet kurrsesi.
Të harrohet njerëzit dhe ngjarjet kombëtare është një gabim, por kur kjo bëhet me qëllim duke i tjetërsuar, është një krim ndaj të vërtetës historike.


7 prill 2018
____________ ____________