Butikë super të shtrenjtë në një vend super të varfër- nga K.Traboini

BUTIKË SUPER TË SHTRENJTË NË NJË VEND SUPER TË VARFËR?!

Nga KOLEC TRABOINI

Në rrugën "Myslym Shyri", pyeta në një dyqan pa asnjë blerës brenda veç dy vajzave të bukura, shitëse a pronare nuk e mora vesh, pyeta pra sa është ajo xhaketinë pranverore në vitrinë. Të dyja një zëri më thanë:
" Është markë, është Angelo Nardelli dhe kushton 500 Euro".
"Nuk kemi ulje", u nguten të më njoftojnë që të mos tentoja të nisja atë dialogun klasik blerës-shitës, e ku shpresohet të gjendet një zgjidhje për të mbetur të kënaqur dy palët. Ky është shpirti i tregtisë, mbajtja e kontakteve e krijimit të iluzioneve se je i fituar duke boshatisur xhepin e kuleten. Aq më tepër e bënte të mundur dialogun blerës-shitës se dyqanet e rrobave kanë nisur të mbyllën e të hapën pranë e pranë, apo siç thuhet në zhargon popullor b/b, dyqane të shumta celularësh. Pesë të tille në hyrje të rrugës "Myslym Shyri" ku dyqane - furra buke janë veç dy.
Në fakt nuk kisha ndërmend të bleja Nardellin e as Tardelin, por xhaketinën, që ishte prej doku blu (me perzierje poliester) pa astar si ato që mbanin kinezët në vitet 1970, me xhepa të mëdhenj dhe me spaleta. Më pelqeu si prerje dhe qepje.
Pra afro 650 dollarë në kursin e ditës në këmbim valutor se dollari kish marrë të tatpjetën atë ditë e Euro ngrihej artificialisht, si ato stimultantët e peshngritseve tona që na "nderuan" si shtet, si të ishim drogaxhi të pandreqëshëm.
Mu duk sikur po me binte tavani në kokë. Nuk isha ne Paris, as në Romë e Milano, as në Londër, as në Boston, New York apo Washington DC ku kam shkuar dhe kam parë edhe çmime të larta edhe çmime të ulta, sepse shpesh herë bëjnë ulje drastike, veçmas në USA. Isha në Tiranën e sallahaneve ku pranë shtëpive përdhese të shfaqen gjigandë që ngrihen drejt qiellit si të marrë e ku çmimi i lartë i shitjes së apartamenteve ja kalon edhe Parisit.
Dhe e dini sa bënte një Down Jackets e tillë në Web-Sitin e kompanisë Angelo Nardelli? Thjeshtë e saktë 242 Euro dhe mund ta bleje Via Internet.
Kam përshtypjen se dyqane të tilla të shumta tek ne, që na i quajnë dhe butikë dhe janë supër të shtrenjta (thuhet se edhe politikanët e deputetët kanë të tillë butikë), me çmime jashtë mundësive të blerësve shqiptarë, kanë diçka që është ex-comerciale. Diçka si money laundering machine.
Sepse mbahen edhe pa pasur asnjë shitje me ditë e javë të tëra.
E këmbë njeriu të hyjë brenda nuk sheh, veç këmbëve të bukura të shitesve.

26 mars 2018