A kanë çakejtë grekë ligj lufte me Italinë?-nga Kolec Traboini




A KANË ÇAKEJTË GREKË LIGJ LUFTE ME ITALINË?
Çfarë duan varret e pushtuesve grekë në Shqipëri?

Nga KOLEC TRABOINI

Një takim tre ditor i mbyllur u zhvillua në Korçë në mes të dy ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë. Duke e marrë me mend se ministri që përfaqëson Shqipërinë në këto bisedime nuk ka nxjerrë zë sa i përket të vërtetave të dhimbshme historike, do të kishim dashtë që ministrit grek ti shtroheshin disa pyetje. Ta zëmë: A kanë në agjendën e vet politikanët e Greqisë ligj lufte me Italinë? Po me Gjermaninë, se me ata kanë bërë luftë. Meqë e paskan ende ligjin e luftës me Shqipërinë që kurrë nuk ka bërë ndonjë luftë pushtuese në histori.
Si mund të ketë ende në fuqi ligj lufte në mes të dy vendeve të Natos, të Bashkimit Europian do të ishte pyetja tjetër? Si mendoni se ka akoma ligj lufte në mes të Francës dhe Gjermanisë....Bah....Grekët me të vërtetë janë të çmendur, ndërkohë që politikanet tanë janë debila. Me plot kuptimin e fjalës.
Ne vërtetë u këndojmë trimërive e legjendarizojmë historinë, por nuk besoj se ka një komb tjetër të ketë pasur politikanë e shtetarucë më tradhtar të poshtër se kjo e mjera jonë Shqipëri. Prandaj jemi humbës në histori. Cili vend në Europë ka humbur më shumë territore se Shqipëria dhe cili vend tjetër ka pushtuar më shumë territore të tjera se sa Greqia. Territore shqiptare sigurisht.
Pse vazhdojmë të jemi humbës edhe sot e kësaj dite? Në Kosovë do ti japin troje shqiptare Malit te Zi me të ashtuquajturin demarkacionin i vijës së kufirit. Veç për ca viza në pasaportë. Mjerim. Por edhe turp gjithsesi. Politikanet europianë këndellen. Këndej do ta mbushim Shqipërinë me varre greke. Na u shpifën me këto varre ne këto dy pëllëmbë tokë që na kane lënë si Atdhe pasi na gjymtuan e grabitën gjysmën e trojeve shqiptare. Po fundja le ti marrin kockat e të vrarëve të vet në tokën e vet se nuk kanë rënë për Shqipërinë e shqiptarët po për Greqinë në atë kohe lufte, duke e bërë Shqipërinë e pushtuar fushëbeteje për interesa e veta shovinistë. Pse nuk e dimë ne që çakejtë e Athinës kërkonin Vorio Epirin, kur Epiri i Jugut ishte territor historikisht shqiptar. Ndërkohë viktimat e Çamërisë nuk kanë varr në trojet e veta të lashta. Pse nuk e ngremë zërin për Gjenocidin grek ndaj shqiptareve. Për masakrimin e burrave e grave, fëmijëve e pleqëve. Nuk dinë të flasin diplomatët tanë?
Por heshtin si mumie? Kjo se në Shqipëri ka ndodhur e paimagjinueshmja. Postkomunizmi ishte e vazhdon të mbetet një komunizëm i kamufluar aq ligsht që i shet interesat kombëtare fare hapur. A mund të mendohej në 1991 se i biri i kuadrit të lartë të Enver Hoxhës, Sulejman Bushati do të bëhej Ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe do të kishim kryetar parlamenti ministrin e brendshëm të diktaturës. Interesat e kujt do të mbrojë ai ministri i Sul Bushatit?! Jam i bindur se në takimin 3 ditor në Korçë ky pinjoll i komunizmit vetëm ka shituar interesat e Shqipërisë e shqiptarëve pa asnjë përfitim veç atij personal të klanit qeverisës. Padyshim sepse varret e ushtarëve pushtues greke anë e mban tokave shqiptare janë shitje të interesave kombëtare, një plan dinak afatgjatë brenda strategjisë shoviniste greke.
Po, po, këtu ka ndodh e paimagjinueshmja.  
I shkreti popull në çfarë mjerimi ekonomik dhe intelektual ka rënë, një popull që edhe kur e rrahin edhe kur e poshtërojnë nuk e ngre zënë. Ja venë varrin e grekut që erdhi si pushtues si monument tek dera dhe shqipua hesht. 
Sa shumë po nguten brenda e jashtë Shqipërisë për ta shkatërruar e poshtëruar këtë komb. Këtë komb që ka zgjedhur si mjet lufte heshtjen pa e ditur se heshtja është humbësja më e madhe tragjike në histori.