Qeveria mjel dhitë e Nivicës si 4 mijë vjet më parë- nga Kolec Traboini



QEVERIA MJEL DHITË E NIVICËS SI 4 MIJË VJET MË PARË

Nga KOLEC TRABOINI

E paska botuar një shkrim për Nivicën e izoluar të Shqipërisë si një mrekulli natyrore e qeverisjes rozë me kryelashën Rama në krye, kjo gazeta "Washington Post". Dhe mburret kryeministri inë duke i thënë popullit të vet raja “mirëmëngjes”, me këtë sihariq të madh që la pa frymë tërë Ballkanin e zilepsur, vetë Erdoganin dhe tej e përtej Evropën. Po Evropa, bota dhe shqiptarët e dinë mirëfilli se kur të thuash ti mirëmëngjes, ik se të zuri nata, o Krieministri inë. E di apo nuk e di? Nëse nuk e di po ta them u...
Po “Washington Post”-i, si ti presësh një faturë të majme me 10 mijë dollarë të pranon jo një por dhjetë shkrime ku thua se Rama është Prometeu i Ballkanit dhe Zeusi i bejlurçinave shqiptarë e për më tepër është “Supermen” me “Adidas”, është “Batman” i lëpirë nga fantomasët shqiptarë të medias. Gjithçka të boton "Washington Post" nëse u jep çekun me dollarë. Madje “by one get one free”. Pra paguaj një artikull e të botojnë dy. Është ekonomi tregu, babam.
O ju kripsha trutë, o batalioni i propagandës  së shfrenuar të Qeverisë që fusni çek dhe nxirrni lajme. Lavatriçe jeni edhe sepse e trajtoni popullin si gomar që sa herë i bie me kamxhik ai pjell florinj.
Ja me këtë pasazh heroik mburret krieministri inë mendjendritur për sukseset e veta fantazore, qumështore, nën muzikën magjepese meeeeheheheheeee të dhive, cjepve dhe kecave të Nivicës:

"Këtu shihni njerëzit që mjelin delet dhe dhitë e tyre ashtu siç bënin 4.000 vjet më parë. Shikoni barinjtë në jetën e përditshme, e cila është jashtëzakonisht tërheqëse për ata që e kanë humbur atë trashëgimi, ndaj dhe ata që vijnë këtu vijnë për të gjetur atë pasurim shpirtëror në jetën e tyre".

Po  Cannabis Sativa a panë gjëkundi nëpër pllaja ata gazetarët e “Washington Post” që gjoja na paskan ardhur në Shqipëri. E tymosën ndonjëherë të shkretën se shkrimi duket disi nën influencë.  Po a i bënë analizat e qumështit se sa e kishin përqindjen e drogës, sepse kullotat anë e mbanë Shqipërisë janë zënë me Cannabis Sativa e këtë ka 4 vjet që e di gjithë bota në saj të qeverisjes se lartmadhështisë së tij. Po nuk u paska vajtur në vesh atyre të “Washington Post”. Çudi...
 4 mijë vjet e dhitë po dhi mbetën. Dhe malet po ato. Dhe bimët po ato. Dhe qielli po ai. Veç retë e shiu shkojnë e vinë e hallakatën sipas qejfit.
Kjo po që është lajm. Lajmi i parë në botë për delet, dhitë e cjeptë e Shqipërisë që janë të lumtur e kullosin si të trullosura nga aroma e Cannabisit dhe begatia e qeverisjes, e cila i ka fotografuar e i ka vënë në një gazetë në Amerikë. Shkak i fuqishëm moral për të prodhuar qumësht më tepër. Jepini dhi. Shtrëngohuni!
Kaq zili ka vënë kjo gazetë sa tani ca mediatikë analista po i thonë njëri-tjetit: “Paçim fatin e dhive e cjepve të Nivicës” të na dalë surrati në  “Washington Post”. Po do dollarë me grushte ajo punë more djema. Eh, këta kasnecët e shtypit të qeverisjes bëjnë si ato vajzat e mbetura të dikurshme që thoshin “Paçim fatin e kurvës!”.  Se edhe politika kështu e ka, kush kurvëron fiton.
Jepi, o Qeveri e katruveve, se katruve e qypa kemi patur me bollëk edhe 4 mije vjet më parë. Ende pa ardhur në pushtet ju kokë qypat e sotëm që vazhdoni me mendjen e Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhes se nuk ka qeveri më të mirë se sa ajo që ja bën nënën e gjëmën popullit të vet.
Lajmin për qypat e katruvet 4 mijë vjeçare do ta botojë “Washington post”  javën tjetër si të iki vapa e gushtit. Kësaj herë është xhaba. Se thamë: “by one get one free”. Dhe sa për dije, kjo qeverisje që mburret për dhitë e cjeptë e Nivicës, pra me mundin e djersën e tjetërkujt,  duhet ta dijë atë proverbin e atyre anëve: 
"Dhëntë e dhitë e Zeres, nami Hasan Qeres". Jalla Insan!

17 gusht 2017