Kush ishte Fadil Paçrami dhe si i tha Bilal Xhaferrit armik - nga Kolec Traboini


KUSH ISHTE FADIL PAÇRAMI DHE SI I THA BILAL XHAFERRIT "TË KEMI PUSHKATUAR BABANË. EDHE TI JE ARMIK! "
- Një kujtim i padëshiruar-


Nga KOLEC TRABOINI


Një portal ka faqosur një shkrim në përpjekje për ta humanizuar figurën e kuadrit të lartë komunist Fadil Paçramit, për ta bërë gjoja më njerëzore këtë kuadrovik të ngulfatur, pjesë e strukturës shtypëse të diktaturës së Enver Hoxhës. I dhashë këtë gjegje portalit:
Për ta kuptuar se kush ishte Fadil Paçrami, mjafton të rikujtoni mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artisteve kur diskutohej romani i soc-realizmit skematik "Dasma", kur duke marrë në mbrojtje autorin, në mes të mbledhjes së hapur, ju vërsul shkrimtarit Bilal Xhaferri me këto fjalë:
"Të kemi pushkatuar babanë. Edhe ti je armik!".
Kjo shprehje e tij cinike, e egër, vrastare, ti thuash të birit të kemi pushkatuar atin, aty nga presidiumi ku tundej e shkundej si aga, e tregon më së miri çfarë njeriu i ulët e megalloman ka qenë Fadil Paçrami. Asnjë mëshirë njerëzore nuk kish në shpirtin e tij. Ai veç artist e shkrimtar nuk mund të ishte. Sepse arti fjalës nuk ka të bejë në asgjë me hanxharin e kasapit.
E kam takuar rastësisht në Minierën e Tuçit, ku kisha shkuar për një shkrim në gazetën "Zëri i Rinisë" se e kisha punë praktike gazetarie në kohën që isha student në Universitetin e Tiranës. Fadil Paçrami ishte tek gryka Tunelit ku seleksiononte mineral. Më pa, po jo në sy. Mua afrua me një gur në dorë e më tha se çfarë kualiteti i mirë ishte minerali.
Mu zunë sytë kur mu kujtua Bilal Xhaferri, por nuk fola asnjë fjalë. Librin e Bilalit që ma kishte dhuruar bashkë studentja Zenepe Çekrezi (Luka), i kisha grisur kapakun dhe emrin e Bilal Xhaferrit dhe e ruaja të fshehur në një valixhe druri të kyçur poshtë krevatit në Qytetin "Studenti" të cilën ma kishte punuar një komshi në Shkodër, Zefi, vëllai i Don Nikoll Mazrrekut i njohur me pseudonimin e famshëm Nik Barcolla. Për mua që shkruaja tregime ishte një manual artistik për mënyrën se si duhej kërkuar e gjetur e bukura në jetë e si duhej mishëruar në art. E dija se po t'ma gjenin do të më përjashtonin nga Universiteti e madje punët do të venin keq e më keq.
Po vazhdoja ta ruaja si një relikë e çmuar. Ishte ushqimi im i përditshëm shpirtëror ashtu si "Vërshimet e lumenjve të Konstandin Paustovskit dhe tregimet me shi të Minelaos Ludemis. Atë çast kisha parasysh librin e fshehtë të Bilal Xhaferrit të arratisur në Amerikë. Kisha parasysh edhe persekutorin e atij që e adhuroja si shkrimtar. E kisha urryer kur anatemonte si të ishte një Zeus shkrimtarin Bilal Xhaferri, i rritur jetim e me sakrifica, talentin e madh, shpresën për një art të lirë e sublime që dilte nga shpirti.  Tani ai, Fadil Paçrami, persekutori, ishte kthyer në një grusht njeri në pritje të fatit të vet të gremisur. Atë çast e mëshirova shpirtvogëlsinë e tij sepse tashmë edhe ai ishte asgjë më shumë veç një viktimë e makinës shtypse komuniste, të asaj monstre e cila, meqë nuk u ngop me gjakun e popullit, kishte nisur të hante edhe bijtë e vet.
I ktheva krahët e ika. Ish kthyer në kufomë e gjallë ky njeri që kërkonte ti kthente në kufoma të tjerët.
Ky pra ishte intelektuali komunist Fadil Paçrami.
I harruar qoftë kujtimi i tij!

18 gusht 2017