22 August 2017

Euthanasia e 25 qershorit, as zgjedhje e as zgjidhje - nga Kolec Traboini


EUTHANASIA E 25 QERSHORIT
- as zgjedhja e as zgjidhje -

Nga KOLEC TRABOINI

Shumëkush po thotë se e ka fajin populli që nuk punon ndaj jemi në këtë ngecje. Thonë kemi popull dembel që nuk i kthehet punës. Po mirë, shkuar pas kësaj trage po thërrasim në ndihmë të madhin Naim Frashëri me vjershën "Punë, punë natë e ditë". Vëmë popullin ta këndojë si në kohën e Revolucionit Kulturor e jemi OK! Po pse more kështu zgjidhen punët e shtetit e problemet e popullit. Po në cilin shekull jetojmë. Çfarë psikologji kemi? Po shqiptarët shkojnë në zgjedhje e vrasin mendjen të zgjedhin cili është hajduti më i mirë e meriton të jetë në krye. Se nuk ka asnjë alternative tjetër. Këtej Rama, konfuz e i papërgjegjshëm, që në zyrë merret me zhargavina që i vë nëpër ekspozita banale me ministrin e brendshëm të diktaturës në shpatull, andej Luli pas të cilit hijerëndë rri Saliu me 700 katastrofa si karvan, për më andej si Jago rri Mediu në sfond të Gërdecit me 26 kufoma.
Pas tyre një tufë demagogësh që politikën e kanë si kafe. Cilin të zgjedh populli. I kanë mbyllur të gjitha shtigjet e lirisë për të zgjedhur. As kaq nuk kuptoni o njerëz? Kë zgjodhët kësaj herë? Ekipin me idiot që mund të ekzistojë në qeverisje. Po me Xhackat e maçkat do bëjë prokopi ky vend. Po a bëhen harabelat ministra.  Hë më ju lumtë. Mënyra më e mirë për ta shkatërruar një vend është vënia e kokëboshëve sharlatanëve në qeverisje. Dhe mënyra më sigurtë që një popull të bëjë vetëvrasje është të delegojë pushtetin si sovran tek bandat e banditët që nuk dinë tjetër veç të vjedhin e grabisin. Tani me këtë zgjedhje çmendurake që keni bërë, o shqipot e mi, do të keni ish Ministrin e Brendshëm të Diktaturës kryetar Parlamenti.
Kjo është katastrofë e ju më thoni se nuk ka faj despoti që jep urdhër, as xhelati që pret koka, por i mjeri njeri i varfër që vodhi një çap bukë për të mbajtur frymën. Njerëzit vjedhin atëherë kur nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër. Ju i shkarkoni fajet e krimineleve në pushtet e qeverisje a në politikë tek njeriu i varfër. Ky është antihumanizëm. Kjo është barbari. Kjo është të jetosh me psikologjinë e xhunglës. Por unë kam një mendje tjetër. Atje ku shteti sillet si bandë hajdutesh, populli ka të drejtë të revoltohet dhe të ngrihet e ta përmbysë keqqeverisjen me të gjitha mundësitë që ekzistojnë për të shpëtuar nga tirania e pamundësisë për të jetuar.
Sepse për lirinë ja vlen çdo sakrificë. Për lirinë ja vlen të rrezikosh. Dhe një gjë për të mos u harruar është edhe se, pamundësia ekonomike është ekzaktësisht mungesë e plotë lirie. Është skllavëri ekonomike. Është mungesa e lirisë për të jetuar. Liria nuk është një koncept i ngushtë dhe nuk mund assesi të kuptohet vetëm si mundësi për të vrarë veten si e vetmja zgjidhje e shpëtim nga prangat ekonomike.
Për të shpëtuar prej të tillave ekseseve, prej kësaj gjendje kritike ku mund të vihet njeriu, qytetarët zgjedhin qeverinë e cila detyrë të parë ka rregullimin e jetës në një shtet dhe përkushtimin si nëpunës kokulur të popullit. E jo të këndojnë për fitoren e vet si gjeli maj mullarit të plehut pasi ka shkelur pulat e oborrit.
Jo nuk e ka fajin populli. Për gjendjen katastrofike ku jemi e kanë fajin banda e horrave që mashtron popullin e vinë në pushtet të vjedhin e të grabisin pasuritë kombëtare e popullin kësisoj e kanë varfëruar deri ne atë skaj sa tragjikisht të ndërtojë psikozën “Shqipëria nuk bëhet”.
Fati i Atdheut nuk është fati i njeriut të vetëm. Edhe pse jeta e çdo njeriu ka rëndësi potenciale në një shtet. Kjo është e ditur. Peshon shumë e më shumë fati i Atdheut. Prandaj nuk mund të gjykojmë si provincialë të vetmuar që e kanë mendjen veç tek parcela e vet e vogël e bota le të bëjë si të dojë, le të digjet e përvëlohet. Jo! Nuk na lejohet një luks i tillë banal. Kam pas e kam tjetër vizion. Se Shqipëria mund e duhet të bëhet. Pengesë janë pushtetarët që më shumë se sa si drejtues të mençur veprojnë si pushta para pasqyrës me psikologjinë e dëlirin për vetveten. E kam këtë bindje se e di mirëfilli se Shqipëria është një vend me pasuri të mëdha natyrore që shkojnë në xhepat e bandave politike dhe banditëve në pushtet. Qytetarët shqiptarë janë viktima të represionit ekonomik, ku një kryeministër më shumë i kushton përkushtim atleteve të veta Adidas me vijë të kuqe, se sa probleme ekonomike që po e zhbëjnë ketë vend. Ky është vizioni im për problemet social ekonomike dhe despotizmin e oligarkisë që e kanë pllakosur e duan ta shkatërrojnë këtë vend e ta shpërbëjnë këtë popull
Cila është zgjidhja? Zgjidhja është dëbimi. Më mirë të ikin pushtetarët se sa populli. 400 mijë shqiptarë kanë ikur jashtë përgjithmonë në katër vjet të kësaj qeverisje të papërgjegjshme e të korruptuar deri në palcë. Shqipëria pakësohet  me 100 mijë shqiptarë në vit. Një ministre jep koncesion pa përfitim nga shteti 1 milion metër katror për 100 vjet. Pyetja me e thjeshte dhe e drejtpërdrejtë është, sa para morën ndërmjetësit e këtij skandali pa precedent në Evropë por rëndomë në Shqipëri. A ka kontroll shteti. A ka prokurori në këtë vend?!
Një gjë është më se e sigurt: me këto ritme shpopullimi dhe afera në dy dekada në vazhdim nuk do të ketë më Shqipëri e shqiptarë. Harrojeni. Në agjendat sekrete pan-ballkanike shuarja e shtetit shqiptar është në veprim e sipër. Antagonistët e kësaj prirje kanë një agjendë tjetër po aq të rafinuar, kthimin e Shqipërisë në një Kalifat në suazën e perandorisë së re osmane të udhëhequr nga erdoganizmi. Këto janë dy forcat kryesore ogurzeza që veprojnë në konspiracion të plotë e me buxhet mbështetje miliona dollarë. Po ku janë atdhetarët? Ku janë intelektualët e idealistët kombëtar të paktë që i kanë mbetur këtij vendi? Pse nuk flasin e shkruajnë. Pse nuk mblidhen të kundërshtojnë.Ti japin përgjigje pyetjes: Çfarë duhet bërë përpara këtyre alternativat  kobzeza e komb vrasëse?
Pa dashur të bëj të diturin shpreh bindjet e mia me shprese se jam në udhëz të drejtë. Zgjidhje mendoj se është zgjimi nga letargjia dhe shpërthimi në kundërshti e revolta popullore. Asnjë rrugë tjetër nuk ka. Zgjedhjet si ato te 25 qershorit janë në mënyrë te përsëritur në 27 vjet, një fasadë, një hipokrizi, një mashtrim, legjitimim i banditizmit, dhe një mënyrë që në emër gjoja të sovranit  të sjellin e risjellin në pushtet bandat që e kanë kapluar politikën.
Cila është zgjidhja? Dalja në rrugë, të bëhemi bashkë dhe imponojmë vullnetin tonë në të drejtën për punë, për liri, për mirëqeverisje nga të cilat buron mirëqenia e popullit.
Jemi një vend i pasur nuk ka asnjë shkak të jemi një popull i varfër. Çdo qeveritar që nuk ka frikë nga populli është despot. Ky është një mësim që kurrë nuk duhet harruar. E para dhe e fundit fjalë gjejnë njëra-tjetrën nëse duam të jetojmë si njerëz:
Trimërohuni që t’ju kenë frikë. Kjo është e vetmja zgjidhje.

20 gusht 2017