Dy Hajdarë bëhen kumbarë - nga Kolec Traboini



Në New York foto: Harry (alias Hajdar) Bajraktari - Nderi i Kombit- me  bajraktarin e tij  Sali Berisha

DY HAJDARË BËHEN KUMBARË
-Hajdar Bujar Mehmeti i jep nishanin "Nderi i Kombit" Harry Halit Hajdar Dollarit-

Nga Kolec TRABOINI

Një mik me njofton se ky salisti "Nderi i Kombit", në origjinal nuk e ka patur as Halit as Harry por thjeshte Hajdar....na duhet të korigjojme shkrimin sepse punët e metamorfozës së hajdarëve qënkan disi të ngatrruara. Është si puna e presidentit që të gjithë e njohim me llagap Mehmeti, dhe si kandidat i PPSH ashtu njihej, që hyri në politikën demokrate si Nishani pa patur asnjë lidhje me Nishanët e Gjirokastrës. Eh, sa gjëra bëhen Roma për Toma në Shqipëri, po me New York- un ç' patën....shkuan aq larg ti rrasin ne gjoks dekoratën më të lartë të Shqipërisë Hajdarit të Dollarit.

Dallgë te madhe po lëshon deti, 
aferim Bujar Mehmeti... 

Me një fjalë ky hajdar president i jep Harry-Hajdarit titullin "Nderi i Kombit", po nuk ja jep këtë titull  Aristidh Kolës,  as Martin Gjokës, mësuesit të gjithë kompozitorëve shqiptarë.
Lexuam se edhe artistit  shkodran Mark Kaftalli(1933-2014) nuk i është dhënë asnjë titull, anipse është konsideruar violinist virtuoz dhe një "Paganin shqiptar", autor i 750 këngëve, ndërkohë që Presidenti heq këmbët zvarrë osh-osh e shkon deri në Amerikë dhe i jep titullin "Nderi i Kombit" një farë emër/ndrruari Harry Bajraktari alias Hajdari, që e vetmja meritë që ka është se ka hapur një gazetë dhe në rastin më të mirë e shiti shumëfish me fitim, me një fjalë e kish për biznes. Ky po ka një meritë atdhetare se e ka ndërruar emrin nga Halit apo Hajdar, kush dreqin po e di, në Harry, që merret me bizneset e veta dhe dihet ka qenë promotori i  pushtetit mbrapshtan të Sali Berishës, mbështetësi më i fuqishëm i keqbëmave të tij në Diasporë. Prandaj dhe nxitojnë t’i bëjnë nderin duke e njollosur kështu titullin "Nderi i Kombit". Ky President  u kish dashtë jo të sorollatej nëpër Amerikë duke darovitur tituj ndër miqtë për kokë e për pilaf të Sali Berishës, por të nderonte së pari njerëzit që i janë përkushtuar Shqipërisë dhe kauzës shqiptare. Nëse ish për të nderuar ndonjë njeri jashtë Shqipërisë së cunguar të vitit 1913, Presidenti u kish dashtë të nderonte së pari me titullin "Nderi i Kombit" avokatin e studiuesin Aristidh Kola(1944-2000), ish presidentin e Arvanitasve në Greqi, mbrojtësin e shqiptarëve të Kosovës që realisht e kanë eliminuar duke u bërë kësisoj martir i kauzës së shqiptarëve në Ballkan,  por nuk e bën këtë as Presidenti, as ekipi i këshilltarëve të tij anipse librat e Aristidh Kolës ia shesin e ia fusin paratë xhepit.
Pse ndodh kjo me këtë president? Çfarë është ky president dhe kujt i shërben? E dimë si e sollën, nga nën mënga e xhaketës së ish-kryeministrit Berisha,  por nuk po dimë pse rrimë e vështrojmë se si ai mbron një drejtësi të korruptuar dhe se si i darovit me titujt e shtetit tarafin e miqtë madje edhe nivelim mediokërr dhe çengijet e tallavasë. Si është e mundur të shohim me qetësi një President që bëhet pengesë për progres, që mban nën sqetull të korruptuarit në KLD dhe Drejtësi me fakte të dokumentuara publikisht? Pushteti që i delegohet në emër të popullit përdoret në emër të autokratëve, korrupsionit dhe prapësive duke sjellë kështu një shtet që nuk po funksionon në të gjitha hallkat deri atje sa të ketë jo vetëm mosbashkëpunim, por rivalitete të egra. Një President që zbret në nivelin e mediokritetit, për hakmarrje personale si të ishte një fëmijë adoleshent e refuzon dekretimin e përfaqësuesit shqiptar në Vatikan Adrian Ndrecës, sepse ky paska shkruar diku, diçka për presidentin. Po ky President a mos jeton me mendje në kohën e diktaturave, kur nuk ka qenë e mundur që mizat ta dhjesin portretin e perandorit, diktatorit apo dhe presidentit. Si pra ta kthejmë këtë shtet rrumpallë  në një shtet normal tani që sinjor doktor  Rrumpalla ka rënë prej kali dhe pret të merret me të drejtësia për krimet që ka bërë. Po cila drejtësi ta bëjë këtë? Drejtësia më e korruptuar në kontinent?  Këtu të gjithë veprojnë në kokë e në qejf të vet dhe fijet i loz ai i djeshmi, që ende mbetet gangrena e këtij vendi me presidentin si vegël qorre.

Si i bëhet pra me këtë shtet që ka në krye njerëz të papërgjegjshëm dhe i ushtrojnë funksionet e larta për të darovitur miqtë e orgjive politike? Si i bëhet,  a gjykohen këta për këto veprime që mund të konsiderohen edhe korruptive. Se unë nuk e kuptoj asesi si u peshkua ky Hajdar Harry Bajraktari, që dihet nga gjithë komuniteti shqiptaro-amerikan, se është miku për kokë i Sali Berishës dhe strehëz e tij. E nëse ndodh t’i hapet dosja e bëmë-gjëmave këtij të pushtetit autokrat e të korruptuar deri në palcë, janë të shumta gjasat që diku t’u dalë emri edhe atyre që e kanë ndihmuar të rrijë në pushtet një regjim absurd që pati marrëzinë të bëjë edhe krime mbi popullin duke vrarë njerëz të pafajshëm.
A është ky sistemi që kemi ngritur së prapthi i paaftë të ndalojë keqpërdorimin e funksioneve që mbajnë shtetarët e lartë, madje pa kurrfarë merite. Po nëse papritur një ditë kreu i shtetit të rrjedh nga trutë, siç  dha simptoma  në një  fjalim të një Viti të Ri më 31 dhjetor 2012, kur tha lemeritshëm: 

“Uroj autostradat të jenë plot me  kamionë. 
Qiellin, plot me  avionë. 
Detin plot me anije. 
Rrugët plot me makina. (si të ishte në një skeç estrade.) 

Gjithë bota e ka problem si të pakësojë kamionët e makinat që sjellin kancer për qytetarët, presidenti ynë uronte për më shumë. Pra uronte të shtoheshin vdekjet mesa dukej.   Si do të bëhet pra, a kemi mekanizma për ta ndaluar kësisoj njerëzish me mendje të ngushte e plot me alogjizma, a kemi mundësi të parandalojmë të keqen për ta larguar atë e për të sjellë një njeri më të përkushtuar e të denjë si atdhetar, e kryesorja të përgjegjshëm?! Sepse vërtet po na lodhin marrëzitë e këtyre që konsiderohen të mëdhenj, por që janë në defiçensë në kulturë e dije. Si i bëhet pra?!
Si i bëhet për të nderuar heronjtë e martirët e vërtetë të këtij kombi që kanë mbetur si jetimë me shkakun e thjeshtë  se kemi pasur nje president që erdhi e iku si faqezi, një president  si kukull vitrine. Por një kukull me mustaqe ama, për t’ia pasur zili edhe presidentët e  Amerikës Latine.

22 tetor 2014