30 August 2017

Për ata që lypin në rrugë- nga Kolec Traboini


PËR ATA QË LYPIN NË RRUGË

Nga KOLEC TRABOINI

Për sistemet autokratike dhe diktatoriale lypësit e nevojtaret janë armiq dhe arrestohen si keqbërës. Me 30 gusht 2017 policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar një njëzet e një vjeçar, i cili po lypte me gruan e fëmijën e vogël. Kjo polici luftëtare heroike por e mposhtur prej kanabisit që e ka mbuluar Shqipërinë, nuk thotë asgjë se cila ka qenë gjendja shoqërore e kësaj familje të re me një fëmijë. Sa të ardhura kishin, a punonin, a kishin asistencë sociale. Për këto policia nuk interesohet. Por as nuk shpjegohet motivi i arrestimit. Në cilin vend të botës, veç sistemeve autokratike e diktatoriale lypësit arrestohen si keqbërës. Lypësit nuk bëjnë asgjë të keqe. Kemi parë lypës të veçuar në shumë shtete, madje edhe në Washington DC, saktësisht në Georgetown, të shtrirë në një rrobë të vjetër, pranë një kutie e një letre ku shkruhej “Help me please!”. Por askush nuk shqetësohej veç faktit se ai ishte i varfër dhe hidhnin ndonjë 25 centësh metalikë,  por edhe ndonjë dollarë letër. Policët as nuk i preknin, as nuk i ngacmonin e as i thoshin shko me tutje. Për arrestim as që bëhet fjalë. Këtu në Shqipëri mesa duket janë në një stad tjetër të zhvillimit social. Aq shumë i ndihmokërka shteti të varfrit e vet, sa ata u dashka të mos ankohen, të mos kërkojnë asistence sociale, të mos emigrojnë, por as dhe të lypin. Sipas policisë së një qeverisje të majtë, një absurditet ky i pashoq, qytetarët e këtij vendi që nuk kanë asnjë mundësi jetese, nuk duhet të lypin por të zgjidhin alternativen të vdesin urie. Lind pyetja, cili është shkollimi i policisë sonë, kultura e dijet për problemet shoqërore,  apo thjeshte janë mitingashët e partive të veshur me uniformë vetëm e vetëm të marrin një rrogë e as që e vrasin mendjen fare sepse e janë të siguruar, se janë trimoshat e partive.
Por më bën përshtypje qëndrimi i Avokates së Popullit Erinda Ballanca, e cila është zgjedhur në atë detyrë më 22 maj, si rrjedhojë e marrëveshjes politike enigmatike e aspak transparente Rama - Basha, dhe ka bërë betimin në kuvend me 17 qershor. Gjatë kësaj periudhe tre mujore nuk është parë të prononcohet për asgjë. Ajo e ka pranuar atë funksion por a i di detyrat e veta?! Nëse jo dikush duhet t’ia shpjegojë se ajo është aty pikërisht për të mbrojtur ata që nuk gjejnë mbrojtje nga askush dhe është në një fare mënyre shpresa e fundit. Ajo nuk duhet të presë ti trokasin në derë nevojtarët e fatkeqët që e pësojnë, por të gjendet atje ku ndjehet nevoja më e madhe sociale dhe atje ku ka drejtësi të munguar apo të vonuar. Është e paimagjinueshme të marrësh detyrën e Avokatit të Popullit dhe e të ngulfatesh në zyrë pa ditur çfarë bëhet përjashta me popullin tënd.
Para dhjetë vjetëve në një libër me ese kemi botuar edhe shkrimin me titull ”Gazetaria investiguese nën setrën e një romi”. Po i referohemi sepse shohim se problemet sociale jo vetëm që nuk gjejnë zgjidhje nga shteti, pushteti edhe institucionet, duke përfshirë edhe Avokatin e Popullit,  por ato përkeqësohen keq e me keq. Asnjë ndryshim, të paktën në këto dhjetë vjetët e fundit nuk kemi.
Po cili është pozicioni i medias në Shqipëri në këto 27 vjet të kaosit, i emëruar ky me delikatese shpifëse si tranzicion, ndërkohë që asgjë nuk ndryshon. Le ta shohim një shembull tipik në fushë të gazetarisë i vështrimit të realitetit më dylbi së prapthi:

*          *          *

Ata që shesin fëmijët e vet padyshim janë ashtu si janë e nuk do koment. Por kurrë të mos harrojmë se ata janë një pjesë e fajit, se pjesën më të madhe e ka shteti shqiptar që nuk funksionon, e ka varfëria e tmerrshme prej së cilës, me këto parti e udhëheqje që kanë, gjithnjë e më tepër shtohet...
Para se ta kenë individët turpin, duhet ta ketë mbarë shoqëria. Turp duhet të kemi të gjithë, duhet të na skuqet faqja si shqiptarë e të mos shfaqemi si mburravecë me ca pasthirrma euforike: "Oh, sa mirë me qenë shqiptar…”, por të ulim kokën e të punojmë. Sepse sa më shumë që ndër tubimet ndër vedi mburremi zë lartë, aq më në siklet jemi kur dalim nëpër botë me pasaportën shqiptare, madje edhe pasaportë amerikane të kesh, doganierët italianë të ndajnë veç dhe të shohin me dyshim se mos e ke falsifikuar. E kjo veç pse je shqiptar. Po kohët e fundit edhe amerikanëve po u shtohet ky fare dyshimi. Shtypi në kontinentin e ri jo rrallë herë po na lakon për prapësitë.
Mikja e shqiptarëve senatorja Hillari Klinton në një bisedë me shqiptarë në Nju Jork, u ka thënë hapur e me sinqeritet se keni një nam shumë të keq ju shqiptarët, duhet të punoni shumë e shumë për ta hequr.
Kolegu gazetar Filip Çakulli, me gazetaren e re "Anjeza",  nuk e ka patur të vështirë për të futur në grackën e kamerës nja dy - tre romë, trafikantë të pistë, por këta nuk janë e keqja e vetme e Shqipërisë. E keqja është ulur këmbëkryq në mes të Tiranës, e ka emrin miliona dollarë, që të shumtat janë të fshehura por disa edhe kanë kurajën civile t’i deklarojnë hapur. Kjo e keqe ka emrin e zonjave e zotërinjve që u vjen erë livandë evropiane të markave me emër, por që janë me të erë pista se sa këmisha e ndonjë romi që nuk ka ujë të lahet e as strehë ku të fus kokën, as ndonjë mensë të varfërisht ku të hajë një drekë, se këta të pasurit tanë që u bënë milionerë sa të hapësh e të mbyllësh sytë (merret me mend se si, po kush sot në Shqipëri të pyet se si i vure paratë), nuk japin këta  asnjë dhjetëshe për bamirësi.
Nuk mund t’i njohin cilësitë njerëzore, fisnikërinë e bujarinë kaderusët  shqiptare që pasurinë e kanë vënë me dhunë, gjak, drogë, prostitucion si trafikant femrash,  pse jo dhe me shitje fëmijësh, veç pazaret nuk i kanë bërë në mes të lulishtes "Rinia", por mbase në Rogner a Sheraton, si dhe në lokale të tjerë të shtrenjta ku mblidhen mafiozët e monstrat politikës dekonstruktiviste.
Lepuri i poshtërsive njerëzore fle jo vetëm mbi barin e parkut “Rinia” përballë Taivanit por edhe gjetkë nëpër sallone luksoze, nëpër grand hotele, por kamerat e Top Channel-it nuk guxojnë t’i investigojnë, sepse është sikur të prekësh gjarprin.
Gjithsesi   bashkohem me indinjatën e lexuesve ndaj atyre që në mënyrë çnjerëzorë trafikojnë fëmijë, po desha që gazetaria investuese, kuadrin e krimeve në shoqërinë shqiptare ta shihte në një sfond më gjerë sepse lepuri poshtërsive të sotme nuk fle vetëm nën setrën e pa larë të ndonjë "zeshkani" pijanec...
Ka plot njerëz "bardhoshë" me kollare e zonja bruneta e bjonde me sqimë, që në përkujdesje të lukut janë kthyer në bufonata, që nxjerrin miliona me "duar të pastra" në makinën e korruptuar të shteti. Madje kjo është në modë në Shqipëri. Mirëpo gazetarët investigativ nuk shohin aq lart, u mjafton hapësira e blertë tek parku “Rinia”,  atje ku rrinë shtresat më të rraskapitura të popullsisë sa i përket e nivelit të mirëqenies.

*          *          *

E gjithë kjo që më sipër referuam ishte për atëherë, pra kur u botua  libri me ese në vitin 2007. Po tani që doli vetingu dhe po i dalin rrënjët korrupsioni masiv që e ka kapluar këtë vend, kur po del ne pah se prokuroria jo ka hapur, por ka mbyllur mbi 300 dosje korrupsionesh të rangjeve të larta, a e kuptoni se sa qesharake janë bërë policia dhe media jonë, që në sinkronë me drejtësinë (shto e padrejtësive) merren me ca cironka, si ai burri  njëzet e një vjeçar me gruan e fëmijën e vogël që po lypnin në bulevardet e Tiranës.
Ndërkohë peshkaqenët e korrupsionit, ministra e deputetë, drejtorë institucionesh që na gjenden 5 herë milionerë me euro, që guxojnë të kenë 56 shtëpi,  as merr mundimin ti prekë njeri se ata janë bërë njësh me politikën dhe pushtetin. I vetmi vend në Europë ku krimi ka guximin të ngjitet në parlament, politikë e pushtet është Shqipëria. Si do hyjmë në Europë kësisoj? A ka njeri me mendje të kthjelltë në këtë vend të na e thotë.
Për këta honxho-bonxho zyrash e pushtetesh, siç u thoshte rangut të tyre Mihal Grameno, faje  e krime bëjnë vetëm ata që lypin në rrugë. E që të kthjellojmë pak mendjen, shumica e atyre që lypin në rrugë janë romë, e kjo tregon se shoqëria jonë nuk është krejt pa shenja racizmi.

26 August 2017

Trishtimi dhe përbuzja e Bodlerit - nga Kolec Traboini

TRISHTIMI DHE PËRBUZJA E BODLERIT
esè nga KOLEC TRABOINI

Pas studimeve të panumërta në të gjithë botën, nuk di çfarë mund t`i komentohet më tepër Bodlerit në raport me kohën e tij, shekullin dhe shoqërinë franceze ku jetoi e që tashmë është pak e vëshirë ta njohim. Shpirt i pikëllimit, tribun i përbuzjes, urrejtës i shoqërisë të cilën e shihte të shpërfytyruar, i pakuptuar në kohën e tij, me vepër të ndaluar, gjyqe, por edhe absolut në ndikimin e tij në mbarë poezinë botërore, pra tepër vështirë të merremi me të, veç të përvijojmë faktin se sa gjejmë në jetën tonë të tilla motive dhe sa të tilla fenomene ende e gërryejnë shoqërinë njerëzore, por edhe i sfilitin jetët individuale. Parë në këtë këndvështrim, e shoh më aktual se kurrë Bodlerin në Shqipëri, ku dita i zbulon poshtërsitë e jetës e nata dosido i mbulon ato, ndaj tingëllojnë aq thellë në shpirtrat tanë fjalët "...Si ecë e ëmbël nata!".
Tek dita, Bodleri, nuk shihte asgjë, ose të paktën shihte vetëm të këqjia, ndaj dhe titulli i vëllimit të tij qe "Lulet e së keqes". Si në poezitë e tij, nuk gjen dot vepër e autor tjetër bashkkohës, por dhe më pas të kenë përbuzuar veset shoqërore ( që mbase në ato kohë, a ende edhe në kohën tonë, nga mediokrit cilësoheshin e cilësohen si virtute). Është krejt e natyrshme që poetët e poezinë e revoltës ta lindë koha, në një lindje të vështirë sigurisht, të detyruar, si një shpërthim i stresit të përgjithshëm shoqëror. Në një shprehje të tij Bodler thekson: "E keqja shkaktohet pa u sforcuar, se është vepër e faktit.", ndërsa më tej " E mira është gjithnjë një art.".. Pra e thënë hapur, sot që arti në përgjithësi është në pikë të hallit, thuaj pa asnjë peshë në jetën shoqërore, ku në modë është politika mediokre, fare pak ka edhe të mira, madje mirësia është krejt e përjashtuar si term social. Përdoret fjala bamirësia si term, por në fakt lakohet për qëllime më tepër religjioze,ose më e keqja nga ekstremistët e kamufluar nga bota arabe e bashkpunëtorët tyre vendas, që kërkojnë vënien e shoqërisë civile nën tutelën e frymës së tyre talibaniste.
A kanë lidhje këto me Bodlerin, mund të pyes ndonjë lexues i i pavëmendshëm, i mësuar ky me mëmëligën e shtypit shqiptar, që është thjeshtësuar jo vetëm në këndin e trajtimit të problemeve, por edhe në përdorimin e frazeologjisë shterpë e pa ngjyrim fjale të një gjuhe komunikimi që është varfëruar skajshëm. Them se kanë lidhje, sepse në kohën që shoqëria shqiptare ka strese të mëdha, individi ndjehet i braktisur në aspektin e trajtimit social, shumë pak apo aspak nuk ndjehet zëri i protestës për gjëndjen mizerabël të pjesës më të madhe të shoqërisë shqiptare. Gjithkush e di si është rrethuar Tirana, në pikëpamje të migrimit të popullsisë. Dikur me përbuzje përdornin fjalën çeçenë, tani për të qënë brënda( se duhen edhe votat e çeçenëve) e kanë harruar këtë etiketim përbuzës, ani pse periferia ka mbetur Çeçeni e shkuar saj, në pikëpamje të kushteve të jetës, varfërisë së skajshme, shto mentalitetin që mbartin me vete duke u zhvendosur nga krahinat më të largëta, në rrethinat e kryeqytetit ku janë të vetizoluar e ku shpesh kanë vazhduar të bartin mentalitetin krahinor, përdorimin e dhunës në zgjidhjen e problemeve brënda e jashtë familjes, mosnjohjen e moszbatimin e ligjeve dhe plot të tjera.
Natyrisht kjo nuk është pjesë e vështrimit tonë në këtë shkrim, por duam ta përdorim si sfond për problemet e reflektimit të ndërgjegjes shoqërore ndaj fenomeneve që ndodhin në shoqërinë shqiptare. Në një vend ku mbizotëron në tërë qelizat e jetës politika, një vend tmerrësisht i varfër, me udhëheqës që mendojnë se bëjnë politikë të madhe në një vend të vogël e për fat të keq të papërfillshëm. Tërë media e shkruar dhe vizive merret me shkëlqimin e politikës, kur në të vërtetë ajo që shitet si shkëlqim është kurrgjë tjetër veç një lëtyrë, një manipulim politik. Dhe ata njerëz që shtiren si politikanë të mëdhenj, nuk bëjnë kurrgjë tjetër, por veç masturbohen nëpër media të shkruar dhe të folur( mitingje, foltore, parlament, TV Show-politik).
Pra, ka dy segmente që e përshkojne tërë jetën shqiptare, fort të dukshme këto, varfëria e gjendja pa rrugëdalje e ekonomisë dhe e dyta, demagogjia e pompës politike, sikur çdo gjë e mirë këtij populli i vjen nga fjalët pa fund e pa sens të politikës që vazhdon të ligjëroje si në kohë të Hoxhës, se gjoja mendojnë e punojnë për popullin. Veç duhet thënë se i kanë shtuar demagogjisë politike edhe nocionin Komb dhe Europë, për t`u bërë më sportivë në pelivanllëqe në tele-shtyp, por në të vertetë gjej pak apo dhe aspak ndryshime në demagogjinë e foltoreve të dy kohëve që pretendojnë, po me llafe ere, të jenë të kundërta.
Po kush e beson dhelprën se ka vendosur të heqë dorë nga gjuetia e pulave?! Me se do të rrojë e zeza dhelpër?! E për të dalë aty ku ishim, aq më tepër kur politika është bërë bisnesi më fitimprurës në Shqipëri, kjo politikë prodhon para me thasë, si të ishte ky Atdheu i Ali Babës e 40 hajdutëve të përrallave persiane. Këto janë fenomene që i shohin e i konstatojne të gjithë, por më e pakta i prekin Mediat. Mirë Mediat, po ku është arti, ku janë artistët, ku është shpirti i tyre i ndjeshëm. A nuk u rreh zemra ndopak këtyre njerëzve që quhen Ajka e kombit, përpara kësaj katrahure në tërë segmentet e shoqërisë. A nuk e dinë se ende mentaliteti shqiptar vazhdon të sundohet, më keq se në çdo vend tjetër në Europë, apo pse jo edhe në Azi, në idenë e ikjes nga sytë këmbët. Në Shqipëri trumbetohet me të madhe për nacionalizmin, spekullohet me nacionalizmin, tregohen përralla të bukura me nacionalizmin folklorik, ndërtohen kështjella në erë me nacionalizmin primitiv, kur e verteta është se më shumë se kurrë ka humbur interesi i njerëzve për fatet e kombit. Vetmashtrohemi me fjalë, cyrle, tollumbace me ngjyra, por realiteti është krejt ndryshe. Bëjmë koncerte me çifteli e sharki në segmentin Tiranë-Prishtinë, hedhim valle me kostume popullore e qeleshe, vëmë parulla të mëdha festive, mbajmë fjalime për suksese të mëdha, por realiteti nuk është tek fasada, por përtej fasadës.
Realiteti është trishtues e pesimist, vazhdon të dëgjohet fjala se ky vend nuk bëhet, se po të linte kufijtë e hapur Europa, këmbë shqiptari nuk do të mbetej në këtë vend. Ah, po! Do të mbeteshin llafazanët politikë të cilët do të sillnin ca ujgurë e ca kinezë që të krijonin sërish popullin e ri, se me ato që do të mbeteshin nuk do të sajonin dot as një tabor luftarak për mbrojtur këtë vend shqiponjash të ikura.
Kështu në të vërtetë janë punët tona. Ndaj them se Bodleri është më aktual se kurrë në këtë vend ku lulëzojnë lulet e së keqes. Edhe frutat të zeza i bëjnë ato lule. Se ua dëgjojmë zërin përditë në stacionet televizive të Europës, ku sa herë flitet për një prostitute të rrahur a përdhunuar rrugëve, a vrarë e hedhur në pyll pa indentitet, është e sigurtë se ajo do të pasohet me fjalën "shqiptare". Sa herë që vidhet një shtëpi në Itali a Greqi... thuhet, e kanë bërë shqiptarët. Sa herë bëhet një krim prapë shqiptarët. Ne shqiptarët që jemi futur në NATO - dhe shkalafitemi nga qejfi skur Nato do t'i japë bukë e punë këtij populli. Përralla të bukura politike. Karamele limonatë, që i mbllaçisin edhe ata që duhet të ishin në anën e trishtimit dhe përbuzjes, në anën e frymës së Bodlerit. Artistët pra. Ku janë. Çfarë bëjnë. Përse shkruajnë? Cilat janë temat sociale? Ku është nervi migjenian, ky gjeni, ky Bodler me gjak e shpirt shqiptar? Kur dihet se po të jetonte Migjeni në këtë kohe, po aq do ta shkruante "Kangën e mjerimit". Artistët tanë as nuk ndjehen. Madje edhe lihen të manipulohen nga politika dhe i gjen madje edhe ambasadorë. Shkruajnë ende për kohën që ka vdekur këtu e 20 vjet më parë. Kur fëmija që ka lindur atë vit tani është njëzetvjeçar, i papunë, kalon ilegalisht kufijtë në rrezik jete. Propaganda punon në invers. Siç bënte monizmi me zogizmin, bën koha jonë me enverizmin. Mallkime pa fund për një kufomë të kalbur të komunizmit, kur trupat e gjallë në jetën shoqërore vinë erë kërmë ideologjike, e ka njerëz që janë më shumë të vdekur se të gjallë. Po marrin dhe çmime këta artistë. Pse jo!? Çmime të mëdha për vepra që nuk kanë në qendër kurrgjë nga realiteti bashkëkohor social shqiptar. Fryjnë emrat e mëdhenj në letërsi, por realiteti mbytës që ka rrethuar Tiranën dhe e ka ngërthyer jetën në qytete të tjera në tragjedi njerëzore, kur njeriu vetvritet se nuk ka me se të ushqejë veten e familjen, ku gjendet në këtë letërsi e në këtë art? Kurrkund.
Bodleri vazhdon të trishtohet atje në Montparnas. Trishtohet për ne, për Shqipërinë e shqiptarët. Se ne nuk kemi as dëshirë e as fuqi shpirtërore të trishtohemi e ta përbuzim këtë realitet të zymtë e të pistë siç bënte ai. E sikur na thotë:
"Që të mos ta ndjeni veten skllevër martirë të kohës/ dehuni/ dehuni pa pushim me verë/ me poezi/ me virtyte/ sipas dëshirës ../."
Thënë shul shqip, larg retorikash poetike:
Ne jemi kthyer në një art të tredhur nga politika...
Dua ta mbyll këtë shkrim me vargjet po të Bodlerit të madh:

Rri urtë o Brenga ime dhe falmë qetësinë
Ti mbrëmjen e kërkoje, ja tek po zbret tani
Pëlhurën mbi qytet të mugëtit po e shtrin
Disave u sjell paqe, të tjerëve mërzi
Kur turma e ndyrë e njerzve, që veç dëfrime dinë
Të fshikur nga kamxhiku i Epshit në gosti
Të poshtër zhgrryhen krejt ndërsa pendime u vinë
O Brengë, nëma dorën, me mua eja e rri.

__________________________


Charles BAUDELAIRE
Biografi nga Vikipedia

Charles Baudelaire (Sharl Bodler) lindi më 9 prill të vitit 1821 në Paris dhe vdiq më 31 gusht të vitit 1867, ishte poet, kritik dhe përkthyes i njohur francez. E ëma e tij, pas vdekjes të së shoqit, u martua me një kolonel i cili duke qenë shumë i ashpër nxiti e provokoi urrejtjen e të birit. Marrëdhëniet me të ëmën nuk i kishte fort të mira dhe ky faktor shkaktoi tek ai krizën ekzistenciale që e shoqëroi për tërë jetën. Në 1833 njerku regjistroi në Kolezh Ruajal. Sjellja e tij nuk ishte nga më të mirat, kështu që njerku i zemëruar e detyroi të shkonte në Indi. Ky udhëtim ndikoi për mirë te Sharl: e njohu me kultura dhe njerëz të ndryshëm. Që këtu lindi dhe dashuria e tij për ekzotismin, që duket më së mirë në kryeveprën e tij "Lulet e së Keqes”. Sidoqoftë 10 muaj më pas u kthye në Paris dhe duke qenë se ishte në moshë madhore mori pjesën që i takonte nga pasuria e të atit. Në 1842, njohu poetët Gerard de Nerval dhe Gautier; me këtë të fundit u afrua shumë pasi për më tepër shikonte tek ai një udhëheqës artistik dhe moral. Gjatë kësaj kohe njohu Jeanne Duval, me të cilën pati një marrëdhënie shumë pasionale. Ndryshe nga zakonisht lidhja e tyre vazhdoi për një kohë të gjatë. Charles gjente frymëzim te Jeanne e cila i qëndroi pranë deri në ditën e fundit të jetës së tij.Ndërkohë jeta që Bodleri bënte në Paris nuk ishte kushedi se çfarë. Kur e ëma zbuloi se ai kishte harxhuar gjysmën e trashëgimisë e hodhi në gjyq. Gjykata i caktoi një administrator të cilit Bodleri duhet t`i kërkonte para për çdo gjë që i nevojitej..Në 1845 publikoi krijimet e tij të para, ndërsa për të fituar disa para më shumë filloi punë nëpër disa revista si: "Arti romantik" e "Kuriozitete estetike". Në 1848 mori pjesë në lëvizjet revolucionare në Paris ndërsa në 1857, publikoi në shtëpinë botuese Pule-Malassiz kryeveprën e tij "Lulet e së keqes", që përmban rreth 100 poezi. Libri gjykohet për imoralitet ndërsa botuesi detyrohet të censurojë disa prej poezive. Bodleri ra në depresion të thellë. Në 1861 u përpoq të vetvritej. Në 1864, pasi nuk u pranua nga Akadèmia franceze, u largua nga Parisi për të shkuar në Bruksel, por edhe qëndrimi në kryeqytetin belg nuk i ndryshoi mendimet e tij për borgjezinë.
I sëmurë, kërkonte qetësinë te hashashi, opiumi dhe alkoli. Pas një paralize që e bllokoi në shtrat për disa vite ai vdiq në moshën 44-vjeçare. Heshtrat e tij prehen në varrezat Montparnasse, së bashku me ato të mamasë dhe njerkut. Në 1949 Gjykata Kasacionit e Francës vendosi që vepra dhe jeta e tij të kishin vendin e merituar në piedestalin e kulturës frënge.
Veprat: "Lulet e së keqes"(1857), "Parajsat artificiale"(1860), "Rrënojat"(1864), "Prozat poetike"(1869).

23 August 2017

Demokracia komuniste e Ramiz Alisë ka triumfuar - nga Kolec Traboini






DEMOKRACIA KOMUNISTE E RAMIZ ALISË KA TRIUMFUAR

Nga KOLEC TRABOINI

 Në dhjetor 1990 por edhe shkurt 1991 nuk ishte aspak e vështirë të vihej re se pushteti po kalonte nga komunistët tek po komunistët. Mjafton të sjellësh emrat e personave që i kishin zgjedhur për pardesy të bardha, o komunistë ose bashkëpunëtorë të sigurimit. Siç merrnim ushqimet me listë, Ramiz Alia i zgjodhi politikanët e të ardhmes me listë.
Të gjithë pardesytë e bardha, të piketuar për udhëheqës duheshin mbrojtur nga sigurimi i shtetit në situata të turbullta nëse gjendja dilte jashtë kontrollit. Lexoni emrat e atyre që u gjenden dhe formuan Partinë Demokratike. Dhe dëgjoni pohimin fantastik të Preç Zogajt kur në një emision TV ku tha se në formimin e partisë të gjithë ishin të ftuar, pra formimi ishte i hapur, çfarë nuk ishte aspak e vërtetë, po nuk thotë se kush e hartoi listën dhe si na u gjendën ta zëmë i biri i kriminelit komunist Josif Pashko, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, pra i ati  ka qenë kryetar gjykate në dënimet me vdekje të nacionalistëve shqiptarë kur e morën pushtetin komunistët, çfarë shënonte jo çlirimin por robëruan popullin. Ky do të përfaqësonte përmbysjen e madhe të komunizmit, ku bashkë me ish agjentët e sigurimit që u gjendën në atë mbledhje. Pra bijtë po përmbysnin baballarët?!  Po kush kishte qenë armiku kryesor i komunizmit në dyzet vjet, kush kishte hequr mizoritë në burgje e internimet. Ku ishin bijtë e të pushkatuarve, pse nuk i bënë vend as dhe njërit.
Preç Zogaj është një poet i mirë, por një politikan i keq, sepse kushtëzohet prej pengut të vet në diktaturë, është si puna e kalit që nëse e rreh një herë ai nuk bën më për kalë shale, por veç të mbrehet në karrocë, kështu që mbrehur në karrocë vazhdon edhe sot e kësaj dite. Mirë këta të PD-së që gjetën një ish sekretar partie e komunist prej 24 vjetësh dhe e vunë në krye, është afër mendsh që nuk mund të vinin një njeri që nuk kish qenë komunist e nuk kishte lidhje me udhëheqësit komunistë. Po kush i thirri këta, kush i bëri vend në atë formim të partisë “opozitare”? Padyshim krejt udhëheqës-ekipi i Partisë së re u hartua nga të dërguarit e Ramiz Alisë. Kishin përvojë komunistët në këtë drejtim dhe ka një përqasje aspak të çuditshme në mes të formimit të PD dhe të PKSH. Më 8 nëntor 1941 të gjitha letrat i luante jugosllavi Miladin Popoviç,  i cili gjeti tek Enver Hoxha dishepullin e vet a më mirë të thuash gjeti shërbëtorin e vet siç e thotë edhe Liri Belishova në intervistën  e vet tek gazeta “Panorama” 15 janar 2015.
Kështu ndodhi edhe në dhjetor 1990 kur Ramiz Ali kish afruar pranë studentëve njerëzit e vet për të parë mundësitë për të ndikuar në çdo lëvizje që ato do të bënin. Sigurimi shqiptar ka qenë shumë i zhvilluar, dinte edhe sa lugë kishe në shtëpi, siç thoshte populli dhe nuk na paska qenë në gjendje të kontrollonte zhvillimet në qytetin e studenteve. Problemi i saj ishin disa studentë të cilët për shkak të temperamentit të tyre ishte e vështirë t’i përpunoje, prandaj dhe për të krijuar një solucion zbutës u dërgua tropojani i mjekësisë. Le ta mbulojnë sa të duan, të gjithë që në atë kohë i kanë përjetuar ngjarjet kanë thënë, nga na doli ky doktori si udhëheqës politik, e kur u shfaqën Gramoz Pashko dhe Aleksander Meksi e të tjerë,  nga na dolën edhe këta.
Por këto dilema nuk i kishte as ministria e brendshme, as Komiteti Qendror i Partisë së Punës. Gjithçka shkonte sipas parashikimit ani pse të dërguarit e Ramiz Alisë i dolën fjale e nisën të mendojnë për vete, por gjithnjë duke e ruajtur mesazhin që ishte dhënë, që udhëheqja e komunistët pavarësisht që për 40 vjet kishin shtypur  me egërsi me dhunë, nuk do të pësonin asgjë dhe pushteti do t’u jepej bijve të tyre dhe jo reaksionit, nacionalistëve e ballistëve. Pra kemi dy formatime që përqasin aq shumë, një formin nga Miladin Popoviçi 1941, tjetri prej Ramiz Alisë 1990, ndryshimi i vetëm është se ky i fundit u bë nga një shqiptar dhe jo nga një jugosllav.
Kulmi ka qenë kur na doli edhe ministri i diktaturës Gjinushi e bëri dhe ai parti bashkë me Lisjen Bashkurtin që ka qenë sekretar i parë i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste dhe në atë kohë ruaj në kujtesë që dërgova një shkrim rreth diplomacisë së shtetit komunist e riciklimit të komunistëve nëpër parti të reja dhe ia dërgova Frrok Çupit në gazetën e sapo dalë RD, në fund të janarit 1991, por nuk ma botoi. Më kishte botuar më parë më 16 janar shkrimin “Vlera e simboleve kombëtare” ku kërkoja heqjen e yllit komunist nga flamuri kombëtar, por këtë për riciklimin e komunistëve në partitë kërpudha që po mbinin në prag të derës së PPSH, nuk e botoi.
Me refuzimin e atij shkrimi, dyshimi që kisha mu vërtetua katërcipërisht. Në të gjitha partitë po gëlonin ish komunistët.  Prandaj kam mendimin se gjithçka ka qenë e manipuluar veç rasteve të veçanta kur kjo nuk ka qenë e mundur dhe u ka dalë dore. Xhelil Gjoni, ish anëtar i Byrosë Politike që ka dalë së fundi me një intervistë ka të drejtë kur thotë se ishte piketuar rruga nëpër të cilën do të ecte demokracia me pikatore. Sepse ja ku jemi, vërtet iku Xhelili nga pushteti asokohe, por ja ku mbeti i biri. U bë ministër i brendshëm. A mendohej kjo në dhjetor 1990 apo në shkurt 1991? E keni deputet edhe sot e kësaj dite.
Po të kish ndodhur demokracia e vërtetë kjo vazhdimësi e pjella komuniste nuk do të kishin vend në parlament dhe as në pushtet. Kurrësesi në ndonjë post qeveritar, nuk do të kishte as bashkëpunëtorë të sigurimit ministra e deputetë. Prandaj  është jo pandehmë, por bindje e plotë se siç e planifikuan ashtu ndodhi. Nga ana tjetër Xhelil Gjoni gënjen kur thotë se mitingu që organizoi ai kundër atyre që u futën në ambasada më 2 korrik 1990, ishte i lirë. Jo. Ka pas urdhër të rreptë nga Komiteti i Partisë së Tiranës që duhej të ishin të gjithë punonjësit në miting tek Pallati i Kulturës, dhe po mungove pushoheshe nga puna. Për këtë kishin vënë edhe njerëz të merrnin firmat nëpër institucione që do të shkoje patjetër në miting. Janë gjallë njerëzit që i vunë ata të Byrosë së Partisë të na i merrnin firmat në Kinostudio në korrik 1990. Pra ka qenë miting me detyrim dhe me firmë, ndryshe nuk do të shkonte asnjë veç komunistëve.
Por edhe gjendja reale që kemi ende dhe sot e kësaj dite tregon se demokracia e vërtetë me dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare nuk është bërë kurrë, ndaj edhe më tej Shqipëria do të jetë e kapur prej pinjollëve të tyre, edhe kur këta shtiren si demokratë të mëdhenj. Ja edhe mendësinë e medias që ka kurajën të shpalosë në publik edhe lajme të këtij lloji, në “A1 Report TV” thuhet se "Nipi i Spiro Kolekës arreston nipin e Enver Hoxhës". Pra edhe prej televizionit që është afër Qeverisë e përkëdhelet prej saj, duke i dhënë  tendera, i konsideronte këtë arrestim të Ermal Hoxhes si luftë brenda llojit.  Kujtojme se me tenderin Bunker Art #1 dhe #2, italiani bos i shtyp -TV ne Tiranë Carlo Bollino fitoi miliona euro. 
Konkluzioni që del është se që nga viti 1944 e sot pushtetin vazhdojnë ta kenë komunistët e pinjollët e tyre biologjikë. Rasti më tipik është i vitit 2017, kryeministri shqiptar në mes të parlamentit afishoi pozicionin e tij duke thënë se jam partizan (kuptohet partizan i Enver Hoxhës se ai i kishte partizanët) dhe jo i Ballit Kombëtar, që sipas tij hanin e vazhdojnë të hanë pula. Një fjalor krejt i ngjashëm në histeri me atë të Enver Hoxhës gjatë 40 vjetëve të sundimit të tij. Asnjë protestë nuk u pa nga opozita për këtë skandal, as nuk e dërgoi çështjen në Gjykate Kushtetuese sepse kryeministri është i gjithë popullit e jo i komunistëve e partizanëve të Enver Hoxhës. Si kryeministër ka bërë një betim të cilin e thyen publikisht në parlament e ku deputetët, që kanë një nivel kulturor mjeran,  heshtin si mumie egjiptiane. Dhe e dini se pse nuk u ankuan, se edhe këta te Enver Hoxhës kanë qenë, madje me shumicë spiunë sigurimi të emëruar për faqe të zezë deri edhe ministra.
E vetmja gjë që ka ndryshuar në këto 27 vjet, të emërtuar tinëzisht si tranzicion  është liria për të folur dhe shkruar, por edhe kjo e kufizuar se nuk ka një Media plotësisht të lirë e jashtë politikës në Shqipëri. Nuk gjen dot një organ që kritikon e investigon të dy palët e politikës, partitë e korruptuara deri në palcë prej të cilave buron një pushtet i kalbur, që veprojnë si banda, të cilat nuk janë opozitarë me njëra-tjetrën, por thjeshtë kundërshtare në pamje e solidare në thelb. Me qëllim për të zhvatur popullin, çfarë e tha hapur nga kryeministri. Vetingu nuk bëhet për ne, - ju drejtua kundërshtarëve të vet,  por për të tjerë. Kësisoj i qetësoi dhe i siguroi bashkë hajdutet kundërshtarë se nuk ju prek njeri. Pra ai që do të kontrollohet se mos vjedh qenka populli dhe jo qeveria, as nëpunësit e lartë, as deputetët apo krerët e opozitës e ish kryeministri, e ish ministrat. Kjo po është reformë si ato të Tanzimatit në epokën e mallkuar të sulltanëve, sikur të ishim në shekullin e 19. Dhe diplomatët e huaj shohin  dëgjojnë e heshtin si bufa. 
Ajo çfarë mund të konsiderohet e paimagjinueshme në një shtet normal, në Shqipëri qendron e rregullt. Kësisoj Prokuroria në vend të shqyrtojë çështje e afera skandalesh korruptive,  është kthyer në një institucion për të mbyllur dosjet e politikanëve e shtetarëve të korruptuar. Flitet ne shtyp për 300 të tilla. Pra  thënë hapur, ky organ bashkë me drejtësinë në tërësi  janë kthyer në një lavatriçe korrupsioni dhe merret me peshq të vegjël, ca sardele që kanë ngecur në rrjetë nga padija për të vjedhur me shumicë. Këto parti gjoja kundërshtare  nuk dallohen nga njëra-tjetra prej  ideve a platformave, por thjeshtë prej kolltukëve për të cilët bëhet lufta si qëllim në vetvete. A nuk u vu re se Kryeministri shqiptar, që është dhe kryetar i PS, nuk përmendi asnjë program për mirëqenien e popullit, punësimin a pensionet. Madje nuk premtoi për ndonjë zhvillim ekonomik apo kujdes social. Rast unik në botë të shkosh dhe të zgjidhesh pa premtuar asgjë. Gjithë kohën në fushat u muar me bejte e zhargone deri në banalite estradash:  “Qe të mos na e luaj tjetri timonin andej e këndej na jepni atë dreq vote”.
Pra fushata e kryeministrit kishte qëllim në vetvete pushtetin, “timonin” e as gjë tjetër, pa thëne as se çfarë do të bënte me këtë pushtet e si do ta dredhonte timonin. Një fushate e tillë vulgare pa asnjë premtim real e ka degjeneruar tërë sistemin zgjedhor në Shqipëri duke e bërë të pakuptimtë. Gjithsesi të shfaqet e çfarëdo demagogjie që të përdoret, demokracia komuniste e platformës së Ramiz Alisë me pikatore ka triumfuar. Duam apo nuk duam ne, duan apo nuk duan ta pranojnë të huajt, dielli me shoshë nuk mbulohet.