Si e pse nuk u bëra kurrë komunist - nga Kolec Traboini



SI E PSE NUK U BËRA KURRË KOMUNIST
-  Megjithë këmbënguljen e Niko Kolekës, dajës së kryeministrit të sotëm -

Nga KOLEC P: TRABOINI

Më thonë shpesh se qenkam produkt i kohës së lavdishme të Enver satanit. Më gjykojnë me mëndet e veta që u kanë mbetur peng i kohës së perënduar, se unë nuk e di veten produkt i bolshevizmit, as komunizmit e as i rrymave të tjera qëllim liga si këto. Veç dashurisë për Atdheun që e kam të pakontestueshme e të patjetërsueshme, nuk më lidh asgjë me kohën kur jetova në diktaturë.
Mallkuar qoftë ajo kohë gjaku e krimesh monstruoze!
Gjithsekush e ka nevojë të bejë apologjinë e vet. Edhe unë gjithashtu.
Unë Kolec Traboini jam produkt i Hotit dhe i Shkodrës, i biri i Palok Luc Çekut - Gojçaj, nga Traboini i Hotit që mbajti mbi shpatulla një histori. I lindur fatkeq në diktaturë kam qenë i detyruar të mbijetoj. Kam bërë koncesione plot ne punën time si skenarist filmi në Kinostudio, e kjo që të mbijetoja, si pinjoll i vetëm që isha, që të mos na shuhej raca e gjyshit tim Luc Çek Gojçit që e ka varrin në Traboini të Hotit, se boll na ka shuar komunizmi në Malësi, shumë dyer ka mbyllur njëherë e përgjithmonë.
Produkt komunist nuk jam e nuk mund të jem, aq më tepër vetë daja i Kryeministrit të sotëm, që ishte nip i një udhëheqësi  të diktaturës, Spiro Kolekës, ndjesë pastë Niko Koleka në Kinostudio, ka insistuar aq shumë që të bëhesha komunist, por në asnjë rrethanë nuk kam pranuar.
Niko Koleka kishte qëllim të mirë, nuk e vë në dyshim, se pa qenë komunist nuk kishe asnjë përparësi, por unë kisha një kujtesë të llahtarshme se si kishin vepruar komunistët me njerëzit e krahinës sime Hot, por edhe në Nanlocën tonë Shkodër. E megjithëse pagova haraç e bëra koncesionet e mbijetesës, kurrë nuk e kam tentuar e as çuar nëpër mend të jem produkt i kohës hoxhiste. Nuk me linte të bëhesha komunist kujtimi i Nunit tim Prenk Uci i Hotit, i burgosur politik që u vetëvra prej persekutimesh, kujtimi i vëllait të tij Palok Uci që me urdhër e firmë të Enver Hoxhës u ekzekutua në mars 1945 në moshë pak më shumë se 20 vjeçare. Kujtimi i djalit të fisit tonë Nikoll Gojçi komandant i batalionit të 3 të brigadës së I Sulmuese në moshën 26 vjeçare, që u ekzekutua pas shpine nga Mehmet Shehu. Nuk më linte as kujtimi i hotjanëve  të tjerë të ekzekutuar si miku i ngushtë tim eti, mësuesi nga Hoti Pjetër Pali, po ashtu kapiteni trim Gjelosh Luli, i miri Patër Zefi i Traboinit, mësuesi artist Gjokë Martini, Kol Maçi e të tjerë.  Mes meje e këlyshëve të Enver Hoxhës që bënin krime të përbindshme në Malësi e në Shkodër kishte një hendek gjaku. Gjaku i bashkë-malësorëve të mi, i fisit tim, i miqve e të afërmëve të Atit tim.
Ne nuk e lindëm komunizmin kur erdhëm në këtë botë, e gjetëm këtu. Ndërsa për ata që e sollën ka një thënie të komunistit të parë, shkodranit Zef Mala, se,  as populli as historia nuk do të na falë kurrë se sollëm farën e keqe shkatërrimtare në këtë vend.
E vërteta është si dielli, i cili nuk mund të fshihet pas ferrave të komunizmit.
Punë e vështirë.

© Kolec P. Traboini 2017