Përkujtohen në Tiranë Josif e Vasil Pani / nga Kolec Traboini


PËRKUJTOHEN NË TIRANË JOSIF DHE VASIL PANI
Përurohet libri kushtuar këtyre atdhetarëve “At e bir për mëmëdhënë”.

Nga KOLEC TRABOINI

Përurimi i një libri u bë shkas që në Muzeun Historik Kombëtar të mblidhen dardharë e devollitë, por edhe shkrimtarë e artistë për të përkujtuar dy nga figurat më të rëndësishme të Komunitetit shqiptar të Amerikës, veprimtarëve e drejtues të Shoqatës “Vatra” Josif e Vasil Pani.
Libri është shkruar nga i biri i Vasil Panit, Sotiri, i cili jeton në Boston të Amerikës, pikërisht atje ku e kanë zhvilluar veprimtarinë atdhetare babai dhe gjyshi i tij.
Veprimtarinë e hapi Kolec Traboini, i cili është kujdesur për botimin e librit. Ai theksoi se përtej përurimit kemi përkujtimin e këtyre dy figurave që nuk kursyen asgjë për çështjen kombëtare dhe meritojnë nderim e respekt nga të gjitha brezat që do të vijnë. Është një libër historik me shumë interes, që jo vetëm meriton të lexohet por edhe e pasuron bibliotekën e pasionantëve të historisë kombëtare, në të cilën komuniteti shqiptaro-amerikan zë një vend të rëndësishëm
Fjalën kryesore e mbajti Prof. Nasho Jorgaqi, shkrimtar e studiues, i cili e njeh më mirë se kushdo veprimtarinë e shqiptarëve të Amerikës dhe ka botuar veprën voluminoze për jetën, veprimtarinë e krijimtarinë e Fan Nolit. Megjithëse e kam njohur veprimtarinë e Josif Panit, për mua tha Profesor N. Jorgaqi, ky libër është një vlerë e veçantë, sepse sillen kujtimet familjare gërshetuar aq mirë me dokumente të shumta dhe origjinale. Mund të thosha, theksoi shkrimtari Nasho Jorgaqi, se ky libër ka ardhur në kohën e duhur, madje  historia e komunitetit shqiptar të Amerikës do të ishte i mangët pa këtë libër për Josif e Vasil Panin. Në vazhdim ai solli fakte nga jeta e Josif Panit këtij njeri punëtor por të pasionuar që bënte njëkohësisht edhe punën e botuesit dhe të gazetarit. Ai ishte ndër veprimtarët e parë, u njoh e bashkëpunoi me atdhetarin e madh Sotir Peci, ishte edhe mik i ngushte e  besnik i Faik Konicës. E çuditshme por e vërtetë, vuri në dukje Profesor Nasho Jorgaqi, se Josif Pani ishte një njeri me ide të majta socialdemokrate,  ndërkohë që dihet se Faik Konica ishte i djathtë madje konservator, e megjithatë ishin miq shumë të ngushtë e kurrë nuk u prishën me njeri-tjetrin,  sepse të dy ishin atdhetar të mëdhenj dhe punonin me përkushtim për kombin.
Ne vazhdim ai foli edhe për Vasil Panin, vazhdimësinë e ndritur të Josif Panit që Noli i madh e karakterizon atdhetar e bujar i madh e me shpirt të mirë. Vasil Pani ishte zgjedhur kryetar i “Vatrës” më shumë se asnjë njeri tjetër, në tre periudhat më të vështira të cilat i përballoi aq mirë sa siç thoshte Noli po të mos që Vasil Pani shoqata “Vatra” do të kishte pushuar së qeni prej kohësh.
U sollën përshëndetjet e shoqatës “Devolli” dega Amerikë për kontributin e autorit të librit Sotir Pani i cili, u tha,  vazhdon veprën e babait e gjyshit të vet. Këtë botim shoqata e vlerëson një vlerë e shtuar në veprimtarinë e shqiptarëve të Amerikës.
Letërsia jonë dokumentare sot ka një vepër tjetër të re, tha në fjalën e tij Prof. Musa Kraja duke e përgëzuar autorin dhe duke vlerësuar dy figurat kombetare Josif e Vasil Pani, të cilët qëndrojnë krahas atdhetarëve të mëdhenj të periudhës së Pavarësisë e me pas.
E mori fjalën edhe Novrus Shtylla duke çmuar veprimtarinë e palodhur të Sotir Panit si vazhdues i denjë i babait dhe gjyshit të vet.
Nga Bostoni një grup emigrantesh shqiptare, Fuat Memelli, Jani Plasa, Kiço Çeku dhe Kostandin Mosko i dërguan një përshëndetje, të cilën e lexoi Kolec Traboini.
“Çdo 28 Nëntor, te shtëpia e Sotir Panit në Dardhë, është ngritur flamuri shqiptar, ndërsa me ardhjen në Amerikë, ngrihet te shtëpia e tij këtu në Boston. Siç ka thënë Fan Noli, ne mërgimtarët, vetëm degët kemi në dhera të huaja, ndërsa rrënjët i kemi në atdheun tonë.” - thuhej ndër të tjera në letrën e emigranteve shqiptarë nga Amerika.
Të pranishmit i përshëndeti autori i librit “At e bir për mëmëdhenë” Sotir Pani, i cili theksoi se e ndjente për obligim të sillte kujtimet e dokumentat që me durim i kishte mbledhur, se pari për rrethin familjar, por kur e pa se dorëshkrimi kishte marrë një formë të plotë vendosi ti botojë. Ai falënderoi të pranishmit, shtëpinë botuese “Emal” dhe Muzeun Historik Kombëtar për ketë organizim që është një nderim dhe përkujtim për Josif e Vasil Panin që tërë ja kushtuan Atdheut.

Po kush kanë qenë Josif e Vasil Pani:
Nga fundi i shekullit 19-të i riu nga Dardha e Korçës Josif Ligor Pani emigroi ca kohë në Greqi ku ra në kontakt me atdhetarët shqiptarë. Por atje u konfliktua me qarqet shovinistë të fqinjit të jugut dhe vendosi të shkojë emigrant në Amerikë në vitin 1903. Josifi qe ndër veprimtarët e parë e më të njohur për çështjen shqiptare. Veprimtaria e tij kishte dy drejtime kryesore, organizator shoqatash atdhetare që më pas do të formonin “Vatrën” dhe botues gazetash e revistash në gjuhën shqipe. Ishte botues i gazetave “Sazani” dhe “Drejtësia” si dhe autor i librit “Adriatiku dhe lufta europiane” . Gjithashtu autor i plot shkrimeve në gazetën “Dielli”.  Josif Pani ishte bashkëpunëtor i ngushtë me Faik Konicën, me të cilin e lidhte një miqësi e madhe. Aq tipike ishte kjo miqësi sa që Faik Konica nuk pranonte të dilte në fotografi me ndonjë tjetër, këtë privilegj ia ka bërë vetëm gazetarit e botuesit Josif Pani.  Nën shëmbullin e Faikut, Josif Pani njihet për polemikat e forta me greket e Amerikës por edhe me shqiptarët që punonin për Greqinë në dëm të çështjes shqiptare. Josif Pani jepte kontribut të madh edhe në Federatën “Vatra” deri sa këtë veprimtari atdhetare  do ta vazhdonte i biri Vasil Pani. Në vitin 1922 kthehet në Atdhe, në fshatin Dardhë. Është e njohur lidhja e miqësia e tij me Hil Mosin që aso kohe ishte prefekt i Korçës dhe ndihmoi për hapjen e rrugës Korçë -Dardhë në vitin 1929. Faik Konica kur e mori vesh se Josif Panit kishte vdekur në Dardhë të Korçës më 14 maj 1934, ka shkruar:“Josif Pani, ish një shqiptar me karakter të shëndoshë, një nacionalist me ndjenja të këthjellta, bashkëpuntor i imi i vjetër dhe një mik i patundur.”
Vasil Josif Pani ishte fare i ri kur në vitin 1912 u kthye nga Amerika në Shqipëri dhe u fut në radhët e luftëtarëve të çetës së Themistokli Gërmenjit. Mori pjesë në luftë kundër forcave andarte greke që donin të pushtonin Korçën e fshatrat përreth. Qëndroi në çetat atdhetare edhe në vitet 1913-1914, por edhe në xhandarmërinë e qytetit në ruajtjen e rendit, e më pas do të shkonte përsëri në Boston të Amerikës pranë babait të vet.
Në gazetën “Drejtësia” 1920, atdhetari Naum Cerja ka shkruar:“Josifi (Pani) nuk e kurseu djalin e tij, por e bëri therror në altarin e atdheut  si Abrahami Isakun dhe e dërgoi shpresën dhe ngushëllimin e pleqërisë, Vasilin, 19 vjeçar, të mbrojë truallin e shenjtë të Atdheut me krahërorin dhe gjakun e tij.”
Vasil Pani ka hapur asokohe një restorant të madh në Boston, i cili u bë qëndra ku mblidheshin shqiptarët dhe veprimtarët e “Vatrës” me Fan Nolin dhe Faik Konicën. Vasil Pani një pjesë të madhe të fitimit në restorant e kalonte për Federatën “Vatra”, sa edhe Noli do ta pranonte se, të mos ishte Vasil Pani Federata Panshqiptare “Vatra” do të ishte shuar e harruar. Duke i njohur meritat, anëtarët e Federatës e zgjodhën fillimisht për 10 vjet kryetar i “Vatrës. Por u zgjodh dhe dy herë të tjera.  Vdiq papritur më 11 dhjetor 1947 në moshën 52 vjeçare. Fjalët e shprehura nga shqiptarët e Amerikës për këtë humbje të madhe janë me të vërtetë prekëse. Vetë Fan S. Noli për këtë figurë të Komunitetit Shqiptar në Amerikë,  ka vënë në dukje tre kategori ku mund të ndahej jeta e tij: Vasil Pani patriot, Vasil Pani si besnik, dhe Vasil Pani si shpirtmirë për ta përmbyllur me fjalët: 
“Vasil Pani ka qenë kurdoherë në krye të taborit të Shqiptarizmës.”

 Tiranë, 8 shtator 2016

LAJMI I MUZEUT HISTORIK KOMBETAR
“At e bir për mëmëdhenë”, historia e panjohur promovohet në Muzeun Kombëtar

Historia e panjohur promovohet në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Jeta e vepra e Josif dhe Vasil Panit, bashkëpunëtorë të afërt të Fan Nolit dhe Faik Konicës vjen kështu nëpërmjet një libri të ri. Në prag të vjeshtës 2016 vjen për lexuesit libri me titull “At e bir për mëmëdhenë” i shkruar nga Sotir Pani, përgatitur për botim nga Kolec Traboini në serinë e botimeve Pantheon, nga shtëpia botuese Emal. Një libër ky që veç jetëshkrimit ka edhe një mori dokumentesh me shumë vlerë e që mbase për herë të parë bëhen të njohura për lexuesin shqiptar. Në këtë libër kemi dy kapituj kryesorë për dy jetë atdhetarësh, por që kanë një përputhshmëri, sepse të dy këta kishin një veprimtari dhe një ideal të përbashkët. Josif Pani, ky mik për kokë i Faik Konicës, ishte ndër themeluesit e shoqatave të para shqiptare në Boston, më pas edhe i Vatrës, ndërsa i biri Vasil Pani, do të ishte ai që do të mbante të gjallë këtë shoqëri shqiptarësh për vite me radhë. “At e bir për mëmëdhenë” është një libër me plot ngjarje jo vetëm për dy figurat e mëdha atdhetare Josif e Vasil Pani, që shteti shqiptar i ka vlerësuar e dekoruar, por është i mbushur me plot fakte, dokumente, fotografi dhe përshkrime të veprimtarive nga jeta e Komunitetit Shqiptar të Amerikës. Me 260 faqet e tij, libri është një histori e gjallë, e dokumentuar që i shton njohuritë edhe për shoqatën atdhetare “Vatra”, e quajtur dhe Qeveria Shqiptare në mërgim. Kolec Traboini u shpreh se, “Është një libër historik me shumë interes, që jo vetëm meriton të lexohet por edhe e pasuron bibliotekën e pasionantëve të historisë kombëtare, në të cilën komuniteti shqiptaro-amerikan zë një vend të rëndësishëm”. Gjatë ceremonisë së promovimit folen dhe prof. Nasho Jorgaqi si dhe Prof. Musa Kraja.