Pyetje mbi Masakrën e Shkupit me 7 gusht 2001- nga Kolec Traboini

Në 15 vjetorin e Masakrës:
PYETJE AVOKAT IDAJET BEQIRIT MBI POZICIONIN E SHIK-ut TË FATOS KLOSIT NË MASAKRIMIN E KOMANDANT TELIT DHE NJËSITIT TË TIJ NË GAZI BABË TË SHKUPIT MË 7 GUSHT 2001.

Avokat i nderuar. Ju drejtohen sepse e di se je i lidhur ngushtë me veprimtari atdhetare veç profesionit të avokatit. Desha të pyes publikisht për mendimin tuaj se cili është pozicioni apo dhe roli i SHIK-ut të Fatos Klosit në Masakrën e Gazi Babës ku u vranë tradhtisht në gjumë Lefter Koxhaj, Pajtim Roçi, Ndriçim Koxhaj, Arben Bajrami, Abaz Beqiri, Adem Osmani (i vrarë më vonë me tortura në qeli)? Ju pyes duke qenë jashtë këtyre intrigave të kohës e të ditës, se kam qenë gjithherë në Amerikë e prej andej i kam ndjek ngjarjet. Po e përsëris për të qenë sa më i qartë e saktë në pyetjen time: A ka gisht në dhënien e informacioneve SHIK-u i Fatos Klosit mbi vendndodhjen e njësitit të UÇK-së në Gazi Babë të Shkupit më 7 gusht 2001, 15 vjet më parë, ku u masakruan 6 shqiptare ndër ta Komandant Teli, heroi më i lavdishëm i Luftës së vitit 2001, sot Dëshmor i Atdheut.
E dimë që Komandant Teli kishte probleme me drejtësinë shqiptare dhe ndiqej madje i është dhënë emri Interpolit nga ana e organeve shqiptare të ndjekjes (për çfarë Lefter Koxhaj përdortë pseudonimin e luftës Lefter Bicaj), prandaj është e rëndësishme të dihet se a ka dhënë Shik-u i Klosit informacione tek shërbimi sekret maqedonas për vendndodhjen e njësitit luftarak të Komandant Telit. Vendndodhja ka qenë sekret dhe e ka ditur vetëm Shtabi i UCK- së Ali Ahmetit. A ka pas lidhje Shik-u i Klosit me shtabin në fjalë dhe a ka shkëmbyer informata mbi shqiptarët që luftonin në rradhët e UCK-së? E kam ndjek këtë çështje prej disa vitesh dhe kam bindjen se në atë masakër kanë gisht shërbimet sekrete të disa shteteve duke përfshirë edhe Shqipërinë. A ka gjegje pyetja që ju shtrova të cilën unë do ta vë edhe në një libër në kërkim të së vërtetës se kush i tradhtoi 6 shqiptarët e UÇK-së të masakruar në gjumë, në lagjen shqiptare Gazi Babë të Çairit në Shkup. Kjo pyetje se nga ana e qeverisë shqiptare nuk është thënë asgjë, as nuk është protestuar për masakrën, por e kanë kaluar masakrimin e shqiptarëve si një ngjarje të thjeshtë që nuk meriton vëmendje. Të njëjtën gjë kanë bërë, si të ishin të sinkronizuar edhe antarët e shtabit të UÇK-së kur ata janë thirrur për deponime të ndryshme në Gjyqin e Hagës dhe në asnjë rast nuk e kanë konsideruar ngjarjen si një masakër dhe shkelje e ligjeve të luftës dhe nuk e kanë paraqitur si një akuzë ndaj shtetit të Maqedonisë.
A shihni ju ndonjë mundësi që kjo masakër të zbardhet në rrugë ligjore sepse për vepra të tilla mizore kalimi i kohës nuk përbën alibi për askënd qoftë individ apo institucion, shërbim sekret apo dhe instancat e qeverisjes shtetërore. Aq me tepër se tashmë Marrëveshja e Ohrit ka vdekur dhe ndaj bashkëkombësve tanë në Maqedoni vazhdojnë të ushtrohen padrejtësi dhe dhune e pafund, pa kursyer edhe krimet.

Me respekt
Kolec P. Traboini
11 gusht 2016