At e bir për mëmëdhenë - Josif e Vasil Pani.

AT E BIR PËR MËMËDHENË
Jeta e vepra e Josif dhe Vasil Panit, bashkëpunëtorë të afërt të Fan Nolit
dhe Faik Konicës në një libër të ri.


Gjatë një takimi qe kish pasur Skënder Luarasi me të birin e Vasil Panit, i kishte thënë që nëse do të botosh ndonjë herë një libër për babanë e gjyshin, duhet ti vesh titullin “At e bir për mëmëdhenë”. Kaluan shumë vite që atëherë. Sotir Pani pas 1990, do të shkonte të jetonte përgjithmonë Amerikë, ku kishin punuar e jetuar babai dhe gjyshi i vet,  dhe kjo porosi e marrë në atdhe nga një atdhetar i madh si prof. Luarasi,  i biri i Petro Nini Luarasit, do ta shoqëronte kudo. Dhe ja në prag të vjeshtës 2016 vjen për lexuesit libri me këtë titull i shkruar nga Sotir Pani, përgatitur për botim nga Kolec Traboini në serinë e botimeve Pantheon, nga shtëpia botuese Emal. Një libër ky që veç jetëshkrimit ka edhe një mori dokumentesh me shumë vlerë e që mbase për herë të parë bëhen të njohura për lexuesin shqiptar.
Në këtë libër kemi dy kapituj kryesorë për dy jetë atdhetarësh, por që kanë një përputhshmëri, sepse të dy këta kishin një veprimtari dhe një ideal të përbashkët. Josif Pani, ky mik për kokë i Faik Konicës, ishte ndër themeluesit e shoqatave të para shqiptare në Boston, më pas edhe i Vatrës, ndërsa i biri Vasil Pani, do të ishte  ai që do të mbante të gjallë këtë shoqëri shqiptarësh për vite me radhë.
Ka qenë fundi i shekullit 19-të kur Josif Pani emigroi ca kohë në Greqi ku ra në kontakt me atdhetarët shqiptarë. Por atje u konfliktua me qarqet shovinistë të fqinjit të jugut dhe vendosi të shkoje emigrant në Amerikë në vitin 1903. Josifi qe ndër veprimtarët më të njohur për çështjen shqiptare. Veprimtaria e tij kishte dy drejtime kryesore, organizator shoqatash atdhetare që më pas do të formonin “Vatrën” dhe botues gazetash e revistash në gjuhën shqipe. Ishte botues i gazetave “Sazani” dhe “Drejtësia” si dhe autor i librit “Adriatiku dhe lufta europiane” . Gjithashtu autor i plot shkrimeve në gazetën “Dielli”.  Josif Pani ishte bashkëpunëtor i ngushtë me Faik Konicën, me të cilin e lidhte një miqësi e madhe. Aq tipike ishte kjo miqësi sa që Faik Konica nuk pranonte të dilte në fotografi me ndonjë tjetër, këtë privilegj ia ka bërë vetëm gazetarit e botuesit Josif Pani.  Nën shëmbullin e Faikut, Josif Pani njihet për polemikat e forta me greket e Amerikës por edhe me shqiptarët që punonin për Greqinë në dëm të çështjes shqiptare. Josif Pani jepte kontribut të madh edhe në Federatën “Vatra” deri sa këtë veprimtari atdhetare  do ta vazhdonte i biri Vasil Pani. Në vitin 1922 kthehet në Atdhe, në fshatin Dardhë. Është e njohur lidhja e miqësia e tij me Hil Mosin që aso kohe ishte prefekt i Korçës dhe ndihmoi për hapjen e rrugës Korçë -Dardhë në vitin 1929. Faik Konica kur e mori vesh se Josif Panit kishte vdekur në Dardhë të Korçës më 14 maj 1934, ka shkruar:
“Josif Pani, ish një shqiptar me karakter të shëndoshë, një nacionalist me ndjenja të këthjellta, bashkëpuntor i imi i vjetër dhe një mik i patundur.”
 Dihet sa i kursyer ishte Faik Konica në vlerësimet e lavdërimet e bashkatdhetarëve të vet, por për Josif Panin thoshte çdo lëvdatë.
Vasil Josif Pani ishte fare i ri kur në vitin 1912 u kthye nga Amerika në Shqipëri dhe u fut në radhët e luftëtarëve të çetës së Themistokli Gërmenjit. Mori pjesë në luftë kundër forcave andarte greke që donin të pushtonin Korçën e fshatrat përreth. Qëndroi në çetat atdhetare edhe në vitet 1913-1914, por edhe në xhandarmërinë e qytetit në ruajtjen e rendit, e më pas do të shkonte përsëri në Boston të Amerikës pranë babait të vet.
Në gazetën “Drejtësia” 1920, atdhetari Naum Cerja ka shkruar:
“Josifi (Pani) nuk e kurseu djalin e tij, por e bëri therror në altarin e atdheut  si Abrahami Isakun dhe e dërgoi shpresën dhe ngushëllimin e pleqërisë, Vasilin, 19 vjeçar, të mbrojë truallin e shenjtë të Atdheut me krahërorin dhe gjakun e tij.”
Vasil Pani ka hapur asokohe një restorant të madh në Boston, i cili u bë qëndra ku mblidheshin shqiptarët dhe veprimtarët e “Vatrës” me Fan Nolin dhe Faik Konicën. Vasil Pani një pjesë të madhe të fitimit në restorant e kalonte për Federatën “Vatra”, sa edhe Noli do ta pranonte se, të mos ishte Vasil Pani Federata Panshqiptare “Vatra” do të ishte shuar e harruar. Duke i njohur meritat, anëtarët e Federatës e zgjodhën fillimisht për 10 vjet kryetar i “Vatrës”. Ishte koha kur shoqata Vatra pësoi nje ndarje ne mes te Bostonit dhe Detroitit ku vepronte Refat Gurazezi. Ai ishte kryetar i shoqatës Vatra  deri në vdekjen e tij të papritur më 11 dhjetor 1947 në moshën 52 vjeçare. Fjalët e shprehura me këtë rast për këtë humbje te madhe janë vërtetë prekëse. Vetë Fan S. Noli për këtë figurë të Komunitetit Shqiptar në SHBA,  ka vënë në dukje tre kategori ku mund të ndahej jeta e tij: Vasil Pani patriot, Vasil Pani si besnik, dhe Vasil Pani si shpirtmirë për ta përmbyllur me fjalët:
“Vasil Pani ka qenë kurdoherë në krye të taborit të Shqiptarizmës.”
Edhe Faik Konica ka qenë një nga miqtë më të afërt të Vasil Panit. Në fotografinë që i kishte dhuruar më 16 maj 1937 Konica pat shkruar:
 “Mikut të dashur zotit Vasil Panit për kujtim”.
Është ajo fotografi, me e bukura e Konicës,  që për gjysmë shekulli u ruajt në sëndukët e familjes Pani dhe tanimë është bërë e njohur dhe përdoret gjerësisht nga media dhe shtypi shqiptar. Ajo fotografi me kushtimin është vendosur në kapakun e librit. Interesante është shtrimi i një problemi që ende nuk ka gjetur zgjidhje. Çfarë u bënë biblioteka dhe gjërat personale të Faik Konicës. Dikush e qarkullon një letër që gjoja Faik Konica ka shkruar para vdekjes duke lënë porosi si testament, por mesa duket, me faktet që sillen në këtë libër, ajo letër është e stisur. Faik Konica kish vdekur papritur me 15 dhjetor 1942. Sillen fakte se ai e ka biseduar me Vasil Panin, kryetarin e shoqatës”Vatra” se dëshira e tij ishte që të varrosej në Shqipëri nëse i ndodhte ndonjë gjë. Dhe Vasil Pani e mori përsipër këtë amanet, por ishte kohë lufte. Kështu që Faik Konica u varros në Forest Hills Cemetery të Bostonit. Në restorantin Court House u ruajtën gjerat e Konicës.  Por me vdekjen e Vasil Panit nuk u muar vesh se ku shkuan rreth 3000 librat dhe disa nga gjërat personale të Faik Konicës. Zhdukja e këtij thesari diture ka mbetur mister edhe sot e kësaj dite. 
“At e bir për mëmëdhenë” është një libër me plot ngjarje jo vetëm për dy figurat e mëdha atdhetare Josif e Vasil Pani,  që shteti shqiptar i ka vlerësuar e dekoruar, por është i mbushur me plot  fakte, dokumente, fotografi dhe përshkrime të veprimtarive nga jeta e Komunitetit Shqiptar të Amerikës. Me 260 faqet e tij , libri është një histori e gjallë, e dokumentuar që i shton njohuritë edhe për shoqatën atdhetare “Vatra”, e quajtur dhe Qeveria Shqiptare në mërgim. Një libër historik me shumë interes, që jo vetëm meriton të lexohen por edhe e pasuron bibliotekën e pasionantëve të historisë kombëtare, në të cilën  komuniteti shqiptaro-amerikan zë një vend të rëndësishëm.

Pantheon Books Info