Sovraniteti i bretkocave- nga Kolec Traboini



SOVRANITETI I BRETKOSAVE
Kush e kërkon të drejtën në skëterrë do ta gjej veten në mes të flakëve.

Nga KOLEC TRABOINI

Dolën dy bretkosat e politikës dhe kënduan në mes të moçalit tonë të qelbur të Media Televizioneve. Njeri bretk trumbetoi se e fitoi betejën, betejën e tij të madhe legjendare, tjetri bretk ja pasoi se po bëjmë revolucionin historik. Tani lumturia e begatia në moçalishte është e pa skaj.
Të bëhet koka llallë, veçmas kur flet krye bretku. Po mirë more, e miratojmë këtë kushtetutë, do zgjedhim gjyqtar të rinj, do ta ruajmë at mut sovraniteti që hajdutët bëjnë për tu mbrojtur nga hajdutet, po prapë në krye do ti kemi këta delenxhinjtë e betejave të mëdha dhe e revolucioneve historike me pullë të kuqe? Po kush na garanton se ajo reforma në drejtësi, ajo beteje e fituar nga ju o llapa-llap televizionesh, ai revolucion historik i kryer nga ju nëpër letra, a ka pra mundësi të jetë një fitore duke pasur edhe më tej në krye një bande horrash siç jeni ju. Po jo more të paudhë, gjë prej gjëje nuk ka për të ndodhur sepse ende pa e miratuar ajo copë letër që quhet Kushtetute, nisi demagogjia e gënjeshtra, mashtrimi, dëliri, dëshira e çmendur për ta poshtëruar kundërshtarin dhe mburrur veten si te ishit ju shpëtimtarët e kombit.
Këto betejat e tyre të mëdha e donkishoteske, po fusin në harrim e lënë nën hije edhe ato 24 betejat që ka bërë Gjergj Kastrioti e për të cilat flet historia e botës. Kaq të mëdhenj janë këta sharlatanët tanë të politikës pordhë me rigon.
 Prisni se nuk keni para akoma. Keni për të parë atë që s'ka për të ngjarë kurrë - triumfin e drejtësisë në ferrin e djajve të politikës. Dihet që këtu e dymijë vjet: Kush e kërkon të drejtën në skëterrë do ta gjej veten në mes të flakëve.
Se shihni çfarë ndodh; ne kërkojmë reforme drejtësia nga këta, mirëpo pa kaluar një orë që trumbetuan fitoren me lajmin e mirë, u prishën prapë me njëri tjetrin batakçinjtë e politikës e na e kthyen në lajm të zi. Nga frika sigurisht. Se kanë vjedhur aq shumë sa tashmë u është çarë thesi e po ua sheh bota zullumin e tyre çerekshekullor.
E moj Shqipëri e gjora,  paske qenë shpella e thesarit të i Ali Babës dhe 40 hajdutëve. Për këtë e duan sovranitetin këta, që të vazhdojnë të vjedhin e rrjepin edhe me tej këtë popull pa u hyrë ferra në këmbë.

© Kolec P. Traboini 2016