Linçimi i Anjezave dhe mëkati publik - nga Kolec Traboini

    LINÇIMI I ANJEZAVE DHE MËKATI PUBLIK
- Obsion kundër rrymës dhe psikologjisë së turmave -

Nga KOLEC TRABOINI

Dhuna ndaj fëmijëve është e pa tolerueshme. Kjo është e padyshimtë dhe ligjet duhet të jenë të rrepta. Por jo deri atje sa, siç tha ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi, për prindër të papërgjegjshëm fëmijëve tu hiqet atësia, sepse kjo do të ishte një çmenduri e rradhës. Askush nuk ka të drejtë të heq identitetin e një qytetari aq më tepër një fëmije. Ajo çfarë mund të hiqet me vendim gjyqësor është vetëm kujdestaria. Shpresojmë të ketë qenë një lapsus ministror, si ai rasti kur një ministër tjetër i kësaj qeverie, i dërgonte mesazh një të vdekure që të jepte mendimin e saj mbi shërbimin spitalor. Makabritet. Apo një ministre tjetër që duke ju drejtuar qytetarëve shqiptare, ju tha shprehimisht: “Ne si qeveri nuk ju përgjojmë, ne vetëm ju ndjekim”.
Gjithsesi, këto ligje që kemi në mbrojtje të fëmijëve, por edhe jetimeve, që duhen zbatuar me rigorozitet dhe jo me fushata mediatike, veprojnë në aspektin publik. Po si do të bëhet në aspektin familjar. Se thënë të drejtën, ne jemi shqiptarë që vijmë nga një errësirë shumë shekullore. Kemi qenë nën osmanët 500 vjet dhe jemi bërë disi anadollakë në mentalitet. E për më tepër vazhdojmë të jemi kësisoj ani pse osmanët me brekushe kanë ikur prej një shekulli në shkretëtirat e veta nga kanë ardhur (tani në këtë demokraci konfuze që kemi, kanë nisur të na kthehen prapë). Drurin e hurin që na e jepnin osmanllinjtë e kemi në majë të gjuhës si normë morale mesjetare që ende mbijeton: “Druri ka dalë nga xheneti”,  psikologjiset ende në popull.
Pse themi kështu? Sepse ne jemi veshur me rroba firmato, shesim dëngla firmato në fjalime dhe intervista(në parlament më së shumti), prodhojmë vipa e rripa, bëhemi specialista, pedagogjista, psikologjista, bëhemi ministra, por mbetemi ashtu siç kemi qenë, si këtu e 100 kusur vjet më parë. Mbetemi skllevër të një mentaliteti patriarkal të shpifur; gruaja dhe fëmijët janë thjeshtë pronë burrash, e të zotit të shtëpisë. Sepse sipas patriarkalëve tanë, shtëpia shqiptare na paska ende zotër e robër. Jo të gjithë mendojnë kështu sigurisht. Nuk na zë të gjithëve thesi anadollak. Por më së shumti mbetemi ama.
Ndodhi një histori skandaloze e zbuluar me kamera të fshehtë (se instancat e shtetit flenë në gjumë të madh) dhe ngrihemi të gjithë njëzëri si në kohë të diktaturës. Për fajtoren që u zu me presh në dorë, bëhet thirrje e hapur të ekzekutohet. Në këtë rast është Anjeza e urrejtura e mbarë publikut shqiptar. Me kuç e me maç ky publik. Kur nënë mjerisht është dhe ajo, që paradoksalisht, jo më shumë se para një viti ka qenë e përkëdhelura e një televizioni qendror privat. Dhe kur je e përkëdhelur aq dukshëm, dihet se merr përpjetë deri në atë masë sa bën veprime të marrëzishme. Shumë lehtë kësisoj,  për të kaluar nga euforia në histeri, çfarë u pa e regjistruar në rrahjen skandaloze të një fëmije 3 vjeçar.  
Mirëpo protagonist i kësaj drame nuk mund të jetë vetëm Anjeza, sado e tmerrshme të duket ajo. Para se të arrinte deri tek rrahja e fëmijës, kjo Anjeza e televizionit na paska hapur një kopsht. Diku në Ministri të Arsimit ka gjetur me siguri ndonjë nëpunës që t’i vendoste një zarf në dorë, i cili do të bënte një sy qorr e një vesh shurdh (për të mos dëgjuar as të qarat e fëmijëve të rrahur). Pastaj na vijnë këta të tatimeve që i shkojnë në kthinën e errët edhe një këpucëtari tek shkolla “Avni Rustemi” dhe i tregojnë burgun nëse nuk jep kuponin tatimor për një shërbim me 100 lekë. Apo diku tjetër për një kafe 50 lekëshe. Por ama këta taksidarë mediokër të qeverisë bëjnë sikur nuk e shohin një shtëpi dy katesh, një vilë pranë rrugës kryesore në Sauk të Tiranës, që e ka të shkruar në ballë të ndërtesës emërtimin turk “Kopshti Diren”. Pse ky emërtim turk kush po e vret mendjen, mjaftojnë të derdhen paratë e orientit. Ndonjë inspektor me siguri e ka parë kopshtin ilegal të deklaruar për fëmijë,  por me një zarf në dorë e ka mbyllur edhe ai njërin sy për të mos parë e njërin vesh për të mos dëgjuar të qarat e fëmijëve të rrahur.
E këtu puna na trashet. Shkojnë me kamerat e fshehta të Saimirit, televizioni rival ky,  dhe regjistrojnë vetëm veprimet e Anjezës që është tabula rasa në fushë të pedagogjisë dhe që ka guximin e marrë të hapë një kopsht fëmijësh pa leje. Po si nuk patën durim këta të emisionit “Stop” të Klanit  që të shkonin e të pyesnin tek tatimet. Të shkonin ashtu në mënyrë investigative e të pyesnin në Ministri të Arsimit ata inspektorët përgjegjës, se si na qenka që funksionon një kopsht (se mos vetëm një) pa leje për ushtrimi profesioni. Ne nuk bëjmë dot një shoqatë shkrimtarësh pa një vendim gjyqi, kur atje në Sauk na ngrihen kopshte fëmijësh pa leje. Mirëpo kur vjen puna për të linçuar publikisht nën ulërimat histerike të mbarë mediave, qofshin televizive apo ato sociale, të gjithë thonë se ajo e vetëm ajo është një monstër. Madje Fevziu i po këtij Klani televiziv pati guximin aspak etik që të lexonte mesazhin e një njeriu me logjike mediokre, i cili shkruante në internet që ajo Anjeza duhej varur në litar. Kjo histeri kolektive e ka një shkak. Në një shoqëri të kulturuar askush nuk thotë të varet fajtori. Përkundrazi këtë punë ia lenë drejtësisë pa pasur nevojë të shfryjnë pasionet e errëta apo egërsinë që mjerisht është diç më e shfrenuar se e asaj Anjezës që sot në burg vuan mendjelehtësinë e vet. E kemi lehtë ta cilësojmë Anjezën monstër, por e kemi aq të vështirë të vlerësojmë veten çfarë jemi. Është e njohur aq mirë thënia e Krishtit, kush nuk ka bërë asnjë mëkat të qëllojë i pari me gurë gruan e rrugës së keqe. Duke qenë të gjithë mëkatarë ngurruan. Mirëpo ne e kemi tejkaluar mësimin biblik. Ne kemi guximin marrok të thërrasim publikisht, të varet, të digjet, të pushkatohet. Një histeri që është dëgjuar aq shumë atëherë kur bënte krime të përbindshme diktatura komuniste e turma e verbër brohoriste “Priftërinjtë në litar”.
Po le ta marrim çështjen në anën tjetër. A thua është gjë e re që fëmijët shqiptarë i rrahin. Po ku ka prind në këtë Shqipërinë tonë që të mos e ketë rrahur një herë në jetë fëmijën e vet për ndonjë prapsi. Po dëngla do na shisni. Shenjtorin do na bëni. Po sa fëmijë të rrahur e të keqtrajtuar barbarisht i kanë dërguar për t’i kthyer në lypës nëpër rrugët e Athinës në këto 25 vjet a e dini? I kam parë me sytë e mi në vitet 1991-1995. Fëmijë të kthyer në hajdutë xhepash nëpër autobusët e trolet e Athinës. Një tmerr. Për më tej a thua nuk e dimë psikologjinë e shqiptarit të formuar nën dhunën e osmanëve për pesë shekuj, dhunë që ka lënë gjurmë në psikologjinë tonë deri në patologji. Po këtu vret vëllai vëllanë more, vret babai djalin, gruaja burrin po më shumë burrat i vrasin gratë e veta si t’i kishin robinja, si të ishin pronë në kohë të skllavërisë. Se për të rrahur mos e pyet. Mirëpo tërë këto veprime nuk i konsiderojmë punë prej monstrash. Monstër na qenka vetëm Anjeza.
Sa lehtë i lajmë mëkatet tona duke dënuar e linçuar të tjerët.
E dënoj aktin e Anjeza Shabanit, mendjelehtësinë e mendjeshkurtësinë e saj, guximin e marrë për të bërë një punë për të cilin nuk kishte asnjë aftësi si edukatore fëmijësh, por edhe këtu e kemi një problem. Ajo duke qenë pjesë e medias televizive ka parë se njerëz pa asnjë aftësi, por vetëm se kanë para (të siguruara në mënyrën më habitore), kanë mundur të krijojnë deri dhe një apo disa media televizive. Atëherë, ka menduar Anjeza e Saukut, si të mos ta bëj edhe unë si ata. Dhe e bëri, por edhe e pësoi. Ndërsa ata shefat që me lëvdata i nxitën mendjemadhësinë, duke e konsideruar deri dhe një star televiziv,  nuk kanë për ta pësuar kurrë, ani pse bëjnë një punë për të cilën nuk kanë asnjë dhunti dhe asnjë dije profesionale, veç servilizmit të shpifur ndaj politikës dhe pushtetit.
Kështu mbërrijmë nga mendjelehtësia e Anjezave,  historia dhe histeria e tyre në rrahjet e fëmijëve, (por në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër jo vetëm janë rrahur, por edhe janë përdhunuar pa thirrur kush të varen edukatoret në litar, përkundrazi u bënë thirrje të lirohen nga burgu), e shkojmë pra në këtë histeri kolektive, ku për atë rrahje fëmije, sado të papranueshme, shpallim monstrën dhe kërkojmë linçimin. Kur monstrën anadollake shumë e shumë kush e ka brenda vetes. Një monstër ky që fle gjumë të thellë, shfaqet moralistike në publik, por kur i zgjohen dreqërit bën të njëjtën gjë, madje shumë e shumë më keq se sa ajo që bëri Anjeza Shabani. Kaq shpejt e harruam se si ja preu kokën vajzës Aishe në arën me misër një kriminel i paemër, pasi e kishte përdorur seksualisht për një kohë të gjatë. Të cilin kriminel nuk e varëm në litar, madje shumëkush u tregua indiferent. Pra kësaj monstre që fle brenda nesh (nxehemi e vrasim vëllain për një vijë uji a një pëllëmbë tokë) si t’ia bëjmë. Anjezave u jepet ajo që meritojnë e harrohen po ne me  këtë turkoshakizëm primitiv e fanatizëm fetar që kemi në kokë ku vemi?