Enciklopedi dashurie për Shkodrën- mbi librin e Farida Ramadanit

ENCIKLOPEDI DASHURIE PËR SHKODRËN
Mbi librin “Shkodra në 12 yje” të Farida Ramadanit

Të shkruash për vendlindjen është gjëja me e zakonshme për çdo autor që merret me poezi. Poezitë kushtuar nënës edhe vendlindjes zënë pothuajse të njëjtat përmasa në krijimtarinë e çdo poeti. Është e natyrshme se kur largohemi nga vendlindja e jetojmë në vise të tjera apo shtete të tjera kjo temë bëhet akoma më e prekshme e nostalgjike për shkak të largësisë e pamundësisë për t’u gjendur atje ku ende e ndjen përgjakjen e gjunjëve, kur ke hedhur hapat e parë apo më pas prej vrapimeve nga një rrugicë në një tjetër, nga njëra derë në një tjetër. Për ata që kane fatin të mbeten në atë vend ku kanë lindur e të kalojnë jetën në këtë dashuri e ngrohtësi të përjetshme, mbase kjo tematikë nuk është dhe aq e “nxehtë” me mall përvëlues, nëse mund të shprehemi kështu. Kujtojmë shkodranin Filip Shiroka, ngrohtësinë e vargjeve të përcjellura nëpërmjet krahëve të dallëndysheve. Por më vjen ndërmend edhe Frederik Rreshpja në një nga ato kthimet e tij nga Tirana në Shkodër me një mall të brishtë e të drithërueshëm si shelgjet lotuese të varura deri në ujërat në brigjet e liqenit.

Farida Ramadani, autore e njohur për këmbënguljen e shqetësimin e përhershëm krijues, nuk ka ndjekur atë udhëz e atë shteg nëpër të cilin ne të gjithë kemi kaluar thuajse njejtësisht. Ajo ka marrë një shteg tjetër për t’i kënduar qytetit të vet në librin e saj “Shkodra në 12 Yje”. Çfarë është ky libër ne tashmë e dimë se e kemi në duar, ajo çfarë mund të themi ndërsa e shfletojmë pa e lëshuar nga dora është se këtu ka aq shumë dashuri për qytetin e Shkodrës, një dashuri e përzier me krenari të ligjshme ndërsa shpalos një e nga një reliket e çmuara. I ka konceptuar si yje, i ka venë një shifër 12, sepse janë 12 kapituj që e strukturojnë këtë libër si një guidë për këdo që e viziton këtë qytet. Janë të njohura guidat turistike të qyteteve në të gjithë botën, por në këtë rast kemi një guide në vargje për ta bërë më emocionale çdo njohje apo kontakt me këtë qytet.
  
Nuk ka rëndësi nëse ky kapitull njohës është i ri apo i vjetër, në përditshmëri apo histori. Ato janë pjesë e së tërës por edhe e bukura që zbulohet shkallë shkallë. Por, kjo njohje emocionale nuk është vetëm për ata që vijnë e vizitojnë këtë qytet, por edhe për vetë vendasit, shkodranët, sepse në këtë shpalosje poetike të vlerave të qytetit gjithsekush e gjen veten në një mënyrë a në një tjetër. Këtu shfaqen cilësitë e banorëve të qytetit të Shkodrës, bujaria proverbiale shkodrane, kultura, historia, traditat por dhe sporti dhe aspekte të tjera që janë objekt krenarie për cilindo që është lindur e rritur në këtë qytet. Struktura poetike është mbajtur në frymën popullore, me vargje të mbështetur me shumë në traditën krijuese, vargje të matur, me rimë herë të rregullt e herë jo, pra gjithnjë e zhdërvjelltë në krijim,  që t’i shërbejë më mirë pikësynimit në zbulimin e vlerave të qytetit nëpërmjet frymës poetike. 

Shkodra është e njohur për njerëz me aftësinë për të krijuar vargje në të cilat shpesh gjen vend humori tradicional, tipik shkodran. E këto vargje e vjersha të mbetura anonime,  shpesh kalonin gojë në gojë e nga një brez në një tjetër. Fryma që përcillej në to ishte dëshira për jete, për gëzim, shpesh herë me to shkodrani përpiqej ta mbyste atë ndjenjë pikëlluese në të cilën  njeriun shpesh herë e vinte jeta. Gjithsesi  Shkodra mbetet qyteti që ka aq shumë dritë në krijimtarinë e vet tradicionale, aq shumë gëzim, të cilat shpaloseshin si në festat familjare por edhe ato të përbashkëta. Kapur pas kësaj tradite të bukur krijuese, vëllimi “Shkodra në 12 yje” është shumë më tepër se një guidë në vargje për njohjen e vlerave të qytetit. Do të thoshim se Farida Ramadani ka krijuar me këtë libër një enciklopedi dashurie për Shkodrën, dashuri e cila nuk ka të shterur në zemrën e autores, për të cilën mendoj se do të vazhdojë të sjellë edhe yje të tjerë poetikë nga qiellnaja e Shkodrës, “kësaj dashnorje të shekujve” siç e quante  Migjeni.

Kolec Traboini
6 nëntor 2016