Albanofobi që shtiret si Albanolog- nga Kolec Traboini

Emigrantët shqiptarë të lidhur me pranga në mes të Athinës 1993 në fushatën "Fshesa për shqiptarët"

ALBANOFOBI QË SHTIRET SI ALBANOLOG

Nga KOLEC TRABOINI

Shumë shqiptarë të painformuar apo të keqpërdorur po na e shesin studiuesin grek Titos Johalas si një arvanitas të madh. Si një figurë e respektuar, kur ai nuk është i tillë, të paktën për ne shqiptarët jo. Mbase për grekët e Greqinë bëhet i tillë mjaftueshëm. Po vihet re se pas vrasjes së Aristidh Kolës dhe dëshirës së shfrenuar për të vënë në harrim veprën e tij,  po dalin soj-soj figurinash që po na i shesin si studiues arvanitas apo ironikisht e mjerisht si “albanologë”.  Është krejt e kuptueshme sepse tani mungon ai që kishte guximin tua thoshte të vërtetën në sy e përpara të cilit zgërlaqeshin. Kështu po del tani ky Titos Johalas që gëzon simpatinë e qeveritarëve të Athinës në mënyrë të përhershme, ndërkohë që për arvanitasit e mëdhenj heshtet. Akoma më tepër  bëhet çfarë është e mundur të minimizohen historia e traditat e shqiptarëve të Greqisë,  madje  duke i konsideruar se nuk kanë asnjë lidhje me shqiptaret e Shqipërisë dhe të Kosovës. Janë një popullsi tjetër, thonë myteberrët e megaloidhesë, pra thjeshtë kanë mësuar të flasin shqip. Ky është argumenti i mediokritetit nacionalist grek.  Cinizmi i tyre nuk ka fund e në këtë qëllim të shuarjes së çështjes së arvanitëve dhe mision mohues ndihmojnë sa të jetë e mundur studiues të tipit Titos Johalas që janë në të njëjtën hulli me politikën qeveritare madje  të thuash saktë janë sejmenë të tyre.

Të bën përshtypje se edhe ish-kryeministri shqiptar(dhe jo grek)  Aleksandër Meksi në një koment të tij na e quan këtë Johalasin si albanolog arvanitas. Mbase di më shumë ndaj dhe del e flet vërtetë dy fjalë por si të thuash i jep një nderim të madh “arvanitit”  Titos Johalas-it. Por “taftotita” që jep Meksi nuk pi më ujë. Johalasin e kemi njohur herët që kur ishte në rrethin e miqve të ngushtë në oborrin e Dora Bakojanit dhe sillej zyrave të partisë së babait të saj kryeministër.
Ky Tito Johalas mund të jetë çfarë të dojë por jo “albanolog arvanitas” siç e quan ish kryeministri Aleksandër Meksi. Shkrimtari minoritar Spiro Xhai edhe pse vetë ishte grek me origjinë, nuk e honepste këtë Tito Johalasin. Është oborrtar i politikës së Micotaqit, më thoshte në bisedat që bënim në Athinë. E pra Spiro Xhai që nuk jeton më, nuk i ndante shqiptarët nga vetja ani pse ishte grek. E këtë njeri dinjitoz aspak nuk e kujtojnë sepse e kanë mendjen tek Johalasi që  tash së voni po kujtohet të shfaqet si mik i shqiptarëve sa dhe Akademia qorrfermane e  Shkencave në Tiranë i përuroi edhe veprat në vitin 2012. Na ruaj zot nga kësisoj miqësh por edhe prej marrëzive tona na ruaj, se pleqtë e rrjedhur të Akademisë nuk e dinë çfarë bëjnë.

Tito Johalas me aq sa di unë që kam qenë emigrant në Greqi në vitet 1991-1995, ishte një regres i gjallë. Ai ndante me një fill të kuq arvanitasit e shqiptarët. E kam lexuar në reagimet e tij në shtypin grek. E kam dëgjuar në intervista në televizion. Mik i renegates plakë të rrjedhur Marie Dede e me kauzë të përbashkët që shqiptarët e arvanitët nuk kanë asnjë lidhje kulturore apo historike por as dhe prejardhje të përbashkët. Ky Tito Johalas ishte miku më i ngushtë i familjes së Konstandin Micotaqit, buallit të Kretës, i cili vërtetë gruan Marika e kishte arvanite, por i urrente shqiptarët deri në tërbim dhe krijoi operacionin famëkeq  fshesa “Skupa ja tous alvanous”.

Me dhjetëra mijëra policë grekë u lëshuan si qen të tërbuar anë e mbanë Greqisë e ishujve, si nazistët në Gjermani mbi çifutët, për të kapur shqiptarët. I kam parë me sytë e mi në stacionin e autobusit të Athinës( Praktorio) dhjetëra shqiptarë të lidhur me zinxhirë si në mesjetë e jo pak por me grupe deri në 20-30 së bashku. Kam parë në Athinë mesjetën, atë që kisha parë nëpër filma në kohën e skllavërisë dhe mesjetës së hershme.  Prandaj mos i merrni këto lloj antishqiptarësh në rrethin e miqve, të mos i bëjmë varrin vetvetes.  Një të tillë e fton Akademia e Shkencave, i bën nderim të madh kjo Akademi mediokre pa palcë kombëtare dhe thene hapur e rrjedhur, që as nuk e kujton Aristidh Kolën, dhe as nuk i vete mendja që në vend të bustit të Sabri Godos të vejë atë të Aristidh Kolës. Se Akademia e Shkencave nuk është Akademi Politike. As Akademia e Sigurimit të Shteti komunist ku dikur ka qenë i inkuadruar  Sabri Godo. As Akademia e puthadorëve të megaloidhesë së Athinës.  

Ky  Tito Johalas është një fytyrë antipatike që ka punuar e punon kundër shqiptarëve me teorinë e tij arvanitët popull tjetër nga shqiptarët, por natyrisht në një mënyrë  të tillë që të duket sikur është një studiues i shquar e aq më tepër si një albanolog. Është mënyra më e mirë e hijeve të Akropolit për të lënë në harrim veprimtarët e studiuesit e mëdhenj arvanitas Anastas Kullurioti, Aristidh Kola, Vangjel Labi, Jorgo Maruga, Luka Çiçipi, Jorgo Miha, Jorgo Jeru.  Dhe harrojnë se kemi një studiues të madh me përmasa evropiane nga Prevezë e Çamërisë si Niko Stillo, të cilit duhet më shumë ti kushtojmë vëmendje e më shumë ti hapim rrugën e mundësisht ta pranojmë si anëtar nderi të Akademisë së Shkencave sepse me veprën e tij nderon në tërësi kombin shqiptar.

Aristidh Kola ua dinte rrënjë e dhëmballë këtyre pseudomiqeve si Titos Johalas. Zoti Meksi nuk i di punët mirë sepse vinte në Greqi si kryeministër e kudo e shoqëronte një salltanet i madh që grekët e politikës dinë ta bëjnë,  por duke të futur ujin nën rrogoz e pastaj të thuash “O Zot, e paskam bërë në brekë!”.   Kësisoj i ndodhi  ish kryeministrin Meksi në Athinë.  Personalisht i thashë zotit Meksi në pritjen që u bë në ambasadën shqiptare në Athinë mbrëmjen e 17 majit 1993,  bëj diçka për emigrantët  e mbetur pa mbrojtje  zoti kryeministër, e Meksi ma ktheu,  se për ju po mundohemi. Në të vërtetë kish firmosur  një marrëveshje për ekstradimet dhe disa probleme gjyqësore,  por asgjë për emigracionin nuk ishte e saktë dhe jeta e afro një milion shqiptarëve ishte e pasigurt dhe e pambrojtur.

Mbas pak kohë të vizitës euforike të kryeministrit shqiptar, në Greqi filloi fushata e tërbuar e kryemikut të Tito Johalasit, maskarait dhe e fytyrës së urryer Konstandin Micotaqi, kryeministri i Greqisë. Mbi gjysmë milioni shqiptarë u riatdhesuan të rrahur e të keqtrajtuan, të lënë pa bukë pa ujë,  por pati edhe shumë të vrarë. Nuk dihet shifra po janë me mijëra emigrantë shqiptarë të zhdukur në Greqi pa lënë gjurmë. Sa për kujtesë atë kohë botoja në Athinë gazetën e parë në gjuhën shqipe në Greqi “Egnatia”, 1993-1995 dhe isha në korrent të gjithçkaje që trajtonte media greke në lidhje me emigrantët. As dhe një mbrojtje e vetme nga ana e qeverisë që drejtonte Aleksandër Meksi nuk u shfaq. Atë kohë për të tërhequr vëmendjen e politikës e të shtetit për fatin e emigrantëve shqiptarë në Greqi botova shkrimet “Emigracioni dhe Diplomacia” si dhe “Emigracioni dhe politika”. Por qeveria atë botë kishte probleme  të tjera, që të shiste për një copë bukë çdo gjë që kishte mbetur si trashëgim nga ekonomia e përbashkët socialiste. Ndërkohë që shkatërronin prisnin çekun e bardhë që nuk erdhi kurrë.  Gjasat janë që edhe atë kohë, me euforinë e asaj vizite të dështuar me ujë grek nën rrogoz,  Aleksandër Meksi të këtë takuar edhe plot njerëz te kallëpit të Tito  Johalas ndaj dhe ka aq nderim për të, duke e quajtur as më pak e as më shumë por “albanolog” në vend që ta quante albanofob.

8 janar 2016
Emigrantët shqiptarë duke blerë gazetën "Egnatia", Athinë 1993
Marrëveshja Meksi-Micotaqi, 17 maj 1993, ku erdhëm për lesh e dolëm të qethur