Koha e morrave / tregim nga Kolec Traboini




KOHA E MORRAVE
Tregim

Nga KOLEC TRABOINI

Duke parë flakët e bunkerit të madh në mes të Tiranës, më 8 dhjetor 2015,  Sokol Mirajt seç ju kujtua koha e morrave. Në fakt kishte dëgjuar për morrisjen e partizanëve te mardhur përmes dimrit e të ftohtit kur nga Shqipëria shkuan matanë kufirit për të ndihmuar vëllezërit e tyre  ideologjikë jugosllavë. Por thënë hapur për të shtruar me zjarr e plumb shqiptarët e Kosovës që e kishin mendjen veç  për nacionalizëm e bashkim me Shqipërinë. Ashtu siç ishin larë e pa larë u plasi morri dhe shumë i fshiu. Një morr i keq që nuk u shqitej njerëzve të cilët  ku mbilleshin nuk korreshin, stan në stan e skërkë në skërkë. Madje disa i zu tifo, lanë frontin ku gjermanët më shumë iknin vetë se i ndiqnin kundërshtarët.  Kësisoj partizanët u  kthyen për në Shkodër në Spitalin Civil, ku shërbente doktor Karagjozi, që bëhej copë për t’i shpëtuar prej kësaj epidemie të keqe. Por që të zhdukej tifo duhej më parë të zhdukej morri. Po si ta zhduknin. Morri po të hyri në veshjet e trupit nuk ikën më. Këto ishin tregime që kishte dëgjuar, ndaj të cilëve ishte shpesh indiferent, por kur e dërguan ushtar në Kam të Tropojës, ku flinim në një hangar prej dërrasash me dyshek prej kashte, atëherë  Sokol Miraj i kuptoi akoma më mirë historitë me morra.
Morri ishte një insekt i vogël që mezi ta zinte syri, ishte i përhimët por edhe rozë, barkun e kishte të zi. I pështirë sa më nuk bëhej. I grinte të shkretët rekrutë të rinj,  por çfarë të bënin. Nuk dinin si të shpëtonin prej tyre. Gjallesat e vogla  futeshin në vendet më të ngushta të rrobave dhe nuk shiheshin. Kur trupi binte në qetësi, pra kur rekrutet flinim, ata dilnin e i pickonin e u thithnin gjakun. Çfarë torture. U ankuan në komandë, por një farë komisari u thoshte se kur të bëhej morri sa ju, atëherë po, keni të drejtë të ankoheni dhe komanda do të marrë masa e do ta gjejë një zgjidhje. Kësisoj komisari u dukej si të ishte aleat i morrave, ndaj dhe e quanin komisar “Ali Morri”. Më së fundi Komandant Kanani, pogradecar ky, që ishte diçka më i arsyeshëm, u dha leje të shkonim në përroin më të afërt të repartit, të merrnim me vete kazanët dhe atje të hidhnim rrobat në ujë të valuar. E bënë disa herë atë punë,  por morrat shtoheshin. Ca thoshin kishin bërë vezë. Ngordhnin morrat e vjetër e dilnin nga vezët morra të rinj, por edha ata ishin morra.  Sojsëz. Madje më të këqij se baballarët e tyre morra. S’kishte gjë më të keqe se kur të pllakoste morri në dimër.
Aty nga marsi, kur ende kishte borë pllajave, morën rroba të reja nga kapteri i  kazermimit dhe me kazanin e madh shkuam drejt lumit, përposh Helshanit, aty ku ndahej Tropoja me Kukësin. Ndaluan pranë një ure, një  vendi që quhej Va Spas e që tashmë e ka përmbytur liqeni i hidroçentralit të Fierzës. Dy nga rekrutët e rinj vendosën të mos i lanim rrobat. Punë e kotë -thanë. Rekrutët e tjerë i shihnim se kishin kryqëzuar duart e nuk po bënin gjë prej gjëja ndaj i  pyetën. Po ju more, nuk keni morra ju? Kemi, thanë ata të dy njëzëri, e çfarë morrash. Na është bërë morri sa gishti. Njëri nga ata Futi dorën nën këmishë e atje ku i kruhej më shumë kapi një morr. Ishte më i bëshmi, thua ishte kryetari i morrave të këmishës së ushtarit.  E kapi fort dhe e fluturoi drejt flakëve të zjarrit  që kishin bërë rekrutët e tjerë. Veç kur papritur morri që hodhi drejt zjarrit, sapo u fut në mes të flakëve pëlciti… puf. Të gjithë qeshën me të madhe. Nuk kishin të pushuar.
Atë çast ata të dy, që e kishin bërë me fjalë më parë,  u zhveshën dhe nisen ti hedhin rrobat në zjarr. Këmishët, qaforet, pecet e këmbëve madje edhe brekët e gjata.
Paf-puf-paf….pëlcisnin morrat në flakë. Kështu bënë edhe rekrutët e tjerë. U lanë me ujin e ngrohtë të kazanit duke  i hedh njeri-tjetrit me sapllakë. U thanë, u veshën e nisën të ndjehen më mirë.
Do ti që nuk po kruheshin më. Po kjo i përket një kohe të largët. Ishte kohë diktature. Diktaturë komisarësh. Diktaturë morrash.
Kur po shihte flakët që dilnin nga bunkeri në ndërtim i Ministrisë së Brendshme që e ndezën ish të përndjekurit politike të regjimit komunist ne shenje proteste ndaj Qeverise, Sokol Mirajt ju kujtua koha e morrave dhe tha me vete, a mos vallë në vitin 1991 nuk  i dogjëm kapomorrat e kuq, ndaj  vazhdojmë të kruhemi edhe sot e kësaj dite. T’i kishim djegur morrat edhe vezët e tyre nuk do të pillnin kaq shumë morrat e rinj. Shihte flakët dhe ju kujtuan edhe morrat e partizaneve. Sa shumë  morri ka gëluar në këtë vend, mendoi. I kanë pirë gjakun njerëzve me një babëzi të pa cak. Lubi paskan qenë.
Ndaj edhe sot e kësaj dite vazhdojmë të jetojmë kohën e morrave, mendoi Sokol Miraj, ndërsa përqaste kohët e shkuara me të sotmen. Ca thonë se më i keqi ishte morri i kuq. Mundet por edhe ata morrat e zinj që i pickonin pa mëshirë në dimrat e egër në jetën e tij prej rekruti në Malësi të Gjakovës nuk ishin të pakët. Eh, more komisar Ali Morri, se  ç’mu kujtove në këto ditë të ftohta dhjetori. Morrat janë morra kudo ku ndodhen sepse kudo që na gjejnë na pickojnë. Ndaj duhen flakëruar  puf-paf-puf për të shpëtuar nga pickimet e tyre të lemerishme.  Se thënë të vërtetën, po bëre kompromis me morrin, siç u bë në vitin e përmbysjes së madhe të morrisjes, me sentencat marroke, jemi kundërshtarë por vëllezër, të piu morri.
Sikur t’i kishin përvëluar ca kapomorra në 1992 nuk do të kishim as bunkere sot e një çerek shekulli të përmbysjes së diktaturës, filosofoi Sokol Miraj dhe vazhdoi:  por as portreti i kryemorrit të kuq, nuk do t’ na shfaqej si kukudh në bulevard. Në fund të fundit ka një të vërtetë, duan apo nuk duan andej nga Evropi, kur nuk i djeg morrat, kruhesh tërë jetën.

Dhjetor 2015