Kafe me një mik libohovit tek Ujvara e Tiranës-nga Kolec Traboini


KAFE ME NJË MIK LIBOHOVIT TEK “UJVARA” E TIRANËS

Nga KOLEC TRABOINI

Atë ditë funddhjetori që batërdia e gazetarëve u lëshuan si pulat në rasat në dy darkat që shtruan veç e veç dy figurat më të mëdha të pushtetit në Tiranë, pata një telefonatë me një mik të vjetër, Sulejman Jusufati, drejtor i gazetës “Libohova”. Mjaft vite i kisha humbur lidhjet, por kohët e fundit telefonin e tij ma dha miku im piktor Astrit Tota, që kishte ardhur me pushime nga New York-u. Me Sulejmanin e lamë të takohemi tek “Ujvara” prapa stadiumit. Gazeta ka 12 vjet që botohet si periodik, është me tetë faqe dhe ndahet falas. E kam lexuar atë gazetë nëpër vite në Boston, sepse redaksia e dërgonte për libohovitët e Amerikës. Gazeta është botim i shoqatës “Avni Rustemi” dhe deri tani janë në numrin 70. Ngaqë ishte një gazetë që pasqyronte jetën e banorëve të qytetit të Libohovës brez pas brezi, kisha shumë kuriozitet të mësoja rreth gjithçkaje që lidhej me historinë e traditat në vendlindjen e Avni Rustemit. Vite të shkuara kisha realizuar një film për Avni Rustemin dhe kisha kujtime të bukura për atë qytet, anipse në vizitën time të parë në vitin 1981 e kisha pësuar një zhgënjim. Ishin vitet e diktaturës. Kishte fakte e ngjarje për të cilat nuk shkruhej kurrë dhe vetëm kur i takoje në terren topiteshe përpara një realiteti absurd. Asokohe, si u sistemova në hotelin pranë rrapit të madh 500-vjeçar e burimit me ujë të ftohtë pranë tij, takova përgjegjësin e kulturës. I kërkova që në fillim të shoh shtëpinë e Avni Rustemi, atij heroi të madh të djalërisë shqiptare për të cilin do të bënim filmin.
Po më vinte vërdallë në bisedë ai i kulturës. Të pimë një kafe një herë më tha, pa këtu jemi. U ulëm te kafeneja dhe aty më tha se Avni Rustemi nuk kishte shtëpi. Sikur më ra pika. Heroi pa shtëpi. Ishte një hero i veçantë Avni Rustemi dhe të thuhej nuk kishte shtëpi ishte e paimagjinueshme për mua që e admiroja atë po aq sa Luigj Gurakuqin dhe Hasan Prishtinën. Bashkbiseduesi im më tha me një zë të ulët. Mos i hyn kësaj pune me shtëpinë nëpër filma. Po pse?- i thashë. A nuk e di?- më tha. Po të them ca gjëra që nuk ke për t’i vënë në film se na gjen belaja të dyve pastaj. Në gusht të vitit 1943 partizanët vranë djalin e vëllait të Avni Rustemit, Qazimin me tre të tjerë të asaj familje, në prag të derës dhe shtëpinë ua dogjën se ishin të Ballit Kombëtar. U ngritëm e shkuan të shohim. Po çfarë të shihnim. Ishte një gërmadhë që kishte mbetur ashtu siç ishte kur u dogj e u shkatërrua. Duke mos ditur çfarë të bëja se filmi me mjedise e artefakte mbahet, ndaj i thashë: - Po ka mbetur njeri i Avni Rustemit këtu? Lëre, lëre.- më tha, - është një në Tiranë në Shtëpinë Botuese, Rustem Rustemi, por ai nuk pipëtin, është burrë i urtë. Ndaj mos e nga as atë se i prish punë. Më tha pastaj, kalojmë në një shtëpi pak më këndej se edhe kjo thuaj njësoj është.
Këto po mendoja ndërsa shkoja në takim me libohovitin Sulejman Jusufati. Dua të shtoj se kam botuar mjaft shkrime në gazetën “Libohova” saqë ai më konsideronte një prej bashkëpunëtorëve më të mirë, por edhe që kisha nxitur të bënim një fushatë për të ndihmuar gazetën me mjete monetare sepse mezi mbahej.
U takuam dhe u ulëm te kafeneja në natyrë. Dhjetor ishte, por ka plot ditë me diell edhe dhjetori këtu tek ne. Është vërtet kënaqësi që në pikë të dimrit të pish kafe nën rrezet e ngrohta të diellit tiranas.
Kishim çfarë të bisedonim. Që në krye i thashë se kisha shkruar një libër “Libohovitët e Amerikës” shqip-anglisht, por nuk po gjeja mundësi financiare për ta botuar. Meqë kisha shtypur disa kopje, që dukeshin si libra të vërtetë shtypshkronje, i dhurova një, se mbase i duhej për botime të pjesshme për gazetën. E pranoj dhuratën me kënaqësi. Më porositi një shkrim për një libohovit që e kisha njohur dhe kisha ngrënë bukë në shtëpinë e tij. Ishte fjala për Firdusi Bukalin që nuk jeton më. Ai ishte shofer autobusi i linjës Gjirokastër –Tiranë, një njeri që ruhet në kujtesë gjatë dhe vetëm për mirë.
Jam duke përgatitur numrin e ri më tha – Sulejmani, po deshe i bëjmë një paraqitje edhe këtij librit tënd për numrin e ardhshëm të gazetës “Libohova”, por…atë shkrimin për Firdusiun e dua patjetër.
I premtova se atë kujtim të bukur që kisha nga takimi me Firdusi Bukalin do ta shkruaja. I kënaqur Sulejman Jusufati hapi një zarf të madh. Ndërsa po e hapte i thashë, paske ardhur si plaku i Vitit të Ri, me dhurata. Qeshëm të dy. Është më shumë se një dhuratë, më tha ai dhe nxorri bashkë me një numër të fundit të gazetës Libohova, një kartë të madhe sa një fletë shtypshkrimi me ngjyrë të blertë. Në krye ishte një fotografi e Libohovës dhe e malit në sfond. Aty ku dukej qielli i qytetit me pakëz re të bardha e mbi të shkruhej  “Shoqata Atdhetare Kulturore “Avni Rustemi”. Redaksia e Gazetës “Libohova”. Dhe më poshtë: me rastin e 10-vjetorit të botimit, gazeta “Libohova” nderon me titullin “Aktivist i dalluar” shkrimtarin Kolec Traboini (nga Shkodra), me banim në Amerikë, sponsorizues i një numri të gazetës “Libohova”, me motivacion “Për ndihmesë të veçantë në botimin e shumë shkrimeve cilësore në gazetë”.  Shoqata atdhetare “Avni Rustemi”, Tiranë.
Edhe këtë ma bëre i thashë duke qeshur. Ti e di që këto gjëra nuk më pëlqejnë. Po, më tha Sulejman Jusufati. E di që nuk të pëlqejnë. Por nuk të pëlqejnë nga ata që janë lart, por fjalët e mira e nderimin nga njerëzit e thjeshtë i pranon.
Nuk e zgjata më, por e mora fletë nderimin dhe i shpreha kënaqësinë time.
Në të vërtetë u ndjeva mirë atë ditë dhe nuk do ta ndërroja kafenë e miqësisë që piva me libohovitin që di të çmojë e të vlerësojë njeriun me një banket ku të fton qeveria e të miklon për të qenë bashkëpunues. Shumë nga ata që janë bërë gazetarë në këto vite tranzicioni të amullta kishin vrapuar për të ngrënë darkë me shtetarët e rangut të lartë, por mua më shijoi më shumë se gjithçka kafeja tek “Ujvara” që më kujtonte  burimin e Libohovës, rrapin e madh, rrënojat e shtëpisë së Avni Rustemit, rrugët e shtëpitë, por edhe murin e madh andaj nga kalaja ku Avni Rustemi ishte ushtruar me pistoletë bashkë me një shokun e vet, që të shtrinte më pas përdhe tradhtinë para hotelit Kontintental në Paris. Kafeja e pastër e miqësisë me të vërtetë është e bukur se bukurinë nuk ia jep salltaneti, as krekosja pseudomondane qeveritarësh a nëpunësish të lartë shpesh të shpifur, por mirësia e bujaria e njeriut të thjeshtë.