Arrestohet prokurori si në filmat e Hollivudit/nga Kolec Traboini



ARRESTOHET PROKURORI SI NË FILMAT E HOLLIVUDIT

Nga Kolec TRABOINI

Nuk është parë gjëkundi që arrestimi i një prokurori të shtetit të bëhet krah për krah policia dhe kamera filmike. Por në këtë  Shqipërinë tonë ku përrallisin (pëllasin thuaj), gjithë ditën e gjithë natën në televizione se gjoja po bëjnë reformë të madhe në drejtësi, ngecur keq pra se askush me dy para mend në kokë nuk e beson se drejtësinë mund ta bëjnë vetë hajdutët, ndaj dhe duan një spektakël me prokuror. Dhe ky spektakël u gjend. Në fakt nuk u ra nga qielli por ishte këtu në tokë në përditshmëri. Ruajnë një prokuror dhe e ndjekin në çdo hap deri në atë çast që u duhej një shou i fortë mediatik.  Me qëllim që Pushteti e Prokuroria të shpëlahen disi prej pisllëkut që i ka mbuluar, ndaj ndajnë një  dele të zezë prej vetes (kur të gjitha të zeza janë) marrin edhe kameran,   jepet komanda - gati, dhe vetëm atëherë kur kameramani e ka fokusuar objektin, ai që do të bëjë arrestimin nis aksionin. Gjithçka e kronometruar. Çiak! Hapet dera e makinës, me afër të akuzuarit që do të arrestohet është kameramani se sa ai që do të kryej arrestimin. Të duket se ke të bësh me një  film policor të Hollivudit, apo nga ato qe bëhen me kamera të fshehtë, por veç fundi nuk është me të gajasura. Nuk ka vend për të qeshur këtu se dekonspirohet marrëveshja Polici - Televizione dhe atëherë efekti shou nuk realizohet.  Pas kësaj tërë stacionet televizive grijnë sallatë. Buuum!  Një kryelajm.  U arrestua një prokuror. Pra kuptimi qe del: shteti po punon. prokuroria po punon(i ra bretku)  policia po punon. Pra gjithkush po punon në këtë vend ku askush nuk punon.  E ndoshta është komedia ajo që po punon më mirë në këtë vend. Duan të krijojnë përshtypjen se e kanë marr seriozisht politika e pushteti,  por veç kanë nisur nga një provincë e humbur e jo nga kryeqyteti ku  manipulohen mijëra e miliona dollarë, euro, lekë apo çfarë të kap dora. Tani që u krye edhe kjo punë, cili është impakti i këtij shou të rrallës. Mos vallë populli do ta hajë këtë kokërr ulliri e të ngopet me të. Mos vallë Qeveria e shlyen veten prej dhjetëra afera korruptive me tendera, të cilat i merr i biri i këtij apo kushëriri i këtij, i merr babai, vëllai apo kushëriri, apo pse jo dhe kushërinjtë e ministrit, siç po flitet këto ditë nga opozitarët që thënë të drejtën e hakun të mos ua hamë, më shumë flenë se rrinë zgjuar.
Po çfarë te lajë e shpëlajë më parë Prokuroria në bashkëpunim me Qeverinë në këtë skenë arrestimi si në skeçet grotesket  të “Portokalli-s”.
Nuk besoj se populli është aq budalla që të mos e kuptojë se një arrestim i tillë me kamera dhe transmetimi plot bujë në televizione, është thjeshtë një farse, është  një përpjekje mjerane si punë struci që fut kokën në rërë për të mos e parë luanët e shkretirës.
Edhe këta zyrtarët tanë të lartë kështu bëjnë, e fusin kokën në pleh korruptiv  e mendojnë se nuk e dinë njerëzit çfarë katrahure bëhet me drejtësinë,  se nuk ka drejtësi pa u larguar e gjithë kjo bandë prokurorësh e gjyqtarësh, të cilët nuk janë në gjendje asnjëri të tregojnë si i kanë vënë pasuritë e mëdha që kanë. Kaq të vështirë e ka shteti që jo vetëm atij prokurorit provincial mendjerabeckë që ra në pranga si nëpër estrada, por t’u bëjë inventarin e pasurive të gjithë atyre që kanë qenë apo dhe janë nëpunës shteti. Po këtu ke ministren, more, e cila pas dy vjet në qeveri bleu shtëpinë me 240 mijë dollarë. Nga dolën këta dollarë?!
Ne që e njohim Amerikën, po ju themi se po të ndodhte kjo andej, do t’ia kërkonin me rrënjë e me degë se nga i kish siguruar ato para, në cilën bankë i ka pasur, si kanë hyrë e si kanë dalë që andej. Po këtu jo.  Këtu parat ti le gjyshja qe na i paska ruajtur në dyshek. Këtu të hedhin në sy mediatikisht një cironkë e të thonë se jemi duke zënë peshk të madh, kur peshkaqenët e balenat, po edhe ngjalat e Gjirit të Lalëzit e Lagunës Blu,  janë në krye të pushtetit dhe tundin këmborën e madhe, apo dhe kanë qenë, por sot na bëjnë një lloj opozitë qesharake. Dhe vetë opozitarët nuk janë në gjendje të bëjnë transparencën e parave e të pronave të veta që i kanë bërë pas 1990 kur ishim të gjithë varfanjakë.  Kësisoj si mund të merren seriozisht kritikat e demaskimi që u bëjnë pushtetarëve.  Bëni si them unë e mos bëni çfarë bëj unë. Po kush është ai hajvan që mund t’i japë votën një personi politik apo shtetari që nuk bën transparencen e pasurive të veta. Pse kjo çështje anashkalohet? Pse u shpikën listat e zgjedhjeve, ku deputeti nuk zgjidhet drejt për drejtë nga populli,  e nëpërmjet këtyre listave hartuar nga kryetarët e partive, këtyre padrinove të përjetshëm të formacioneve politike,  na hyri në parlament derri e dosa.  Kuptohet se të gjithë ata që e kanë kapluar shtetin e politikën kanë pasuri marramendëse të siguruar me korrupsione duke shfrytëzuar pushtetin. Po si e motivojnë ato këto pasuri? Në këtë pikë nuk gjen asnjë politikan apo shtetar të flasë. Ju ka rënë flama në gjuhë.
Dhe ja impakti i  llogaritur nga ky pushtet i korruptuar deri në palcë me këtë ceremonial arrestimi mediatikisht të bujshëm e realist zero me bisht. Përmes kësaj tabloje me arrestime me kamera pasuar me shfaqje televizive, populli na u dashka të shoh që një prokuror arrestohet. E sheh drejtpërdrejtë. Pra drejtësia gjoja ka nis të reformohet. Kurban u bë një hajvan i vogël, një cironkë provinciale ndaj të gjithë duhet të krijojnë bindjen se drejtësia e qelbur po vihet në binarë, po pastrohet,  po rregullohet;  putanës së katër rrugëve e sokakëve po i kthehet virgjëria. Na ruaj Zot!
Për më tej kujt i interesonte që të krijohej përshtypja në popull se ka filluar lufta e rrepte kundër korrupsionit.  Me një gur vret dy zogj si  Prokuroria, që ka nisur të bëjë flirte me Qeverinë, por dhe kjo e fundit që nuk e di ku ka kokën, në Stamboll a në Pekin e ka nevojë për pak delir populist. E të dyja këto manxurana që herë-herë edhe bëjnë karrshillëk kinse janë pushtete të pavarur nga njeri tjetri, në këtë rast pra llogarisin të fitojnë ca pikë se në të vërtetë janë në një gjendje mjerane në sy të opinionit publik. Por llogaritet efekti edhe tek miqtë tanë evropianë, që thënë të drejtën na janë bërë “hyn e del e duku”, e nuk dinë tjetër veç të japin këshilla e receta si kofini pas të vjeli e pa asnjë rezultat.
Kësisoj llogaria e atyre që mbajnë skeptrin në këtë vend,  në këtë vend që mbeti e mbeti si një humbëtirë përtej gardhit evropian, është se të huajt kanë rast të shohin me sytë e tyre këtë arrestim spektakular, këtë sukses të madh,  dhe kësisoj të shtojnë pikë për këta që kemi mbi kokë e që mezi i durojmë. Të huajt që shkojnë e vinë, hanë e pinë e kënaqin sytë tek shikojnë bukuroshet tona,   do të kenë mundësi të krijojnë përshtypjen se në Shqipëri diçka po lëviz, ka nisur reforma në drejtësi duke arrestuar një prokuror në një provincë të humbur,  anipse  në afërsi të kryeqytetit. Pra një mizë dheu në  një provincë zhyt e mbyt. Përralla në lesh, shëndeti prej nesh!