Kërkesë Nishanit, Aristidh Kola të shpallet Nderi i Kombit Shqiptar



KËRKESË NISHANIT, ARISTIDH KOLA TË SHPALLET NDERI I KOMBIT SHQIPTAR

Dafina KABASHI
Gazeta Zëri Prishtinë

Që në fillim deklarata u është shpërndarë të gjithë të pranishmëve. Asaj i janë bashkuar edhe nënshkrimet e tyre, ndërsa adresa e fundit është presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani. Në 15-vjetorin e vdekjes është kujtuar figura e Aristidh Kolës, me ç’rast Këshilli Organizativ do të bëjë kërkesën për shpalljen e Aristidh Kolës Nderi i Kombit Shqiptar.

Ismet Hajrullahu është shprehur se Këshilli Organizativ i tryezës së mbajtur në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ka propozuar që të mbështetet ideja për t’iu drejtuar presidentit shqiptar Bujar Nishanit për t’i ndarë titullin Nderi i Kombit për Aristidh Kolën. “Ne pjesëmarrësit në tryezën kushtuar figurës së ndritur të Aristidh Kolës, me ç’rast nderuam plot dinjitet kujtimin e tij të përjetshëm me rastin e 15-vjetorit të vdekjes së tij, shprehim mbështetjen tonë të plotë për propozimin e këshillit i përbërë nga qytetarë të nderuar të Tiranës, Prishtinës, Vlorës, Prizrenit, të Pejës, të Shkodrës, të Shkupit e të Gjirokastrës që Aristidh Kola të dekorohet nga presidenti i Shqipërisë me titullin Nderi i Kombit Shqiptar”, shkruan në deklaratën e lexuar nga Hajrullahu.
Krahas kësaj përmes një dokumentari janë disa nga momentet e figurës së Aristidh Kolës.
Kolec Traboini, mik i Aristidh Kolës, fjalimin e tij e ka ndarë në dy pjesë ku ka folur për Aristidh Kolën si mik dhe vlera e tij si figurë. Traboini është shprehur se Aristidh Kola ishte një njeri i jashtëzakonshëm, bujar në kuptimin më të mirë të fjalës që kemi ne si shqiptarë.
“A ka shteti shqiptar një akademi që të dëgjojë, një akademi që të mos lërë në harrim kulturën tonë përtej kufijve. Pra flet për Shqipërinë. Një kulturë e traditë, në histori plot lavdi që është po aq me vlerë sa ajo brenda kufijve në mos më shumë”, ka thënë miku i Aristidh Kolës.
Kolec Traboini është shprehur se lënia jashtë vëmendjes pothuajse në harrim e një figure duke u mjaftuar me emërtimin “Arstidh Kola” të një rrugice të vogël në Tiranë. “Është vërtet shprehje e qëndrimit tonë cinik ndaj kulturës arbërore, e mendësisë sonë të vetizolimit duke mos thënë frikës se mos bash për këtë u prishet qejfi diplomatëve dhe fqinjëve”, ka treguar Traboini, sipas të cilit vështirë është që të pranohet e vërteta por, pa e pranuar të vërtetën nuk ka asnjë shans të vetëm të gjendet një udhë e drejtë në këtë mishmash kombëtar ku flitet veç për politikë, ku prodhohen veç konflikte dhe ku kultura konsiderohet një hendikep shoqëror i bezdisshëm. “Ai e shihte Shqipërinë me sytë e shpresës, ai kishte udhëtuar katër herë në Shqipëri dhe një herë në Kosovë, por edhe në Kalabri e Sicili, gjithnjë me dëshirën e zjarrtë për ta thyer atë barrierën që kishin vënë mes nesh, mes njerëzve të një gjuhe, të një gjaku”, ka thënë Traboini, duke shtuar se kultura, tradita, gjuha, prejardhja e historia ishin gjithçka në jetën e Aristidh Kolës.
E madhe është figura e Arstidh Kolës, ka thënë Pandi Koçi. Kjo pasi ai jetoi, veproi dhe luftoi në kushtet e terrorit të jashtëzakonshëm siç është terrori shovinist grek kundër shqiptarëve. “Në Greqi që nga libri i klasës së parë në fillore, deri tek librat e universitetit kur përmendet fjala ‘Shqipëri/shqiptar’ flitet vetëm zi, këtë e kanë pranuar edhe vetë kur kam folur me ata që jetojnë në Greqi”, ka treguar Koçi, derisa ka thënë se librat e tij janë botuar në Shqipëri, por pak është bërë për propagandimin tij, për figurën e tij. “Nismat për figurën e tij janë individuale dhe jo të Akademisë së Shkencave, apo Institutit të Historisë apo Gjuhësisë në Tiranë, pra janë vetëm nismat vetjake për të vlerësuar punën e Aristidh Kolës”, ka thënë ai duke shtuar se për Aristidh Kolën Shqipëri ishin të gjitha trojet ku kishte shqiptarë.
Në vitin 2004 në Kosovë ishte organizuar Java e Kulturës Arvanite. Meriman Braha ka thënë se në vitin 2001e kishin nisur këtë projekt, ndërsa ishte realizuar në vitin 2004 me mbështetjen e institucioneve e asaj kohe në Kosovë. “Një pjesë e mirë e popullit tonë nuk e kanë ditur se ka në Greqi aq shumë njerëz të gjakut tonë. Njerëz që janë të ngulitur aty, që jetojnë”, ka thënë Braha, derisa ka treguar se gjatë Javës së Kulturës Arvanite janë shfaqur dy filma, njëri për arvanitasit, dhe një për figurën e Aristidh Kolës. Po kështu është organizuar dhe një ekspozitë nuk janë ekspozuar veshjet e arvanitasve, dhe elemente të tjera nga tradita e tyre.  
“Patëm propozuar që Aristidh Kolën ta dekorojmë me dekoratë të Kosovës. E kam pasur një premtim nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, që ta çojë punën përpara për dekorim. Mirëpo, kur e mbaruam punën dhe ia çuam propozimin ai u refuzua, me arsyen se mund të na prishin marrëdhëniet me grekët”, ka treguar Meriman Braha, derisa ka treguar se Aristidh Kola është shpallur “Qytetar nderi” i Skenderajt dhe i është ndarë mirënjohje nga kryeministri për veprimtarinë e madhe patriotike, kulturore. /Zëri/

http://fax.al/read/news/1642935/10456743/kerkese-nishanit-aristidh-kola-te-shpallet-nderi-i-kombit-shqiptar