Përkujtimore për Aristidh Kolën në Prishtinë



PËRKUJTIMORE PËR ARISTIDH KOLËN NË PRISHTINË
Mbështetet nisma për ti dhëne arvanitasit të madh titullin “Nderi i Kombit”

Në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ditën e premte 30 tetor 2015, ora 10:00, u organizua mbledhja përkujtimore kushtuar arvanitasit të madh Aristidh Kola ( 1944-2000) në 15 vjetorin e vdekjes së tij, bashkërenduar kjo me Nismën për Propozimin pranë Presidentit të Shqipërisë për dhënien e titullit Nderi i Kombit Shqiptar kësaj figure të madhe të kombit shqiptar. Në këtë përkujtimore të organizuar nga studiuesit dhe intelektualët shqiptarë të Kosovës morën pjesë Meriman Braha, Deputetja e Kosovës Flora Brovina, shkrimtari Agim Gjakova, Ismet Hajrullahu, poeti Ibrahim Kadriu, përfaqësues të Ministrisë së Diasporës, intelektualë, pedagogë e studentë. Nga Tirana kishin ardhur drejtues të kësaj nisme, miku dhe bashkëpunëtori i Aristidh Kolës, Kolec Traboini dhe shkrimtari Pandeli Koçi.
Mbledhjen përkujtimore e hapi Ismet Hajrullahu, i cili ftoi të pranishmit të mbanin një minutë heshtje në kujtim të Aristidh Kolës. Fjalën kryesore e mbajti Kolec Traboini që solli kujtimet e tij nga bashkëpunimi me arvanitasin e madh, kujdesin që Aristidh Kola tregonte për emigrantët shqiptarë dhe mbrojtja zjarrtë që i bënte kauzës për liri të shqiptarëve të Kosovës. Ai foli gjithashtu për vlerën e madhe të veprës së Aristidh Kolës si dhe për ecurinë e nismës për t’i propozuar Presidentit të Republikës dhënien e titullit Nderi i Kombit.
Për rëndësinë e veprës së Aristidh Kolës dhe kujdesin që duhet të tregojnë institucionet tona e vetë shteti për të mbajtur gjallë në kujtesën e kombit figura të tilla të mëdha foli shkrimtari Pandeli Koçi. Meriman Braha solli kujtimet e organizimit të javës së kulturës arvanite në Kosovë kur erdhën veprimtarë arvanitas, pjesëtarë të familjes së Aristidh Kolës dhe një grup folklorik që dha koncert për banorët e Prishtinës.
Shkrimtari Agim Gjakova vuri në dukje se vendosja e një busti të Aristidh Kolës në Prishtinë apo vënia e emrit të tij një sheshi apo një shkolle, do ta nderonte kryeqytetin e Kosovës.
Të pranishmit firmosën kërkesën drejtuar presidentit të Republikës së Shqipërisë për dhënien e titullit nderi i Kombit arvanitasit më të madh të shekullit XX.
Të pranishmit patën rastin të shohin edhe një montazh filmi nga jeta e Aristidh Kolës i përgatitur me këtë rast. Ngjarja u pasqyrua në media vendore bashkë me një grup intervistash të pjesëmarrësve në përkujtimore.