Nisëm për Aristidh Kolën- Nderi i Kombit Shqiptar


NISËM PËR SHPALLJEN E ARISTIDH KOLËS NDERI I KOMBIT SHQIPTAR. 

Kemi një përhapje të menjëhershme të Nismës  ARISTIDH KOLA- NDERI I KOMBIT, në tërë trevat shqiptare. Në Prishtinë kemi nismëtarë figurat e njohura atdhetare, Hydajet Hyseni,  dhe Ismet Hajrullahu, në Prizren Neriman Braha dhe Prof. Dr.Zymer Neziri, Nexhmi Lajqi në Pejë, ndërsa në Tetovë kemi nismëtar historianin Arben Llalla, i cili e ka njohur nga afër Aristidh Kolen dhe ka shkruar një libër për të. Në Tiranë ku lindi kjo nismë, Kolec Traboini dhe Pandeli Koçi. Nismëtarët e Prishtinës në bazë të njoftimeve nga Ismet Hajrullahu shprehin dëshirën e organizimit të një konference shkencore kushtuar jetës e veprës së Aristidh Kola. Së shpejti do të kemi një takim të grupeve nismëtare që mendohet të organizohet në Prishtinë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë dhe Kosovës.
Kemi përshendetje e përkrahje nga shoqata "Bijtë e Shqipes" në Filadelfia SHBA nepermjet kryetarit te saj Llazar Vero, të Institutit
Kombëtar të Integrimit të Jetimeve Shqiptare me drejtor të përgjithshem Ilir Çumani,  si dhe të  shoqatës "Myzeqeja:" nëpërmjet kryetarit të saj Naum Kule.

GRUPI NISMËTAR
Tiranë, 20 Tetor 2015









Kolec Traboini duke lexuar propozimin për dhënien e titullit Nderi i Kombit arvanitasit të madh Aristidh Kola.
Kolec Traboini duke lexuar propozimin për dhënien e titullit Nderi i Kombit
arvanitasit të madh Aristidh Kola.
Shkrimtari Pandeli Koçi duke folur për rëndësinë e jehonen e kësaj nisme
Shkrimtari Vasil Premçi duke firmos propozimin për dhënien e titullit

Shkrimtari Kujtim Dashi duke firmosur.

 Shkrimtari Pandeli Koçi duke firmosur

Kryetari i Shoqatës "Myzeqeja" Naum Kule në përkrahje të Nismës, 
Frrok Vukaj dhe Artur Zadrima.

 
Farida Ramadani,Fatbardha Kaçi, Fatmir Gjestila, Riza Braholli, Qazim Muska.
Kolec Traboini, Qazim Muska, Natasha Lushaj, Riza Braholli dhe V. Lushaj.

VEPRIMTARIA NIS NË TIRANË

Nisma e një grupi intelektualësh të Tiranës dhe ish emigrantësh në Greqi, për dhënien Aristidh Kolës të titullit “Nderi i Kombit”,  bëri mbledhjen e saj të parë me rastin e 15 vjetorit të vdekjes së studiuesit dhe veprimtarit të madh arvanitas. Miq e lexues të pasionuar të veprave të këtij studiuesi, por edhe ish emigrantë shqiptarë në Greqi, u gjenden në kafe-bar Muza, një lokal ku mblidhen krijues kryesisht të dielave dhe folën për jetën e veprën e Aristidh Kolës.
Fjalën e hapjes e mbajti shkrimtari Pandeli Koçi, ndërsa kineasti dhe poeti Kolec Traboini, që e ka njohur personalisht Aristidh Kolën dhe vitin e kaluar ka botuar një libër mbi atë, lexoi propozimin e përgatitur që do t’i dërgohet Presidentit të Republikës  duke sjellë arsyet e këtij propozimi si dhe një biografi të shkurtër të veprimtarit të shquar arvanitas të cilat po i sjellim më poshtë:
1-Krenaria e tij si shqiptar, e cila e shoqëroi deri në fund të jetës e prej të cilës nuk hezitoi e nuk hoqi dorë kurrë sado presion dhe luftë që i bënin.
2-Guximi për të thënë të vërtetën, për të mbrojtur kulturën gjuhën e traditat shqiptare ndër arvanitët e Greqisë.
3- Dashuria e madhe për atdheun e të parëve dhe popullin shqiptar në Shqipëri, Kosovë, arbëreshët e Italisë, shqiptarët e Maqedonisë dhe kudo ku ata ndodheshin në botë.
4-Udhëheqës i madh i arvanitasve, veprimtar i palodhur në gjithçka që i shërbente indentitetit arvanitas; organizator i veprimtarive për mbajtjen gjallë të kulturës  e traditave të popullit të vet.
5-Përkushtimi i jashtëzakonshëm për ngritjen e dinjitetit të shqiptarëve të Greqisë për të cilën la cdo gjë, dhe profesionin e avokatit, dhe u mor tërësisht me kërkime e studime në fushën e kulturës popullore dhe historisë.
6-Studiues që solli vepra voluminoze që bëjnë histori, mjaftojmë të kujtojmë “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve”, që ka njohur mbi 14 botime dhe që konsiderohet si bibla e arvanitasve, vepër që ka hyrë në çdo shtëpi shqiptare dhe me fakte historike të ngjall krenarinë e të qenit shqiptar. Edhe “Gjuha e perëndive” është një vepër studimore që sjell argument që gjuha shqipe është vazhdimësi e gjuhës ilire dhe si një gjuhë të cilën e flisnin perënditë e Olimpit, çfarë e bën krenar çdo shqiptar në botë.
7- Publicist i madh, mbrojtës i patundur i kauzës së shqiptarëve në Ballkan, mbrojtës i shqiptarëve të Kosovës, për të cilën shkroi dhe veprën “Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit” Athinë 1995, përkthyer edhe në shqip.
8-Njeriu i paqes,  megjithëse luftëtar i madh i kauzës së kulturës dhe dinjitetit të popullit të vet, ai dëshironte që në mes të dy popujve më të vjetër në Ballkan të kishte miqësi e mirëkuptim, sepse vetë popujt kurrë nuk janë burime luftërash ata më së shumti e pësojnë prej politikës së mbrapshtë të kastave e qarqeve ekstremiste.
9- Sakrifikoi gjithçka për kauzën në të cilën besonte, pa kursyer asgjë, madje edhe jetën e tij, sepse gjithmonë jetoi nën kërcënime deri me vdekje, por kurrë nuk u zmbraps e kurrë nuk u mposht.
10- Figura e tij madhore, krenaria e tij për prejardhjen shqiptare, është sot një burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët e Greqisë, por edhe në mbarë botën.

Mbi figurën e Aristidh Kolës folën Vasil Premçi, Kujtim Dashi, Natasha Lushaj, Farida Ramadani që kishte ardhur nga Shkodra, Riza Braholli,Naum Kule- kryetar i shoqatës “Myzeqeja”,  Dhimitër Xhoga, Namik Selmani, Agron Çalliku dhe Artur Zadrima ish-emigrant në Greqi.
Në këtë takim u recituan edhe krijime kushtuar Aristidh Kolës, të autorëve Kolec Traboini, Sazan Goliku,  Robert Goro, Arben Llalla, Xheladin Mjeku, Arqile Gjata, Sotir Goxhaj, Bardhosh Xhelaj si dhe  elegji popullore arvanite.
Informacioni u shpërnda nga grupi
“Miqtë e Aristidh Kolës”.

18 tetor 2015