Pse nuk del populli në fotografi?- nga Kolec Traboini



PSE NUK DEL POPULLI NË FOTOGRAFI?!


 Media në një ditë vjeshte 2015  fry e shfry: ka dalë kryeministri Rama me presidentin Obama në fotografi. Tani na del një shkrim botuar në New Jersey më 29 qershor 2016 nga gazeta "New Jersey 101.5" nga autori Sergio Bichao, ku flitet për një  person që është në gjyq për korruptim me 80 mijë dollarë të cilat ja ka dhënë një udhëheqës politik nga Shqipëria për ta kaluar si kontribut për fushatën e rizgjedhjes së Presidentit Obama. Shqiptaro-amerikani quhet Bilal Shehu, shqiptaro-amerikan, 48 vjeç, shofer limuzinash dhe është parë në foto me Edi Ramën gjatë vizitës së tij në Amerikë. Po këto rrëfime me pagesa për të dalë në fotografi me presidentët amerikanë tashmë është histori e vjetër. Ndërsa ky shkrim që ju paraqesim, që nga prill i vitit 2004. Do të shihni se asgjë nuk ka ndryshuar ndër shqiptarët e politikës...
Nga Kolec TRABOINI

       Dihet që fotografia nuk është një zbulim krejt i rastësishëm dhe nuk mund të shpjegohet, fjala vjen, me një metaforë si në rastin e "Mollës" së Njutonit. Fotografia është sintezë jo vetëm e zhvillimit që kish marrë shkenca, por edhe konkretizim i një dëshire të vjetër lindur bashkë me njeriun.
      Njihen vizatimet apo gravurat nëpër shpella të ruajtura që nga kohët më të hershme që nuk kanë histori të shkruar. Në to njeriu përpiqej të krijonte imazhin e vet dhe të mjedisit që e rrethonte. Gjatë historisë, njeriut, duke e ditur se ishte i vdekshëm e pas tij kurrgjë nuk do mbetej, filloi t'i ndizej dëshira për të lënë imazhin e vet tek ata që pas tij do të jetonin, pra në një farë mënyre, lindi dëshira e mbijetesës ose më tej e pavdeksisë nëpërmjet imazheve. U zhvillua piktura, e cila, në fillimet e veta, kryente funksionin e paraqitjes reale, dhe për këtë sot ruhen nëpër galeri kryevepra me një autentitet të jashtëzakonshem. Si të thuash piktura luante rolin e asaj që luan fotografia sot.
     Njeriu me pikturën më se fundi gjeti të mishëruar ëndrrën e tij për të mbetur i përjetësuar. Falë talenteve të mëdha të artit figurativ, ne sot kemi nëpër galeri familje mbretërore, dinjitare të lartë, kardinalë e peshkopë, kryeministra markezë kokëlartë e kontë që historia i ka harruar, por në art kanë mbetur. Pra, në një farë mënyre, ata e kanë siguruar përjetësinë qoftë dhe në mënyrë të tërthortë. Dalja e fotografisë e çliroi artin e pikturës nga detyrimi për të qenë autentik, pra e ridimensionoi në pikëpamje estetike. Por qëllimi i këtij shkrimi nuk është që të merret me estetikën e artit figurativ, por thjesht se si janë përdorur këto arritje të zhvillimit të njerëzimit për qëllime ambicioze, lavdidashëse e madje utilitare, a të leverdisshme për kohën, çfarë sot mund ta quajmë biznes.
     Fillimisht, dua të sjell një shembull se si një njeri i thjeshtë në kohë të monizmit, arrinte që teknikën e fotografisë ta përdorte në mënyrë mjeshtërore për qëllime utilitare. Shkonim me shërbim për filmime kronikash në veri të Shqipërisë. Diku andej nga Bulqiza, makinën me ekipin e xhirimit e ndalon një polic rrugor, i cili i thotë grupit se mëqe shoku P.., anëtar i Byrosë Politike, do të kalonte përballë, duhej të ndalonim në kënd të rrugës sa të kalonte "Benzi" i udhëheqjes. Operatori ynë, një rrufjan i shkathët, sa i përmendën emrin e shokut P.., nxorri kameran bashkë me një aparat fotografik. Kameran e hodhi në qafën e vet dhe aparatin e rrasi në qafën time, duke më porositur që ta kisha në gatishmëri se duhet të bëja një fotografi patjetër.
      Polici, kur e pa operatorin me kamera, jo vetëm mbeti i kënaqur por i shprehu dëshirën që edhe ai të xhirohej në film. Pritja nuk vazhdoi gjatë e në krye të rrugës doli "Benzi" i zi me shokun P.. brenda. Një njeri me kamera në dorë në mes të rrugës e sugjestionoi jo vetëm policin, por edhe pasagjerët e rangut të lartë të "Benzit", i cili ngadalësoi shpejtësinë dhe për çudi ndaloi. Me sa duket, tundimit pannjerëzor për t'u përjetësuar në celuloid, nuk i shpëtoi as udhëheqësit truplartë, i cili zbriti nga makina dhe na dha dorën të gjithëve, ndërkohë që kamera e operatorit tonë rrufjan, nisi të bënte zhurmën karakteristike të filmimit. Pastaj udhëheqësi nisi të shihte peizazhin malor.  
     Operatori i shkathët iu afrua plot mirësjellje e i shprehu dëshirën që të bënte një fotografi së bashku. Me fjalën ‘sëbashku’, ai kishte parasysh veten e tij dhe shokun P... Unë në gatishmëri, sipas porosisë, e shtypa disa herë sustën e aparatit fotografik. U ndamë me udhëheqësin e lartë dhe makinat shkuan në drejtime të ndryshme. Meqë mbaja përgjegjësi për çdo pëllëmbë film (për kursimin e filmit që thuhej blihej me valutë - të tjerë thonin me presh - kishim presione të jashtëzakonshme nga drejtoria), i shpreha pra shqetësimin se si do ta justifikonim këtë shpenzim jashtë planit të xhirimit. Operatori që kishte besim te unë, më shkeli syrin e, si m'u afrua, më tha në vesh që të mos dëgjonte shoferi: "E kisha kasetën bosh". "Po pse e inskenove këtë ndalesë", e pyeta i shqetësuar. Si më tregoi aparatin fotografik, plotësoi mendimin me fjalë "për fotografinë".
     Natyrisht, unë ende nuk po e kuptoja krejtësisht qëllimin e tij, por shumë shpejt do të qartësohesha gjatë një xhirimi në Margegaj të Tropojës, kur operatori nxorri një vandak fotografish dhe nisi t'ia tregonte kryetarit të kooperativës duke bërë shpjegimet përkatëse se këtu kish dalë me shokun Mehmet, këtu me shokun Kadri, këtu me të paharruarin shokun Hysni, e kjo e fundit me shokun Pa.. e në fund, si mbaroi inkursioni fotografik iu kthye e i tha hapur kryetarit. "O kryetar, po vjen Viti i Ri e ngelëm pa bakllava sivjet". "E ke fjalën për arra?" - e pyeti kryetari. "Tani edhe për ndonjë dorë fasule kemi nevojë, se gështenja kemi gjetur", u përgjigj hazërxhevap bashkëbiseduesi.
     Operatori i rregulloi punët ashtu si diti dhe unë që kisha pasione të tjera dhe që vrisja mendjen për letërsinë dhe estetikën, nisa të kuptoj se kishte një shmangie të madhe nga ambicia e hershme e njeriut për të ngelur i përjetësuar në fotografi. Me sa duket, koha i kishte sjellë fotografisë funksione të reja. As do ta vrisja mendjen fare për këtë episod që mund të përbënte zanafillën e një subjekti për një tregim satirik, sikur të mos vija re se në restorantin e një shqiptaro-amerikani të shquar, si në biznes dhe në atdhetarizëm, kishte një mori fotografish të varura nëpër muret e hollit të restorantit, ku pronari kishte dalë me presidentë, senatorë, ministra, yje të shquar të Hollivudit e madje edhe me dy presidentët shqiptarë Ramiz Alia e Sali Berisha. Duke i parë këto korniza që përbënin një galeri historike e duke sjellë ndërmend xhepin e mufatun të operatorit të filmit, tashmë nuk kisha kurrfarë dyshimi se këtu nuk kishim të bënim me temën e një subjekti satirik.   Brenda ngjarjeve nuk kishte dhe aq humor se sa matematikë racionale interesash materiale. Secili prej të dy këtyre shqiptarëve, në sisteme të ndryshme, në vende të ndryshme dhe mundësi të ndryshme, përdornin artin fotografik për një qëllim praktik e shumë të dobishëm, për interesin apo biznesin e tyre, natyrisht sipas mundësive e rrethanave ku ndodheshin.
    E këtu, nisa të bindem se nuk ka gjë për të qeshur as për të stigmatizuar.
    Por edhe ndaj këtyre dy përngjasimeve do të kisha mbetur indiferent, sikur të mos më vinte njoftimi, nga disa bostonianë republikanë, që përkundrejt një shume prej dymijë dollarësh, unë si qytetar amerikan tashmë, mund të isha pjesëmarrës në drekën e presidentit Bush që organizonte në ditët e marsit e ku do të mund të dilja edhe në fotografi personalisht me të, sepse kështu e kishte protokolli i këtij takimi në kuadrin e fushatës elektorale presidenciale të nëntorit 2004. Isha i bindur se sikur ai operatori, miku im i vjetër i filmit, të jetonte në Boston, do ta sakrifikonte dymijë dollarëshin, por unë as e vura ujin në zjarr për atë punë. Aq më tepër se presidenti, duke më lejuar të bëja një foto me të, do të realizonte biznesin e vet elektoral, por mua, që nuk kisha kurrfarë biznesi, nuk më tundonte ambicia të shkundja xhepat.
Por edhe këtë rast të tretë do ta kisha lënë në heshtje dhe harruar, po të mos qenë vandaku i artikujve të gazetave shqiptare mbi ambiciet e kryeministrit shqiptar, për të dalë në një fotografi nderi me presidentin amerikan, të cilin, sipas gazetave, kryeministri Nano do ta përdorë si kartë për reputacionin publik në rënie dhe pse jo, në zgjedhjet e pritshme parlamentare në Shqipëri.
    Me kureshtje të ngacmuar u futa në kanalet e internetit dhe më së fundi e gjeta fotografinë Nano-Bush. Për një çast e humba fare. M'u duk se fotografinë e kisha bërë unë këtu e njëzet e pesë vjet më parë... M'u bënë lëmsh kujtimet me realitetin. Bushi truplartë - Nano trupshkurtër, Bushi solid - Nano i mbledhur krruspull në gji të Bushit... Mirëpo këto mendime shumë shpejt m'u daravitën sepse nisa të mendoj me qetësi. Fundja të dy në rolet e tyre të biznesit janë. Bushit i intereson për momentin jo vetëm popullariteti e përkrahja e brendshme (që aq fort i ka rënë tash së fundi) por edhe përkrahja e jashtme (tani po përgatiten 200 ushtarë shqiptarë të shkojnë në Irak), prandaj dhe ajo "zhgrrap" në celuloid, në një farë soji, ia bën punën Bushit. Por kryeministrit shqiptar ajo "zhgrrap-je" e blicave të aparateve fotografike ia bën punën akoma më mirë. Shumë më tepër madje.
    Pra, në fjalë të fundit, edhe Presidenti amerikan edhe kryeministri ishin në të drejtën e tyre dhe në bizneset e veta. Prandaj çfarë kanë gazetarët e gazetat që grinden?. Kur e bën Bushi, si të mos e bëjë Nano?! Kur Bushi në Boston ia afroi këtë privilegj çdo bostoniani, duke përfshirë dhe shqiptaro-amerikanët, për dymijë dollarë, si mund t'ia mohonte kryeministrit shqiptar, apo të tjerëve që vinë në Amerikë në festat e lutjeve e që paguajnë ku e ku më tepër. Fundja biznes dypalësh është. Paçka se paratë e Nanos (nëse ka paguar) nuk i mori Bushi për fushatën e zgjedhjeve, por kompanitë e fluturimeve ajrore, të hoteleve e restoranteve të shtrenjta amerikane që e përkrahin mbase Bushin e jo Xhon Kerrin gjatë zgjedhjeve.
     Ja pra, që fotografia ka dalë qoftë nga dëshira e vjetër njerëzore e përjetësimit pas vdekjes, por edhe nga qëllimi i thjeshtë i një kujtimi, duke u ngjitur në shkallët më të larta të biznesit, ku një foto me presidentin shkon 2000 dollarë për amerikanët, por për funksionarët shqiptarë të rangut të lartë që bëjnë varavingo nëpër botë, paguajnë dhjetra herë më shumë. Kush i paguan këta dollarë, do të thoni ju? Populli shqiptar i paguan, kush tjetër. Për këtë është populli, për të paguar. E nëse ky popull (sipas Brehtit) nuk pranon të paguajë për foto-bizneso-maninë e qeveritarëve, le të ikë, le të sjellim një popull tjetër. Se presidentët, kryeministrat e kryetarët e partive kurrsesi nuk mund t'i ndërrojmë. Fundja me presidentin amerikan në fotografi tashmë janë udhëheqësit, e populli nuk është kurrkund.
Vërtet, ku është populli? Pse nuk del në fotografi populli? Pse fshihet populli?!