03 August 2015

Serbia shpëtimtare e Perandorisë Turke / nga Kolec Traboini



SERBIA SHPËTIMTARE E PERANDORISË TURKE 


 Nga Kolec TRABOINI



Ka ngjarje në histori të kaluara në gjysëm heshtje e në të kundërt mjaft prej të tjerave thirren në evidencë për qëllime të ditës e të realizimit të planeve gjeostrategjike në Ballkan. Në këtë mosnjohje historike po ndodhin dhe precedentë nga më të çuditshmet dhe më të dëmshmet. Shumë ndër shqiptarë të nxitur nga inkursionet e të huajve po bëhen zëdhënës e trumbetues të krijimit të hegjemonive të reja, duke ëndërruar krijimin e një bashkësie shtetesh në Ballkan ngjashëm me perandorinë osmane, e stimuluar kjo nga politika Erdoganit dhe përhapja e ideve e parullave mjaft agresive, ndër të cilat “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”. Këto qarqe që kërkojnë revanshe historike nuk dalin të shpjegojnë se ku qëndron kjo sentencë, mbi çfarë baze historike dhe ku duan të arrijnë me të. Gjithsesi, ky synim është mjaft i dëmshëm për çështjen shqiptare, ende e pazgjidhur përfundimisht në trojet e veta të ndara si plaçkë tregu dhe trofe luftërash prej shtetesh ballkanike, që mesa duket ende nuk paskan të ngopur me trojet e të parëve tanë ilire.
Natyrisht krijimi i kësaj psikoze, se Turqia e Erdoganit ka ambicie për krijimin e një formacioni të madh në aleanca mbështetur në popullsinë myslimane të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, i shkon sipas orekseve qarqeve të Beogradit, por edhe Athinës për gjoja rrezikun që përmbajnë shqiptarët në prirjen e tyre për të krijuar një kalifat ballkanik mysliman. Ata e shfrytëzojnë këtë ide të stisur me qëllim të fusin panikun në shtetet e tjera ballkanike, por edhe Evropës dhe Amerikës, madje edhe duke u shtirë si të frikësuar, duke u paraqitur pas masakrave e gjenocidit që ka bërë mbi shqiptarët, mundësisht edhe si një viktime. Kjo është një politikë tinëzare që ne si shqiptarë duhet të dimë si ta kundërshtojmë dhe ta demaskojmë, sepse shqiptarët nuk kanë asnjë dëshirë t’i bashkohen asnjë lloj grupimi a bashkimi veç asaj të BE-së dhe aleancës historike me Amerikën, si shpëtimtarët e popullit shqiptar të Kosovës.
Shqiptarëve që gënjehen prej erërave mikluese e mashtruese që fryjnë në të katër horizontet, dëshirojmë tu themi: mësoni  ta lexoni historinë e të mos bini viktimë e rivaliteteve herë të hapura e herë të fshehta të shteteve ballkanike e më gjerë që punojnë për interesat e veta e jo për shqiptarët. Nuk ka pse të ngulmojmë në mendimin se Turqia është miku ynë dhe armik i serbëve. Në pamje të parë të duket sikur  shteti serb nuk ka interesa dhe aleanca e ndonjë miqësi fort të madhe me Turqinë, por ne duhet të dimë si ta lexojmë historinë. Historinë tonë, por edhe historinë e të tjerëve. Po t’i ndjekim me kujdes faktet historike, na del se Serbia jo vetëm nuk ka qenë ndonjë armik i përbetuar i Turqisë, por nje aleat që të paktën në një çast historik ka qenë edhe shpëtimtare  e Perandorisë Turke. Nuk duam të bëjmë historizëm po le t’i hedhin një vështrim marrëdhënieve serbo-turke.
E vërteta është se ka pasur  një betejë në histori e kthyer në mit të sforcuar si betejë vetëm serbe;  është fjala për betejën  e aleatëve ballkanikë dhe forcave të perandorisë turke në Fushë Kosovë në vitin 1389, e cila doli humbëse për aleancën ballkanike në mes të cilëve qenë dhe shqiptarët, por veçmas fatale për serbët, të cilët humbën Car Lazarin në fushë të betejës. Por edhe turqit megjithëse e konsiderojnë betejën të fituar, lanë  në fushëbeteje sulltan Muratin e I. Këtu shquhet emri i luftëtarit shqiptar të kthyer në legjendë Millosh Kopili, që nëpër analet osmane quhet edhe Bilesh Kyble.
Në këtë betejë pashallarët turq kishin në komandë edhe dy djemtë e Sulltan Muratit,
Jakub Çelebiu dhe Bajaziti. Të ndodhur përpara alternativës se cilin duhej të zgjidhnin sultan, pashallarët turq e vranë vetë Jakub Çelebiun dhe shpallën sulltan Bajazitin e parë. Nga kjo betejë Serbia pranoi vasalitetin dhe vajza e Car Lazarit të vrarë ju dha Bajazitit, i cili e mbajti në harem si një nga tre gratë e veta. Vetë Bajaziti e kishte nënën greke.
Pikërisht tek kjo grua serbe, vajza e vogël e Car Lazarit të Serbisë, Mileva Olivera Llazareviq, turqit e quanin Despina Hatun, do të nisë një miqësi mes serbëve dhe turqve. Pavarësisht martesës së saj, ajo kurrë nuk u konvertua në Islam. Ajo kishte një ndikim të madh te sulltani, i cili ndihmoi njerëzit e saj, vendin dhe familjen për të mbijetuar. Në këtë kohë në krye të Serbisë,  ishte vëllai i saj Stefan Lazari si aleat i turqve.
Në 20 korrik të vitit 1402, mes forcave kalorësiake të fiseve tartare të Timurit dhe atyre të Sulltan Bajazitit,  u zhvillua një  betejë vendimtare, e quajtur sipas vendit ku u zhvillua,  beteja e Edrenesë. Në krah të Sulltan Bajazitit ishin si aleatë forcat serbe të Stefan Lazarit, por edhe princët shqiptarë që kishin pranuar vasalitetin, si Gjon Kastrioti, Koja Zaharia (babai i Lek Zaharisë), Dhimitër Jonima dhe mendohet edhe Tanush Dukagjini. Ishte një nga betejat më të përgjakshme. Historianët shënojnë se brenda një ore u vranë prej furisë së kalorësve të Timurit afro 50 mijë ushtarë turq. Ndodhur në këto kushte forcat aleate ballkanike arritën të dalin nga rrethimi që u kishte bërë Timurlengu, i konsideruar një ushtarak shumë i zoti. Madje historianët shënojnë se princi serb Stefan Lazari, vëllai i gruas së sulltan Bajazitit, i kërkoi këtij që të tërhiqeshin për të shpëtuar nga ndonjë grackë e mundshme e Timurlengut. Por nga sedra e madhe, sulltan Bajazitit, i njohur për shumë fitore në kohën e sundimit të tij, nuk e la fushën e luftës dhe vazhdoi qëndresën pa u tërhequr. Kjo do t’i sillte shkatërrimin. I mbetur me jo më shumë se disa qindra kalorës, i rrethuar nga forcat armike, ai zihet i gjallë megjithë shpurën e tij, me gruan serbe dhe me një nga djemtë. Kësisoj erdhi shkatërrimi i perandorisë turke, e cila për 11 vjet do të vazhdonte të ishte në kaos. Sulltan Bajaziti u mbajt rob, por mbas disa muajsh, në vitin 1403, ai vdiq nga hidhërimi. Pas kërkesave të shumta nga Serbia, Timurlengu 



pranoi të lërë të lirë gruan serbe të Bajazitit dhe një nga djemtë e tij mbetur rob. Në këtë periudhë ndjehet roli i sulltaneshës Despina Hatun në riformimin e perandorisë turke, e cila ndodhej në luftë civile e rivalitete pushteti mes katër djemve të sulltan Bajazitit që zgjati deri në vitin 1413. Për këtë princeshë serbe dhe grua sulltani është botuar një libër në vitin 2009 në Beograd me titull “Princesha Olivera, heroina serbe e harruar”. Serbët e përkrahën njërin nga djemtë, Mehmetin, i cili i mundi të vëllezërit një e nga një, i vrau dhe u shpall sulltan Mehmeti i parë. Me vdekjen e Timurit në moshën 69 vjeç, ndërsa ishte  duke përgatitur 300 mijë trupa për të sulmuar Kinën, perandoria turke nën sulltan Mehmetin e parë e rimori veten falë edhe kontributit që serbët dhanë për ripërtëritjen e saj. Jo më kot Serbia e ka lejuar gjithëherë turben që u ngrit nga turqit në vendin ku u vra sulltan Murati i I nga shqiptari Milosh Kopili. Ishte tyrbja e babait të Sulltan Bajaziti i I, dhëndrrit të Serbisë ku çuditërisht falen edhe  sot e kësaj dite shqiptarët myslimanë të Kosovës pa e ditur krejt çfarë bëjnë në këtë ironi të historisë, se ky sulltan është i afërt i serbëve e jo i shqiptarëve. Dhe që ta dimë mirë historinë, sulltan Bajaziti i lejoj serbët të pushtonin  Shkupin sepse i konsideronte aleatët më të besuar në Ballkan, çfarë historia a vërtetoi me ndihmën që këta dhanë me ringritjen e perandorisë osmane me sjelljen në pushtet të Mehmetit e I. Miti i betejës së Kosovës në vitin 1389 i ka shërbyer Serbisë jo si armiqësi ndaj turqëve, por vetëm e vetëm për të mbajtur të pushtuar tokat shqiptare.
Ja pra që historia ka edhe dritëhijet e veta. Lidhjet serbo-turke disa ndër shqiptarët e Kosovës nuk arrijnë t’i dallojnë, por ato aty janë, në histori. Ndaj të mos na vijë çudi që Perandoria Osmane ua lejoi serbëve pavarësinë, ashtu si më parë grekëve, por kurrën e kurrës nuk mendonte ta bënte këtë gjë me shqiptarët, me mendimin se tashmë shqiptarët ishin shkombëtarizuar, ishin tjetërsuar, ishin kthyer në turq dhe nuk kishin asnjë lloj identiteti. Të mos e harrojmë devizën e sulltanëve turq që “vendi të shkatërrohet e asnjë shqiptar gjallë të mos mbetet”, e cila shprehte mllefin e egër thuaj shtazarak të pushtuesve ndaj një çerek shekulli rezistencë të shqiptarëve dhe disfatave të hordhive të lindjes. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë që në trojet shqiptare me ushtri të panumërta të shfaqeshin vetë sulltanët e jo një here, por disa herë dhe të kthyer me turp andej prej nga kishin ardhur.
Analet historike, shënimet e udhëtarëve, kronikanët e sulltanëve e përshkruajnë me tone urrejtjeje deri dhe patologjike Gjergj Kastriotin, atë që mbante emrin e Aleksandrit të madh, Iskander- Skënderbeu. Ato përshkruajnë masakrat që janë bërë ndaj shqiptarëve prej hordhive sulltanore por nuk gjendën te njëjtat trajtime asnjë herë në kronikat e tyre në trojet e ndaj popullsisë serbe. Mizoria ndaj shqiptarëve e pohuar prej tyre në arkivat osmane janë një mizori e vërtetë me një dëshirë të egër për zhdukjen e kësaj popullsie nga faqja e dheut. E nëse shqiptarët arritën të shpëtojnë si komb ishte, siç e përshkruajnë kronikanët turq, se shqiptarët që shpëtuan prej kokëprerjeve shkuan në malet e lartë e në pyje të dëndura ku nuk mund të depërtonte këmbë ushtari. Në këto anale historike populli që urrenin më shumë, që e përshkruanin si më të egrin me të cilët kishin luftuar ndonjëherë e që meritonte të shfaroseshin qenë shqiptarët. E kjo histori është e shkruar me dorën e tyre e nuk mund të vihen në dyshim as faktet që sjellin e as  urrejtjen që shprehin. Ka që hedhin dyshime se shkrimet e Marin Barletit tonë të madh janë subjektive, se masakrat nuk kanë qënë dhe aq sa përshkruan tek “Skënderbeu” dhe “Rrethimi i Shkodrës”.  Lexoni kronikanët e vjetër turq  Ahmedi (1334-1413), Shukrullah(1386-1459), Oruçi, Mehmet  Neshri, Tursuni, Këvami, Idriz Bitlisi(? - 1520), Kemal Pashazade (1468-1534), Hoxha Sadeddin(1536-1599), Ali ( 1541-1600) e plot të tjerë për të mësuar skena vrasjesh e tmerresh të pafundme, biblike ndër shqiptarët. Vetëm këto kronika po të paraqiteshin para opinionit publik ndërkombëtar do të mjaftonte për ti konsideruar  pesë shekuj pushtim si pesë shekuj gjenocid të turqëve mbi shqiptarët.
Edhe në qindvjeçarin e shtetit shqiptar janë parë aleanca turko-serbe në dëm të interesave të shqiptarëve. Le të kujtojmë konventën jugosllavo-turke të vitit 1938, e cila ishte në kuadër të programit shovinist për spastrimin e Kosovës prej shqiptarëve. Dhe e vërteta është se turqit i ndihmuan serbët të zbojnë nga Kosova me qindra e mijëra shqiptarë duke e zvogëluar numrin e popullsisë. Por edhe më pas Luftës së Dytë Botërore ka marrëveshje si ajo e quajtur Pakti Ballkanik mes tre shteteve: Turqi-Jugosllavi-Greqi, në sajë të të cilit u bë shpërngulja e mbi 400 mijë shqiptarëve nga Kosova duke u dhënë kalimin në Turqi.
Historia e ka treguar se miqësia nuk është ajo që shprehet me fjalë të bukura nëpër vizita e mitingje, por ajo që realizohet në praktikë dhe ajo në të vërtetë është se anipse në Turqi jetojnë mbi 5 milionë shqiptarë, as nuk diskutohet që ky komunitet i madh shqiptarësh të ketë ato të drejta që gëzojnë të gjitha komunitetet në vende të qytetëruara. Kështu që, megjithëse në dukje Greqia e Turqia shtiren se kanë kontradikta, kur bie fjala për qëndrimin ndaj shqiptarëve që gjenden në këto shtete, të dy këto mbajnë një qëndrim arrogant, mospërfillës dhe as që flitet për respektimin e të drejtave të shqiptarëve. Çdo iluzion i krijuar nga propagandat që inspirojnë ekspansione e kërkojnë të ngjallin fantazmat historike si perandoria osmane apo megaloidheja, e më tej përrallisje si Kosova- djepi i Serbisë,  duhet të na bëjnë të jemi syçelë e të mos e humbim mendjen pas miqësive të rreme të atyre që natën të vrasin e ditën të qajnë.

gusht 2015