Kanabisi kuq - Kanabisi blu- nga Kolec Traboini



Kanabisi kuq - Kanabisi blu

Nga Kolec TRABOINI

Deri sa erdhi aksioni i madh policor “Big Show me Canabis Sativa”  në Lazarat të Gjirokastrës, plasi propoganda marroke televizioneve dhe gazetave çakërqefe shqiptare se Kanabis Sativen e mbjell Lazarati Blu që ishte bërë Kolumbia e Shqipërisë. I vunë vulën me urdhër të shtabit qeveritar dhe Lazarati u njollos në lajme që u publikuan në të gjithë botën.

 Policia e qeverisjes së majtë bëri dy aksione në Lazarat që i kushtoi dhe një jetë njeriu. E po thamë se kjo punë u krye. I lamë duart nga kanabisi.  Fjalime, përgëzime, vet urime me bollëk, sepse më së fundi kjo plagë u mbyll, edhe me shkakun se këta blutë e Lazaratit nuk kishin më mbështetje politike, de. Por këtu në Shqipërinë e tarafeve dhe sarafëve ndodhin çudira për të çuditur edhe bufat ne pemë e jo më për të trullosur çdo mendje normale në tokë. E me këtë rast, në ndihmë të propogandës qeveritare vjen shtypi teveqel. U krijua përshtypja se Qeveria e Demokrateve nuk kish bërë tjetër për tetë vjet veç kishte mbjellë e korr vetëm Kanabis Sativa. E meqë një farë Genc Ruli që rulosi kolltukët si ministër që këtu e njëzet vjet, duke qenë së fundi ministër bujqësie i takonte të konsiderohej edhe ministri i kanabisit shqiptar. Mirëpo ndodhi si puna e një lajmi që nxorri një farë Ndoc Rroku në Shkodër që nisi të tallet e të rrej botën. Dëgjoni o milet, ka plas krapi në Breg të Ranës. Ishte fjala për bregun e liqenit të Shkodrës. Kaq tha Ndoc Rroku e fjala nxorri fjalën dhe mori dhenë.  E tu lëshuan të  gjithë shkodranët me kusia e me sahana me mbledh peshk në breg të liqenit. Kur del Ndoc Rroku tek Dugajt e Reja, sheh do miq të vet që vrapojnë. Po ku shkoni, more të marre, u tha Ndoc Rroku. Ata me turr e vrap ja kthejnë, lëri fjalët Ndoc se sot është dita e veprimit, merr një thes a një kazan e të shkojmë të mbledhim krap se ka rrah në Breg të Ranës. Ndoc Rroku po mendon dhe në fund tha, edhe mundet,  e u nis bashkë me të tjerët duke gënjyer kësisoj edhe veten se krye peshku në breg të liqenit nuk kish dalë. Kështu dhe këto gazetat tona që rrinë e qëndisin rrena natën që gjindja ti besojnë ditën, sikur- sikur qeveria që iku mbillte vetëm kanabis se punë tjetër nuk kish. Por një ditë gushti në mes të vapës na vjen një aeroplan spiun italian e ti bjen përqark qiellit të Tepelenës. Batërdia! Kaq shumë qe habitur piloti italian sa për pak nuk u rrëzua mbi një parcelë të gjelbër. Kudo arat e pllajat ishin mbjellë me Kanabis Sativa, dhe ai dyshoi se mos ndodhej në Kolumbi apo Afganistan e jo në Tepelenën e Ali Pashait. E dhanë lajmin me gjysmë zëri.  Mirëpo njerëzit,  prej rrenave të gazetave dhe komunikatave të zëdhënësve qeveritar, ishin ngujua në mendimin se vetëm ato terrene që ishin bastione blu të partive të opozitës merreshin me kultivimin prodhimin e drogës. A mos është ky lajm diversioni më i ri i shqup-istëve? Po tani si i bëhet se Tepelena është kryeqendra e kuqe e partisë në pushtet. A do lërë tepelenasi i fortë i partisë që ka qeverisjen të ndërhyhet edhe në Tepelenë si në Lazarat? Të gjithë mendojnë se jo. Aq më tepër se kjo Tepelena është dhe mbështetja politike e ministrit të brendshëm që e ka prejardhjen e vet nga ky vend. Atëherë u vu në punë kryebashkiaku i sapozgjedhur me emrin sugjestiv Termet. Termet, i thanë, bëje termet ti se ne jemi me pushime të thella në Vlorë e përtej. Dhe ky Tërmeti bubulloi në një mbledhje të Këshillit  të ri  bashkiak të sapozgjedhur dhe i ftoi tepelenasit që vetë ata  të heqin dorë nga Kanabisi e ti vinin flakën arave. Deri më tani tym nuk ka. A po shkulet e digjet droga në ara akoma nuk ka lajme. Kasnecët televiziv dhe të shtypit të varur që llapaqosen në kazan të qeverisë, disa këshilltarë që të çajnë të çarën në panele televizive për natë,  po përgatisin edhe ata planin e tyre për të pasqyruar këtë trimëri të re  policore. Mirëpo si? Se kjo është si thika me dy presa, të shkruajnë apo thonë se një aksion i madh policor po mposht Tepelenën, siç thanë për Lazaratin nuk është e mundur. Se Tepelena është si muri i madh kinez i partisë në pushtet e jo bastion blu i partisë së gremisur me vota popullore. Garda e shtypit politik pro qeverisës është në kërkim të një zgjidhje që peshku i Ndoc Rrokut të piqet por helli i sojliut të qeverisë të mos digjet. Ca po thonë se ka një variant të mundshëm, që të shkruhet e zeza mbi të bardhë sikur qielli me rrufe i vuri flakën pyjeve, ndër to edhe qindra parcelave me Kanabis Sativa mbjell nga të panjohur e kështu çeshtja të mbyllet pa bujë. Pastaj përparësia e qeverisë është se nuk ka kush ta kontestojë rrenën që shitet si e  vërtetë apo sapunin për djathë në këtë treg marrok të fjalës së manipuluar.  Shto faktin se opozita është në panik e kaos se u rezulton që dhjetë bukurosha deputetë, të kenë votuar kundër kandidatit të partisë së vet  për kryebashkiak të kryeqytetit. Pra thënë hapur, demokratët jo vetëm që humbën pushtetin qendror 2013  dhe lokal  2015, por u është  hallakatur i tërë elektorati që nuk i honeps ata që janë në krye kaq vjet e  të cilët i konsiderojnë si parazitë, të korruptuar, që shiten për çmimin më të lirë që u afrohet.  Gjendur kësisoj si në një brrakë me ujë të ndenjur, (ca po thonë të qelbur) opozita rri e numëron yjet e netëve të gjata të gushtit duke shpresuar të ketë ndonjë furtunë me shi politik në vjeshtë. Kështu të dy krahët e politikës nuk po dinë çfarë të bëjnë. Ndërkohë tepelenasit që ëndërronin të kishin një mundësi të re për tu bërë ata një Lazarat i ri me bum ekonomik, superfuqi tregu, për të fituar kësisoj miliarda dollarë,  janë në dilemë. Ata ishin në pararojë të luftës elektorale për të fituar qeveria, ca u punësuan në polici falë ministrit tepelenas, por a ngopet ariu me miza? Populli do të hajë përditë, djemtë duan vetura, po dasmat e dollitë me dollibash duan para e Kanabisi i zgjidhte të gjitha këto punë. Njëri nga ata, një plak i vjetër thua një shekull,  rrinte e kundronte bimët e Kanabisit që kishin marrë për mbarë mbi dy metra e kusur. Ku Luzati e ku Lazarati, tha duke kërkuar me sy në horizont atje ku retë i dukeshin si tym kanabisi i djegur e shkrumbuar. Të shkojë gjithë kjo  punë dem! Ai sodiste bimët e harlisura e në mend i shkonte deputeti i partisë së vet në pushtet, që lëshonte një  zë skifteri në mes të deputetëve të Kuvendit që të legalizohej Kanabis Sativa, por asnjëri nuk ja varte. Medet! Ai qenka për popullin fukara, mendoi plaku me krrabë nga Luzati. Atë të kishim të parë e jo këtë sojliun e gjatë që as ta bën e as të lëshon. Se të thuash të drejtën,  ai tjetri, që tani rri në kuvend e mollois si plaku i qoshesë, të paktën për tetë vjet bëri një sy qorr e një vesh shurdhër. Ky i yni, na ruaj zot, me sy të shqyer çakërr, me vesh të ngritur që të kujtojnë ujkun, që të flet veç për burgun, e,  si do të dalë buka e gojës nuk do t’ia dijë as ai e as qehajallarët e tij. Ngordh po deshe. Po të paktën do ngordhësh i nderuar, si zbatues i denjë i  ligjeve të shtetit që nuk pjerdh për popullin. Më së fundi plaku me kërrabë, atje lart në një gërxh të Luzatit me vështrim ne horizont,  tej e përtej Picarit, atje  ku mendonte se gjendej diku Lazarati, ofshani fort e tha: si nuk e patëm fatin historik të kishim edhe ne një Pavlo Eskobar. Pastaj pa përreth e ndërroi mendje. Po kush tha se s’mund ta kemi tani që kanabisin e  mbjell gjithë Shqipëria?!