Pushteti si inspirim filmash / nga Kolec Traboini

Pushteti si inspirim filmash

Një fije peri e ndan tragjiken nga komikja. Në fund të fjalës ne mund të mësojmë ide nga filmat si pjesa më e ndjeshme dhe mbresëlënëse e arteve që trajtojnë problematikat shoqërore, njerëzore,  por nuk mund të veprojmë si në filma.

Nga Kolec TRABOINI

Dalja titullarit më të lartë të pushtetit ekzekutiv nga Kryeministria në bulevard për tu përballur me studentet universitarë të Fakultetit të Gjeologjisë që nuk duan që ndërtesa e tyre të bëhet seli  gjykatash, a thjeshtë për t’u thënë se nuk keni asnjë shkak për të protestuar, se ende nuk ju kanë nxjerrë në rrugë, është sikur në mënyrë  të përkundërt tu dilte kryeministri i asaj kohe e tu thoshte demonstruesve me 21 janar 2011, çfarë keni që thërrisni,  këta i qëlluam por ende nuk kanë vdekur, po i çojmë tu bëjmë autopsinë në spital. Prisni të vdesin pastaj protestoni.  Por shkon edhe më tej kjo pandehmë e zbritjes në bulevard, thjeshtë për tu thënë studenteve “Çfarë keni? Shkoni në auditore! Vazhdoni mësimet”.  Kështu u thanë edhe në shkurt 1991: “Vazhdoni mësimet!”. Çfarë janë këto reminishenca historike?!
Nuk e dimë a është kjo një këshillë e keqe prej Mefistofeli e ndokujt që rri pas kuintash, duke i sugjeruar titullarit të lartë për tu përballur me situatën kësisoj.  Gjithsësi qoftë më duket si inspirim filmash sepse gjithçka në ditën e 12 tetorit  2014 para kryeministrisë u faneps si  një  përsëritje e një sekuence dramatike filmike. Kushdo që ka jetuar vitet 1980 të shekullit të kaluar dhe ka parë filmin e regjisorit amerikan Elio Kazan, i kujtohet një skenë mbresëlënëse. Një përsëritje e një situate të njëjtë por të përmbysur. Emiliano Zapata kur ishte frymëzues i revoltës së fshatarëve meksikane u fut me një grup të revoltuarish në zyrën e presidentit  meksikan Francisko Madero e ky e pyeti Emilianon për emrin, të cilin u ngut ta shënonte me një rreth të kuq.  Çfarë në një mënyrë a një tjetër shprehte idenë se pushteti nuk është për të zgjidhur por për të lidhur. Erdhi koha që Emiliano Zapata të gjendej vetë kolltuk të  presidentit (pushtet i marrë prej revoltës popullore), por protestat e fshatarëve të varfër për drejtësi vazhdonin edhe më tej sepse nuk mund të zgjidheshin me ndërrimin e një presidenti - në rastin tonë për analogji të kryeministrit. Fshatarëve që i vërshuan në zyrë me ankesa, sepse problemet nuk zgjidheshin me frymë e me fjalë,  Emiliano Zapata, tashmë nga kolltukun hijerëndë i presidentit  pyeti njërin nga fshatarët që dukej si udhëhëqes i grupit të revoltuarve se si e kishte emrin.  Fshatari ju përgjigj. Emiliano Zapata atëherë mori lapsin dhe nisi të shënonte me rreth të kuq emrin e fshatarit, por një çast gjithçka në kujtesë  çoi në kohën e tij si kryengritës, kur edhe atij ja kishin qarkuar emrin me rreth të kuq. Atëherë mori listat me emrat e kryengritësve, e beri shuk, e hodhi,  u bashkua me ta dhe e braktisi zyrën e presidentit të Meksikës. Ndjehej më mirë pranë popullin të tij. Kjo me shkakun  se në atë zyrë e ndjeu të tjetërsohej dhe nuk qe në gjendje të zgjidhte hallet e brengat e njerëzve me të cilët nisi revoltën dhe bëri revolucionin përmbysjen më të madhe në historinë e Meksikës. Vendin e presidentit e zuri kryengritësi tjetër Panço Vila por edhe ky do të dështonte. Kryengritësi Zapata e nisi udhën nga protesta e fshatarëve, vazhdoi në kolltukun e presidentit e pastaj sërish në fshatarët në vorbulla ngjarjesh  ku dhe përfundoi tragjikisht. Janë proverbiale fjalët e tij “Më mirë të vdesësh në këmbë se të rrosh i gjunjëzuar”. Filmi i Elio Kazan është një mësim i madh historik për të gjitha ata që në emër të luftës për drejtësi organizojnë protesta, udhëheqin revoltat, vinë në pushtet dhe pak e nga pak tjetërsohen. Por jo thjeshtë për një veprim kalorësiak. Një fije peri e ndan tragjiken nga komikja. Në fund të fjalës ne mund të mësojmë ide nga filmat si pjesa më e ndjeshme dhe mbresëlënëse e arteve që trajtojnë problematikat shoqërore, njerëzore, por nuk mund të veprojmë si në filma.
Anipse ka ngjashmëri historike ngjarjesh, rrethanash, personazhesh,   asnjëherë  mënyrat  e zgjidhjes nuk janë njësoj, ky është shkaku që koha i ve njerëzit në provë, qofshin ata qytetarë të thjeshtë apo dhe udhëheqës shtetesh. 


USHTETI SI INSPIRIM FILMASH