Nuk jemi popull vëllazëror- jemi vllezër- nga Kolec Traboini


NUK JEMI POPULL VËLLAZËROR- JEMI VLLEZËR 

Vëllazëror është cilësi e një populli a kombi në raport me popuj a kombe të tjerë, por për popullin mes vetes është i pakuptimtë ky nocion.

Nga KOLEC TRABOINI

Për të thënë të vërtetën nuk ka nevojë të jesh në maj të malit. Se çfarë pa e dëgjoi Papa, e  di Papa, se çfarë pashë e ndjeva unë e di unë...dhe fare panë ata që përpiqen me gjet naivin e mëkatarin tek unë, këtë e dinë ata. Por meqë jam brenda  media-s si profesion e di shumë mirë se si kalojnë idetë e si përpunohen nëpër laboratorët e mendjes e si u përcillen atyre që janë lart në kupola, të cilët më pas i shesin si idetë e veta dhe ashtu mbeten.  Është një mekanizëm që funksionon dhe botërisht i ditur dhe i pranuar. Nuk ka nevojë që një udhëheqës të prodhojë përditë ide, kjo është e pamundur, u mjaftojnë ca këshilltarë të zhdërvjelltë,  që jo vetëm dinë si ti krijojnë idetë por edhe si ti thithin nga mendjet e intelektualëve që janë larg vëmendjes  se kastave por që i ekspozojnë ato në media. Ka një ekip të plotë për këto raste në gjuetinë e ideve. Prandaj mos  u çuditni aspak që një ide e hedhur nga dikush i panjohur në Shqipëri të shkojë atje ku duhet e si duhet,  sepse bota është një kutizë e vogël tashmë. Mjafton pyetja si reaguan shqiptarët  dhe ekipet e këshilltarëve të sjellin çdo reagim të publikuar. Dhe unë për mirë apo për keq, isha ndoshta i vetmi që reagova. Nuk pashë ndonjë njeri tjetër të shprehte një mendim dyshues për idetë që u hodhën në vizitën e Papës që gjithsesi ishte një ditë historike dhe madhështore. Në vizitën 11-orësh kërciti  kambana e tolerancës  ndër shqiptarë dhe asnjë nuk tha të kundërtën, e nuk është se unë shpika ndonjë nocion të ri, por duke pat shpirtin e kundërshtimit kur shoh se të vërtetës i bien përskaj,  thashë ato çfarë thashë, që përdorimi i fjalës tolerancë ndër shqiptarë ma shpif,  di  gjithashtu se kam në miqësi një duzinë  priftërinj që i kanë lidhjet e duhura për ti çuar reagimet e shqiptarëve atje ku duhet, pra në këtë rast  tek zëdhënësit e Vatikanit.
Mua me vjen shumë mirë që u reflektua, pra Ati i Shenjtë, e zbuti sidokudo fjalën tolerancë duke shtuar  fjalën vëllazërim, ani pse unë sërish kam rezervat e mia sepse ne mes vetes nuk jemi një popull vëllazëror, por thjeshtë jemi një familje dhe familja nuk ka mes vetes vëllazërim por ka lidhje gjaku e janë vëllezër.  Vëllazëror është cilësi e një populli a kombi në raport me popuj a kombe të tjerë, por për popullin mes vetes është i pakuptimtë ky nocion. Termi vëllazërim ka pat përdori0 në kuptimin e miqësisë së popujve të ndryshëm të  njëjtit shtet.   Pra sërish ruaj mendimin se ende vazhdon të ketë një paragjykim në lidhje me efektin që ka feja tek shqiptarët.
Para vizitës së Atit e Shenjtë,  por edhe gjatë saj dikush u mundua ta përdorë  popullin shqiptar si një shëmbëllesë e mesazh  për botën, se ja pra që mysliman e të krishterë mund të jetojnë mirë e në tolerancë. Mirëpo mua si atdhetar nuk më pëlqen që Europa të na tregojë me gisht si në kopshtin zoologjik, mjaft na kanë treguar deri më sot, dhe për këtë  pata kurajë që të shkruaj e publikisht të sfidoj një mendim që mua më duket mediokër sepse nuk është Shqipëria dhe as Kosova si Lindja e Mesme dhe si Arabia. Atyre që ndaj mejë përdorin kritizerin duke më quajtur naiv dua tu them, se është e lehtë të jesh me ata që kanë pushtet, fuqi, që kanë dhe madhështi e plot të tjera miradina  por është e vështirë të kesh zërin tënd e të shfaqesh kundra. Nuk isha naiv kur shkrova më parë për nocionin e tolerancës së shpifur që u përdor nëpër fjalime,  nuk jam naiv kur shkruaj edhe tani,  por kam guximin,  për disa  marrë ndoshta,  ta shoh diellin në sy ani pse më lotojnë sytë dhe shumë herë me shkaktojnë edhe dhimbje.  Zotërinjtë që më konsiderojnë naiv sa u përket  përsiatjeve të mia,  këtë as që e kuptojnë sepse i shohin  gjërat në një kahe tjetër,  ju duket apo kanë bindjen se  vetëm të mëdhenjtë në pushtet dhe hierarki mund të japin ide të mëdha. E konsideroj këtë një absurditet sepse e di si punohet në kuzhinën e ideve, di edhe se kush ja përpunonte idetë , ta zëmë  edhe një presidenti amerikan në fushatën e tij, prej ku doli dhe fitues, thjeshtë fjalimet i përgatisnin dy studentë universiteti. Për mbyllur:
I uroj  jetë të gjatë Atit të Shenjtë,  Papa Francesku , i uroj gjithashtu edhe këshilltarë të mençur të cilët të dinë si ti mbledhin idetë që qarkullojnë në populli që me pas ato ti kthejnë në orientime të dobishme e të mos dëgjojnë çfarë thonë nëpër fjalime politikanët se e vërteta në terren është shumë larg tyre.
  Kurrë nuk e kam pat ambicie të tregohem më katolik se Papa ani pse kjo është më komode sot  në Shqipëri, çfarë u shfaq si epidemi e ditës,  sa unë, ani pse i përkas këtij religjioni në origjinë,  si në diktaturë edhe në demokraci e ndjeva vetën në minoritet. Nuk pata atë lumturi  pra, të cilën e patën me bollëk shtetarë, politikanë apo deputetë që duke qenë të privilegjuarit e këtij vendi, bashkë me familjet e tyre, u gjendën më pranë Papës,  morën kungimi , hapën gojën e morën osten, ani pse i përkisnin një konfesionit tjetër fetar çfarë është në kundërshti me ritualet e krishterimit. Gjithësesi më mirë që pranë Atit të Shenjtë u gjendën mëkatarët shpirtzinj, hajdutët, vrasësit, banditët e parave të pista, milionerë e miliarderë,   se sa besimtarët e varfër zemërbardhë sepse kësisoj rriten shanset që ata zemërzinj  të kthejnë ves e sjellje, të vihen në udhën e të mirës, kësisoj edhe populli të shpëtojë prej të zezave, ani pse për këtë jam një dyshues fort i madh. 

23 shtator 2014


Shkrimi im i datës 21  0ra 16:00 botuar në faqen time në FCB:

KUR TA SHPIF TOLERANCA....
Mjaft na i ndatë tokat, mos na i ndani dhe njerëzit!

Nuk e marr vesh kush dreqi i frynë kësaj fjale që të parët tanë nuk e kanë njohur kurrë në shekuj,  por e solli diplomacia e huaj tek ne, ...çfarë është kjo tolerancë e shpifur. Po ne jemi vëllezër more, të një gjaku, ç'nevojë kemi për tolerancë...Po përdoret feja për qëllime politike. Dy vëllezër, njëri Mark Shpendi e tjetri Mehmet Shpendi, si po u dashka me qenë tolerant me njëri tjetrin, o mediokër, po ata janë vëllezër more e jo armiq. Harrojini klasifikimet, nuk ka nevojë të na përdorin si kavje politike për tu treguar botës se edhe në diversitete mund të jetohet. JO, ne nuk kemi diversitet se jemi të gjithë shqiptar, kemi një gjak, një traditë, një gjuhë, një komb. Toleranca është kur ke përballë llojin tjetër....ta zëmë ne dhe grekët minoritar. Aty shihet toleranca dhe mirëkuptimi...Mua me vëllezërit e mi të besimit mysliman nuk me hyn ne pune toleranca juaj, ma shpif fjala tolerance, sepse janë vëllezërit e mi. Çfarë janë këto absurditete e mediokritete. Pse nuk shohim dot larg ne prejardhjen tone? Kush na a ka kastruar mendjen?
I lutem të gjithë shqiptarëve, mos pranoni të klasifikoheni, heshtojeni besimin e mos e shfaqni në publik se nuk është dekoratë, nuk është për tu mburrur, mos pranoni t’ju cilësojnë në përkatësi fetare, konsiderojeni ofendim, siç bën gjithë bota e qytetëruar, refuzoni çdo statistikë e census, mos prani t'ju përdorin si kavie politike, jemi një dhe të pandashëm.

k.p. traboini
21 shtator 2014, ora 16:00