23 September 2014

Nuk jemi popull vëllazëror- jemi vllezër- nga Kolec Traboini


NUK JEMI POPULL VËLLAZËROR- JEMI VLLEZËR 

Vëllazëror është cilësi e një populli a kombi në raport me popuj a kombe të tjerë, por për popullin mes vetes është i pakuptimtë ky nocion.

Nga KOLEC TRABOINI

Për të thënë të vërtetën nuk ka nevojë të jesh në maj të malit. Se çfarë pa e dëgjoi Papa, e  di Papa, se çfarë pashë e ndjeva unë e di unë...dhe fare panë ata që përpiqen me gjet naivin e mëkatarin tek unë, këtë e dinë ata. Por meqë jam brenda  media-s si profesion e di shumë mirë se si kalojnë idetë e si përpunohen nëpër laboratorët e mendjes e si u përcillen atyre që janë lart në kupola, të cilët më pas i shesin si idetë e veta dhe ashtu mbeten.  Është një mekanizëm që funksionon dhe botërisht i ditur dhe i pranuar. Nuk ka nevojë që një udhëheqës të prodhojë përditë ide, kjo është e pamundur, u mjaftojnë ca këshilltarë të zhdërvjelltë,  që jo vetëm dinë si ti krijojnë idetë por edhe si ti thithin nga mendjet e intelektualëve që janë larg vëmendjes  se kastave por që i ekspozojnë ato në media. Ka një ekip të plotë për këto raste në gjuetinë e ideve. Prandaj mos  u çuditni aspak që një ide e hedhur nga dikush i panjohur në Shqipëri të shkojë atje ku duhet e si duhet,  sepse bota është një kutizë e vogël tashmë. Mjafton pyetja si reaguan shqiptarët  dhe ekipet e këshilltarëve të sjellin çdo reagim të publikuar. Dhe unë për mirë apo për keq, isha ndoshta i vetmi që reagova. Nuk pashë ndonjë njeri tjetër të shprehte një mendim dyshues për idetë që u hodhën në vizitën e Papës që gjithsesi ishte një ditë historike dhe madhështore. Në vizitën 11-orësh kërciti  kambana e tolerancës  ndër shqiptarë dhe asnjë nuk tha të kundërtën, e nuk është se unë shpika ndonjë nocion të ri, por duke pat shpirtin e kundërshtimit kur shoh se të vërtetës i bien përskaj,  thashë ato çfarë thashë, që përdorimi i fjalës tolerancë ndër shqiptarë ma shpif,  di  gjithashtu se kam në miqësi një duzinë  priftërinj që i kanë lidhjet e duhura për ti çuar reagimet e shqiptarëve atje ku duhet, pra në këtë rast  tek zëdhënësit e Vatikanit.
Mua me vjen shumë mirë që u reflektua, pra Ati i Shenjtë, e zbuti sidokudo fjalën tolerancë duke shtuar  fjalën vëllazërim, ani pse unë sërish kam rezervat e mia sepse ne mes vetes nuk jemi një popull vëllazëror, por thjeshtë jemi një familje dhe familja nuk ka mes vetes vëllazërim por ka lidhje gjaku e janë vëllezër.  Vëllazëror është cilësi e një populli a kombi në raport me popuj a kombe të tjerë, por për popullin mes vetes është i pakuptimtë ky nocion. Termi vëllazërim ka pat përdori0 në kuptimin e miqësisë së popujve të ndryshëm të  njëjtit shtet.   Pra sërish ruaj mendimin se ende vazhdon të ketë një paragjykim në lidhje me efektin që ka feja tek shqiptarët.
Para vizitës së Atit e Shenjtë,  por edhe gjatë saj dikush u mundua ta përdorë  popullin shqiptar si një shëmbëllesë e mesazh  për botën, se ja pra që mysliman e të krishterë mund të jetojnë mirë e në tolerancë. Mirëpo mua si atdhetar nuk më pëlqen që Europa të na tregojë me gisht si në kopshtin zoologjik, mjaft na kanë treguar deri më sot, dhe për këtë  pata kurajë që të shkruaj e publikisht të sfidoj një mendim që mua më duket mediokër sepse nuk është Shqipëria dhe as Kosova si Lindja e Mesme dhe si Arabia. Atyre që ndaj mejë përdorin kritizerin duke më quajtur naiv dua tu them, se është e lehtë të jesh me ata që kanë pushtet, fuqi, që kanë dhe madhështi e plot të tjera miradina  por është e vështirë të kesh zërin tënd e të shfaqesh kundra. Nuk isha naiv kur shkrova më parë për nocionin e tolerancës së shpifur që u përdor nëpër fjalime,  nuk jam naiv kur shkruaj edhe tani,  por kam guximin,  për disa  marrë ndoshta,  ta shoh diellin në sy ani pse më lotojnë sytë dhe shumë herë me shkaktojnë edhe dhimbje.  Zotërinjtë që më konsiderojnë naiv sa u përket  përsiatjeve të mia,  këtë as që e kuptojnë sepse i shohin  gjërat në një kahe tjetër,  ju duket apo kanë bindjen se  vetëm të mëdhenjtë në pushtet dhe hierarki mund të japin ide të mëdha. E konsideroj këtë një absurditet sepse e di si punohet në kuzhinën e ideve, di edhe se kush ja përpunonte idetë , ta zëmë  edhe një presidenti amerikan në fushatën e tij, prej ku doli dhe fitues, thjeshtë fjalimet i përgatisnin dy studentë universiteti. Për mbyllur:
I uroj  jetë të gjatë Atit të Shenjtë,  Papa Francesku , i uroj gjithashtu edhe këshilltarë të mençur të cilët të dinë si ti mbledhin idetë që qarkullojnë në populli që me pas ato ti kthejnë në orientime të dobishme e të mos dëgjojnë çfarë thonë nëpër fjalime politikanët se e vërteta në terren është shumë larg tyre.
  Kurrë nuk e kam pat ambicie të tregohem më katolik se Papa ani pse kjo është më komode sot  në Shqipëri, çfarë u shfaq si epidemi e ditës,  sa unë, ani pse i përkas këtij religjioni në origjinë,  si në diktaturë edhe në demokraci e ndjeva vetën në minoritet. Nuk pata atë lumturi  pra, të cilën e patën me bollëk shtetarë, politikanë apo deputetë që duke qenë të privilegjuarit e këtij vendi, bashkë me familjet e tyre, u gjendën më pranë Papës,  morën kungimi , hapën gojën e morën osten, ani pse i përkisnin një konfesionit tjetër fetar çfarë është në kundërshti me ritualet e krishterimit. Gjithësesi më mirë që pranë Atit të Shenjtë u gjendën mëkatarët shpirtzinj, hajdutët, vrasësit, banditët e parave të pista, milionerë e miliarderë,   se sa besimtarët e varfër zemërbardhë sepse kësisoj rriten shanset që ata zemërzinj  të kthejnë ves e sjellje, të vihen në udhën e të mirës, kësisoj edhe populli të shpëtojë prej të zezave, ani pse për këtë jam një dyshues fort i madh. 

23 shtator 2014


Shkrimi im i datës 21  0ra 16:00 botuar në faqen time në FCB:

KUR TA SHPIF TOLERANCA....
Mjaft na i ndatë tokat, mos na i ndani dhe njerëzit!

Nuk e marr vesh kush dreqi i frynë kësaj fjale që të parët tanë nuk e kanë njohur kurrë në shekuj,  por e solli diplomacia e huaj tek ne, ...çfarë është kjo tolerancë e shpifur. Po ne jemi vëllezër more, të një gjaku, ç'nevojë kemi për tolerancë...Po përdoret feja për qëllime politike. Dy vëllezër, njëri Mark Shpendi e tjetri Mehmet Shpendi, si po u dashka me qenë tolerant me njëri tjetrin, o mediokër, po ata janë vëllezër more e jo armiq. Harrojini klasifikimet, nuk ka nevojë të na përdorin si kavje politike për tu treguar botës se edhe në diversitete mund të jetohet. JO, ne nuk kemi diversitet se jemi të gjithë shqiptar, kemi një gjak, një traditë, një gjuhë, një komb. Toleranca është kur ke përballë llojin tjetër....ta zëmë ne dhe grekët minoritar. Aty shihet toleranca dhe mirëkuptimi...Mua me vëllezërit e mi të besimit mysliman nuk me hyn ne pune toleranca juaj, ma shpif fjala tolerance, sepse janë vëllezërit e mi. Çfarë janë këto absurditete e mediokritete. Pse nuk shohim dot larg ne prejardhjen tone? Kush na a ka kastruar mendjen?
I lutem të gjithë shqiptarëve, mos pranoni të klasifikoheni, heshtojeni besimin e mos e shfaqni në publik se nuk është dekoratë, nuk është për tu mburrur, mos pranoni t’ju cilësojnë në përkatësi fetare, konsiderojeni ofendim, siç bën gjithë bota e qytetëruar, refuzoni çdo statistikë e census, mos prani t'ju përdorin si kavie politike, jemi një dhe të pandashëm.

k.p. traboini
21 shtator 2014, ora 16:00



18 September 2014

Valsi poetik i emigrantit Festim Liti- nga Kolec Traboini


VALSI POETIK I EMIGRANTIT FESTIM LITI

(Festim Liti, “Valsi i Vdekjes”,
poezi, prozë, publicistikë, Tiranë-Larisa, 2014)

Nga Kolec TRABOINI

Festim Liti është një emigrant që tashmë i ka kaluar dy dekada jashtë atdheut dhe  ka prekur tërë kontinentin e me odisenë e tij. Me prirje letrare që në rini, por pa mundur të botojë në shtypin e kohës, sepse “biografia politike” ka qenë plaga e vuajtja e shumë e shumë shqiptarëve të ndaluar në shkollim dhe krijimtari. Festim Liti, i ndaluari i diktaturës fillimisht shkoi emigrant në Gjermani. Tentoi të qëndrojë në Francë, dhe pasi aventura e arratisjeve nëpër kufijtë europianë nuk i rezultoi me sukses, sepse edhe largësia e lodhi, preferoi Greqinë, kështu që u vendos në Larisa ku pati mundësinë të bashkohej edhe me familjen.
Në një nga ditët e zakonshme të punës, në një qytet ku kishte pak shqiptarë, gjen në në një kioskë ku shitej shtypi, një gazetë “Egnatia”. Një gazetë në gjuhën shqipe dhe iu duk se po takonte atdheun. Menjëherë i shkruan kryeredaktorit në Athinë që ishte miku i tij i rinisë dhe që është autori i këtyre radhëve. Që atëherë  Festim Liti u bë një nga bashkpunëtorët kryesorë të gazetës dhe korrespondenti i saj për Larisën. Janë të shumta shkrimet e Festim Litit në gazetën “Egnatia”, reportazhe, përshkrime, poezi, gjithashtu ai është një nga autorët e përfshirë në albumin poetik të emigrantëve “Balada e largësive” botuar në Athinë në vitin 1995.
Mbylljen e “Egnatias” e priti me dëshpërim, por ndërkohë kishin dalë gazeta të tjera shqipe në Athinë. Afrohet me klubin e shkrimtarëve “Drita” në Athinë dhe revistën “Pelegrin” ku është një nga anëtarët më aktivë.
Boton librin e parë “Shtëpinë e kam në një pikë lot”- monografi, dhe këtë vit  sjell librin e tij të dytë “Valsi i vdekjes” - poezi, tregime dhe publicistikë.
Janë krijime të dy dekadave, subjekte të qëmtuara me kujdes e të limuara me pasion. Një libër në kaq vjet mund të duket pak, por kur e lexon e ndjen se skalitja e vargjeve dhe e fjalës ka dashur kohën e vet. Si një gurgdhendës i mirë që nuk e vë gurin në mur pa e latuar në atë mënyrë që të mos e lëvizë më as koha, por as lëkundjet e tokës.
Poezitë e Festim Litit mund të themi se kanë katër karakteristika: kanë ndjesi, kanë figuracion, kanë mendim dhe janë lakonike, çfarë të bën t’i lexosh me kënaqësi dhe të kesh po atë ndjesi edhe kur t’i lexosh sërish. Festim Liti si autor i shmanget dy elementëve që e bëjnë poezinë të lodhshme: retorikës dhe pasthirrmave, të cilat  vihen re në disa autorë që rreken të bëjnë emër duke buçitur më shumë sesa duke medituar. Atdhedashurinë e gjen tek vargjet e Festim Litit siç e gjen lexuesi tek Manushaqja e Naim Frashërit, të thjeshtë e të brishtë, por edhe me një metaforë që të ndez imagjinatën për të bukurën e të mirën. Janë 55 poezi në tre cikle që kanë një gjeografi vendesh krijimi që kalon shtetet e Europës në kalim kufinjsh, “Baladë për rininë e vrarë” - Tuluzë 1992, “Dilemë” -Nyrenberg 1992, “Kurbeti” në Larisa 1993, por edhe “Në kopshtin e huaj” në Naples, Florida të Amerikës 2013 ku ai është gjendur si vizitor, ashtu siç ka edhe poezi shkruar në Tiranë vitet e fundit, ku vjen më shpesh tashmë, sepse sa më shumë shkon mosha aq më shumë malli për atdheun të tundon.
Poezia e Festim Litit është intime, si një bisedë në një distancë të afërt, ta zëmë me veten, me një mik a me një shok, me një vajzë a me një lule, me një pëllumb apo me një pemë lule në oborrin e shtëpisë. Edhe kur poezitë kanë karakter shoqëror, pra që vijnë jo nga një mundim a brengë personale, por nga një hall që u ka rënë shumë njerëzve në shpinë, ai mbetet në kufinjtë e njeriut që edhe zemërimin e ka të butë. Një zemërim që të thërret për t’i ndryshuar gjërat, sepse kësisoj nuk shkojnë. Të duken si fjalët e pleqve të urtë që edhe zemërimin e kanë si urtësia e syve melankolikë. Edhe kur shfaqet ky zemërim me të keqen nuk gjen urrejte, sepse fjalën e konsideron si një medikament për shpirtin e argasur të njeriut.
Do ta konsideroja poezinë e protestës të Festim Litit si fjalët e këshillat e një Bude të mençur që mediton thellë, që i flet të nesërmes, që sheh dritë atje ku të tjerët kanë ngecur: /tek tingujt hyjnorë mbështeta ballin/ e ndjeva qetësi, qetësi./
Ka vargje të dëshpëruara për fatin e mërgimtarëve të varfër, të cilët ndoshta më shumë se askush janë pranë natyrës, në rastin tonë pranë pëllumbave që i ushqen me varfërinë e tij, që ndonjëherë i duhet t’u kërkojë ndjesë atyre që janë simboli i paqes, duke iu drejtuar: / Më falni, o fluturakë fisnikë,/sot s’mund t’iu pres jam me nxitim!/ Tej, tek katedralja hijerëndë,/ një dorë prifti do të puth, /për të marrë një rracion ushqim…/
Poezia herë-herë mbështetet në imagjinatë e abstragim nga realiteti duke të futur në botë misterioze, gjë që tregon se autori parapëlqen edhe poezitë me ide filozofike e me një mendim jo të drejtpërdrejtë, siç është poezia “Njeriu pa kokë” për një njeri që kish bërë një jetë pa patur kokën e vet mbi supe dhe në dëshpërim në fund të jetës lutet: / Më ndihmoni, o njerëz!/Presidentë qofshi a ministra,/deputetë, lypsarë, zuzarë a kusarë,/ diku po e gjetët ma thoni./ Nuk dua sytë, veshët apo gojën,/as dhëmbët nuk i dua se ishin proteza,/por trurin, ju lutem, të ma ktheni,/për të vajtur i lumtur në varreza…/
Padyshim kjo poezi është ndër më të bukurat, sepse është edhe e veçantë, nuk është një temë që e gjen të rrahur përditë, nuk është përgjërim, por një mendim i thellë se çfarë në të vërtetë është më e çmueshme për njeriun në jetë e çfarë kemi humbur nëse nuk kemi ditur të jemi vetvetja, por njerëz me mendje të shartuar e të budallepsur nga politika e ditës. “Fabul makabre” është një poezi e kësaj natyre që përgjithëson nëpërmjet subjektit mistik, ikja e dy kufomave nga morgu. Të duket misterioze në plan të parë, sikur ke të bësh me një ngjarje vërtet makabre, por që përfundon me një grotesk të goditur dhe e bën poezinë një krijim të realizuar me mjeshtëri. Pasi po përpiqeshin të zgjidhnin misterin e ikjes së kufomave zbulojnë se ata kishin vjedhur vetëm kasafortën e spitatit, ndaj: / Vetëm atëherë ministrat e deputetët,/morën frymë të lehtësuar./ O Zot, sa me fat jemi,/ç’do mbetej për ne,/sikur të vidhnin arkën e shtetit?!/.
Poezia është shkruar në korrik 2013, po a nuk jemi në realitetin e sotëm kur dikush e ka vjedhur arkën e shtetit? Poezia e mirë është ajo që edhe pse i referohet një kohe apo një ngjarje, vlen edhe për kohë të tjera, ka forcën si të veçantës por edhe të përgjithësimit. Tek Festim Liti i gjen këto sepse ai punon me kujdes me poezinë, e qëmton me kujdes vargun, punon me idetë, është i kursyer në vargje dhe siç tërë jetën ka qenë një mekanik tornitor i mire, bën punë të imta, i jep metalit formë dhe vargut bukuri e hijeshi.
Kam kënaqësinë të jem personazh i Festim Litit në një poezi, “Kupëz malli”, shkruar në 1995 kur bashkë punonim për gazetën e emigrantëve shqiptarë “Egnatia” në Greqi. Një poezi me ndjesi të thellë për shokun e rinisë, por edhe bashkvuajtësin në mërgim, në prag të një fluturimi të ri përtej oqeanit: por sado larg të ikim me mërgimet tona shpirti na mbetet në Atdhe: / Ndërsa “kuajt e tu të bardhë”, jele-harlisur,/ me trok të rëndë rendin drejt moskthimit./ Ma thotë zemra, vëlla, ma thonë yjet,/ ma thotë hëna tek lan faqet burimeve/ta pimë bashkë në këtë mbrëmje ndarje, /një kupëz-malli me nektar Shqipërie!/
Titulli i librit është marrë nga një letër dërguar radio Tiranës në vitin 2000, me mallin e zjarrtë e tundimet e mërgimeve të gjata, por do të thosha se i tërë libri është një vals i bukur i emigrantit dhe poetit Festim Liti në tërë skajet e kontinentit. E të vazhdosh të vallëzosh deri në fund të jetës me bukurinë e fjalës dhe të tingujve të jetës është një gjë e bukur, çka do të thotë se jeta edhe në hallet e mergimtarit ka bukuritë e veta e mbi të gjitha e ka një kuptim madhështor, ajo që dikur më ka shkruar në një letër Festim Liti për kohën kur ka qenë në Frankfurt e  ku u thoshte punëdhënësve “Zotërinj,  jam i fuqishëm. E shes lirë krahun tim. Por shpirtin tim nuk e shes!” Poeti Festim Liti e ruajti shpirtin e tij kudo ku punoi e u robëtua si emigrant, e mblodhi copëza- copëza me fjalë e me vargje, me bulëza vese e djerse, e plot nostalgji e dashuri e solli  dhe e vendosi si buketë me lule në  parzmin e Atdheut të vet.

19 shtator 2014

15 September 2014

At Konrrad Gjolaj O.F.M / Vizita e Papës Gjon Pali i Dytë



At Konrrad Gjolaj O.F.M

 At Konrrad GJOLAJ O.F.M
 (1918 – 2000)

NJI  VIZITË  E  PRITUN  PREJ  SHEKUJSH

Vizita e Papës u mbyll pothuej sikur nji eveniment i madh i zhvilluem në terr.

 Vizita e Shejtnisë së Tij Gjon Pali II, dashtë e padashtë, do të hyjë n’ analet e historisë si ajo ma e shkurta ndër komunitete, gati si provë e s’ dij se çkahit, si nji udhëtim nga A në B, rekord i vërtetë shpejtësie.
 Shtypi katolik e ai laik, agjensitë botnore të lajmeve, ndoshta edhe vetë qarqet e Vatikanit e patën shumë të vështirë t’a percaktojnë e t’i japin nji emen këtij evenimenti tepër të madh per vendin tonë të vogël. Sepse asht përnjimend e vështirë me përcaktue karakterin e kësaj lëvizjeje fort të shkurtë, me nji program ma se konçiz për t’u quejtë “pelegrinazh” për nderim të gjakut të derdhun gjatë 500 apo 50 vjetëve.
Nuk mund të quhet as ost-politikë e Vatikanit, pse nuk pat asnji element të kësaj natyre, posë nji puthjeje toke, puthje duersh, fjalime e përshëndetje për popullin shqiptar e për lidhjet e tij të vjetra me Selinë e Shejtë.
Qe pozitiv tipari i vetëm se nuk pati asnji incident, as prej të huejve, as prej vllazënve të vjetër, as prej anmiqve të sotëm.
Nuk mund të ndodhte ndryshe.
Zyrtarisht u tha se kjo vizitë kishte për qellim të vetëm, shugurimin e katër ipeshkëve shqiptarë. Ashtu duhet të ketë qenë. Por ndoshta faqja tjetër e medaljes mund të jetë edhe ma interesante. Shumë shprehje tepër bombastike për miqsinë e vjetër ndriçuese...por gati kurrgja për pozitën historike të kristianizmit në Shqipni, as për rezistencën primare kundër metodave dhe eksperiencës së komunizmit shkencor, koncentrat i të zezave të nji periudhe jo vetëm 500 vjeçare, por 2000 – vjeçare.
 Vlera e nji populli matet me forcën e kulturës së ndërgjegjës, aftësinë aktive në mjedisin ku jeton dhe aftësinë e transmetimit si rrezatim ndriçues të kozmopolitizmit, përçues ndër vende e nëpër arteriet e etapave historike të kulturave etnike, të pasunisë së traditave, gojëdhanve e sagave, shprehje të dinamikës. Matet edhe nëpër forcën e rezistencës së tregueme gjatë atapave historike të pafavorshme. Nji popull asht aq i madh sa të jetë e madhe rezistenca e tij. Nji popull nuk zhduket si komb nga historia, shtypjet, okupacionet e kulturat anësore, po qe se ai ka me çka të rezistojë, madje, po pati vitalitet e thesar kulturor e sidomos shpirtnor që t’asimilojë t’ ardhunit, qoftë edhe me armë.
Banorët e gadishullit të Ballkanit Përendimor, të papërcaktuem si fuqi etnike qysh më zhdukjen e forcës ushtarake romake dhe të stancimit filozofok grek, qendrojnë në histori vetëm në saje të ruajtjes së zakoneve e traditave të mbështetuna përherë në boshtin fis–gjak, të ruejtuna që prej fillimit të Erës së Re. Ndonse qe fjala për nji shoqni shumkombëshe, për arsye të ligjëve t’ egzistencës ajo kuagulohet tue marrë tiparet e nji shoqnie tribale plot me vlera historike. 
 Asht kjo periudhë që, si rrjedhim i ballafaqimeve të ndryshme në trekandshin ballkanik, qet në sipërfaqe  nji përmbledhje gjithë kontradikta, si rrjedhim i fillimit të përplasjeve të dyndjeve të hueja dhe popujve vendas, që përfundon me zhdukjen e dalëngadalshme por sistematike të sistemit ekonomik e politiko – etnologjik të të dyja palëve, tue nxjerrë në dritë nji shoqni shumënyjshe, tepër heterogjene, pa kurrfarë tiparesh as të trashëgimnisë së kalueme historike, as të atyne pushtuese të ndryshëm që dominuen mbi këta rajone.
Vetëm mbas invadimesh të njimbasnjishme të sllavëve dhe formimit të shtetit sllav në shekuj të mavonshëm, të coptuem në krahina të vogla, ata do të luenin rol me randësi, herë pozitiv, herë negativ, sidomos në periudhën historike të invadimit osman, bashkë me etnitetet e vogla fisnore, mbetje etnike të popujve të ndryshëm të vjetër.
Asht interesante të konstatohet se edhe etnia e vjetër greke pëson ndryshime të mëdha psikologjike e kulturore, tue mbetë materialisht vetëm si kujtim i gjuhës e i kulturës së vjetër greke, plus shtresave të dinastisë së vjetër: bizantinizmit dhe levantinizmit.
Era kristjane luen nji rol me randësi në formimin shpirtnor, por edhe në galvanizimin  etniko – kulturor, tue ruejt mbrenda strukturës së re etnitetin kulturor e tradicional fetar, pak a shumë të pastra, por gjithmonë të forta. Forcat e doktrinës kristjane vëprojnë ma intensivisht në fshat se në qytet, ku jetojnë klasat që mbajnë fuqinë në dorë. Megjithëkëte bërthamat ilegale të komunitetëve kristjane janë tepër aktive dhe përpiqen t’a transmetojnë shoqninë skllavopronare n’anë të depërtimit t’ ideve jetëdhanse të barazisë e dashunisë njerzore edhe ndër klasat sunduese.
Kur kristjanizmi legalizohet dhe bahet forcë zotnuese e drejtuese e asaj periudhe,  – dhe i tillë mbetet për shumë shekuj me radhë, – nisë me veprue mbi invadimet e popullsive sllave tue i ba pjesë integruese në mbarë aparatin administrativ, për me anue ma vonë në drejtim të Perandorisë Lindore, tue marrë gjithshkahën në dorë, që prej fuqisë ushtarake dhe deri n’ ate gjyqtare e periferike me njerëz vendas e tue e transformue krejt strukturën e vjetër. Kristjanizmi, shpeshherë i përçamë e i përndjekun, përpiqet të plazmojë jetën e mbrendëshme shpirtnore, strukturat familjare dhe ato shoqnore. 
Gjatë pushtimit të gjatë osman mbështetet n’ antitezën e popujve ballkanikë edhe si ruejtës i kombësive për gati 500 vjetë. Zhvillon luftat legjendare për vetëmbrojtje kombtare, kulturore e shoqnore, me Gjergj Kastriotin në krye, për hesap të vet e të Botës. Asht nji mrekulli historike se si nji grusht i vogël populli, nën gjithë atë shtypje psikologjike, ekonomike, kulturore e strukturore, shoqënore e fetare, i primë gjithmonë prej udhëheqsash të ndritun, të dijtun e plot ideal, të përcjellun përherë prej salvimesh, t’ ia mërrijnë të shpëtojnë kombsinë e nji populli të vogël, me të gjitha tiparet e nji populli të madh, si të gjitha kombet tjera, me nji kulturë, histori, tradita e virtyte të veta specifike. Kjo meritë i takon klerit katolik, që me vullnetin e çeliktë, me gjakun e derdhun pa kursim, me pishtarin e gjuhës e të dijes, i hapën rrugën popullit shqiptar drejt pamvarsisë e qytetnimit: lista e tyne, që prej Buzukut deri te Fishta, asht aq e gjatë sa nuk numrohet. Periudha e komunizmit, kulmi i barbarizmit të këtyne shekujve, synonte me la hesapet njiherë e përgjithmonë me klerin dhe katoliçizmin në Shqipni; këte e kanë të qartë të gjithë shqiptarët dhe kurrkush nuk mund të mohojë, as t’a shtremnojë. 
Ishte për këtë që pritej aq shumë ardhja e Shejtnisë së tij Gjon Palit II në Shqipni: shpërblim këtu në tokë i asaj rezistence burrnore. Pritej që të bekonte të gjitha vorret e martirëve të ramë gjatë këtyne shekujve ndër malet tona, luginat e fushat, të shpërndamë në të katër anët e Atdheut. Pritej me entuziazëm prej 500mijë katolikëve shqiptarë mbrenda kufijve, e po ashtu, prej vllazënve të tjerë kureshtarë, por të sigurtë për rranjët e prejardhjes. Kjo Kishë gati 2000 vjeçare, në vendin ma të afërt me Vatikanin për kah largësia gjeografike, nuk mjaftohej me nji bekim prej së largu. Ishte nji vizitë e pritun pothuej prej shekujsh. Por ç’ u kuptue nga fjalimet e mbajtuna zyrtare? 
Nuk u çek aspak se prej këtyne tribunave publike tirani dhe suita e tij çirreshin para Europës e mbarë Botës, se ia kishin mbyllë gojën Papës së Romës, dhe prej këndej baheshin  fyemjet ma provokuese që ka njoftë historia.  

Nuk u fol asnji fjalë për dhunimin barbar të Elterit të Shejtë të Katedrales Katolike, në rastin e delirit euforik të kongresit të grave të Shqipnisë me 1973. Nuk u dha kurrnji deklaratë publike se sot e mbrapa elementi katolik i Shqipnisë dhe kleri i tij, nuk do të vuejshin prej asnji forme të Gjenocidit të praktikuem deri tash... 
Ndoshta diplomacia shqiptare mbeti pak e zhgënjyeme nga që nuk ia doli t’ implikonte Atin e Shejtë ndër ngatrresat ballkanike, as me realizimin e vizitave të dyshimta, as me miratimin
për atë ost – politikë shqiptare të projektueme dikur në librin “Shënime për Lindjen e Mesme”, të shpallun ma vonë prej Alisë e Çarçanit, e që korri “sukseset e para” nëpërmjet diplomacisë demokratike, me dorëzimin e krejt fushave katolike të Shkodrës e Maleve të Mirditës katolike, si konçesione afatgjata oazeve arabike, tue marrë shpërblim nji kothere bukë misri e nji kanaçe vajguri, për me ndezë përsëri këtu bishtukun famëmadh si “fener ndriçues i Europës”. Vizita e Papës u mbyll pothuej sikur nji eveniment i madh i zhvilluem në terr. 
Asht punë për mbas-median: bahet zhurmë e madhe për nji , dy, tri ditë e hidhet në histori, pa dijtë se kur nisi e kur mbaroi. Vetëm ajo thirrja e lëshueme Popullit Shqiptar prej Sheshit Skenderbeg, duhet të mbetët e ngulun gjithmonë: “Shqipni, qindro në naltësinë e kësaj beteje të madhe...” !


Konrrad Gjolaj, “Çinarët”, në faqe 226,  Shkodër 1966
- Ma parë botue në 
Revisten “Hylli i Dritës” 1993-  
 


Shenim nga F. Radovani

At Konrrad Gjolaj O.F.M. (ose Tomë Marku) (1918–2000) ka le në Velipojë të Shkodres. Ishte nxanës i Don Alfons Trackit. Vazhdoi studimet në Kolegjin Saverian në Shkoder dhe ata të naltat teologjike në Romë. Në vitin 1943 ka krye stydimet mbasuniversitare po në Romë, ku asht laurue për Dirito Canonicum. Në 1943 vjen në Shkoder dhe ishte profesor i Gjimnazit Fretenve. Në vitin 1948 arrestohet dhe mbas një viti hetuesi lirohet “pa faj”. Nuk pranon me nenshkrue Statutin e Kishës Katolike Shqiptare, perpilue nga shteti komunist, kështu me 10 Janar 1959, arrestohet bashkë me Don Dedë Malaj, që u pushkatue. At Konrradi lirohet në vitin 1972. Punon në punë të randa dhe jeton tek mesa e vet Angjelina. Në vitin 1994 fillon me shkrue librin “Çinarët”, ku pershkruen me saktësi pikrisht atë pjesë të pashkrueme të Historisë së vertetë të Popullit Shqiptar nën diktaturen komuniste.At Konrrad Gjolaj, mbasi i la Shqiptarëve këte thesar, mbylli sytë në vitin 2000.
 
***
Ky artikull botohet nga Fritz Radovani, në pragun e vizitës një ditore në Tiranë, me 21 Shtator 2014, të Shejtnisë së Tij Papës Françesku. 
Melbourne, Shtator 2014.