29 May 2014

(K)urbanistika, kanabisi dhe populli në delir-nga Traboini


(K)URBANISTIKA, KANABISI DHE POPULLI NË DELIR

Nga KOLEC TRABOINI

Seç ka një hipokrizi zulmëmadhe në këtë Albanistanin tonë heroik, luftëtar, durimadh i pamposhtur. Të gjithë flasin për mafia ndërtimesh, mafie droge, mafie avionësh, mafie pastrimi parash e ku ta di unë, dhe i drejtojnë gishtin njëri-tjetrit nga pozicioni i djathtë apo i majtë. Në të vërtetë të dy krahët janë zhytur deri në fyt me kësisoj histori myteberrësh. Ah po. Se desh harrova pse e nisa dhe bitisa këtë shkrim me titull paradoksal (k)urbanistika. Me një fjalë kaosi ku jetojmë përditë dhe kryeqyteti si kurban i të pangopurve tanë të mëdhenj.
Ja si e kam pershkruar në librin e fundit me poezi makthin tim prej kësaj(k)urbanistike që vjen e përplaset dhunshëm deri tek xhamat e dritareve tona: Para pallatit tonë të vogël me tulla të kuqe/ngritën një ndërtesë të stërmadhe gri/që të kujton dinosaurët /e lartë, hijerëndë e të egër./Tani nuk kam më veç një përçik qiell/e një çarçaf të verdhë/varur në ballkon si diell...
Pushtuar prej kësisoj mendimesh aspak poetike i hodha një sy për herë të fundit e jo pa pikëllim elegjiak ndërtesës që dikur kishte qenë ndanë Kishës Katolike në rrugën e Kavajës. Ishte pastruar në mënyrë shembullore gjithçka, për t’ia patur zili edhe ushtarët në kryerjen e detyrave ushtarake si pastrimtarë brigjeve të detit. Çfarë të shihje...Thua nuk kishte patur një ndërtesë ndonjë herë në këtë vend. Çdo gjë në prefeksion shkatërrimtar nën parullën “Gati për betonime të reja!”
Po vrisja mendjen a ka qeveria e rrogëtarët e saj ndonjë plan urbanistik për rrugën e Kavajës që ka aq shumë ngjarje në historinë e Tiranës. Ndërsa meditoja për kohë të shkuara kur këndej gjithnjë takoje shkrimtarë, sepse kjo rrugë lidhte Lidhjen e Shkrimtarëve (nuk ka më lidhje e as zgjidhje shkrimtarësh me shkakun se qeveritë, majtas-djathtas vend numëro,  i kanë shpallur luftë shkrimtarëve), e lidhte pra  me ndërmarrjen botuese. Shto edhe shtypshkronjat,  ishte si të thuash rrugë e shkrimtarëve. Tani nuk gjen më një pikë shkrimtari veç Koço Kostës që e ka shtëpinë përballë ish-shtypshkronjës “Mihal Duri” ku shiten llampadarë aristokratësh.
Ndalova paksa para  ndërtesës ku kam qenë në shkollë pedagogjike dekada më parë, kjo ndërtesë si tempull ka shërbyer edhe si Lice Artistik, edhe si Muze i Shkencave të Natyrës. Çfarë të shoh. Mjerim. Gërmadhë. E kanë lënë të degradohet atë ndërtesë të bukur dhe e dini çfarë është bërë!?  I ka dalë pronari i tokës,  thonë. Mirë bëri që doli pronari i tokës, mirëpo ato ndërtime kush i ka bërë. Janë bërë me djersën e popullit. Sa ka paguar pronari i tokës për atë ndërtesë kaq të bukur që u la qëllimisht të degradohej që pronari  që na doli si kofini pas të vjeli, të mos paguante asnjë dyshkë. Këtu në lojë ka qenë qeveria e shkuar e cila kësisoj ka bërë me të gjitha ndërtimet shtetërore, pronë të popullit. Kanë shkuar për dhjamë qeni. Janë lënë qëllimisht të shkatërrohen, që të paguhen lirë ose të mos paguhen fare ose-ose të futen paratë në xhepat e pushtetarëve. Zgjidh e merr.  
- Tashmë aty është një parking makinash, - më tha roja që vinte vërdallë me një zorrë uji në dorë.
Isha i përhumbur në kujtime shkollore. Atëbotë kishim drejtor Gani Daiun, një mësues vërtet i lavdishëm, mësuese vizatimi Vangjeli Çomorën gruan e shkrimtarit Spiro Çomora, mësues gjuhe një gjuhëtar si Pjetër Elezi, në matematikë Hajro Babameton dhe Ibrahim Turdiun, kujdestar konvikti kishim Ndriçim Lakon, babain e artistit Bujar Lako e të tjerë. 
- Po speciet dhe herbariumi ku shkuan? I privatizuan dhe ato. U doli pronari? Mos fluturuan me avion në Divjakë? - thashë pasi dola nga kujtimet.
Roja i hutuar,  ngriti supet e m’u përgjigj disi në huti:
 - Andej nga “Ali Demi” i kanë përplasur. Punë  mushkonjash e bufa kënete. Këtu do të bëhet një ndërtim i madh, - tha ai si të më jepte një sihariq.
-  Katastrofë thuaj, - ia ktheva.
Ai ngriti sytë e më mori si për të çmendur. Dhe kishte të drejtë. Se nga ndërtimet dalin para de... para e madhe. Kush po pyet për shkenca në Shqipëri?!
Nuk e di a kanë ndonjë plan proteste shoqatat që janë për të mbrojtur vlera arkitekturore e urbane të cilat  po korrin disfatë pas disfate. Disfata heroike.
Vaterlo urbanistike thuaj. Ndërsa shteti,... ç’të flasim për shtetin, këtë qerre të vjetër. Këtij shteti i ka zënë rrota bishtin tek mushkonjat e Divjakës dhe fletët e blerta të kanabisit. A thue të gjitha hallet e tjera të këtij populli të jenë krye.
Në të vërtetë më mirë do të qe të frenohej disi (k)urbanistika dhe të ligjërohej kanabisi që tek tymosnin njerëzia, çdo disfatë t’u dukej fitore, të besonin përrallat e politikanëve, të notonim në delire e kësisoj të na dukej vetja populli më i lumtur në botë. 
Jemi a s’jemi?!

© k.p. traboini
2014

  Në blogun Traboini esé mund të lexoni:


Kriza e artistit dhe supërkriza e kulturës-Traboini
Presidenti Wilson- ëngjëlli mbrojtës i Shqipërisë -Traboini

Dy kryeministra ma vodhën Mitingun- Traboini
Kinostudio- në vend të ullinjëve mbollën beton- Traboini
Kadare-një mal drite që nuk i shpëton hijes së vet-Traboini
Seks për një vend pune - nga Kolec Traboini  
Punë kulturash - nga Tirana në Prishtinë - nga Kolec Traboini 
Shkodrania aktore e parë e Turqisë- nga Kolec Trab...  
(K)urbanistika, kanabisi dhe lumturia e popullit...- nga K.Traboini
Fejton me shufra  ari - nga Kolec Traboini
Dallandyshe pa qiell- nga Kolec Traboini  

"E vërteta"... e pavërtetë e prof. Emil Lafe - nga...

Zhvillimi letërsisë shqipe në Mal të Zi- nga Rrok Gjolaj
Akademia e mykur e Tiranës- nga Kolec Traboini 
Kështu vret vetëm mafia - nga Kolec Traboini
Një spot që ministrit mund ti kushtojë postin- nga..
Aristidh Kola - një libër i ri i Kolec Traboinit
Disidenti i heshtur Zef Zorba - nga Kolec Traboini...
 Lazarati në tym - shteti në delir- nga Kolec Trabo.
 Zeusit i lajkatohen të gjithë- nga Traboini
Big Show me Canabis Sativa- nga Kolec Traboini
Njerka shkon në ballo- nga Kolec Traboini
Vasil Josif Pani- ne krye të oborrit të shqiptariz...
Stina e mjekrrave të hajthshme - nga Kolec Traboin...
Edgar Allan Poe - më së fundi i kthehet vendlindje...
Kur shpresa s’është veçse një kurvë...- nga Kolec ...
Atë Martin Gjoka kompozitor e mësues i madh - nga ...
Dekorimi politik i Kol Idromenos- nga Kolec Traboi...
Dhjetë vjet thirrje për bustin e Ded Gjo Lulit- ng...
Prejardhja e Hotit dhe Flamuri i Deçiqit - nga Kol...
Requiem i Verdit në vjeshtën politike të Tiranës- ...
Epika blu e Edison Gjergos- nga Kolec Traboini
Ardhacaket e Ballkanit Sofie-Safete Juka
Boston- një shekull përballë greqizimit
Udhë e mbarë, o Sizif

KATËR INTERVISTA NGA KOLEC TRABOINI

27 May 2014

Kolec Traboini: Skënder Daja, martiri i Spaçit që këndonte Çelentanon në burg


Kolec Traboini: 
Skënder Daja, martiri i Spaçit 
që këndonte Çelentanon në burg

Regjisori i dokumentarit “Djaloshi me kitarë” rrëfen historinë e 22-vjeçarit të ekzekutuar si frymëzues i Revoltës së Spaçit. “Të vetmen ëndërr që kishte, ishte të këndonte një herë të vetme me Adriano Çelentanon. Kjo ëndërr e burgosi në Spaç. Me këtë ëndërr, Daja i dha zemër revoltës më të madhe antikomuniste”.

-Thirrja “E duam Shqipërinë si Europa” është artikuluar për herë të parë në vitin 1973 në burgun e Spaçit. Për regjisorin e dokumentarit “Djaloshi me kitarë”, Kolec Traboini, ky ishte një zbulim teka hulumtonte në arkivin e Ministrisë së Brendshme. Ai ndodhej aty për të mbledhur material për realizimin e dokumentarit “Djaloshi me kitarë”, ku rrëfehet historia e Skënder Dajës, 22-vjeçarit të ekzekutuar si frymëzues i Revoltës së Spaçit. Dokumentari u shfaq disa ditë më parë premierë në Kinema Milenium në Tiranë. I realizuar nga Kolec Traboini, me bashkëskenarist Ilir Çumanin, filmi rrëfen anën njerëzore të 22-vjeçarit Skënder Daja, që të vetmen ëndërr që kishte, ishte të këndonte një herë të vetme me Adriano Çelentanon. Kjo ëndërr e burgosi në Spaç. Me këtë ëndërr, Daja i dha zemër revoltës më të madhe antikomuniste. Por ç’ ka ndodhur ato tri ditë (21-23 maj) të vitit 1973 në Spaç? Kolec Traboini tregon çfarë zbuloi në arkivin e Ministrisë së Brendshme.

Është folur dhe shkruar shumë për Revoltën e Spaçit. Ju, përse u ngacmuat të realizonit dokumentarin “Djaloshi me kitarë”?

-Sa herë që është folur dhe shkruar për revoltën e Spaçit, në çdo përkujtim, libër, shkrime, intervista etj., emri i frymëzuesit të kësaj revolte përmendej fare pak. Asnjë nuk e njihte se kush ishte Skënder Daja, i cili ishte vetëm 22 vjeç kur e pushkatuan si frymëzues i revoltës. Sa herë që lexoja për revoltën e Spaçit më kujtohej Skënderi. Prandaj vendosëm që në bashkëpunim me Institutin e Fëmijëve Jetimë të realizonim një film dokumentar për të treguar se kush ishte ky djalë. Cilat ishin ëndrrat e tij, cila ishte historia e jetës së tij…

Kush ishte Skënder Daja?

-Ai ishte një djalë me shumë talent. Ishte artist, i pëlqente të këndonte dhe i binte kitarës. I pëlqenin sidomos këngët italiane, të cilat dhe i dëgjonte. Prandaj ai kishte ushqyer një ëndërr të madhe. Ëndërronte të këndonte një herë në skenë me Adriano Çelentanon. “Ah, të këndoja një herë me Adriano Çelentanon…”, – thoshte shpesh. Por këto ishin ëndrrat e një fëmije.
Kur ishte ushtar, këtë dëshirë dhe ëndërr të fëmijërisë ai ia tregoi një shoku. Ky, një shoku tjetër e kështu me radhë, deri sa shkoi në veshin e gabuar. E raportuan se donte të arratisej për të realizuar ëndrrën e tij që të këndonte me Çelentanon. U arrestua dhe u dënua me 10 vjet burg. E çuan në burgun famëkeq të Spaçit.

Si u bë Skënder Daja frymëzues i Revoltës së Spaçit?

-Revolta e Spaçit nuk ishte e planifikuar. Ndodhi diçka. Një prej të burgosurve, Pal Zefi ishte dënuar me 30 ditë në izolim. Kur mbaroi 30-ditëshi, ai u kërkoi gardianëve që ta nxirrnin dhe t’u bashkohej shokëve, sepse e kishte kryer dënimin e tij. Por gardianët nuk donin ta nxirrnin. Atëherë ai doli dhe iu bashkua vetë shokëve. Në këtë moment gardianët kanë shkuar për ta marrë dhe shokët e burgut janë përplasur me ta. Kjo ndezi revoltën e të dënuarve në burgun e Spaçit. Të revoltuar nga mënyra çnjerëzore me të cilën trajtoheshin, të burgosurit e revoltuar shkruan një promemorie ku parashtronin kërkesat e tyre. Skënder Daja, që njihej mes tyre si një i ri me zërin e fortë dhe kumbues, u thirr që të lexonte me zë të lartë promemorien për t’ua bërë të ditur të gjithë të burgosurve. Për t’iu ngritur moralin të tjerëve në burg këndonte këngët e Adriano Çelentanos. Në fund, kur revolta po shtypej dhe morali i të burgosurve kishte rënë, Skënder Daja u ngjit në tarracë, filloi t’i binte kitarës dhe të këndonte. Për mua ky ishte një akt i madhërishëm, sepse tregon se sa fuqi morale ka njeriu mbi krimin. E vetmja armë për të mposhtur barbarinë për të ishte kënga. Skënder Daja është simboli më i fuqishëm i Revoltës së Spaçit, sepse ai ka qenë i pari në Shqipëri që ka thirrur publikisht “E duam Shqipërinë si Europa”. E ka thënë këtë në vitin 1973 dhe kjo është e shkruar e zeza mbi të bardhë në dokumentet që ndodhen në arkivin e Ministrisë së Brendshme.
Por ajo çka më ngacmoi mua si regjisor nuk ishte thjesht rrëfimi i një historie të fshehur që unë po e zbuloja. Përtej kësaj, e rëndësishme për mua ishte mesazhi artistik që do të përcillja me këtë film. Ne e ndërtuam këtë film që publiku të ngacmohet të mos rrijë indiferent ndaj kësaj ngjarjeje, por ta përjetojnë atë dhe në fund të shfaqjes të dalë me një lloj katharsisi. Ky film nuk është realizuar për t’ia përplasur në fytyrë njërit apo tjetrit. Në filmin tonë nuk bërtitet, nuk tregohet me gisht askush. Nuk kemi bërë retushim të asnjë emri që u implikua në këtë ngjarje. Të gjithë emrat e atyre që kanë marrë pjesë në këtë masakër janë të shënuar në film dhe janë të lexueshëm. Njeriun duhet ta vrasë ndërgjegjja vetë. Unë do kisha dëshirë që në shfaqjen e këtij filmi të ishin të pranishëm si bijtë e atyre që kanë qenë pjesë e asaj revolte, ashtu edhe bijtë e atyre që i kanë dënuar.

I ftuat?

-Po, i ftuam të gjithë. Asnjëri nuk erdhi nga asnjë krah i politikës, sepse siç ju thashë, ky nuk është një film që buçet urrejtje. Ky film nuk i shërben asnjërës palë. Njëra palë do që t’ia përplasë në fytyrë tjetrës, e tjera palë thotë, obobo… janë baballarët tanë. Kështu që të dyja palët refuzuan. Ky është turp! Qëllimi i këtij filmi nuk ishte as për të gjykuar njeri e as për të mohuar njeri.

Hasët vështirësi për të gjetur materialet e nevojshme për këtë film?

-Filmi ishte thuajse i pamundur për t’u realizuar, se nuk kishte qoftë edhe një foto të Skënder Dajës dhe dokumentet nuk flisnin për të si njeri. Megjithatë, gjëja e parë ishte hulumtimi në arkivin e Ministrisë së Brendshëm. Fatlumturisht, aty gjetëm dy fotografi. Njëra foto i përkiste moshës kur Skënder Daja është pushkatuar dhe një foto fëmijërisë së tij në Shtëpinë e Fëmijës. Por qëllimi ynë ishte që ne të sillnim shpirtin e Skënder Dajës dhe fatmirësisht gjetëm dhe shumë të njohur të tij që na folën për të.

Intervistoi: Aida Tuci
Gazeta MAPO, e marte 27 maj 2014  


Next: KUR NJERKA SHKON NE BALLO http://traboini1.blogspot.com/2014/05/njerka-shkon-ne-ballo-nga-kolec-traboini.html

24 May 2014

Njerka shkon në ballo- nga Kolec Traboini


KUR NJERKA SHKON NË BALLO
-Një ditë tragjike e keqpërdorur si festë-

Nga KOLEC TRABOINI

Në Pallatin e Kongreseve  më 20 maj ditën e jetimeve, disa shoqata dhe fondacione të huaja, transparencën e qëllimet e të cilave nuk i kemi fort të qarta, organizuan një festim në të cilën u shfaqën në paradë drejtuesit më të lartë të shtetit, duke përfshirë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit e kuptohet se gjithë vargani i qeveritarëve do t’u vinte pas. Për çudinë tonë të madhe nuk mungoi edhe ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu.
Duke qënë shpirtërisht e realisht i lidhur me kategorinë e këtyre fëmijëve që fatkeqesia i ka goditur që në vegjëli, nuk mund të jem indiferent e të hiqem në një anë e të mos shpreh indinjatën time kur shoh këtë spekullim publik me jetimët. Them kështu sepse jam i bindur se cilindo nga pjesmarrësit apo edhe organizatorët po t’i pyesësh se çfarë shpreh kjo datë, si u caktua si ditë jetimësh e për çfarë shkaku, asnjë prej tyre, duke përfshirë dhe ambasadorin amerikan nuk do të dinte të përgjigjej. Kjo ndodh sepse në të tilla tubime rroftë sebepi për t’u dukur, të tjerat nuk kanë rëndësi. Mjerë jetimët tek kush i kane varur shpresat!
Në sfondin e skenës qe shkruar me gërma kapitale marramëndese “Festojnë jetimët”. Po cilët jetimë festonin? Ku ishin jetimët apo konsiderohen jetimë gjitha ata burra e gra, nënpunësa hijerëndë, zyrtarë, rrogtarë thuaj, ajo tufë bodyguardësh  që mbushën sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve.  Gjithçka  për t’u dukur. Ishte e njëjta skenë groteske si dy vjet më parë, por atëbotë situatën në dore e kishte Jozefina Topalli, me po ato shoqata e drejtues komikë,  të cilëve një emision “Fiks fare” ua nxorri kallajin publikisht. Sepse ishin mbledhur të gjithë nxënësit e shkollave të Tiranës e asnjë jetim nuk gjëndej në sallë. Tani që kalit të pushtetit ja kanë shaluar të tjerë purpurantë, mjerisht shohim të njëjtin koncept, të njëjtën eufori e paradë pushtetarësh.

Konstatojmë se kauza e fëmijëve jetimë kësisoj është veç një fasadë, për të mos thënë akoma më keq një spekullim i turpshëm, sepse kjo shoqëri hipokrite gjithçka e shfrytëzon deri dhe fatkeqësitë njerëzore.  Dhe kësisoj në ekranin televiziv  pamë kryeministrin, kryetarin e kuvendit, por edhe ambasadorin amerikan, dhe kur këta burra të mëdhenj festojnë, pse të mos gëzojnë fëmijët jetimë? Madje duan apo nuk duan jetimët shqiptarë detyrimisht duhet të jenë të lumtur e të gëzojnë,  madje t’u bien tam-tameve. Reminishencë e gjallë kjo e kohës së diktaturës me një glorifikim të neveritshëm.
Ndërkohë nëpër rrugët kryesore të Tiranës dalin e mbledhin ndihma ndër qytetarë me dhjetra grupe të shoqatave fantazmë që i fusin paratë në xhepat e vet, sepse kur i pyet se të kujt shoqate jeni, a keni një adresë, a telefon ata ngrejnë supet dhe të shohin vëngër sikur po u prek në privatësinë e interesat e biznesit të tyre.
Kështu bëhet tabloja e një realiteti më glorioz. Brenda e jashtë Pallatit të Kongreseve të gjithë e gjithçka për jetimët. Çfarë mashtrimi! A më mirë të themi çfarë vetëmashtrimi social e politik.  A thua nuk e dinë këta njerëz, pushtetarë a ambasadorë qofshin, se jetimët në Shqipëri janë në pikë të hallit. Përralla në Pallat të Kongreseve do të na tregojnë?
 Nuk është fjala për ata në jetimoret, por për ata që pas jetimores nisin kalvarin e vuajtjeve, sepse nuk gjejnë dot një strehë, janë të papunë dhe u duhet të rrojnë veç me tre mijë lekë në muaj, pra diç më pak se një dollar në ditë.
E megjithatë, të mbetur pa strehë, pa ushqim e veshmbathje, të mbetur madje për shkak të varfërisë edhe të pamartuar. Por edhe të martuar qofshin, me fëmijë nëpër geto, u dashkërka  edhe këta të festojnë.
Po le t’i kthehemi datës 20 maj që aq shumë po spekullohet sikur kjo të ishte festa e 1 qershorit. Së pari, e gjithë kjo masë njerëzish që na u shfaqën me pompë në Pallat të Kongreseve duhet ta dinë një herë e mirë se 20 maji nuk është ditë feste. Nuk ka si të jetë ditë feste dita e mortit të një fëmije jetim. E për të hedhur dritë mbi këtë ditë dhëmbje, që po na e kthejnë në ditë tam-tamesh qeveritare, na vjen në ndihmë Ilir Çumani, drejtor i përgjithshëm i Institutit të Integrimit të Jetimeve Shqiptarë, i cili është edhe nisiatori i caktimit të kësaj dite për jetimët shqiptarë, madje me dëshirën të kthehet edhe në ditë ndërkombëtare të jetimëve. Jo dite festimesh me bujë kurrsesi, por një ditë reflektimi ku shoqëria, shteti, institucionet e mediat të reflektojnë  se çfarë kanë bërë e çfarë më shumë duhet të bëjnë për jetën e kësaj kategorie për të cilët shteti duhet të kryeje rolin e prindit e jo të njerkës që shkon në ballo.
Në Shtëpinë e Fëmijës Sarandë më 20 maj 1979, një vajzë e vogël  12 - vjeçare me emrin Xhuliana Luli  për shkak se e kishin dënuar pangrënë dhe nga   mugesa e vëmëndjes dhe përkujdesjes ndaj saj,  doli në rrugë, hipën në një pishë që të hajë frutat e boçave, por bie nga lartësitë me një fund tragjik. Jeta e saj nuk mundi të shpëtohej. Varrimi i vogëlushes u bë më 30 maj nën një pikëllim të pashoq të bashkmoshatarëve e bashkjetimëve, por edhe të qytetarëve sarandiotë. Prekur prej kësaj ngjarje tragjike në fëmijëri, Ilir Çumani arriti që para 11 vjetëve ta kthente këtë ditë përkujtimore zie,  në një ditë për kthimin e vëmëndjes së shoqërisë e shtetit tek jetimët për t’ju bërë atyre mbështetje. Pra, kuptimi i kësaj dite tragjike nuk është festë, por shoqëria e shteti të reflektojnë, t’ju gjënden pranë, t’ju qajnë hallet, t’i pyesin e bashkbisedojnë me jetimët për ta bërë shoqërinë më të ndjeshme.
Do të doja të pyesja dhe do të desha një përgjigje publike. A mundet që ditët e vdekjes së prindërve apo të afërmeve tuaj ti ktheni në një ditë feste të nderuar kryeministër, kryetar i kuvendit dhe i nderuari ambasador? Nuk besoj. Prandaj nuk mund ta ktheni në festë me lajle e lule, bashkrënduar me ca shoqata fantazmagorike a ndonjë fondacion turko-arab, vdekjen tragjike të jetimes Xhuliana Luli.
Larg euforisë e glorifikimit të gjithçkaje, sepse ajo ishte tipar i kohës së monizmit, diktaturës,  ku gjithçka edhe pse e përgjakur dhe e mundimshme  kthehej në delir, asaj shoqëria hipokrite që, kur i prekeshin interesat, kur një jetim shprehte aspiratën e lirisë, nuk ngurronte ta ekzekutonte siç bëri me jetimin 22 - vjeçar Skënder Daja, në përkujtimin e të cilit as kryeministri i vendit , as kryetari i parlamentit, por mjerisht as ambasadori amerikan nuk dënjoi të vinte vetë apo të dërgonte një përfaqësues.
Fëmijët jetimë duan dashuri e përkujdesje, ta reduktosh këtë dashuri e përkujdesje në një shfaqje në Pallat të Kongreseve me lulka e tollumbace, ca fjalime me retorikë shterpë,  tregon se sa e papërgjegjëshme,  e pandjeshme dhe hipokrite është shoqëria shqiptare ndaj njerëzve në nevojë.
Ky koncept e kjo mënyrë pune padyshim se duhet ndryshuar, po si mund të bëhet kjo nëse organet e pushtetit mbështesin ca organizime spekulative dhe ca shoqata fantazmë që përfitojnë prej fatkeqësive të fëmijëve jetimë !?

Xhuliana Luli e para majtas, me fjongo, duke lexuar.
Shtëpia e Fëmijës Sarandë në vitet 1970, në mes të cileve edhe Xhuliana Luli.
Fasada ku dita e vdekjes së Xhuliana Lulit u kthye në festë shoqatash fantazmë.

Gazeta Telegraf , e merrkurre 28 maj 2014

Ditirambet e Kurt Kolës- nga Kolec Traboini


DITIRAMBET E KURT KOLËS

Lexova ca shënime të ish  përndjekurit politik, kryetar shoqatash( plot shoqata kemi)  me emrin Kurt Kola. Të them të drejtën nuk e kuptova çfarë ishin të gjitha ato ditirambe në një gazetë të Tiranës me 20 maj për Kryeministrin e vendit.  Mendësia e Kurt Kolës shkonte deri atje sa të thotë se nuk dinte asnjë kryeminister tjetër ( me përjashtim të Ahmet Zogut) që të ketë qënë në lartësinë e Edi Ramës. Nuk e kuptova hiç fare këtë lidhje të shkurtër Zog –Ramë, nejse, kësisoj Kurt Kola na e ngre kryeministrin tonë, që vetë e zgjodhën e jo vetëm Kurti, në qiell të shtatë.
Kjo është pa asnjë dyshim një lumturi e madhe që ne shqipot e Adriatikut duhet ti gëzohemi mjaftueshem që shqiponjat flutrojnë lart e jo përposhtë në humnera.  Mirëpo ne si shqiptarët, si  dyshues në gen që jemi, nuk gjejmë asnjë veprim pa shkak, e asnjë shkak pa pasojë.
Ne nuk e vëmë në dyshin dëshirën e kryeministrit tonë Edi Rama për të bërë një shtet ligjor, pasionin e tij për progres shqiptar, por kjo nuk mund të na çojë deri atje sa të trumbetojmë të tilla vlerësime katapultore pakrahasimore se nëntë muaj ka njeriu në zyrë dhe nuk është e mundur që brenda një kohe kaq të shkurtër të kemi sot a së afërmi thuaj,   të tilla suksese thirrore, habitore sa profanon Kurt Kola.
Dhe ja teksti fjalë për fjalë, e zeza mbi të bardhë: “Edi Rama në këto 100 vjet pavarësi, përjashto Ahmet Zogun, është i vetmi kryeministër që ka predispozitën, aftësitë dhe qëllimin  të bëjë shtetin modern qe i mungon shqiptarëve e që kërkon Europa”.
Pyetja më e thjeshtë që mund të bëhet në këtë rast është, a e di Kurt Kola kush kanë qënë kryeministrat e Shqipërisë, çfarë shkollimi e kulture kanë patur, që toptan po ua shuan qiririn në katran?! 
Do të kemi bathë të mira sivjet. Hossanna!

k.p. traboini