19 January 2014

Nënë Terezën e rrëzoi nata në Mitrovicë- nga Kolec Traboini



NËNË TEREZËN E RRËZOI NATA NË MITROVICË

 
Nga Kolec TRABOINI
 

Nuk duhet të na qetësojë fakti se vetë ndjehemi atdhetar dhe ardhmëria e Atdheut bash për këtë shkak na qënka  e sigurueme. Duhet me ditë shumë gjana para se me ardhë tek vetja a përndryshe të nisim tek vetja për të dalë tek të tjerët.
Së pari duhet me ditë çka ndodh edhe tek fqinji në oborrin tjetër. Në rrugicën tënde, në qytetin tënd por edhe në mbarë trojet shqiptare por edhe kudo ku ka bashkombas e pse jo edhe në botë. Duhet me e ditë se përqark si komb kemi miq e armiq. Duhet me e ditë se edhe nëse flemë  ne, ata kurrë nuk vënë gjumë në sy.  Duhet me e ditë se ferrat e shkurret e mjekrrat përditë po na  shtohen. Duhet me e ditë se jo vetëm në Shqipëri Kosovë apo Macedoni do shqiptar po mjekërrzohen, jo ma shum në fytyrë se sa në mendje.  Duhet me e ditë se edhe shtëpisë së Kulturës në Obiliq i kanë vu emrin Sulltan Murati,  çka e di gjithkush kush ka qënë Sulltan Murati të cilin e ka vra një arbëror me emrin Millosh Kopili( rrejnë ata që thonë ka qënë serb e jo arbëror), tash pra armiku lartësohet dhe trimi harrohet.
Duhet me e ditë se shumë djem shqiptarë nga Kosova e Maqedonia kanë shkuar në lufte për ideale terroristë të kokave të fandaksura në Siri, dhe duhet me e ditë mirë se nuk janë pak. Duhet me e ditë se do lapërdhare përditë po lehin nëpër faqet e internetit duke na i sharë heronjtë kombëtar pa bërë dallim që nga Skënderbeu e deri tek Ded Gjo Luli, e duke na i shpallur si heronj tradhtarët e kombit ta zëmë si Esat Pash Toptani apo nipi i tij i vetshpallur mbret.
Duhet me e ditë se shpesh këtyre mendjeve të mykura, këtyre pra po u lihet herë pas here vend edhe në Media, në Shqipëri, në Kosovë por lëvrijne lirshëm edhe në Maqedoni.
Duhet me e ditë fort mirë ajo çfarë ka këto ditë në Mitrovicë të Kosovës.  Shtatorja e Nënë Terezës në ag të mëngjezit të 19 janarit u gjet e përmbysur....e rrëzoi nata....ajo natë e zezë që ka zënë vend në shpirtin e muhaxhirëve siç i cilëson Faik Konica kallëpin e ayre, që erdhën në Shqipëri si mercenarë të Otomaneve e tanimë vetquhen shqiptarë, por kurrgjë shqiptare nuk kanë.
Duhet me i ditë të gjitha këto.
Kryekrejet duhet me e ditë se prej erërave orjentale, fanatike, ekstremiste që po na fryjnë prej Stambolli e më përtej e  kemi mullarin kombtar shumë të thatë e veç pak duhet, një kunj shkrepse e vogël për me i vue flakën. A ka kush me e shue atë zjarr mbasandej apo të digjemi e përvëlohemi si komb. E pse? Sepse sot po i anashkalojmë rreziqet që mund të na sjellë nata e errësimi i mendjes. Syçelësia është një tipar që asesi nuk duhet nënvleftësuar, ajo tregon sa na dhemb e sa e duam këtë popull e këtë vend e sa punojmë për ardhmërinë e tij.
Nuk na shpëton fakti që gjitha këto bëjmë sikur nuk ekzistojnë apo i dijmë, i quajmë gjëra pa rëndësi,  i vëmë në një qoshe të mendjes për ti harruar pastaj, sepse gjoja  gjithçka në faqe të botës shqiptare na qënka e mirë e bukur. Se ja, nata na a rrëzoi Nënë Terezën në Mitrovicë të Kosovës. Po nuk është hera e parë që cënohet Nënë Tereza. Edhe në Tiranë një matrahul me makinën e tij i ra ndesh shtatores së Nënë Terezës në Tiranë  vite më parë, por u kalua në heshtje si “aksident”.  Se edhe atëherë ishtë natë. E do gjëra ndodhin në errësirë, bash atëhere  kur dalin e lodrojnë bijt e qoftëlargut.
Duhet të dime pra, se ka gjëra për të cilat jo vetëm nuk duhet të bëjmë sikur nuk i dimë, por ti dimë  mirë e kryekreje asesi ti harrojmë.

07 January 2014

Atë Martin Gjoka kompozitor e mësues i madh - nga Kolec Traboini


ATË  MARTIN GJOKA - KOMPOZITOR E MËSUES I MADH I PLEJADES SË MUZIKANTËVE SHQIPTARË

Nga KOLEC TRABOINI

Kam parë në lulishten para Vllezërve Frashëri në qëndër të Tiranës që "kuq e zinjtë" e politikës kishin vënë ca tabela me fotot e 101 personaliteteve të shekullit në kuadër të 101 vjetorit të shtetit shqiptar e thashë mos shoh mes tyre portretin e Martin Gjokës, kompozitorit themelues të muzikës sinfonike dhe i operes së parë shqiptare, si dhe mësues i plejadës së muzikantëve shqiptarë që dominuan gjysëm shekullin që shkoi dhe bene histori. Por jo nuk e pashë. Kish gjetur dikushi edhe ndonjë emër pak të njohur, diku andej nga nahija vet, por Martin Gjokën jo.  A thua se nuk merr vesh fare njeriu politik nga muzika apo se nuk e di se në kulturat kombëtare, kombet lavdërohen më së shumti për poetët dhe muzikantët e vet para se atyre që kanë kënduar me dyfek e jo se dyfeku nuk ka bërë punë për kombin, por forca e shpirtit gjithmonë e mbizotëron forcën fizike dhe është më jetëgjatë në histori. Por edhe ngre supet tek shoh se si i bëjmë punët këtu në Shqipërinë tonë. E vetmevete më lind pyetja: Pse nuk e bëjnë këtë muzikant të madh Nderi i Kombit.  Apo e kanë bërë e unë nuk e di!!!
Eh kjo botë e marrë ku jetojmë - nuk njeh as vetveten.
Po le të themi dy fjalë kush është Martin Gjoka? I lindur 20 prill 1890 në Tivar, qytet shqiptar në breg të detit, sot në Mal të Zi me emër të ndrruar, bir i kapitenit të portit Filip Gjoka, në moshën 15 vjeçare e çojnë në shkollën e Françeskaneve në Shkodër ku drejtor ishte Atë Gjergj Fishta. Martini 18 vjeçar u dërgua në qytetin e Moxartit Salzburg të Austrisë ku studioj filosofi e teologji, por pasioni i tij për muzikën e shty qe të ndiqte edhe mësimet muzikore në Institutin e Profesorit me famë Hartman. Kthehet në Shkodër pak para shpalljes së Pavarësisë dhe jep mësime në Kolegjin e Fretenve. Në 1922 krijon orkestren "Illyricum" me të cilën do të fitonte konkursin kombëtar muzikor në vitin 1930.  Atë Martin Gjoka jepte koncerte nëpër shoqëritë kulturore të Shkodrës, shumë të zhvilluara në atë kohë.
Krijoj në zhanre të ndryshme muzikore, polifonike dhe korale, krijoj opera dhe simfoni si dhe një numër këngësh epike dhe lirike. Martin Gjoka hapi i pari shtegun e artit muzikor shqiptar, krijuesit i të parës simfoni shqiptare "Dy lule mbi vorr të Skanderbegut" (1919) si dhe krijuesi i operas shqiptare "Juda Makabe" me libret të Gjergj Fishtës kompozuar në vitin 1917. Falë punës së Atë Martin Gjokës dhe muzikantëve të tjerë natyrisht Shkodra u bë qëndra më e rëndësishme e jetës muzikore në Shqipëri dhe djepi ku kanë lindur talente të mëdha.
Muzikologu dhe studiuesi i apasionuar i historisë së muzikës shqiptare Tonin Zadeja, në një jetëshkresë të shkurtër  të At Martin Gjokës shkuan: “Janë kuptimplotë,  dhe një vlerësim i madh i punës së tij, fjalët që Bajram Curri  i drejtoi atij  kur, në krye të orkestrës frymore, shkoi për ta urue me 1924:  “ Ky peshqesh( asht fjala për një sasi të hollash- T.Z.)  asht për kalamajt dhe për Ju, uratë. Vazhdoni të punoni pa u lodhun për idealin kombëtar e përparimin e vendit”.”
Për 50 vjet është thënë se opera e parë është krijuar në vitin 1958, por e verteta është ndryshe. Madje shumë prej pjesëve muzikore apo këngëve të Martin Gjokës se ndaluar, kanë arrit të futën në repertore pa emrin e tij.
At Martin Gjoka edhe pse vdiq në moshën 50-të vjeçare nga nje atak në zemër, në moshën më prodhimtare për një kompozitor, na ka lënë një pasuri të madhe muzikore në të gjitha gjinitë.
Simfonia “Dy lule mbi vorr të Skandërbegut” është ekzekutuar nga Orkestra e Operas nën drejtimin e Eno Koços në vitin 1986  i cili e vlerëson: “At Martin Gjoka, mund të thuhet me plot zë, është krijuesi i një gjuhe muzikore specifike shqiptare e cila  rrezatoi tek mjaft kompozitorë shkodranë që, të gjithë e dimë, kanë qënë në pararojë të artit muzikor shqiptar” .
Një punë pasionante për nxjerrjen në dritë të veprës së këtij kompozitori të madh ka bërë me librin e vet Robert Prennushi, ku krahas shkrimeve  mbi jetën e veprën e Atë Martin Gjoka OFM janë botuar edhe partiturat “Album për harmonium  për 24 copa” e tjerë pjesë muzikore.
E kemi "takue" të madhin At M. Gjoka, tek filmi "Skënderbeu",  ku kompozitori Çesk Zadeja, shfrytëzon me mjeshtri temën e këngës së Martin Gjokës  e mbështetur kjo në një motiv të vjetër të këngëve malësore.
Motivi i huazuar i filmin “Skënderbeu” nuk është vështirë të dallohet. Është marrë nga kënga "Kenkan mbushun malet me borë" por Martin Gjoka ishte i ndaluar , thjeshtë se qe prift ndaj atëherë u tha se është shfrytëzuar një këngë popullore, vetëm e vetëm që të mos dilte emri i më të madhit muzikant shqiptar, ai që hapi shtigjet e artit muzikor klasik në Shqipëri, ai që mësoi në shkollë e ngjalli pasionin për muzikën tek plejada e muzikantëve të mëvonshëm si Çesk Zadej, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Abdulla Grimci, Pjetër Dungu, Gjon Kapidani e tjerë.
Gjithësesi muzika e filmit “Skënderbeu” është vertetë një mrekulli në të cilën kanë shkrirë talentin e tyre dy artistë të mëdhej mësues e nxenës: At Martin Gjoka e Çesk Zadeja.

6 janar 2014

Ne kete link keni nje vidiomontazh me sinfonin e Ate Martin Gjokes OFM"Dy lule mbi vorr te Skanderbegut" kompozuar ne 1919.


Nuk jemi kombi i Bibles...- nga Kolec Traboini

Christ carrying the Cross - Pieter Bruegel the Elder, 1564/ Pieter Bruegel the Elder (1525 -1569)
NUK JEMI KOMBI I BIBLËS...

Nga KOLEC TRABOINI

Kisha me thënë se vertetë nuk jemi djaj por edhe shënjtorë nuk jemi.
Në karrshillëk të Europës, ma saktë tulipanëve hollandezë, nga disa po shkruhet me mburrje se ne jemi kombi i Biblës dhe turp për Europën që n
uk na afron. Që nuk na do Europa e dimë por duhet të dimë edhe anën tjetër të medaljes, prandaj të mos fryhen shumë disa oratorë gazetash e interneti, se kësisoj po na kujtoni kukurisjet e gjelit të detit në prag të vitit të ri pa e ditur se çfarë e pret.
Të thuash Kombi i Biblës është tjetër, përqafues të parë të Krishtërimit - tjetër gjë gjithashtu. Thjeshtë janë dy gjëra të ndryshme. Nëse ne do të ishim kombi i Biblës atëhere i bie që të jemi ne mohuesit e Krishtit e Krishtërimit që në zanafillë. Gjë të vertetë në këtë sene nuk ka.
Së pari kur jetonte Krishti nuk kishte kombe. Kishte popuj. Ne as si popull nuk jemi populli i Biblës . Populli i Biblës edhe sot e kësaj dite jeton në Judaizmin e vet e jo me Krishtërimin. Ne jemi popull që e kemi përqafuar Krishtërimin ndër të parët, por njëkohsisht e kemi braktisur më shumicë nën pushtuesit osmanë nën dhunë ose në psikologjinë e interesve ekonomike dhe mjerisht, anipse tashme në liri, aty-këtu jemi ende me mendje gjysmë anadollake. Asnjë fjalë mburravece nuk na e lehtëson gjëndjen e nuk besoj se ngjallim zilinë e popujve të tjerë sa i përket prosperitetit. Ne duhet të punojmë e jo të mburremi e justifikohemi, sepse në fund të fundit nuk kemi asnjë alibi për gjëndjen mjerane ku ndodhemi. Kombet që përpiqen të shuajnë urinë e vet me lavdi gazetash tregojnë se janë në gjendje çoroditur e mjerane të Zulullandit konician edhe pas një shekulli që kanë ardhur në mvehtësi, por, nuk kanë ardhur në kthjelltësi të mëndjes së pari, ata që shqiptarët i kanë zgjedhur, për të zezën e vet, si udhëheqtarë. Në vuajtje historike mund të jemi biblik, por nuk jemi kombi i Biblës dhe s'ka pse na ndjek pas si fat i zi hija e rendë e Kalvarit.

7 janar 2014


NEXT --------> DEKORIMI POLITIK I KOL IDROMENOS:
http://traboini1.blogspot.com/2013/12/dekorimi-politik-i-kol-idromenos-nga.html

01 January 2014

Rumiu - Poeti që Riza Lahi donte aq shumë


RUMIU - POETI QË RIZA LAHI DONTE AQ SHUMË

Nga KOLEC TRABOINI


Në ditën e parë të vitit 2014 e përcollëm për në banesën e fundit mikun tonë të paharruar, shkrimtarin Riza Lahi. Isha me Pandeli Koçin, Kujtim Dashin, Roland Lushin, Bujar Ferhatin e Mustafa Tukaj që kishte ardh nga Shkodra . Bashkë me familjarët, miq e të afërt kishin ardhur edhe pilotët, ata shqiponja të qiellit në respekt të kolegut të tyre, kishin ardhur përfaqesues të komunitetit rom për të cilët  Riza Lahi shkroi sa e sa herë duke i përkrahur në shtypin e Tiranës, por mjerisht nuk na zunë sytë shkrimtarë të tjerë të Tiranës në mes të masës së madhe të njerëzve që i bënë nderimet Rizait tonë në varrezen e Tufinës. A thue se komuniteti i shkrimtarëve shqiptarë është shkatrruar plotësisht jo vetem materialisht por edhe moralisht dhe gëlojne veç si  klane që ndajnë çmime sipas tarafit e marrin donacione prej instucioneve shtetrore. Mjerisht për asgjë tjetër nuk i ke.
E pra Riza Lahi nuk linte promovim libri pa vajtur, veçmas të autorëve të rinj, apo të tjerë anipse sillnin në promovime në sallën e Ministrisë së Kulturës a gjetkë, naivitete a rapsodi. E këtë Rizai e bënte se kishte respekt për njeriun, thoshte se kështu kemi filluar të gjithë. Ai ishte si një diell, i cili, që kur lind e perëndon rrezaton. Kishte shpirtin e butë Riza Lahi, ishte dashamirës, i respektonte të gjithë. Po ku ishin sot ata të cilët i nderoi e për të cilët foli fjalë dashamirëse e inkurajuese Riza Lahi?! Për turp të tyre nuk i pamë. 
E dimë që miku ynë  Riza Lahi nuk i përkiste klaneve ndaj nuk ju gjend një sallë e ndonjë institucioni kulturor ta nderonin publikisht siç bënë thirrje shkrimtarët e diasporës nga Amerika, e kjo nuk ndodhi sepse Riza Lahi  i përkiste të drejtës, fitimit të meritave me djersë e mundim prej krijuesi. A nuk ndodhi kësisoj edhe me të palodhurin e të devotshmin shkrimtarin çam Bedri Myftari para disa muajve. Ja ku jemi përsëri.
Mjerisht sot, ashtu si edhe në të djeshmen në Shqipëri, edhe homazhet e të shuemve shkrimtarë,  institucionet shtetrore  i klasifikojnë sipas klaneve të politikës.
Na ruaj zot po të vdes ndonjë këshilltar zyrtaruc axhami, për nder arm - do të ngrihet në këmbë shteti.
Po përcjellim poezinë e Rumiut  "Kur të vdes",  poeti që aq shumë e donte Riza Lahi, të cilin e  kishte përkthyer në shqip dhe e kishte gati librin e plotë për botim, e  që aq shumë i shkon këtij momenti kur përcjellim mikun tonë  shkrimtar në botën e Amshimit.

1 janar 2014


RUMIU
KUR TE VDES

Kur të vdes
kur qefini im të dalë në portë
mos mendoni se kam ikur
nga kjo botë.

Mos nxirrni ndonjë lot
mos qani , mos t'ju vijë keq.
Në ndonjë greminë monstrash
nuk kam rënë e nuk po heq.

Kur ju të shihni
trupi tim të ngurosur
mos vajtoni ikjen time.
nuk po iki, po mbërrij
në dashurinë e pasosur.

Kur t'më lini
brenda në varr
mos më thoni lamtumirë.
Mbani mend se varri është
për parajsën pranë
veç një kurtinë.

Ju veç më shihni
tek zbres në varr.
Tani shikoni kur të ngrihem.
Çfarë ndodh në fund
kur Dielli perëndon
e Hëna bie?

Kjo duket fund
si diell që shuhet
në të vërtetë është agim.
Kur varri mbyllet
e brenda tij të jeni ju
pikërisht atëherë shpirti çlirohet.

Keni parë ndonjëherë
farën në tokë të bjerë
jet' e re me të a nuk mbin?
Nëse kjo farë quhet njeri
çfarë mendoni se do lindë?

Keni parë ndonjëherë
një kovë në pus të bjerë
e plot sërish të ngjitet lart?
Pse të qajmë për shpirtin
kur si Jozefi del prej pusit,
ai do shfaqet prapë.

Kur për herë të fundit
do mbyllësh gojën, o njeri
fjala jote edhe shpirti
i takojnë asaj bote
me hapësira pakufi.

Shqipëroi: Kolec Traboini

VIDIO: ----> http://youtu.be/ywZ7BLrCtTk