24 April 2013

STANDARTIT T’I HIQEN BRAKESHAT- nga Kolec Traboini


STANDARTIT T’I HIQEN BRAKESHAT



Nga KOLEC TRABOINI

Në shkrimin, me titull “Të ribotohen “Rregullat e drejtshkrimit” të përmirësuara”,  botuar  në “Gazeta shqiptare” me 18 prill, Prof. Gjovalin Shkurtaj parashtron idetë e tij në jehonë të këtij kaosi ku jemi në fushë të gjuhësisë dhe të përpjekjeve pa sukses të gjuhëtarëve dhe akademikëve për t’i vënë Standartit ca paterica të drunjta. Punë e lodhshme kjo dhe pa dobi.  Ma shumë po duket si një luftë humbëse që edhe më tej Standarti të përdoret  si mjet përçarës e mbisundues i një dialekti mbi një tjetër edhe pas dy dekada të çlirimit prej totalitarizmit e  imponimit të dhunshëm  si në çdo fushë të jetës edhe atë të gjuhës. Nuk ka një mendje vërtet të kthjelltë e të shpëtuar prej hijeve të së kaluarës që të mos e kuptojë që vendosja e toskërishtes në bazë të Standartit është bërë prej dyshes Hoxha-Shehu dhe marionetave të tyre Kostallarë e kompani, e për të kuptuar këtë na vjen në ndihmë një studiues i madh, i dënuar dy herë dhe tërë jetën burgjeve të diktaturës. Kisha me thanë se a po i kujtohet emri i Nikollë Dakës prof. Gjovalin Shkurtit? Gjithë titujt që marrin profesorati i sotëm përpara fushës së dijevë të Nikollë Dakës, po duken qesharake. E tash kurrkush nuk po e kujton. Nikollë Daka ka shkruar bash atëherë kur mblidhej Kuvendi i Drejtshkrimit duke theksue se po bahej një krim e përçudni me dialektin gegë. Pra ja  që paska patur opozitë që  sado të heshtur e të shtypur të kenë qënë, i kanë dalë kundra ende pa u imponue këtij Standarti. Por pse bëjmë kinse nuk i dëgjojmë ende sot e kësaj dite zërat e tyre kundërshtues.
Ndaj qëndrimit të profesor Gjovalinit që rreh më shumë nga pozicioni i gjuhëtarëve konservatorë me prejardhje prej trevës  ku e kishte terrenin  korparmata(lexo çetat) e Hysni Kapos, do t’i thosha se le ta bëjnë të tjerët avokaturën e asaj ngrehine, por jo ti i nderuar profesor Shkurtaj. Aq ma tepër që ai Standart nuk mund të  përmirësohet duke u mballosur me do arna të vjetra nga rekuizitat e vjetra të gjuhësisë politike, por do parë më shumë kujdes baza në të cilën është ngritur. Kryekreje do pranuar se gegnishtja është parë ligsht. Gegnishta ka qënë si Hirushja e përrallës të cilën e fshihte shtriga për të mos dalë në pah bukuria e vajzës se hirit. Nuk e di si e pse, por  profesorin Shkurtaj, që ështe verior, jemi prej të njëjtës malësi, unë e shihja me shumë shpresë si një faktor për të sjellë një frymë konstruktive për të hapur arkapijat e gjuhësisë, duke ndikuar tek gjuhëtarët e Enver Hoxhës që t’i heqin brakeshat Standartit. Përkundrazi profesor Shkurtaj në disa artikuj një pas një, po shfaqet jo thjesht i përmbajtur, po kisha me thanë krejt i frikësuem nëse i hapet rruga gegnishtes. Po prej kujt ka frikë? Prej gjuhës me të cilën është mëkue në djep? Jo për atë Zot. Të vërtetës nuk ka askush shkak t’ia ketë frikën. Vihet re se profesor Shkurtaj po u lëshon pe më shumë sesa duhet atyre që konsiderohen konservatorë në këllëf, të ngujuemve në llogoret e bunkerët e monizmit ku vazhdojnë të këmbëngulin në mendimin që toskërishtja duhet të mbizotërojë edhe tutje,  se gegnishtja është e varrosur si kauzë një herë e përgjithmonë. Dua të theksoj se tek po shkruaj këto rreshta jam duke u përpjekur të përdor bash atë standart ku gegnishtja mjerisht thuajse mungon fund e krye, se kështu na kanë gatuar e uniformizuar në shkolla e univesitete. Ngushtësisht veç këto mjete te paka kemi në dispozicion. Por këtu nuk është thjesht nevoja ime për ta pasë të pranishme gjuhën e mësuar bashkë me qumështin e nanës,  por se, nëse ne e anashkalojmë si çështje mungesën apo praninë e gegnishtes në Gjuhën Letrare Shqipe, na do të jemi një degë e thame gjuhësore në trung të kombit. Si Profesor Gjovalin Shkurti edhe unë jam për një standart, por jo bash ky Standart i thatë e pa lëng jete. A nuk po e kuptojmë se na është tha gjuha? Edhe metaforikisht, por edhe realisht na është tha. Na u tha gjuha tue folë e shkrue për një problem të madh që akademikët bajnë ç’bajnë dhe e minimizojnë si një çështje e dorës së dytë. Na u tha gjuha edhe në kuptimin që gjuha shqipe në atë bazë fjalori që kemi është si një lis në vjeshtë që po i lëshon gjethet një e nga një. Po  për kë punojmë kështu?! Ne nuk pranojmë njëri-tjetrin. Ka shumë urrejtje për të folmen e gegnisë. Po pse? Standartin që natyrisht duhet ta kemi, gjuhëtarët ta mbështesin ku të duan, por ama një standart i hapur e jo i mbyllur, jo bunker, ku të lejohen të hyjnë edhe trajta toskë e gegë e përdoruesi të marrë variantin që i pëlqen pa ba ndonjë thagmë. A pranojmë të themi kryetar sipas trajtës gegnishte krye,  por nuk mund të themi sipas trajtës toskë kokë-tar, kokë-ministër, kokë-bashkiak...  e ashtu si ranë-ranishtë, kësisoj pse të mos pranohen edhe të tjera zgjidhje. Kthimi i nr, rotacizmi i famshëm, apo aë ka pas kohën e vet historike,  por jo në tërë trevat shqiptare, vetëm në një të tretën. Atëherë pse po bëhet ligj ky fenomen. Mbushur gjuha shqipe me gërmen ë sa me të çmënd, e kudogjendur vend e pavend. Sipas profesor Gjovalinit trajta e ligjësuar nënë mund të korigjohet me një kompromis zbutje, pra të kthehet në nenë, dhe kësisoj të anashkalohet trajta e madhërishme Nanë! Më falni për këmbënguljen, por jam mëse i bindur për sa po theksoj: nuk besoj se  gjen fjalë ma të bukur në gjuhën shqipe sesa trajta gegë e fjalës nanë. Pse duhet t’i ikim asaj trajte. Pse ka frikë profesori prej nanëlokes që u dashka ba e quajt nenëloke?! Po a është më mirë të shkruhet bërë apo ba, që në çdo pikpamje kjo e dyta tingëllon ma e bukur. Një trajtë e shkurtër, tejet konçize, sepse gjuhët gjithnjë përsosen duke shkuar drejt lakonizmit të shprehjes. Pse nuk shkohet madje edhe ma tej, ta pasurojmë gjuhën shqipe edhe me trajta të folme nga Diaspora se kemi Arbëreshët, për të cilët profesori ka ba studime të admirueshme. Po kemi Arvanitët. Pse po kemi frikë me e trajtue edhe temën e tyre? Ç’punë ka gjuhësia apo edhe historia me konjukturat politike në marrëdhënie me shtetet e tjera?! Apo siç i lamë grekët të na marrin fustanellën t’i lëmë ta shuajnë edhe të folmen arvanite të cilën ne nuk e njohim dhe as e marrin në konsideratë fare në planet akademike. I kemi braktisur degët e trungut tonë. Mjerë ne! Kemi ba një tradhti. Dhe vazhdojmë të vetradhtohemi si komb. Pse duhet arbërorët tanë ta ndjejnë veten të huaj në këtë farë standarti që është fund e krye dialekt i një treve të ngushtë gjuhësore. Madje këta kostallarianët edhe fjalën gegni na e thonë gegërisht. Nuk e di ku e kanë gjetë këtë trajtë të përçudnueme? Po a është më e bukur shprehja në këtë pleqëri apo pleqni. Pleqëroje këtë punë apo pleqnoje këtë punë. E para merret si fjalëformim, sikur pleqtë bëjnë roje dhe ka gërmen lodhëse ë. Gjithçka flet për të dytën, por gjuhëtarët e bunkerëve preferojnë veç të folmen poshtë Vjosës.
Mendoj se profesor Shkurtaj duhet të jetë më solid në mbrojtjen e të vërtetave gjuhësore gjithhapsinore sepse vjen prej trevës sonë të gegnishtes dhe e njeh bukurinë e saj, por  ia di vlerat edhe pasurisë së të folmeve të diasporës. Të mbrojë kauzën e hapjes së Standartit të kalçifikuar me prurje të reja. Duke prekur këtë problem  profesor Shkurtaj thekson: “Sigurisht, edhe ajo që vjen prej dialekteve, kur pranohet në standard duhet t'u përshtatet rregullave të drejtshkrimit të njësuar.” – Bukur profesor, ngado që ta sjellësh elokuente kjo shprehje, por si do t’i përshtatet gegnishtja e Buzukut, Bardhit, Budit, Fishtës, Mjedës, Migjenit, Camajt, Zorbës toskërishtes, pra të shkojë si delja në shtrungë. Nuk është kaq e thjeshtë. Si mund të futet një kreshnik në djep. Eshtë edhe disi tejet vonë për t’ia kthyer në llastik shtyllën kurrizore Gegnishtes Letrare e për ta rrasur në ndonjë sënduk. Dhe çelësin e sëndukut ta mbajnë kostallarianët. Nuk është e qartë pra se kush prej dialekteve a të folmeve, duhet t’i përshtatet rregullave të drejtshkrimit, toskërishtja apo gegnishtja sepse përzgjedhja është thjesht një toskërishte letrare dhe është quajtur paradoksalisht, por edhe me në mënyrë diabolike Standart. Po njënjtshëm  siç u imponua  pushteti i Enver Hoxhës,  por falë zotit kemi shpëtuar prej fantazmës, anipse me keqardhje konstatojme se falë profesorëve të tij duhet t’i heqim pasojat e ideologjisë së tij.
Përtej kësaj, kush po punon që të mos shuhet ajo pasuri gjuhësore e gegnishtes letrare? Askush. Madje qëllimisht i lihet kohës që Standarti të quhet punë e kryeme e 70 përqind e shqiptarëve, po citoj Primo Shllakun, të na shfaqen me një të folme qesharake në përpjekje titanike për të theksuar toskërishten që si sapuni për djathë na shitet për Standart mbarkombëtar.
E dëgjova me vëmendje një  intervistë të akademikut Rexhep Qosja që foli ma së shumti për politikën. U torturua profesori nga Prishtina  duke dashtë me kenë elokuent në standartin e Kostallarit. Punë e lodhshme gjithsesi, e panatyrshme e megjithë respektin  që ruaj  për profesor Qosen më krijoi një shije jo të mirë në koloritin gjuhësor, sepse profesori nuk kish ardhë prej Gjirokastre po prej Prishtine.
Shtrohet edhe çështja se ku do t’i gjejnë krijuesit të lindur në Gegni  morinë e fjalëve karakteristike gegnishte, që mund të jenë në sasi po aq sa ato toske e besa ma shumë në trojet shqiptare, kur nuk botohet asnjë fjalor i Gegnishtes Letrare dhe as në FGJSH. Nuk futen veç me përjashtime sa thue që ma shumë gjen turqizma dhe sllavizma sesa fjalë me burim prej gegnishtes. Eshtë normalitet apo çmenduri që po lihet të shkojë dam gjithë kjo pasuri e madhe gjuhësore kombëtare. Kemi njëzet vjet që kërkojmë një fjalor të Gegnishtes Letrare e nuk po e gjejmë. Thonë është botuar një fjalor i Dom Nikollë Gazullit, por nuk gjendet kurrkund. Mos vallë ata që mbrojnë Standartin e mbledhin dhe e djegin duke të kujtuar inkuzicionet ndaj mendimtareve të mëdhenj? Shih pra koicidencat, gjuhëtari i madh Dom Nikollë Gazulli është pushkatue bash prej atij që u ba edhe babë edhe kumbar i Kongresit të Drejtshkrimit.
Me letërsinë gege ka fillue jetën e vet të shkrueme gjuha shqipe apo po e harrojmë Buzukun gegë e po shpikin ndonjë Buzuk toskë?! Ti themi gjërat siç janë e larg sofizmave. Standarti është thjeshtë toskërisht e gjasat, siç  po duket bathët,  janë që përdhunshëm edhe me tej ky Standart i standartizuem  kështu do të mbetet, mollë sherri si gjithçka tjetër e sajuar mbrapsht në këtë Shqipërinë tonë,  e kjo nëse nuk do të dimë se si ta rikonstrukturojmë shtëpinë e gjuhës në atë mënyrë që të jetë e natyrshme e jo imponuese e me heq dorë një herë e mirë  prej qëndrimit të fanatizuar. Më vjen vërtet keq, por jam i detyruar të them se megjithë respektin për profesor Gjovalin Shkurtaj,  edhe si malësor,  bij të xhubletës që jemi - siç më shkruan në një letër,  jam i detyruar të them me bindje të plotë se: këtij soj Standarti ku  gegnishtja gjendet e përjashtueme nuk i bën punë asnjë lloj viagre. Eshtë punë e kryeme. Në mos sot nesër do t’i bien kambanat. Amen!


18 April 2013

Intervistë: KOLEC TRABOINI - në Tirana Observer

Poeti: Gjithçka në art konsiston në dashurinë për jetën

Bisedoi: Raimonda MOISIU 

395686_561208037224932_1847451367_nPoeti Kolec Traboini është nga ata krijues që shpreh shpirtin fenomenologjik me të gjithë qartësinë e mendimit filozofik e artistik dhe me dhuntinë e njerëzores. Është autor i 20 librave me poezi, prozë, esé, ku përfshihen 12 vëllime me poezi, nga të cilat tre antologji poetike me bashkautorë, të mirëpritura dhe të vlerësuara nga kritika e kohës, audienca e lexuesve dhe dashamirësve të poezisë dhe letërsisë. Poeti Kolec Traboini është një ndër lirikët më të zjarrtë të vargjeve lirike shqiptare i letrave shqipe, kjo dallohet e ndjehet te vëllimet e tij poetike “Itaka Grua” dhe “Lule Pellazgjike”. Gjithashtu pena poetike e Traboinit dallohet për tonin qytetar e intelektual, është nga zërat poetikë më të rreptë i gjendjes sociale në stilin migjenian, kujtojmë poemën “Koha e prostitutave” krejt e veçantë ne poezinë bashkohore e me një forcë të madhe në idetë e mjetet shprehëse e emocionale. Në këtë intervistë poeti i vargjeve lirike shqiptare Kolec Traboini na rrëfen udhëtimin e tij interesant në botën e artit, veçmas asaj të letërsisë, ku sikundër edhe shprehet: “Gjithçka në art konsiston në dashurinë për jetën, madje edhe kur në rrethana të caktuara për qëllime të larta je i detyruar ta japësh atë”. Poeti në këtë intervistë bën një apel të dhimbshëm njerëzor, për vlerësimin e poetit Frederik Rreshpja, duke e konsideruar si një nga lirikët më të mëdhenj të gjysëmshekullit të kaluar. Për më shumë ndiqni intervistën.

Nëse do të duhej të prezantoje veten para lexuesve si do ta bënit këtë. Do t’ju pëlqenit të quheshit poeti, shkrimtari, kineasti apo gazetari Traboini?

Njeriu i tunduar nga arti provon veten në të gjitha fushat, por kjo nuk do të thotë se mund të stamposet me një mori epitetesh siç ndodh rëndom. Krijuesi është dalëzots i shpirtit të vet, është njeriu në kërkim të përhershëm të mënyrave dhe formave të shprehjes, në këtë sens nuk mund ta vendosësh as vetëm në një kuadër se do të ndjehej ngushtë. Mes këtyre arteve ku e shpreh veten, autori ka diçka që e dallon dhe ajo është fryma e tij. Poetët në çdo gjini të shkruajnë, në çdo formë arti të shprehen, do të ndjehen si të tillë, sepse në të gjitha do të interferojë ndjesia e thellë e fryma poetike, sinqeriteti deri në brishtësi. Mendoj se e bëra përzgjedhjen…

Atëherë le të fillojmë me frymën poetike, çfarë është me pak fjalë qëllimi dhe esenca e jetës së një poeti?

Kur nis e shkruan ai që duhet ta meritojë të quhet poet, ka bërë një marrëveshje me vetveten e kjo është shfaqja e gjithçkaje që përjeton në shpirt para atyre që e lexojnë. Mosrespektimi i kësaj marrëveshje, pra nëse ai që shkruan kërkon të bëjë të mençurin, të diturin, të zgjedhurin dhe i fsheh trazimet brenda vetes, tregon se është bërë zgjedhje e gabuar. Ky është ndryshimi mes poetit dhe atyre që shkruajnë thjesht se ua kanë mësuar alfabetin. Poetikën mund ta mësosh në shkolla, por shpirti nuk i përfill zanatçinjtë. Ai është si nëna që e krijon fëmijën në shtatzani pa e prekur një herë me dorë. Nëse do të insistojmë një përqasje me mjeshtëritë do të isha i detyruar të bëja këtë përzgjedhje: arti poetik është si një kudhër kur rrihet gjithnjë hekur i skuqur.

Çfarë mendime keni për poezinë; a mund ta perifrazoni atë; cili është raporti i autorëve me poezinë; dhe sa në poezi shprehet vetvetja?

Poezia, lirika e shpirtit është si qielli ku fluturojnë të gjithë zogjtë, ngjashëm qielli i poezisë është hapësira ku fluturojnë të gjithë dëshirat sado mistike të jenë. Më së shumti është i kaltër …eh, po dhe nxin ngandonjëherë, dhe atëherë, mjerë zogjtë e dashuruar mbetur pa strehëz. Për mua ka rëndësi që të shpreh çfarë kam me shpirt me çdo kusht e në çdo rrethanë. Anipse edhe vetë përpiqem të shpjegohem, të gjitha teorizimet mbi poezinë më duken veç retorikë. Askush deri tani nuk i ka dhënë një definicion të saktë. Ka edhe groteske të tilla kur ata që sapo kanë shkruar një tufëz vargje naive e kanë botuar një librushkë nisin e flasin për mjeshtrinë e poezisë dhe i flasin seriozisht në televizionet kombëtare. Mjerim i madh është kur media kultivon injorancën. Nëse hedhim vështrimin jashtë, vë re se poezia amerikane është shumë e thellë në mendime, por jo dhe aq në ndjesi. Përpiqem t’i njoh, madje edhe i përkthej herë pas here për t’i kuptuar më mirë. Më i fuqishmi i të gjithëve në poezinë moderne ishte ai që quhej poeti i ndyrë i rrugës me emrin Bukovski dhe unë e pëlqej aq shumë, sepse as nuk do t’ia dijë çfarë thonë për të, i thotë gjithë botës intelektuale akademike: “Shko tej!”. Të tjerët janë ndryshe. Ai është më shumë europian, sepse është pinjoll i një babai gjermani përzier me grua polake. Unë i kam jetuar të dyja edhe Amerikën edhe Europën dhe them se arrij të dalloj ndryshimet mes tyre. Poezia amerikane është temperamenti amerikan, të vetmin revolucion të vërtetë në poezi e kanë bërë brezi e Beat Generation. Të tjerët, përjashto Bukovskin, që e thamë më lart, janë më të qetë. Poezia amerikane është jeta amerikane. Madje Xhim Morrison ka më shumë temperament se shumë poetë të atij vendi të madh që natyrisht lind gjigandë në proporcionet e veta. E kjo më bën të mos çuditem që kur u shfaq Khalil Gibran me poezinë e tij mistike arabe, e pritën si një perëndi në qiellin e poezisë e prozës filozofike amerikane e cila i pranon prurjet e artit nga gjithë bota dhe shpesh bëhet frymëzuese e saj.

A mund të ndahet poezia nga autori në gjykim estetik në sensin – poezia është frymë, autori është trup?

Sado të përpiqemi t’i ndajmë, vepra dhe autori janë të ngjizura të njëra-tjetra. Autori mund të ndërrojë jetë, por ka jetën e dytë brenda veprës. Simpatia për veprën, do apo nuk do, të çon në simpatinë drejt autorit dhe e kundërta. Më ka lindë një problem i kësaj natyre kohët e fundit kur nisa të merrem me një libër mbi poetët “Kujto Poetin”. Mendova gjatë dhe pasi e shoshita me veten time vendosa ta lë jashtë autorin Farudin Gunga. Dikush mund të thotë se i ndjeri ka qenë poet i mirë, por unë kam mendimet e ndjesitë e mia. Ai mund të ketë qenë poet i mirë, por më i mirë se për ne shqiptarët mund të ketë qenë për serbët të cilëve u shërbeu me devotshmërinë e një skllavi. Çfarë më duhet mua retorika atdhetare kur i fut thikën pas shpine popullit tënd. Kësisoj mendoj se nuk ka një prerje me thikë të veprës nga autori. As vdekja e autorit nuk e ndan atë nga vepra e tij. Po të kërkoni me vëmendje në atë çfarë shkruhet në vepër do ta gjeni autorin patjetër. Nuk mund të ketë Iliadë pa Homer. Nuk mund të ketë Ana Karenina pa Leon Tolstoj. Nuk mund të ketë Migjen pa vargje të lira as vargje të lira jashtë Migjenit.

Ju keni shqipëruar mjaft poetë të huaj në një libër që keni në dorëshkrim “Nga Safo tek Bukovski”. A ruani mendimin se shqipërimet veçmas poetike mund të rishqipërohen nga autorë të ndryshëm për shkak se shpesh këto shqipërime janë shumë larg poezive në origjinal?

Ruaj mendimi që edhe shqipërimet mbajnë vulën e kohës, të nivelit të shqipëruesit e disa faktorëve të tjerë që me kalimin e dekadave anashkalohen. Por dua të them diçka për shqipërimet poetike temë të cilën e kam trajtue edhe në një bisedë televizive. Gjatë viteve të rinisë kur rrëmbenim e lexonim çdo gjë, padyshim edhe poezitë e shqipëruara i kishim në preferencë. Por ashtu siç jemi mrekulluar nga ca shqipërues, ashtu dhe jemi zhgënjyer nga të tjerë, sepse kemi lexuar poezi të autorëve të mëdhenj dhe thonim: “si qenka i madh ky poet me këtë lloj poezie, të varfër në shprehje, me shumë celebrale se emocionale”. Ma do mendja se kanë qenë përkthyer nga njerëz që e kishin poezinë larg vetes. Dhe vazhdoj të mendoj se poezinë mund ta shqipërojnë bukur ata që shkruajnë vetë poezi.

Si i vlerëson raportet e qeveritarëve shqiptarë me poetët dhe artistët në përgjithësi?

Nëse e keni fjalën për afinitetet e qeveritarëve mediokër me këngëtarë “thesi”, ato vërtet janë një mrekulli dhe shtetarët shpenzojnë para pa hesap ndërkohë që për poezinë nuk japin asnjë cent. Por, edhe paradokset vazhdojnë të pafundme në atdheun tonë ku poetët ndjehen jetimë, ka raste kur ndonjë njeri që nuk ka qenë e as nuk mund të bëhet kurrë shkrimtar, të lartësohet e miklohet deri në qiell nga qeveritarët për një libër politik që është thjeshte një mballosje, si një thes me 700 arna që mban brenda eshtnat e një të vdekuni, e kështu autori po na ngjet jo pak me plakën Nicë që në mënyrën më të llahtarshme ia përplas tufën e kockave të kolonelit Z, priftit dhe gjeneralit.

Pas dy dekadave a ka mundur të shpëtojnë letërsia nga hierarkia e konsoliduar e një sistemi të ngurtë dhe a vazhdon letërsia të mbetet viktimë e mentalitetit të real-socit?

Mjerisht ne ende dhe sot e kësaj dite nuk po shpëtojmë dot nga skematizmi i mendimit mbi letërsinë e aq më tepër poezinë. Ca njerëz dinë të shkruajnë, por nuk dinë çfarë thonë, ca tru të ngelur brenda skemave të shabllonizmit të para dy dekadave. Kur duam të shpëtojmë prej kësisoj klasifikimesh a klishesh me idhuj e mite, biem prapë në të njëjtën skemë kur përmendim dy emra X apo Y, duke u nisur nga preferenca vetiake apo shtetare. Dhe kështu mbetemi aty ku ishim dhe harrojmë se poezia është një pyll me drurë të mëdhenj e të vegjël dhe bukuria nuk matet kurrsesi me dimensionet e trungut. Zot na shpëto prej mendimeve të kalcifikuara e sindromave të real-socit që krijonte idhuj e duke mos patur kurrfarë mëshire a bonsensi nuk përtojnë ta na i imponojnë në kokë përdhunshëm.

A mund të na thuash një poet që vjen e kalon modestish e lë pas një vepër poetike të admirueshme larg të gjitha skemave dhe hierarkisë së sajuar që më shumë shfaqet si piramidë tiranie për poetët?

Do të përmend disa emra poetësh që i kam njohur personalisht dhe e admiroj krijimtarinë e tyre si një thesar kombëtar i artit shqiptar. – Frederik Reshpja që e konsideroj lirikun më të madh të gjysmës së dytë të shekullit që shkoi, e kam njohur, kemi punuar bashkë në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Kemi qenë një grup letrarësh të rinj asokohe në Shkodër që e mbanim si idhullin tonë letrar. Është një mjeshtër i madh, një shpirt i kulluar, një dlirësi e pashoqe në poezi dhe tipik – i burgosur nga diktatura dhe i anashkaluar nga demokracia që edhe poetët përpiqet t’i inkuadrojë në klane politike. Frederik Reshpja i përbuzi të gjithë ata shtetarë e nënpunësa rrangallë që e lanë në gjendje të mjerushme në fundin e jetës. Por ai ishte e mbeti një zog shiu, një yll në qiellin e poetikës, një diamant i lirikës shqipe anipse edhe sot e kësaj dite bëjnë sikur nuk ka ekzistuar kurrë. Ka një rrugë në Tiranë për një poet që ka qenë deputet e militant partiak, edhe një shkollë në Shkodër po ashtu. Mirë kanë bërë që i kanë vënë, por nuk ka as rrugë e as shkollë me emrin e Frederik Rreshpës që i përbuzi pushtetet të cilët janë bërë strehëz batakçinjsh, spekulatorësh dhe njerëzish pa asnjë meritë, që nuk kanë dhënë asnjë kontribut për këtë vend e për këtë popull. Kështu mund të them edhe për poetin tjetër të shquar shkodran Zef Zorba. – Ndoc Gjetja, të cilit i kam bërë një cikël fotografish në Athinë 1993, ato foto që botohen në të gjitha gazetat dhe unë e kam quajtur edhe në ese “Poeti me fytyrë Krishti”. Nëse e jetërsojmë shembëllesën e mirësisë së Krishtit tek një njeri krijues, ai ishte poeti Ndoc Gjetja. – Madu gjithashtu, Jamarbër Marko, të cilin e njoha në fakultet si bashkstudent në gazetari, por edhe në Kinostudio kur e sollën të punonte punëtor në mirëmbajtje pas dënimit. Ishte një poet i çliruar prej të gjitha skemave që ia zënë frymën poezisë. Ky mund të mos jetë një prej korifenjve që disa trumbetojnë me të madhe, por ama është poet i vërtetë…çfarë duhet të jetë ambicia e çdo poeti. Kush lufton të jetë i parë e kthen qëllimin e jetës në luftë karrigesh, por vendin e vet si poet e ka humbur.

Çfarë mendimi keni për kritikën letrare bashkohëse; a ndjehet dhe sa ndihmon ajo në evidentimin e vlerave letrare?

Ju keni të drejtë që pyesni dhe pyetja juaj mbart një shqetësim, por unë do ta formuloja pyetjen më të drejtpërdrejtë. A ekziston kjo kritikë? Në një bisedë që kam bërë me të ndjerin pedagogun tim, Adriatik Kallulli, kohë para se të ndërronte jetë, për të cilin mund të them ishte i vetmi kritik pasionant e serioz i letërsisë shqipe, kemi diskutuar edhe problemin e mungesës së seriozitetit në kritikën letrare e cila sot shfaqet si mosekzistente, apo që e shet lëkurën fort lirë. Dhe ky është një shkak që më bën fort skeptik në vlerësimet apo kritikat që aty-këtu shfaqen më së shumti për hir të interesave materiale. Sot recensionet lavdëruese të vetquajturve kritikë po bëhen me para e kësaj të shkretë paraje po i përkulen edhe shumë nga ata që pretendojnë të kenë tituj shkencorë. Këto janë precedentë të rrezikshëm anipse ndokush ka mendimin se nga mediokriteti nuk i vjen e keqja letërsisë. Kjo ka një të vërtetë, por ama po vëmë re një fenomen tjetër, mediokrit nuk mjafton të jenë prezentë me veprat, por kanë nisur të bëhen agresivë, po kërkojnë të dalin në krye të punëve, të vetshpallen me tituj të mëdhenj ndërkombëtarë, të cilat i kanë blerë nëpër ca institucione fantazmë e spekulative deri në Amerikë (se edhe bota i ka këto fenomene). Organizojmë madje edhe manifestime masive mediokriteti që ndonjëherë rrokin edhe pëlqimin institucional të shtetit duke e kthyer krijimtarinë poetike në një kaos të vërtetë. Mendoj se autorët seriozë nuk duhet të bien në këtë praktikë që tashmë është në modë, ata nuk kanë nevojë për paterica kritikësh pa personalitet. Nëse me kritikë mendohen këto lloj recensionuesish-lavdemëdhenj me pagesë, atëherë me të drejtë e plot gojë do të themi se kritika letrare nuk ekziston.

Ke lindur në Shkodër të cilës i ke thurur shumë poezi plot dashuri e nostalgji, po Shkodra a të pret ngrohtë a ke zhvilluar ndonjë veprimtari poetike apo filmike në këtë qytet ku arti shqiptar mund ta konsiderojë djepin e vet?

Do të kisha dashtë të mos më bëhej kjo pyetje. T’u bëhej atyre që drejtojnë veprimtaritë artistike në Shkodër prej të cilës veprimtaria ime letrare dhe kinematografike nuk ka sesi të ndahet. Ju kujtoj filmat e mi të hershëm “Kol Idromeno” dhe “Marin Barleti” të çmuar për vlera në rang kombëtar. Por edhe kohët e fundit kam krijuar film montazhet “Martirët”, “Martin Gjoka”. Esetë e mia për Shkodrën janë pjesa më e mirë e publicistikës sime nëpër vite. Ndërsa poetikisht Shkodra ka qenë e mbetet burimi i frymëzimit tim. Nga dy vëllimet me poezi botuar në 2012, një kapitull i gjerë me titullin “Ode për Shkodrën” i kushtohet marrëdhënieve të mia shpirtërore me qytetin tim të fëmijërisë. Madje hyrja në vëllimin “U dashka të dal natën vonë” titullohet “Poetika e fëmijërisë” në rrugën Badra. Më vjen keq të them se nuk jam ftuar në asnjë lloj veprimtarie letrare dhe artistike. Është zgjedhja e tyre, por unë kam qenë e mbetem një krijues shkodran. Këtë lloj trazimi shpirtëror që ma sjellë ky indiferentizëm më ka nxitur të shkruaj një ese “Pellazg i mbetur pa atdhe” të cilin e kam botuar në hyrje të vëllimit me lirika “Lule pellazgjike”. Nëse drejtuesit e kulturës në një qytet të tillë me emër të madh nuk marrin mundimin as të lexojnë çfarë shkruhet për qytetin e tyre kjo është pjesë e përgjegjësive të veta, por kjo nuk më çudit kur shoh se varrin e Kol Idromenos në Rrmaj, që duhej të ishte vend pelegrinazhesh për artistët shqiptarë të mbarë botës e kanë lënë në mënyrën më të mjeruar. Kur me kolosin shqiptar të artit sillen kështu, ç’presin të tjerët?!

Ju si krijues i ardhur nga djepi letrar i gegnisë, çfarë mendoni për një kontradiktë që po vjen gjithnjë e më shumë në evidencë, raporti mes Gjuhës Standarde dhe asaj Gegnishte?

Natyrisht edhe sikur të mos dua, kësaj pyetjeje nuk mund t’i shmangem. Për çdo shkodran është një plagë anashkalimi, o më mirë shkelmimi i gegnishtes, çfarë më vjen ndërmend se me këtë po duen të shkelmojnë edhe artin që ka lind në këtë djep të gegnisë. Ka një shprehje të njohur “Uthulla e fortë then enën e vet”. Kapë pas ksaj rrfane, na duket se kjo përkon aq bukur me gjuhëtarët e Tiranës që idhnohen nga se nuk po duen me e afrue të bukurën, gegnishten tonë as në fjalor e as në sintaksë e i gëzohen veç një Drejtshkrimi të cunguem e Fjalori mjeran, që më shumë e turpëron se e nderon Gjuhën Shqipe, sepse në leksik ka 35 mijë fjalë që po të pjestohen me 6 (sepse 6 fjalë janë veç me termin parazit – kooperativë, që nuk e përdor ma kurrkush prej alergjisë kooperativiste), atëherë përfundimi krejt mjerueshëm na del se jemi në kufinjtë e 6-10 mijë fjalëve në rrënjë shqipe. Që pra mbrothësia e përparimi ynë për t`u qarë me lotë: gjuha ma e vjetër me rranjë e degë tek pellazgët, në ilirishte e mandej, po na shfaqet si ma e varfra gjuhë në Europë, e kjo falë gjuhëtarëve të epokës pa lavdi. Në aspektin tjetër ka shumë dëshira me u largue ma shumë se me u afrue. Meqenëse unë jam në rrah të ernave se shkruaj edhe standart, por edhe në gegnishte në ca poetika të veçanta, ndjehem vërtet keq. Në këtë rast nuk më pëlqejnë ekstremet, më pëlqen bashkimi e bashkësia gjuhësore, afrimi e jo largimi. Më pëlqen Kristoforidhi me Mark Shalgjatin e tij, “Prite, o Gjin!”… E nëse e hap këtë temë përsëmbari jam gati me shfry tan dufin tem edhe kundër njënës e tjetrës palë….Tue e tërhjek litarin dy palët e duke mos lëshuar asnji përçik, gjasat janë litari të kputet. E kujt i vlen kjo? Kurrkujt. Sot nuk ka ma asnjë shkak që të ngulmojmë me frymën e imponimit të dhunshëm edhe në fushë të gjuhës, e cila kurrsesi nuk guxon të bahet fushëbetejë klanesh, krahinash, partish apo ideologjish shterpë, aq ma tepër fushë përçarjesh jug-veri.

Tek ju si autor shfaqen dukuri të tilla, në një aspekt jeni demaskues i rreptë i gjendjes sociale, ndoshta ndër zërat më të rreptë në poezinë e sotme duke ecur në gjurmët e migjeniane si tek “Koha e prostitutave” ndërkohë jeni ndër lirikët më të zjarrtë, kujtoj vëllimet “Itaka grua” dhe “Lule pellazgjike”. A i konsideroni këto kundërshti të pazakonta në gjendjen emocionale të një poeti? Dhe cili mendoni se do të jetë vendi Traboinit në letërsinë shqipe?

Nëse poeti do të kishte në gjoks një copë shkëmb e jo një det, do të ishte e panatyrshme sepse çdo tronditje e madhe do ta thyente atë. Por poeti është si deti. Përjeton stuhi të mëdha dhe gjithçka nga thellësia i nxjerr në breg. A e keni vënë re ç’ndodh me detin të nesërmen e ditës me dallgë të mëdha. Vjen qetësia. Vjen një ditë e bukur. Deti në horizont kalon nga a kaltra në blu në një vijë të drejtë. Ai të bën magji e ti dashurohesh me të. Mbaj mend nga fëmijëria se për shitësin ku merrnim ushqime me listë, thonin ai sot është me mot të keq dhe nga ky shkak atë ditë do të përjetonim urinë. Apo ai sot është me mot të mirë dhe ishim të sigurtë se do ta ngopnim barkun mirë. Kohë fëmijërie e varfër që do të më çonte më pas në shtëpinë e fëmijëve jetimë në Shkodër. Konceptet poetike mendoj se qëndronin në vizionin e njerëzve që më rrethonin në fëmijërinë time dhe kjo në një mënyrë a një tjetër më ka injektuar në natyrën time ndryshueshmërinë e motit.
Gjithçka qëndron tek pasioni, dashuria e zjarrtë për të vërtetën, për njeriun, për natyrën, dhe urrejtja po aq përvëluese për çdo gjë që e pengon apo dëmton të bukurën, që shkatërron jetët njerëzore. Gjithçka në art konsiston në dashurinë për jetën, madje edhe kur në rrethana të caktuara për qëllime të larta je i detyruar ta japësh atë. …Vendi im është në poezinë time, në librat e mi. Aty e ndjej veten mirë. Të tjerat janë vetëm ambicje gjallnorësh që vjen një ditë e shuhen bashkë me njeriun. Poetët që nuk janë më në jetë nuk grinden për hierarkitë letrare. Nuk kanë më luftë bërrylash, as çmime të marra me tarafe. Përtej daljes së arkeotipit nga skena, poetin e përfaqëson poezia e tij. Mirë keq, çdo gjë është kryer. Gjithçka ka kohën e vet; lindja, adoleshenca, marrëzitë e rinisë dhe dashuria çmendurake me artin, endacakëria nëpër botë, sistemimi i shpirtit në vargje e libra si testament dhe… këmbana që bie për të mbyllur kapitullin. Për një gjë duhet të mbetet i qetë e i kthjelltë çdo krijues, koha për vlerat e stisura është e pamëshirshme.

Gazeta "Tirana Observer",
e enjte

01 April 2013

SKENDER SHERIFI- PROMOVIM POETIK ME MINISTRA


SKENDER SHERIFI- PROMOVIM POETIK ME MINISTRA

Të gjitha ankimimet e Skënder Sherifit shkuan kot, u shkrinë si kripa në ujë. Nuk ja përbuzën pomovimin siç paragjykoi drithërueshem dhe anatemoi poetët shqiptarë në një intervistë në gazetën "Nacional" të djelen që shkoi për te cilet tha se : asnjë nuk ma ka lërë një gjurmë të thellë dhe definitive në sensibilitetin dhe shpirtin tim si poet.  Mirëpo ndodhi çudia për tu çuditur Brukseli e Tirana bashkë. E nderuan me superlativa aq sa nuk ja mbanin këllqet. Dhe e dini kush foli në promovim. Vetë Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë Aldo Bumçi, u pasua në foltore nga Ministri i Kulturës RS Visar Zhiti,  i treti foli dekani i Fakultetit Filologjik Shezai Roka, dhe natyrisht drejtori i Institutit Albanologjik Adrian Marashi. Mund të kenë folur edhe të tjerë por meqë mbledhsia u kthye ne një koncert balerinash si tek "Fiks fare"e zgjati shumë, si mora një kopje të librit "Silenzio" dola nëpër rrugët plot gjallëri e drita mbrëmasore tiranase. Mu fiksua mendimi se poezia më shumë qe jashtë ne rrugë se sa në sallën Black Box të Universitetit te Arteve të Tiranës ku muzika me tone maxhore të bënin të buçisnin veshët.
Thashë me vete, vallë kush gjeni poetik i botës ka pas lumturinë të flasin në promovimin e librit me vjersha të kohës së adoleshencës dy ministra dhe dy titullare në rang akademik.
Po poetët ku ishin? Të thjeshtët e të urtët poetë të cilët e urrejnë bujën e protokollet shpesh shpifanake.
Mesa duket Skënder Sherifi ka ditur të krijojë lidhje me hierarkinë e pushtetit por nuk po arrin të krijojë lidhje me poetët, ata që ndjehen të braktisur dhe jashtë vemendjes institucionale anipse krijojnë art të vertetë. E për më tepër libri "Silenzio" ishte fund e krye në gjuhën frenge dhe është e natyrshme që poetët e Tiranës ta ndjejne veten ngushtë. Përse do të flasin?! Ata janë dashnorë të zjarrtë të gjuhës shqipe. Nuk rrekën pas marrakendjeve tunduese të botës duke patur të bukuren e të emblen gjuhën shqipe këtu...

K.Traboini
4 prill 2013

SKENDER SHERIFI I “DERGON” POETET SHQIPTARE ME STAZH NE TIBET
.....por u lë shteg edhe për në  Konia  të Turqisë në ndonjë teqe dervishësh.

Skënder Sherifi, poeti shqiptar me banim në Bruksel, i cili ndodhet në Tiranë për promovimin e librit tij në frengjisht "Silenzio", të cilin do ta paraqesë më 4 prill në ora 19:00 në Akademinë e Arteve, ka dhënë një intervistë në gazetën javore "Nacional" në të cilën krahas të tjerave ka fshikulluar shkrimtarët shqiptarë duke i vënë një sërë epitetesh. Nuk duam të hyjmë në diskutimin nëse këto perifrazime negative qëndrojnë apo nuk qëndrojnë, por ky mllef është i pazakontë dhe tregon se në mes poetit Sherifi dhe poetëve shqiptarë (qoftë edhe të ashtuquajtur) mesa duket ka një hendek të madh moskuptimesh si nga pikpamja e metodave krijuese apo dhe të vlerësimit të punës së tij ( z. Sherifi). Citojmë:
"…. janë tepër të murosur, të burgosur, dhe të kufizuar brenda botës së tyre... pos që janë supër arrogant, me deliriumet e narcizismit dhe të madhështisë së supozuar të tyre, me postura teatrale, me lloqe, me gjykime e paragjykime morale, me fiksime...".
Skënder Sherifi fshikullon rreptë  e pa mëshirë krijuesit shqiptarë në fushë të letrave duke i vënë para alternatives: o të shkojnë të bëjnë stazhin në Tibet ose nëse nuk kanë këllqe deri atje, të paktën në Konja të Turqisë në ndonjë teqe dervishësh. Kështu mendon e pohon Sherifi. Në këto kushte a do të shkojnë vallë poetët shqiptarë në promovimin e librit të Skënder Sherifit i cili është botuar në frengjisht (gjuhë të cilën poetët shqiptarë mbase nuk e njohin) apo do të preferojnë të qëndrojnë në "Silenzio"-n turko-tibetiane, me mendimin se ky mllef i poetit nga Brukseli, Skënder Sherifi, është një përpjekje tjetër për alibi, për të justifikuar indiferencën dhe mungesën e interesit në paraqitjen e librit të tij me poezi të shkruara në moshën 16 apo 17 vjeçare?!
Në këtë përcjellje u përpoqa të mos shfaq një mendim timin në këtë fshikullim të poetit nga Brukseli,  por gjithsesi do t’i kisha bërë një pyetje Skënder Sherifit, sa i njeh ai poetët shqiptarë, me kë takohet, a i fton për një kafé, a krijon miqësi me ta kur vjen në Tiranë, Prishtinë a Shkup, a i fton në Bruksel,  a kërkon librat e tyre, a e ka lexuar të paktën Frederik Rreshpen, RIP,  pse jo edhe poetët që ende falë zotit i kemi gjallë e krijojnë përditë. Nëse Sherifi nuk ka interes për poezinë shqiptare si autorët shqiptarë po kanë ambicjen me e lexue Sherifin. Eshtë e vërtetë që poeti Sherifi duhet të gjejë një mjedis të ngrohtë mes poetëve shqiptarë, të vlerësohet si një zë shqiptar në perëndim, ndërsa për dëshirat deri të pa cak për të qënë në krye të elitës shqiptare të poezisë janë vetëm sforcime, në krye del poezia nëse është poezi. Brrylat dhe tarafet janë sa kohë jemi gjallë, po më pas me largimin e arkeotipit, poezia përfaqëson vetveten.
Pra le t’ia lemë kohës krijimin  e hierarkisë, a thënë ndryshe, piramidën e artit poetik të letërsisë shqipe.

Kolec Traboini
1 prill 2013

 Pasazh nga intervista e Skënder Sherifit:
….krejt të tjerët mu dukëshin herët apo vonë, pas një momenti, super të formatuar, të kufizuar, dhe gati karikatural... sikur që më dukën edhe sot në Shqipëri, me përjashtim të disa personaliteteve, sikur ka qenë dikur Jusuf  Vrioni, dhe sot miku im I ngushtë zoti Artan Fuga! Pyetja është se nga vjen tërë ky kornizim, formatim, shablonizim, karikaturim, bunkerizim i individëve...? Edukata e tyre... mbyllja ekstreme... sistemi shoqëror e politik? Por është evidente, edhe te autorët më eminent që i kemi! Të merr mali pasi që ti takojsh me e shijuar parfumin e lirisë totale të vërtetë, me ikur në një Bjeshkë dhe me u mbushur oksigjen! E vërrejë direkt që janë tepër të murosur, të burgosur, dhe të kufizuar brenda botës së tyre... pos që janë supër arrogant, me deliriumet e narcizismit dhe të madhështisë së supozuar të tyre, me postura teatrale, me lloqe, me gjykime e paragjykime morale, me fiksime, diçka e pa besueshme, që të rëndon në dialogë dhe të plumbosë çdo gjë pikë së koti. Ndoshta me i dërguar në ndonjë stazh në Tibet ose në disa Teqe dervishës në Konja të Turqisë, e kapin pakë botën me një vizion më të lirë dhe më humanist, e pastrojnë pak a shumë qenien dhe shpirtin e tyre, nga të gjitha këto helme dhe toksina të pa nevojshme, dhe super të dëmbshme për krejt neve si shqiptar.
Interesant, pra unë në jetën time nuk e kam ditur se çka është inati ndaj tjetrit, nuk kam xelozuar askënd, nuk kam gjykuar askënd... Vetëm kam mujtë me thanë: ky person, ose ky artist më ka prekur mua personalisht në shpirt, dhe ma ka lërë një gjurmë me veprën e tij, apo jo... pikë! Dhe e kam shpjeguar sepse me argumente personale!
Dhe siç e afirmova disa autor shqiptar më kanë interesuar, dhe i kam lexuar me dëshirë dhe kuriozitet. Nganjëherë, më kanë prekur siperfaqësisht në një moment të caktuar... porse asnjë nuk ma ka lërë një gjurmë të thellë dhe definitive në sensibilitetin dhe shpirtin tim si poet... sikurse më kanë lërë gjurma të fuqishme disa autor, filozofë kineastë, muzikant, piktor e skulptor botëror. Pra ky është realiteti im subjektiv, siç e kam përjetuar unë vetë si njeri dhe si shkrimtar, pikë! Porse në të njejtën kohë, unë i respektoj artistat dhe krijuesit shqiptar për kontributin e tyre në historinë e artit dhe kulturës kombëtare, nuk i mohoj, as nuk i denigroj fare, e kanë vendin e tyre që duhet respektuar në familjen tonë dhe brenda kufijve tonë. Porse unë kam dalur prej lindjes jashtë familjeve, dhe kam përqafuar botën dhe kozmosin me kohë, dhe kam kritere dhe vizione krejt të tjera. Unë e kam një pozicionim të thjesht, logjikë, dhe të argumentuar, të lirë dhe pa inate të dëmshme ndaj askujt. I kam përjetuar, konceptuar, dhe praktikuar gjërat ndryshej, dhe pikë! Kështu që dëtyrimisht dalloj nga krejt të tjerët, çka është normale dhe bile banale. Kurse tani për të folur në lidhje me qendrimin e botës intelektuale e artistike shqiptare në Tiranë, ndaj meje: ka disa çudira e absurditete gati komike... Globalisht frankofonet e kryeqytetit, pedagogët e katedrës së frëngjishtës nuk më vinë fare në promovime të veprave të mia, edhe pse unë i thirri sistematikisht si dëtyrim moral ndaj tyre ?
As nuk më ftojnë kurrë... as që më propozojnë diçka si tip intervenimi ekstra në fakultet me studentat e tyre ? Pse ? A ju duket juve ky qendrim normal ? Pra ka diçka për mua patologjike në këtë qendrim debil e totalisht ilogjik. Pastaj bota krijuese shqiptare, do të thotë shkrimtarët, poetet, romancieret shqiptar që krijojnë në gjuhën shqipe, thuaja as ata nuk më vinë realisht në promovime, edhe pse i thirri shumicën prej tyre çdo vitë. Bile ma patë tërhequr vëmendjen mbi këtë realitet tragji-komik miku im Artan Fuga, duke më thanë: « por pse nuk të vinë... a i ke thirrur apo jo ? » pastaj i thoja: « po miku im, i kam thirrur, porse nuk kanë dëshirë për të ardhur ? është problemi i tyre! Nëse është nevoja, mund t’ua këshillojmë, dhe ofrojmë gratis, edhe nondi psikologë, ose nondi hoxhë, ose priftë, për t’ua përpunuar pak shpirtin e tyre! «Por e marrë atë punë me lehtësi dhe me humor, duke ju thanë : faleminderit për interesimin aq fisnik të juajnë ndaj veprës ime ; dhe po formuloj një lutje, që ishalla ju falë, dhe ju përmirëson zoti, aq sa është e mundur, se po më dhimbi jashtë mase! » Por mua në realitet më intereson Rinia si publik prioritar, pra gjeneratat e sodit, dhe aq më tepër ato që do vine, deri kah vitet 2050...Atyre dhe natyrisht mbarë kombit, ua kam destinuar AMANETIN tim letrar dhe shpirtëror si shqiptar universal e kosmopolit, si atdhetar, dhe si Poet! Nuk ka shumë rëndësi sinqerisht, se çka mendon nomenklatura ose establishmenti artistiko-letrar zyrtar i Shqipërisë, apo i Kosovës për mua. Mua m’intereson rinia e sodit edhe ajo e ardhshme, pikë. Nuk jam pjesë e atyre autorëve artificialisht të fryrë, të reklamuar, dhe të mbivlerësuar me mbështetjet e kanaleve shtetërore, institucionale, me ministritë, lidhjet, fondacionet, klanet, rrjetat e interesave reciproke, cirkuset komiko absurde të çmimeve... nuk është fareterreni im! Siç më thoshte Rugova, me siguri koha e ime do vinë mes vitëve 2030-2050, e jo tani!
Pastaj dikur patjetër me kritere super profesionale dhe të pa diskutueshme, do ti kapin gjeneratat e reja të asaj kohe që do vinë, të formuar nëpër Sorbonë, Oxford, Cambridge e universitete tjera të famshme, me doktorata në letërsi moderne, në kritikën bashkëkohore, dhe me provojen e tyre të pasur në Metropolat e mëdha ku luhet kultura botërore... vjen si diçka evidente e natyrale, një rishikim dhe rivlerësim riguroz, dhe shkëncor mbi baza dhe kritere serioze, çdo veprimtari artistike... dhe pastaj shifem shumë qartë, vlerat, dhe çka do ngelët në kujtesën historike letrare, kinematografike, pikturale, etj... Në një moment herët apo vonë, do të dominon e vërteta reale e objektive mbi vlerat, dhe jo mashtrimet, manipulimet, uzurpimet, dhe lloqet e ndryshme që dikur nuk do pinë më ujë askund. Porse tani nuk jemi ende në atë shkallë, as nivel, fatkeqësisht për neve! Kosova e viteve 76-80 e ka pasur nivelin mjaft korekt dhe interesant në art e kulture, dhe shumë më të zhvilluar dhe modern se Shqipëria, sidmos në poezi dhe teatër, pikture dhe sculpture, dhe kritika ishte në nivel nëper gazeta dhe revista të specializuara. Si Rilindja, si Fjala, etj... është e vetmja period ku kam pasur komente interesante mbi veprën time, bile një tentative shpjegimi dhe dekodimi, me një analyze interpretative personale të kritikit, me vend apo pa vend, por me argumentet e ti... Kurse prej vitit 80 dhe deri sot pra 33 vite, nuk e ke një kosovar që ka thanë diçka interesante mbi veprën time. Mund të them gati njësoj edhe për Shqipërinë, ku pos disa komenteve interesante, por tepër gjenerale e globale, të Artan Fugës, Edmond Tupjes, dikur në fillimet e vitëve 90, Moikom Zeqos, Jusuf Vrionit... jam present që 23 vite në Tiranë, me një vepër që ende për mua, ngelet në vitin 2013, e pa deshifruar, dekoduar, analizuar, interpretuar, studiuar, skanuar nga të ashtu quajturt specialista, kritikë, analista, doktora të letërsisë moderne, etj... Pra kam pasur dëshirë me mësuar diçka origjinale nga një studiues serioz shqiptar mbi veprën time... Nganjë here e pyes vetën : a e kanë lexuar me koncentrim maksimal, dhe a e kanë kuptuar sensin e saj? Nuk jam fare i sigurt.

Fragment nga  “Nacional”  nr. 192, 31 mars - 7 prill 2013

_________________________________

 SKENDER SHERIFI
FEMRA E ËNDRRAVE TË MIA
Kushtuar Simone de Beauvoir,
dhe Fatima Ben Bazar
Femra e ëndrrave te mia,
Ndryshon si moti në muajin prill,
Ka te gjitha pamjet e mundshme,
Vishet me mijëra ngjyra gjithë trill,
Gabimet e saj janë si bastet e Nohës,
Hartohen me kalimin e kohës!
E lehtë si një mace bardhoshe,
E egër si një tigër laraman me push
Më popullon vetëdijen aq ëmbël,
Agimeve të diellosura gjer në muzg.
Nimfë sensuale në muzën e një parajse,
Në çdo çast fluore, me forma të tjetërsuese,
E zgjedhon foljen “ të dua “ në trajta të skajme,
Kohëve të mendimit, me kërcime tutje.
E lirë si një zogushe, fluturimit të pacak,
E dehur në ajër mali dhe ujë burimi,
Qesh deri në vdekje e s’ndalet aspak,
Dhe loton pas puthjes nga gëzimi!
Kjo femër pa emër krakon në kokën time,
Si një sfinks magjepsës e gjigand egjiptian,
Mistike si një kujtesë inkase dhe acteke,
Perandorisë blu të qiellit të bukur mbi oqean,
Gjer në vdekje e dua këtë femër,
Këtë krijesë mistike si yll në zhdukje,
Bëhet për mua e pakapshme, e ethur,
Sikurse në kohën e Dukës se Germantes,
Dhe idealistët në të gjashtëmbëdhjetin shekull.
Janar 1975, në një metro të Brukselit

KAM ZJARR PËR TË JETUAR
Kushtuar: James Dean
Kam të papërballueshmin zjarr për jete në shpërthim,
Një plagë me dhimbje të kuqe që kërkon liri e shërim!
Përjetësisht i çmendur në një dashuri pa fund e pa skaj,
Digjem nga miliona flakë në klithmat e një bebe të pafaj.
Pa lindur akoma, si një filiz mes lulesh plot shkëlqim,
Nuk mundem të vdes pa krijuar ëndërr në amshim!
Sizif i panjohur në misterin fat-krisur plot mallëngjim,
Promete i zjarrit të dhuruar në mallkimin divin.
Rrëmbyer nga dallgët e çmendura të idilit në tërbim,
Përmbytem e notoj, ngrihem mes dallgëve në rebelim!
Udhëtoj, Odise në dete pafund dhe në kontinente vlere,
Shpirti im bëhet i lehtë e sublim, fluturimit nëpër etere.
Janar 1972, në një Park të Brukselit