Kur poezia shkelet me këmbë si lulet / Traboini

KOLEC TRABOINI

KUR POEZIA SHKELET ME KEMBE SI LULET



Të paktën një ditë në vit Mediat duhej të flisnin për poezinë pikerisht me 21 mars të çdo viti që është dita e saj ndërkombëtarish e njohur. E kam fjalën për poezinë e vertetë e jo surogatot pa shije që të kujtojnë bejtexhijtë e shekullit të 18 a më përtej. Ta zëmë si ndodh që në librari nuk i pranojnë librat me poezi. E akoma më tej si ndodh që poezia nuk shitet. E megjithatë e kërkoj Sadri Ahmetin nëpër librari e nuk e gjej. Kërkoj Frederik  Rreshpën e nuk e gjej. Viktor Qurku askund. E rri e mendoj pse...e po vetes i përgjigjem:
Nuk i blejnë poetët as të "mëdhej" e as të "vegjël" qofshin,  me shkakun se ka një lukuni vargjeshkruesish të cilët mendojnë e se mund të shkruajnë poezi pa lexuar asnjë rrjesht.
Sikur vetëm këta që bëhen ndoshta 5 mije vetë në Shqiperi e Diasporë të blenin një libër të një autori serioz, poezia nuk do të binte në tokë e nuk do të shitej nga bukinistët në trotuarët a bordurët e parkut “Rinia”. Këta soj shkruesish që duhej të ishin kontigjenti i parë blerësish nuk duan tia dinë fare se poezia nuk të vjen në prëhër ashtu kot, se poezia është një kërkim e mundim e për më tepër përjetim emocional e jo indiferencë për çfarë ndodh rreth teje. Por ata e kanë zgjidhur rrugën, shkruajnë pa fund, e gjithshfarë soj naivitetesh pa kripë edhe duke e ditur se në të vertetë janë të destinuar të harrohen, botojnë pa ju dridhur qërpiku se ka edhe plot botues që miklohen prej parave të shkarrashkruesve. Duhet thënë se kjo kategori kanë mendimin  se me para bëhësh gjithçka në Shqipëri. Këta soj i kanë gjetur lidhjet me Televizionet madje depërtojnë edhe tek  TV Publik, bëjnë  zhurmë mediatike , darovisin ndonjë pseudokritik teveqel  për ti laskandruar në gazeta. Këta harrojnë apo bëjnë sikur harrojnë që kushdo që ka pasion poezinë para se të shkrujë duhet të lexojë, duhet të kuptojë e shkallë shkallë të nis të ndjej se pa përjetim emocional nuk mund të krijosh asgjë me vlerë. Eshtë si puna e polenit apo dhe aromës së luleve....kur themi lule pa aromë pësojmë një ndjesi thatësire e boshëllëku.
Nuk i duam ato lule sado të bukura në ngjyrë qofshin dhe i konsiderojmë thjeshtë si lule për varreza. Dhe tjetra, kur flitet për poezinë duhet folur me fjalë të thjeshta, ai që është i madh në poezi është mendimi, ndjenja, dhe figuracioni...e jo bubullima e fjalëve që rrëzohen si gjethe në vjeshtë.
  Për poezinë mund të flitet shumë e pafund se problemet e krijmtarisë janë të mëdha në këtë vënd ku arti shihet si handikap social, por lakonizmi duhet të jetë jo vetëm një mënyrë shprehje kur shkruhet poezia, por edhe kur flitet për të, që ajo të mos u thojë pseudokritikëve e recensuesve me pagesë – ej, ku shkoni aq larg, më lodhët, unë nuk jam ajo për të cilën shkruani me aq emfazë, nuk jam tollumbace me ngjyra, që të më fluturojë  era në qiej, jam e thjeshtë si lulja e parë që del në pranverë e që mjerish shumë kush më shkel me këmbë pa dhimbje.