25 December 2013

Krishti është dashuri - reflektim nga K.Traboini

Skulpturë e Mikelangjelos në Kishën e Shën Pjetrit në Vatikan.


KRISHTI ËSHTË DASHURI
- reflektim -

Bisedë me një mike që është më pranë engjëjve të qiellit se sa unë mëkatari i dashurisë tokësore, që ndjek më së shumti atë udhë të Hyjit që quhet revolta hyjnore e Jesu Krishtit ndaj sarafëve dhe mashtruesve në tempuj.

Nga Kolec TRABOINI

Fjala besim është shumëplanëshe. Nuk ka vetëm kuptimin e bindjes së verbër. Nuk ka vetëm kuptimin e mosvënies në dyshim të koncepteve që kemi trashëguar brez pas brezi, por ka edhe kuptimin e humbjes së baraspeshës të emocionit e mendimit brenda vetes, ku ti nuk flet me priftin, por flet në një intimitet të thellë me Atë që në çdo hall e nevojë i drejtohemi me fjalën, "O Zot!". E kam lexuar Biblën me mendje të kthjellët. Atje veç mësimit të besimit e përkushtimit, ka edhe katrahurën njerëzore, dënimet që Zoti, para se të trupëzohej e shfaqej si Krisht, i jepte njerëzimit sepse ai , njerëzimi, kish shkuar tepër larg e në tjetër shteg e jo në atë që krijuesi kish parathënë, ndaj më duket mbrapshti tinëzare kur për çdo marrëzi e ligësi që bëjnë njerëzit të themi "Kështu desh Zoti." Jo ashtu nuk desh Zoti i vërtetë, por zoti i rremë, vetë njeriu, sepse Zoti i vërtetë, sipas asaj që kam lexuar e kuptuar, ka hequr dorë prej njeriut me shkakun se mori udhë për skajore që nga momenti i ngjizjes. Sepse Zoti e ka krijuar njeriun për ta bërë botën të bukur brenda dhe jashtë tij! E ne që tashmë e lexojmë historinë ungjillore të botës, e dimë se ndër dy pinjollët e parë që lindën në këtë dhè, Abeli dhe Kaini, ndodhi një vëllavrasje. I dyti e vrau të parin pa dhembje e pa mëshirë. Pas mëkatit të prindërve Adam dhe Evë, ndodhi krimi i parë i botës që do të për-shumohej me një vras-ti marramendëse deri në ditët e vona. Ndaj për t'a ndaluar rrjedhën e gjakut u shfaq Krishti, fryma e Zotit e mishëruar në trajtë njeriu, se ndoshta kështu do t'a bindejndërronte udhën që kish marrë drejt greminave të shpirtit. U shfaq për t'a shpëtuar njerëzimin. Por ndodhi ajo çfarë nuk mund të mendohej. Njeriu kish shkuar aq larg në shtigjet e errtë të së mbrapshtës sa ishte gati të vriste vetë Krijuesin brenda trupëzimit si Krisht. Dhe e vrau tupin, por në të vërtetë njerëzimi bëri vetëvrasjen më të madhe në tërë historinë e ekzistencës së vet, mëkat që nuk është shlyer kurrë , ndaj dhe të gjithë qeniet njerëzore konsiderohen si pjesëz e botës mëkatare. E kështu na quajnë, madje edhe ne vetë, vetëquhemi mëkatarë. Që nga momenti që u shfaq në tokën e Izraelit, Krishti është Zot për ne katolikët, tek ai sendërtohet gjithçka, me atë ne e perceptojmë jetën në cikle të ripërtërira në breza të pafundmë. Misioni ynë ndaj tij është para se devocioni, ripërtëritja, çfarë nënkuptoj se popujt janë grigja e Krishtit, pasuria e vetme e tij si Zot, sepse çdo gjë tjetër e gjithësisë që shkon në skaje të pa matshme e të pafundme, është veç gur, zjarr e shtjella gazi e yjesh, vrima të zeza thithëse të gjithësisë që përpijnë e shuajnë planetë. Misioni i çdo ardhësi në këtë botë është devocioni e ripërtëritja, të cilat mishërohen në atë që quhet dashuri. Çdo lloj dashurie së pari lind të Krishti, tek dashuria e sakrifica e tij për njerëzit, e pastaj kjo dashuri e madhe e zemrës së tij shumohet në miliona njerëz që përfytyrohen si një pishtar që kurrë nuk duhet shuar. Këtë pishtar e mban gjallë dashuria. Ajo që vret është urrejtja, smira, ligësia, pasioni i egër për karrierë, egoja për lavdi tokësore. Ajo çfarë në pamje te par; ndodh në jetën e përditshme e marrëdhëniet njerëzore, dashuria, martesa, lindja, është vetëm një shkak për të mbajtur ndezur pishtarin e Zotit në tokë. Ndaj gjithnjë kam thënë e them se Krishti është dashuri. Ndjej ta dua Krishtin shumë e shumë më tepër se ekipet e kuadruara e të veshur bukur të klerikëve, të cilët vërtetë përkushtohen, por më së shumti këtë e bëjnë për interesa vetjake profesionale apo sepse janë me profesionin klerik dhe është një lloj përkushtimi i kushtëzuar. Mbetëm me mendimin se Krishti është dashuri, e kurrsesi allçi, parafinë, statuja të rëndomta nga artistë gjysmakë nëpër hije e skuta monastiresh, të cilat të largojnë aq shumë nga e vërteta hyjnore, trupëzojnë hyjni në objekte materiale e fare pak e shpirtëzojnë atë tek qeniet njerëzore, mesa duket shpesh e harrojnë se Krishti është pjesë e jetës dhe jo e vdekjes. Kalvari dhe vdekja në kryq nuk shënon largimin e Zotit nga njeriu, braktisjen e tij, por shënon katarsisin, mësimin nga mëkati, çfarë do të thotë se që nga shfaqja e Krishtit e përkëtej, Zoti më shumë ka hyrë tek njeriu. Përjashto këtu shfaqjet e rrema, kur njeriut i duket vetja si zot, vendos pushtetin e tij të egër mbi të tjerët, kur në të vërtetë ai është një Luciferr a Kryedreq. Sa më përket mua mund të them se, i përqasem asaj pjese të grigjës që ndjek me dëshirë e vullnet e pa ndikimin e askujt udhën e Hyjit, në aspektin që quhet revolta hyjnore e Jesu Krishtit ndaj sarafëve dhe mashtruesve në tempuj. Të jesh në paqe e harmoni me veten dhe hyjninë, nënkuptoj të shfaqësh bukurinë njerëzore të shpirtit e cilësive të larta të mirësisë e dashurisë, sepse për këtë destinë në eterniti e ka krijuar Zoti njeriut.
Krishti është dashuri! Dashuri dhe dritë! Amen!

21 December 2013

KERTHIZA APO JATAGANI - nga Kolec Traboini


KERTHIZA APO JATAGANI

Kujdes! Që në themele të mos hyjë baltë Kaurri...
KAMBER II-të, Vargje Osmanike


Nga Kolec TRABOINI

1. Themeluesi

       Duke parë zellin e madh, me të cilin po rimëkëmbet tërë historia, si dhe dalja e mjaft figurave të shuara e të harruara edhe ne po përpiqemi të sjellim një ndihmesë, në mbështetje të studimit të letërshkruesit Skënder Jasa, botuar në «K.J.» datë11.05.1994, mbi origjinën e Tiranës, rrënjët e saj historike që u lidhkan me bollëk dhe me fije të pazgjidheshme me trungun e perandorisë osmane dhe asnjë fije me Marin Barletin, jetëshkruesin e Gjergj Kastriotit, heroit të Shqiptarëve, që u vuri turqëve shtegun tek thana. E pra ky Barlet (Ah, të mos ishte prift!), e përmend i pari, në historinë e letërsinë e shkruar të Shqipërisë, emrin e Tiranës. Aferim e paç ymër të gjatë Skënder Efendi (Jasa), se kështu ti na e nderon vatanin. Për të mbeshtetur, që të mos çahet kazani në sy të botës, po të sjellim studimin tonë mbi të paharruarin themelues, të ndriturin Sulejman Pashë Kurrkushi, që me izën e vetë Sulltan Salepit të 13, hodhi themelet e një qyteti perandorak në zemër të Europës, për inat të kaurrve të gjithë botës.

2. Me kallam e me ferman

      Deri në çastin që marrim kallamin për të shkruar për vulehumburin Sulejman Pashë Kurrkushi, për Sulën pra, kurrkush nuk mori mundimin të hedhë një bishtuk dritë mbi këtë rrepirë të historisë sonë. Këto male (edhe kodra) e rritën Sulën me qumështin e zanave, më pas ai i mbështetur në traditën popullore, shumë sisë kishte për të pirë, por mbi të gjitha atij do ti pëlqente sisa e turkeshës Aishe... Por të mos ngutemi, të tatëpjetat e historisë janë të mundimëshme, prandaj i duhet rënë anës e pas anës. Termat e historiografisë së kalur ? Historinë e bën populli." apo të sotmit, “Historinë e bëjnë historianët”, nuk i marrin në konsideratë, po nisemi në bazë të parimit principial “ Historinë e kanë herë e do ta bejnë Sulejmanët”, Sulejmanët që nxorrën emrin e adashit të tyre nga greminat e historisë dhe e vunë, faqe me nder, në një shesh në ballë të Tiranës (diku pranë gropës së Hajdin Sejdisë). Kështu historianët vunë në vend nderin e vet dhe një ditë nëntori me shi të vitit 93, shpëtuan dhe të ziun Sulejman nga 300 vjet vetmi.

3. Kërkime në qorrsokak

    Heroi ynë Sulejmani në figuracionin popullor njihet me shprehjen poetike “Mu tek pusi i Sulejmanit”. Pra del se ka pasur pronë të tij të trashegueshme, për të cilat sot i takon të marrë letër me vlerë. Por, as pse ja vunë pusit emrin e tij, as hollësi të tjera biografike nuk dihen. As emri i babait, i nënës , as gjyshe, e sa për motër e vëlla nuk bëhet fjalë. Mirëpo, pikërisht në hapësirën që quhej Tiranë, diku pranë Saukut, gjendej dhe një kodër e vjetër që quhej Kodra e Kopilit. Duhet menduar, duhet hulumtuar, se, a kishte fare lidhje Kodra e Kopilit me Pusin e Sulejmanit. Sepse Sulës së shkretë, duke mos iu gjetur kurrkush afër si sfond historik, i mbeti veç onomati pashë, dhe me këtë emër në kurriz ngjiti të përpjetat e historisë plot lavdi.

4. Hani me dy porta

         Të dhënat e padhëna thonë se Sula, para se të bëhej pashë, ishte një zabit azgan, dy metër i gjatë, e shkonte e vinte me araba pas atyre që mernin taksë e vergji për Sulltanin. Bëri punë të ndershme, mblodhi lira e mezhida me bollëk, mblodhi dhe djem për t’i çuar në Arabistan si jeniçer të Sulltanit. Kush s’e dëgjoi Sulën shkoi në degë të rrapit, kush e dëgjoi la kockat në Jemen. Zgjidh e merr!
      Sulejmani bëri përpara deri në Oborr dhe një ditë u gdhi pasha. I vuri punët mbarë, mblodhi ushtri të madhe në Petrelë dhe me force zboi gjithë fshatarët nga Fush e Tiranës.     Ngriti fushimin ushtarak dhe aty ku sot është shatrivani i Tiranës, vendosi shtatoren e vet. Dy fjalë tha Sulejman Pasha, para asqerëve të vet:
      1. Këtu do të ngre një Han.
      2. Ky Han do të hyje në histori me emrin Hani i Sulejmanit.
     Mori izën nga Sulltani, i cili bashkë me fermanin i çoi dhe dhjetë turkesha të ëmbla, të cilat ishin çengijet më të bukura të perandorisë, e që Sula i sistemoi në Hanin e vet me dy porta.

5. Sulejmani dhe divani

        Gjatë hulumtimeve në arkivat e oborrit perandorak ku gjenden spiunimet e Taksirat Qelepirxhiut, del ne pah fakti se, e para femër që u fut ne dhomën e posaçme të Sulës, në mes së cilës ishte vendosur një nargjyle dhe një divan, ishte Aishe Hanemi, turkeshe e ëmbël, kumbull fare, e cila pasi i tërboi tërë oficerët e gardës, u bë shkak të thereshin me bajoneta dhe eunukët që ruanin haremin e Sulltanit; ky i fundit megjithëse me dhimbje, e hoqi qafe, duke ia bërë peshqesh shërbëtorit besnik Sulejman Pashë Kurrkushit, që po hidhte themelet e një qyteti të ri perandorak në perëndim dhe kishte nevojë për femra pjellore. Kështu e keqja apo e mira (këtë historianët nuk e spjegojnë) mbeti në derën e Sulejmanit, i cili ra në një dashuri magjike pas tuleve të Aishesë. U ndez, u përvëlua, u shkretua. Historia botërore dhe vetë arti klasik njohin çiftëzime ideale, që nuk ndahen as në shtëpi, as në varr e as në histori. Qëllimi i studimit është që, duke zbuluar vlerat e kësaj dashurie dramatike, të bëhet e mundur që edhe emri i Aishesë të përjetësohet në historinë e Shqiperisë dhe një rruge, që del tek Sheshi i Sulejmanit, t’i vihet emri i saj. Kështu që, ashtu siç ishin bashkë në han e në divan, të jenë përjetësisht edhe në memorien e banorëve të kryeqytetit të arnautëve. Nga ana tjetër, do të bëhet e njohur në rrethet intelektuale, brenda e jashtë vendit, se ashtu si Eva e Adami u bënë krijues të njeriut, Aishja e Sulejmani u bënë krijues të një kryeqyteti.Nga pikpamja estetike dhe emocionale, krahas Evës e Adamit mitologjik, të Romeos e Zhuljetës romantike do të kemi dhe çiftëzimin e ri Sulejman e Aishe shqiptaro-osmanike.

6. Lavdia dhe krevati

     Në fushë të historiografise dy çeshtje mbeten akoma pa u zgjidhur. E para, pse Sula e fsheh emrin e Aishesë, mos vallë për të mos ndarë peshën për krijimin e një qyteti, megjithëse ajo e shkretë e ndjente pothuaj çdo natë peshën e tij sa i thyheshin kockat. Merre me, mend, kur kënga popullore e Zall Bastarit thotë: “180 kile burrë, nga mendja s' u poqe kurrë”. Çeshtja e dytë specifike është karakteri i Sulës, si i trajtonte ai gratë e haremit, në mënyrë humane( këtu ata të Albanian Human Rights bëjnë shumë kujdes) d.m.th. nga cili parim nisej, nga ai socialist, mbani rradhë se ka për të gjithë, apo ai kapitalist, ujku i fortë çan gjithë kopenë. Kurrfarë konkluzioni historik nuk mund të definohet pa zgjidhur këtë enigmë të historisë.

7. Sula në bronx - Aishja në vargje

      Kështu sheshit emri ju vu e historia u rishkrua. Por ideja e një skulptori të çmendur që bustin e Sulës derdhur në bronx ta vinin në mes të sheshit, u kundërshtua rreptë nga zyrtarët. Jo e madhe për zgjidhje kompozicionale,- Sula i derdhur në bronx në mes të sheshit, rri në kanape e thith nargjylen me vështrin të humbur diku... Ç 'janë këta heroj të pergjumur?! Kështu në mënyrë të vetvetishme u poq mendimi që përpara tij duhet vendosur busti i Aishesë në një vallëzim çengijesh. Kështu veshtrimi i Sulës do të ishte i motivuar, i menduar...
Ah, moj Aishe, sa e bukur je, apo diçka tjetër.
U shkruan edhe vargjet që do t’i viheshin si diçiturë çiftëzimit skulptural.
      Sulejman o xhan, o Sulejman
      Aishe me ferexhe, o Aishe
      E shkritë jetën që të dy në divan,
Mor, aman.
      Tek mendonit e punonit për Atdhe.
      Bërthama e kësaj filosofie erotike, që duke bërë dashuri ne i shërbejmë Atdheut, u duk si një zgjidhje racionale dhe për këtë ra dakort dhe presidenca.

8. Kërthiza dhe politika

        Në  këtë konkluzion arriti ekipi i lartë studimor ku përfshiheshin historianë, funksionarë, poetë dhe bashkfshatarë të Sules, të cilët sugjeruan që Aishja të realizohej lakuriq nga kërthiza e sipër për të qenë shprehëse e epokës bashkëohore që po tejkalojmë... Por, kërthiza e Aishesë, ashtu siç u bë objekt sherri në haremin e sulltanit, shumë shpejt u bë si leshtë e Arianës, mollë sherri e dardhë grindjesh në opinionin publik, që shkallë- shkallë do të përhapej si epidemi e Kërthizës (shtypi thotë e Krizës). Grindje në rrugë, në shtëpitë, në shkollat, në ndërmarrjet që s'punojnë, në zyra politikanësh që merren me llogje, në zyra financierësh të korruptur, nënpunës që marrin rushfet, në kokat boshe të diplomatëve, apo të deputetëve, të cilëve iu shkon goja lëng nëpër seanca parlamentare kur kujtojnë kërthizën e ëmbël të turkesheës. E ka qarë në vargje edhe Dritëroi turkeshën. Pozita e Opozita janë në një nga betejat me të ashpra. Në qoftë se për probleme sociale a komunale mund të bien dakort, kur vjen puna tek kërthiza nuk lëshojnë pe, ngulin këmbë si mushka, madje duke kërcënuar me zgjedhje të reja. Njera palë, që Aishja të jetë lakuriq nga kërthiza e lart, tjetra - nga kërthiza e poshtë. Ndërkohë Sulejman Pash Kurrkushi nuk është dakort me asnjerën palë. Ai e do Aishenë, si nga kërthiza e lart ashtu edhe nga kërthiza e poshtë, krejt të zhveshur. Eshtë shumë modern në këtë anë Sula. Seksi është bota! Por kush ia var teneqenë atij. Ia mbyllën gojën shumë shpejt, duke i kujtuar se i dhanë më tepër se i takon, madje në kundershtim me ligjin për moskthimin e tokave...e kun e mes të Tiranës. Prandaj pa ç’pa Sula i shkretë, ngrysi vetullat e ra në mendime duke thithur nargjylen e tij. Ndërkohe mendonte: “Të mos ish kërthiza e ëmbël Aishes edhe emri im do të ishte shkuar e harruar!...” Për këtë u bind më tepër kur dëgjoi ca të rinj që lanë takim tek lokali i ri "Dea" por i thanë njeri tjetrit” Takohemi tek Kërthiza e Aishes”

9. Lavdi me panik nën sqetull

    Kështu, ndërsa Sulejman Pash Kurrkushit po i kthenin krahët, peërdryshe, siç thanë gazetat, lavdia e Aishes ngjitet lart e më lart duke zënë faqet e para të gazetave me seks e pa seks që kanë pushtuar sot Sheshin e Sulejmanit. Madje në një mbledhje të redaksisë së gazetës “Eros”, botuesi i kishte thënë me zë të lartë kryeredaktorit: “Fotografinë lakuriq në faqen në faqen e parë me titull, “Aishe, seks -bombë!”
    Te gjitha këto copëza biografike të Aishesë na pelqejnë ne burrave (pula e tjetrit) , mirëpo ca lajme të fundit në Urën e Lanës po na trondisin. Një tubim grash e vajzash, që përfundoi në një grevë urie, doli me kërkesën “E duam Sulën të zhveshur”, “Duam seks si gjithë Europa”, e vuri opinionin gazetaresk në dilemë, ndeërsa Sulejman Pashë Kurrkushit i futi tmerr e frikë, sepse ec e mos u zhvish kur të urdhërojnë gratë. Dridhet Sula i shkretë e u thotë historianëve: “Ç’më bëtë! Ç’më bëtë! E çfarë me duhet mua lavdia bythjashtë në sy të botës?” Aq më keq kur në një buzëmbrëmje dëgjoi dy veta, veteranë të luftrave mesa dukej, qq i thonin njeri-tjetrit: “Kjo ndodh kur historia shkruhet me b...” ndërsa akoma më tej, një burrë që po hante akullore evropiane, ia ktheu të dyve: “Mos me çani... Sulën!”. Çfarë donte të thonte ai me atë fjalë? Ndërsa në mes të bulevardit, dy gra po flisin për një të tretë, që nxitonte e pispillosur: “Shkon me i ba fresk Aishes!”

10. Enigma e madhe

Çështjet "Kush ia vuri?", "Si ia vunë?" e "Pse ia vunë?", mendojmë se janë të kapercyera e nuk përbëjnë më interes historik. Përpara historianëve të vjetër e të rinj, -kopetentë e ipotente. Mbeten të shqyrtohen dy çeshtje, e para, Aishet apo Sulat e bëjnë historinë (Kërthiza apo Jatagani?) dhe e dyta(këtu ka shumë dilema historike), a është Kërthiza e Aishesë Qendra e Botës?! Ziejnë debatet, shkruajnë gazetat, grinden deputetët, por kurkush nuk merr mundimin të pyesë të zotin e punës, Sulën e shkretë, i cili  rri si qyqar i menduar tek sheshi, pranë Gropës së Ajdinit, thith nargjylen me vështrimin thellë në kërthizë! Por një zë i brendshëm vigjëlues i thotë: “Sulë, shtërngo ushkuret! Lavdia është Sidë!”.
      Parashtresa është vetëm një pjesë e biografisë së Sulejman Pash Kurrkushit, sepse bëmat e Sulës janë aq të mëdha e aq të ndrituara, sa duhen dhe kapituj të tjerë, të cilat autori nuk do t’i lerë të humbasin nëpër skërkat e rrëpirat e historisë, por herë me bishtuk e herë me qiri, do t’i ndrisë, do t'i përshkruaj, e do t'i nxjerrë në dritë të diellit, faqe ( me nder) gjithë botës.

Nga libri ironik "Rapsodi ushtore", Athinë 1995 


NEXT ------> AVENTURA EROTIKE E GISHTO PERRALLES:
http://traboini1.blogspot.com/2013/12/aventura-erotike-e-gishto-perralles.html

19 December 2013

Meditim i Prof. Artan Fugës tek Ura e Lanës

MEDITIM I  PROFESOR ARTAN FUGËS TEK URA E LANËS

 Nga Kolec TRABOINI

Nuk e di në çfarë e pengon antarin e Akademisë së Shkencave Profesorin  Artan Fuga parulla tek Ura e Lanës kundër Konferencës së Londrës 1913 e cila përçon idenë ti jepen fund padrejtësive ndaj popullit shqiptar, parullë që profesori e citon me mospelqim në opinionin e tij të  fundit me titull “Po, në Shqipëri, ka pjesë të opinionit publik që janë skeptike ose kritike ndaj Bashkimit Europian.”
Desha te pyes, kjo palokonference e Londres a ka qënë një padrejtësi e një realitet apo një trill imagjinativ i shqiptarëve “nacionalistë”?!  Dhe nëse hyjmë në Europë, e nuk do të na lënë në prehër të Orjentit siç po duket,  mos vallë do të hyjmë si servant të politikave të vjetra? Jo besoj. Për më tej:
Përderisa Kosova u shpall e pavarur do të thotë se në ndërgjegjen e europianëve diçka ka reflektuar. Ndërkohë po i kujtoj akademik profesorit  se unë jam që ajo parullë edhe më tej të qëndrojë sepse nëse Fugës nuk i ka mbetur asgjë jashtë kufirit mizor të vitit 1913 (nuk ja di prejardhjen profesorit), të paktën mua ashtu si çamëve që e kanë vënë atë parullë tek Ura e Lanës dhe ju lumtë për këtë,   edhe mua më kanë mbetur bashkë me mbiemrin e fshat-malit  edhe tërë kockat e gjysh stërgjyshërve të paktën qe 500 vjet.  A mos mendon profesor Fuga se duke hyrë në Europë duhet t’i harroj te parët e mi e të kthehem në një  aliazh europian pa indentitet e pa troje. Po unë personalisht kam hyrë në Amerikë dhe askush nuk më ka vënë klauzolen të harroj të parët e mi për t’u bërë shtetas  amerikan. Nuk prisja një analizë kaq të përciptë nga një njeri i ditur. Pa dashur të citoj rastin në fjalë do të thosha se asnjë shtet normal nuk i dërgon profesorat në Akademi ku paguhen goxha mirë me paratë e popullit, për të shprishur kombet e veta.
Poshtë Konferenca e Londrës 1913!

19 dhjetor 2013

NEXT ----------> Në kujtimet e një artisti - Kolec Traboini nga Teuta Taramani
http://traboini1.blogspot.com/2013/12/ne-kujtimet-e-nje-artisti-interviste.html

18 December 2013

Kolec P. Traboini / Intervista


Në kujtimet e një artisti

Intervistë me artistin Kolec Traboini

- See more at: http://www.hermesnews.org/articoli/eksluzive.asp#sthash.3uCWv5Zy.dpuf

Në kujtimet e një artisti

Intervistë me artistin Kolec Traboini

- See more at: http://www.hermesnews.org/articoli/eksluzive.asp#sthash.3uCWv5Zy.dpuf

Në kujtimet e një artisti

Intervistë me artistin Kolec Traboini

- See more at: http://www.hermesnews.org/articoli/eksluzive.asp#sthash.3uCWv5Zy.dpuf

Në kujtimet e një artisti

Intervistë me artistin Kolec Traboini

- See more at: http://www.hermesnews.org/articoli/eksluzive.asp#sthash.3uCWv5Zy.dpuf

Në kujtimet e një artisti
Intervistë me artistin Kolec Traboini

 Çfarë kujtoni nga fëmijëria e rinia juaj në Shkodër ?
Rrugicën time që ishte dhe bota ime e ku një ditë më hyri në këmbë një gozhdë e ndryshkur, ku më janë përgjakur gjunjët, ku kam mësuar biçikletën, një rrugicë që kisha një dashuri të madhe për të, por që ishte dëshmitare e shumë dhimbjeve të mia së pari me vdekjen e tim eti që ka qënë mësues i kohës së para pavarësisë dhe sekretar i Ded Gjo Lulit dhe ka marrë pjesë në dy luftra kombëtare, pastaj me vdekjen e Dadës sime Katrina Skanjeti-Traboini që ishte e bija e motrës Tone e cila më kish vënë edhe emrin e dajës së vet Kolë Idromeno. Pastaj kujtoj se si vrapoja nga rrugica ime përmes rrugicës së Gurazezve, ku e kishte shtëpinë shoku im Gjon Rrok Luli, pastaj dilja në Gjuhadol e në shkollën time që kishte qënë dikur shkollë e fretënve e kishte në mes një çinar të madh që ende gjelbëron edhe sot. Në Shkodër kujtoj Shtëpinë e Fëmijës ku kalova disa vjet e mësova të bëj një jetë ku për gjithçka duhej t’i shërbeja vetvetes. Në Shkodër kujtoj se kur isha në shkollën pedagogjike më morën ushtar e më dërguan në Tropojë, e se kur u ktheva isha tashmë një djalë i rritur e duhej të isha shumë më serioz sesa më parë dhe se koha e jetës si harrakat kishte ikur njëherë e përgjithmonë. Kujtoj Kombinatin e Drurit apo më saktë fabrikën e Fibrës në bregun e Zallit të Kirit ku punova disa vjet. Kujtoj Frederik Rreshpën i cili punonte edhe ai në Kombinat dhe mbasditeve me Tonin Shtjefnin, Alfred Çapalikun e Skënder Temalin bisedonim për letërsinë ndërkohë që bënim xhiro në Piacë. Por kisha edhe shokë të tjerë që i kujtoj aty në rrugët e Shkodrës ku kaluam rininë tonë e ndër ta Shyqyri Mollaj, Ernest Andrakja, Dodë Kaçaj, Xhahid Bushati, Burhan Kurti, Riza Lahi e Mehmet Gucia. Kujtoj shkrimet e mia të para të botuara në Almanakun e klubit të rinisë që drejtonte Hasan Lekaj si dhe redaktorët e gazetës lokale “Jeta e re” Vehbi Çanga, Ndue Zef Toma e Hilmi Picoka, që i mirëpritën shkrimet e mia të para. Kujtoj aq shumçka nga fëmijëria e rinia ime në Shkodër sa mund të them se këto nuk janë thjesht kujtime, por janë një jetë që gjithnjë më rri pranë sikur ka ndodhur dje.

Ju njohim si kineast, gazetar, e shkrimtar, cili nga këto profesione është më afër pasionit tuaj ?
Pasioni im është e bukura, që nuk është profesion e për të cilën Dostojevski shkruante se e bukura do ta shpëtojë botën. Që i vogël më pëlqente të vizatoja e të lexoja libra pafund. Pastaj nisa të shkruaj vjersha e t’i recitoja në dritaren e katit të dytë të shtëpisë sime me zë të lartë. Ajo çfarë dua të them është se profesioni është një zgjidhje apo një rastësi, e bukura në art është domosdoshmëri. Kur kam qënë i vogël filmin e parë e kam parë në faqen e murit të shkollës fillore në Hot të Ri. Mbaj mend të kem parë fusha me grurë, lulëkuqe dhe tufa me pëllumba, tre elementë që mendoj se ma ushqyen dashurinë për të bukurën pa menduar kurrë se unë do të isha një ditë kineast, të cilën ma sollën rrethanat e nuk ishte zgjidhja ime. Kur isha student në gazetari botova një libër me tregime që miqtë ma kujtojnë edhe sot “Petalet e bajames së hidhur” i cili mori edhe çmim kombëtar inkurajues, por kur mbarova studimet më afruan punë në Kinostudio si redaktor e më pas skenarist. Punova me përkushtim e vura re se rashë në dashuri me filmin. Pastaj koha solli që të shkoja në mërgim në Greqi ku pasioni për gazetarinë m’u zgjua aq shumë sa krijova një gazetë “Egnatia”. Këtu gjen mishërim dashuria për gazetarinë për të cilën edhe jam diplomuar. Por mërgimi i gjatë më zgjoi një dashuri tjetër të madhe, poezinë, e cila është bërë bashkudhëtarja ime e përhershme kudo ku ndodhem e them do të më ndjekë besnikërisht deri në fund. Të tre këto profesione i bashkon pasioni e dashuria, i bashkon e bukura.

Ç’mund të na thoni për rolin tuaj si skenarist, pasi keni punuar për një periudhë të gjatë me filmat dokumentarë në Kinostudio ?


Fillimisht kam punuar redaktor në kronikë. Jo pak por dy vjet, kohë e mjaftueshme për të njohur Shqipërinë në çdo kënd të saj. Për aty dy vjet më shumë isha në terren se në Kinostudio. Kalimi si skenarist i filmit dokumentar ishte kësisoj më i lehtë, sepse kisha shumë subjekte e njohje. Që në fillimet e punës me skenarin u përpoqa të fus frymën poetike. Skenarin tim të parë e mori një regjisore me përvojë Vitori Çeli e cila e pëlqeu pikërisht për lirizmin dhe me filmin “Asdreni-poet i lulëkuqes e vegjëlisë” dolëm faqebardhë. Na nderuan me kupën e Festivalit të parë të Filmit Shqiptar. E kjo për mua ishte vërtet një satisfaksion i madh. Pastaj vijnë skenarë të tjerë si “Hasan Prishtina”. “Kolë Idromeno”, “ Kështjella e këngëve” e deri tek filmi që realizova si skenarist e regjisor “Dëshmi nga Barleti”, të gjithë këta të vlerësuar me çmime në festivale e konkurse kombëtare.
Ishte dëshirë e jotja që i vogël të merresh me artin, apo një shtysë nga dikush tjetër ?

Që kur kam qënë në shkollën pedagogjike në Tiranë kisha nisur të bëj sprovëzat e para me poezi. Mësuesja ime kujdestare Vangjeli Çomora më gjeti tek po merresha me fletoren time të shënimeve. Ishin poezi. Një ditë mësuesja më tha se do të vish në shtëpinë time të takoja të shoqin, Spiron. I shkova në shtëpi në rrugën e Durrësit e aty takova Spiro Çomorën. Më priti ngrohtë. I lexoi vjershat e mia dhe më tha se duhej të shkoja tek redaksia e gazetës “Zëri i Rinisë” me rekomandimin e tij. Mora guximin e shkova. Takova aty një njeri që e thërrisnin Loni, e ky më përcolli tek një tjetër që e kishte emrin Vath. Ky i lexoi e me dha ca vërejtje e sugjerime e më porositi të shkoja përsëri. Nuk shkova më kurrë. Vetëm më vonë kur isha ushtar në Kam të Tropojës e minatorët më flisnin me admirim për Vath Koreshin që kishte punuar disa vite si gjeolog, e kuptova se ai Vathi që kisha takuar ishte shkrimtari. Koha e solli që Vath Koreshin ta kisha koleg në Kinostudio, madje si të thuash në një raport të tillë- ai kryeredaktor për filmat artistikë e unë për filmat dokumentarë. Pra vërtet nuk e di se kur si e pse u gjënda në një hulli të tillë për artin. Ndoshta këtë do ta mësoja më vonë në vitin 1982 kur një ditë kolegu ynë i filmit në Kinostudio më tha se kishte lexuar në Bibliotekën Kombëtare, në disa gazeta të vjetra të Dom Ndoc Nikës një emër Traboini. Atje gjeta çfarë nuk e dija e nuk e prisja. Im atë kishte qënë një nga gazetarët e parë shkodranë të pavarësisë, me plot shkrime në vitin 1910-1911. Dhe më vonë kur regjisori Andrea Skanjeti më vuri në dorë një poemë me rreth 1700 vargje për kryengritjen e vitit 1911 të shkruar nga im atë në atë kohë, më vuri të mendoj se unë kisha ndjekur udhën e dëshirës së tim eti, pra pasioni i të shkruarit kishte lindur bashkë me mua përmes genit.
Sa e vështirë ka qënë për ju, të studioni dhe të shkruani librin e parë njëkohësisht ?

Libri i parë ka qënë me tregime të shkruara në kohë të ndryshme, disa madje të botuara kur isha punëtor në Kombinatin e Drurit në Shkodër e disa të shkruara në kohën e studimeve. Kujtoj me respekt redaktoren Emine Sadiku që më botoi tregimet e para në faqet letrare të gazetës “Zëri i Rinisë”. Për mua që kisha qënë punëtor e kisha shkuar në shkollë të mesme njëkohësisht, nuk ka qënë e vështirë periudha e studimeve, madje ishte një mundësi e madhe. Mbaj mend se atë kohë dëshira për të shkruar ishte aq e madhe e këtë e kish pikasur bashkstudentja Zenepe Luka që një ditë më solli një libër pa kapak e me zë të ndrojtur më tha: “Merre e lexoje, por kujdes se është libri i Bilal Xhaferrit”. Atë kohë Bilal Xhaferri ishte i arratisur e konsiderohej armik. E lexova me një frymë dhe aty ndjeva poezinë në prozë dhe magjinë e narracionit. “Purpuranti” më ka lënë pa frymë. Po edhe ato tregimet me temë aktuale në rrugët malore të kthesave të Gjegjanit ku kishte punuar vetë Bilal Xhaferri, ky admirues i flaktë i dokeve, zakoneve e bujarisë së malësorëve. Një ditë përmblodha tregimet e mia e me to në dorë shkova tek Dhurata Xoxa në shtëpinë botuese ku pata fatin të kem redaktor shkrimtarin Odhise Grillo.
Ka ndikuar emigracioni në krijimtarinë tuaj?
Padyshim që jeta mërgimtare lë gjurmët e veta tek krijuesi, herë si plagë e herë si dhimbje, por më së shumti si mall i zjarrtë. Në mërgim ndjehet mungesa e dheut tënd, e njerëzve të tu, mungesa e gjuhës tënde madje edhe mungesa e ajrit që në mëmëdhe të duket krejt ndryshe e jo pak herë thua se edhe ajri në vendin tim flet shqip. Pra kemi një tendosje të telave të shpirtit që pa këto mungesa nuk do të nxirrnin atë tingull të mrekullueshëm që të drithëron.

Çfarë marrëdhëniesh ke me Shkodrën ?
Nuk di si t’i shpjegoj marrëdheniet që mund të ketë njeriu me vetveten. Unë përherë jam në Shkodër, por ardhjet e ikjet e mia janë të pabujshme. Takoj një mik apo një shok, pijmë një kafe aty ku bashkohet Pedonalja me Gjuhadolin apo tek çinari i Tophanës dhe kaq. Shkoj në bibliotekë dhe u dorëzoj disa kopje për çdo libër të ri që botoj. Si të thuash u bëj me dije ekzistencën time në art dhe këngët e mia të shpirtit për Shkodrën, që nuk janë vetëm poezi apo esé të veçanta, por me kapituj të tërë, apo tituj librash që lidhen me këtë qytet që është pjesë e ngjizjes sime edhe si njeri por edhe si krijues. Mjafton t’ju sjell titullin e një libri “ Trinia ime” ku pjesa më e madhe e krijimeve lidhen me vendlindjen time. Por edhe në një nga librat e fundit “U dashka të dal natën vonë” ka një kapitull me titull “Ode për Shkodrën”. Parathënia e shkruar prej meje në këtë libër “Poetika e fëmijërisë” flet për Shkodrën gjithashtu. Mendoj se lirizmi im fryn nëpër kanatet e fëmijërisë sime shkodrane pa të cilin nuk do të isha ky që jam. Por gjithnjë siç e thashë shkoj e vij pa e bërë të dukshme prezencën time sepse ajo gjendet në krijime para se fizikisht. Ndoshta kjo është një alibi e mirë për ata që në vendlindjen time merren me artin dhe më kanë harruar.
Eseja me titull “Bukuri Shkodrane”, çfarë mesazhi përcjell, përse ky titull ?
Kam plot esé që lidhen me Shkodrën. Mes tyre edhe një pjesë e librit “Bukuri Shkodrane”, titull që merret nga një esé në të cilën jam përpjekur të nxjerr në pah bukurinë e shpirtit e të trupit të vajzave e grave shkodrane në kohën e diktaturës, kur kjo bukuri anashkalohej apo mohohej e për këtë kisha një shëmbëllesë, mësuesen time Jolanda Pogu. Mësuese Landi ishte bijë e Pogut, pronarit të fabrikës së Sapunit në Shkodër që konsideroheshin të pasur e për këtë shiheshin me sy të keq nga regjimi. Po Landi Pogu ka qënë një nga vajzat më të bukura në Shkodër e me virtyte të larta. Ajo u martua në Tiranë dhe një ditë unë u gjenda në një klasë ku ajo jepte mësim. Ishte e bukur si yll dhe unë ndjehesha krenar se ajo ishte shkodrane. Kështu i kemi vajzat ne në Shkodër u thoja shokëve të shkollës që ishin nga jugu. Mësuese Landi më pyeti dhe kur i thashë mbiemrin tim më njohu sepse kishim qënë komshinj. Koha e solli që mësuesja ime “kjo bukuri shkodrane” të gjendej dhe mësuese e vajzës sime në shkollën “Avni Rustemi” në Tiranë. Dhe një ditë më vjen vajza plot gëzim e më thotë sesa e bukur ishte mësuese Landi, më pyeti për ty e më tha se të ka pasur nxënës. E unë me krenari i thashë time bije: “Të gjitha vajzat shkodrane janë të bukura. Edhe ti je e bukur se je shkodrane”. Kjo esé mbi të bukurën përbën jo vetëm tharmin e librit tim me atë titull, por edhe lajtmotivin e krijimtarisë poetike e eseistike dhe filmike.
Përveç të lexuarit si kaloni kohën e lirë ?
Nuk kam as kohë të lirë e as kohë të zënë. Liria është relative ndërsa koha ka vetëm një sens, do apo nuk do, ikën. Përpara alternativës që koha mund të ikë dhe mund të mos lërë pas asgjë, krijuesi i apasionuar është më i prirur të sakrifikojë kohën e lirë. Mua më duken paradoksale tituj të tillë televizivë si “Është koha për t’u zgjuar” apo “Jo vetëm kafe” e të tjera tororisje si këto. Arti nuk ka kohë, ai ecën bashkë me ty, edhe natën edhe ditën. Më kujtohet një episod që më tregonte Dada ime Katrinë për dajën e vet Kol Idromeno. Piktori kur erdhi në moshë të madhe nuk e zinte më gjumi, madje bënte çdo natë rrugën deri në kala, ku priste në botën e tij derisa andej nga Cukali e Maranaj niste e shfaqej dielli në lindje. Atëherë zbriste prej kalasë e shkonte të flinte. E shoqja Cina drithërohej prej meraku. Tek një artist i madh si Kolë Idromeno kohërat ishin mpleksur me ngjyrat në telajo, aty ishin edhe lindja edhe perëndimi i diellit, edhe koha e punës dhe koha e lirë e pushimit. Kjo mpleksje ndodh kur krijimi të bëhet qëllim i jetës dhe tundim i shpirtit e pa të cilin nuk e kupton ekzistencën.

Çfarë vlerësoni më shumë tek njerëzit?
Tek njerëzit vlerësoj më së shumti të qënit njeri. Pra të jenë vetvetja dhe të kenë ndjeshmëri ajo që quhet më së shumti humanizëm. Cilësitë e tjera konvergojnë apo divergojnë prej raportit me vetveten si njeri. Prandaj ndodh që i miri mbetet i mirë deri në fund dhe i keqi po ashtu, megjithëse të drejtën për të ndryshuar e ka gjithkush dhe porta e së mirës gjithmonë mbetet e hapur për njerëzit.
Si e konceptoni dashurinë si poet?
Do ta thosha me pak vargje të poezisë sime “Zjarri” - “Kush nuk dëshiron të digjet si yll / nuk duhet të ngjitet kurrë në qiell/qielli është vendi ku digjen planete/ edhe në dashuritë njerëzore po ashtu/ nuk mund të ketë dashuri pa djegur veten.
Po në politikë jeni përfshirë ndonjëherë ?
Fjala përfshirë do të ishte kuptimi më i keq i marrjes me politikë, sepse në politikën e djeshme e të sotme shqiptare njeriu nuk vetpërfshihet, por e përfshijnë të tjerët duke e katapultuar e lozur me të si një marionetë. Që të merresh me politikë duhet të jesh pjesë e ndonjë klani. Që të përfshihesh në qeverisje dhe aparate administrative po ashtu. Pa klan nuk ka stan. Por me politikë jam marrë e merrem, sepse politika sipas vizionit tim nuk është pronë, ajo është një mënyrë mendimi, konceptimi, është analizë e sintezë, është konkluzion që del pasi ke stududiuar një realitet social, është qëndrim ndaj së keqes dhe prioritet ndaj progresit. Në këtë sens unë merrem me politikë madje në përditshmëri dhe botoj shkrime në shtyp e libra vazhdimisht pa qënë i inkuadruar në klane që më së shumti të kujtojnë një mafie ideologjike dhe korruptive se sa një formacion që kërkon zhvillimin e përparimin e vendit tonë që ka ngecur peng pikërisht i kësaj politike qorre për nga vizioni e talibaniste për nga prakticiteti.

Keni ndonjë projekt në të ardhmen ?
E ardhmja dhe e tashmja janë pjesë e një zinxhiri ndaj dua t’i përgjigjem pyetjes si një vazhdimësi. Pas “Kujto Poetin”, 2011 dhe “100 poetë për dashurinë” dy antologji me bashkautorësi këto, kam botuar edhe katër libra në vitin e kaluar 2012, “Zhgënjimi i Ambasadorit Amerikan” ese, “Flamuri në Deçiq” libër me krijimet dhe publicistikën e babait tim Palok Traboini, libër të cilit i bëra promovime në Prizren ku ka qënë mësues e në Tuz ku ka vendlindjen, si dhe dy vëllimet me poezi që kam përmendur. Kemi realizuar me skenaristen Angjelina Xharo dhe operatorin Ilia Terpini një film dokumentar “Lirikë shpirti” për poeten shqiptaro-amerikane Iliriana Sulkuqi, premierën e të cilit e bëmë sivjet në Tiranë e në Elbasan. Po këtë vit, me mbështetjen e Institutit për Integrimin e Jetimëve Shqiptarë drejtuar nga Ilir Çumani, realizuam një film dokumentar “Djaloshi me kitarë”, për njërin prej martirëve të Revoltës së Spaçit 1973, Skënder Daja, i cili u ekzekutua në moshën 22-vjeçare. Pjesë e krijimtarisë së këtij viti janë dhe dy libra me poezi “Atdheun e kam tek porta” me krijime të reja dhe vëllimin me lirika dashurie “Dashuri” ku përfshihen 200 poezi të përzgjedhura nga dhjetë librat e mi me poezi botuar më parë. Me këto më bëhen 22 libra të botuara, nga të cilët 19 në Shqipëri e tre në Athinë.
Kur do kemi në dorë një tjetër sukses libër, me poezi, tregime ose edhe roman pse jo ?
Nuk flitet për sukses, por thjesht për krijime poetike dhe publicistikë. Kam disa libra të përfunduar në dorëshkrim apo në proçes shkrimi nga të cilët “Çamëri- Zemra ime” një antologji me poezi për Çamërinë të përgatitur me poeten Fatime Kulli, “Libohova me Amerikën- afër dhe larg” një vështrim për traditat libohovite dhe jetën e libohovitëve që jetojnë kryesisht në Boston dhe Filadelfia, një vëllim me poezi të përkthyera nga autorë të huaj “Nga Safo tek Bukovski”, një vëllim me ese për letërsinë dhe natyrisht poezitë që më dalin herë pas here në shteg e unë përpiqem të mbush shportëzën time me ndjesi shpirti. Kam edhe projekte për filma dokumentarë të cilat është e pamundur të realizohen për shkak të mungesës së mbështetjes financiare. Njeriu gjithmonë bën plane e projekte, ashtu siç gjithmonë gjenden një mijë shkaqe për t’ia prishur e për të kërkuar diçka tjetër. Kërkimi e sprovëzat në fushën e krijimtarisë nuk kanë fund.
Intervistoi: Teuta Taramani

“Hermes”, 18 /12/ 2013