27 December 2012

TAKIM ME AMBASADORIN ARVIZU - nga K.Traboini




TAKIM ME AMBASADORIN ARVIZU

Në promovimin e fondacionit “Ivanaj” nga Drita Ivanaj, shqiptaro-amerikane me banim në New York,  rasti m’u dha të takoj ambasadorin amerikan Alexander Arvizu e të zhvilloj me të një bisedë të shkurtër.
I thashë Ambasadorit se kisha shkruar një libër “AKT NOW”- sipas idesë së tij për ndryshimin e gjendjes në Shqipëri,  përkitazi  “Zhgënjimit Ambasadorit Amerikan”, pjesërisht edhe në anglisht dhe ia kisha dërguar në Ambasadë.
- E kam marrë –tha z. Arvizu, pastaj vazhdoi- ti qenke autori? - Dhe nisi të buzëqeshte lehtë.
- Shpresoj ta keni lexuar- i thashë ambasadorit.
-E kam lexuar natyrisht. Ju faleminderit për librin, por...- e ndërpreu fjalën duke me parë me një vështrim të thellë e të zgjuar...- por është pak i ashpër - dhe buzëqeshi në mënyrë kuptimplotë.
-Po, – i thashë, - i ashpër është sepse unë nuk i besoj politikës dhe politikanëve të sotëm, më duken jashtë kohe.
Pastaj bëmë një fotografi dhe i shtrënguam duart përzemërsisht njeri-tjetrit. I thashë se ishte kënaqësi takimi me Ambasadorin e shtetit tim në shtetin tim. Edhe ai shprehu kënaqësinë e tij për këtë takim.

Kolec Traboini 29 nëntor 2012


14 December 2012

RRUGET LE TE NA ÇOJNE ANDEJ NGA E KEMI KOMBIN

 RRUGET LE TE NA ÇOJNE ANDEJ NGA E KEMI KOMBIN


Nga Kolec Traboini

Për këtë rrugë ka shumë anatema ashtu si dhe përshendetje. Shumë kush e politizon. Duke qenë se nuk i sherbej askujt e nuk më hyn në sy asnjë lloj politike veç asaj kombëtare, kalova neper këtë rrugë me ndjesinë e atdhetarit.E di që kudo vjedhin, madje edhe këtu kanë vjedhur se vjedhja është zanati i parë e më i vjetër i botës, por të paktën këtu diçka ka mbetur, diçka që i kalon kufinjtë historike dhe shkon tej e përtej jetëve njerëzore. Përtej asaj që përjeton drejtpërdrejte, mvaret se çfarë në atë moment të bashkangjitet nga nënshtresat e kujtesës.
Nëse je në idene se kjo rrugë është viktimë e çerdhe e hajnisë së madhe, nuk të pelqen... por nëse të shoqëron mendimi se një shekull kemi qënë të ndaluar - të pelqen e je vërtetë i gëzuar që ja arrite kësaj dite. Kam udhëtuar plot herë nga Tirana në Bajram Curr e Kukës në vitet 70 dhe e di se çfarë tmerri ka qënë, ndaj jam entusiast. Aq sa ç'mund ti gëzohesh apo hidhërohesh një gjysmë gotë vere... Nuk dua të motivoj as hajnitë dhe as demagogjitë e politikës por kjo rrugë është ndoshta e vetmja gjë vertetë e mirë që është bërë në 20 vjet. Rrugët le të na çojnë andej nga e kemi Kombin!

© Kolec Traboini

http://youtu.be/kwbZp-pSnsQ

01 December 2012

TOM BOJAJ - njeriu që e takon dhe nuk e harron kurrë

In Memoriam  Tom Bojaj (1967 - 2010)

TOM BOJAJ
njeriu që e takon e nuk e harron kurrë

Nga KOLEC TRABOINI

Tomë Bojaj ishte një atdhetar i madh, një djalë i Malësisë me vizionin e të ardhmes e të përparimit. I pari që hapi Televizionin shqiptar në Tuz të Malësisë me emrin TV BOIN në nëntor 2001, i cili sot shihet deri edhe tek shqiptarët e Amerikës. Rasti më ka sjellë ta takoj në vitin 2007 gjatë një vizite në Tuz kur ai më kërkoi një intervistë për Televizionin e tij. Në aq pak kohë sa ndenja me të e pyeta se çfarë e shtyti ta bëjë këtë akt, këtë veprim që unë e konsideroj tejet atdhetar. Më tha se kamera ishte pasioni e profesioni i tij dhe se e shqetësonte fakti se shqiptarët në Mal të Zi kishin vetëm një mundësi, një program të shkurtër në TV shtetëror e asgjë tjetër. E kishte filluar me shumë sakrificë. Besa, pati nga ata që e quajtën aventurë, u përpoqën ta pengonin, por Tom Bojaj ishte një malësor me vullnet të hekurt. I bindur në drejtësinë e tij ai mori përsipër çdo sakrificë. Dhe televizioni anipse me sakrifica u konsolidua. U bë pjesë e indentitetit të malësorëve, të Hotit, Grudës, Trieshit e më gjerë.
Por pikërisht atëherë, kur ishte në kulmin e energjive të derdhura në këtë mjet të ndërkomunikimit të shqiptarëve, Tom Bojaj sëmuret e tragjikisht ndërron jetë në moshën 43 vjeçare. Ishte një dhembje e madhe. Tom Bojaj tashmë qe kthyer në një figurë të nderuar e të respektuar ndër shqiptarët e Malësisë dhe Tuzit. Vdekja e tij sikur u preu krahët. Çfarë do të bëhej me Televizionin e shqiptarëve - TV BOIN? Amanetin e shokut të jetës e mori në dorë për ta çuar më tej, e shoqja, Sandra. Tom Bojaj kish lënë pas Televizionin, pasionin e jetës së tij, fëmijët dhe gruan e vet. Ishte ajo që do t’i premtonte se nuk do ta lëshonte e braktiste kurrë qëllimin e jetës së Tomës së saj të dashur. Dhe ashtu bëri. Dhe sa sakrifica përballon. E takova këtë nëntor në Tuz. E ngushëllova. I fola me aq respekt të meritueshëm për Tomën e saj, që nuk ishte më i saj, por i të gjithë shqiptarëve e jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në Shqipëri e Kosovë, edhe në Amerikë e kudo ku jetojnë shqiptarët. Një atdhetar i madh dhe dashamirës i kulturës e traditave shqiptare nuk mund të harrohet. Dhe shpreha njëkohësisht pakënaqësinë time që një rrugë e Tuzit nuk kishte emrin e tij. Ky emër, Tom Bojaj nderon çdo qytetar të Tuzit dhe të Malësisë, na nderon edhe ne që fati na solli edhe pse bij të Malësisë të jetojmë larg vendlindjes së prindërve.
Sa herë e shoh fotografinë e tij ulur aty në zyrë, ku ka vënë në një vend të dukshëm portretin e Gjergj Kastritoti-Skenderbeut, më ringjallet në mendje ajo bisedë që bëra me Tom Bojaj një natë shtatori te vitit 2007 në Televizionin BOIN të Tuzit.
Ishte nga ata njerëz që i takon një herë e nuk i harron kurrë

 1 dhjetor 2012

PERSHENDETJA IME PER ADEM DEMAÇIN

Photo: PERSHENDETJA IME PER ADEM DEMAÇIN

Qëndresa e tij e pashembëllt i dha kohës e brezave shqiptarë në dy anët e kufinjëve,  a thënë më saktë në katër anët e horizonteve shqiptare një shëmbëllesë që nuk vdes kurrë. Ai tashmë është një simbol, por jo vetëm simbol qëndrese e vetmohimi, por edhe një realitet i përditshëm sepse ai di të jetojë me popullin e vet e jo ta shohë atë nga nga maja e piramidave të  honxhobonxhove partiakë. 
 Ne kemi nevojë për trimëri por ne kemi nevojë po aq edhe për mënçuri, qe besa kemi nevojë për të dyja, edhe për Adem Jashara  por dhe për Adem Demaça. Ti mësosh brezave se si ta duan popullin e vet, si një objekt dashurie e adhurimi e jo një kaloshinë përfitimesh vetjake, do të thotë se je mishërimi i atdhetarit të madh. 
Dhe i tillë ishte e mbetet i madhi Adem Demçi.

Kolec Traboini
1 dhjetor 2012


PERSHENDETJA IME PER ADEM DEMAÇIN

Qëndresa e tij e pashembëllt i dha kohës e brezave shqiptarë në dy anët e kufinjëve, a thënë më saktë në katër anët e horizonteve shqiptare një shëmbëllesë që nuk vdes kurrë. Ai tashmë është një simbol, por jo vetëm simbol qëndrese e vetmohimi, por edhe një realitet i përditshëm sepse ai di të jetojë me popullin e vet e jo ta shohë atë nga nga maja e piramidave të honxhobonxhove partiakë.
Ne kemi nevojë për trimëri por ne kemi nevojë po aq edhe për mënçuri, qe besa kemi nevojë për të dyja, edhe për Adem Jashara por dhe për Adem Demaça. Ti mësosh brezave se si ta duan popullin e vet, si një objekt dashurie e adhurimi e jo një kaloshinë përfitimesh vetjake, do të thotë se je mishërimi i atdhetarit të madh.
Dhe i tillë ishte e mbetet i madhi Adem Demçi.

Kolec Traboini
1 dhjetor 2012