PA QIME NE GJUHE- nga ANTON GOJÇAJ



Në gazeten “Koha Javore” Podgoricë, 30 gusht 2012

PA QIME NE GJUHE

(Kolec Traboini, ACT NOW  -  Zhgënjimi i ambasadorit amerikan, ese publicistike, Tiranë-Boston-New York 2012)


Nga ANTON GOJÇAJ 

Libri hapet me artikullin (shqip pastaj anglisht) “Zhgënjimi i ambasadorit amerikan” në të cilin autori analizon politikën aktuale (si vazhdimësi e tradicionales) shqiptare në raport me ambasadorin  e Amerikës (SHBA)  ndaj së silës “Shqipëria ka detyrime të mëdha, sepse nuk ka shtet a komb që ka bërë më shumë për shqiptarët”, ku publicisti nxjerr disa përfundime sa provokuese aq edhe tronditëse, duke i quajtur politikanët shqiptarë  “Ali Pashë Tepelenat e politikës shqiptare”, pasi që secili prej tyre “për interesat e veta të ngushta është gati ta çojë në djall Shqipërinë dhe shqiptarët”. Është alarmues fakti se publicisti nuk e veçon (nuk ka???) asnjë politikan,  asnjë shembull të vetëm pozitiv që lë për të shpresuar se nuk janë përmbysur të gjitha barkat dhe se ata që sot janë vërtet pak, nesër ndoshta do të shumohen dhe do ta orientojnë politikën shqiptare në drejtimin e duhur dhe me shpejtësinë e duhur.  Një popull i tërë ka rënë në letargji  dhe as thirrja e ambasadorit të Amerikës, shtetit që ka dhënë të gjitha provat e miqësisë, nuk po ndihmon.  Eseu lë të nënkuptohet se shteti, populli, demokracia shqiptare janë në agoni të thellë.  Mirëpo, vetë ky libër, është dëshmi e mirë se individët që “gjykojnë” me mendje të shëndoshë dhe që “shohin “ pa dioptri partiake, ende nuk janë zhdukur dhe se të paktën ndonjë publicist e  kupton fjalë për fjalë thirrjen e ambasadorit të Amerikës drejtuar qytetarëve shqiptarë -  “Act now”, që del si moto me shkronja të kuqe edhe në kopertinën e librit, mbi titull.  
Përveç dukurive nga politika aktuale e Shqipërisë, në tavolinën e operacioneve “kirurgjike”-publicistike të Kolec Traboinit hapen edhe tema historike.  Një nga personazhet e përzgjedhura është figura e Ahmet Zogut, për të cilin gazetari pa kurrfarë hezitimi deklaron: “Tradhëtar më të madh e më të zi se Ahmet Muhtar Xhemal Zogolli, i biri i Sadije Toptanit, zor se gjendet.” (f.33) Natyrisht që kjo etiketë denoncuese duhet parë në kontekstin e eseut, që bazohet kryesisht në faktin se Zogu erdhi në pushtet “nën ombrellën e Serbisë”, armikut “më të madh të popullit shqiptar e që kishte pushtuar gjysmën e territoreve shqiptare ku i shtypte shqiptarët me dhunë e gjak.” (f. 33). Ngjitur me këtë artikull autori ka vendosur “Marrëveshjen Pashiç – A. Zogu për aneksimin e Shqipërisë” të vitit 1924. Lidhur me këtë artikull e kam një vërejtje: u kish dashtë të ishte ma i specifikuar  kur ështe referuar  Gjergj Fishta si - “armiku më i madh i Sllavëve”... Për faktin se autori i i “Lahutës së Malcis” nuk ka qënë armik i sllavëve në përgjithesi,  por, armik, madje i pakompromis, i politikave pushtuese e ekspansioniste të disa shteteve sllave, në dëm të Shqipërisë.
Edhe eseu vijues, “Nolin e penguan bajonetat e Serbisë” shquhet për pozicionimin e paluhatshëm të autorit dhe për frymën polemizuese me “disa qarqe e grupe të caktuara” që tentojnë t’i bëjnë një zbukurim “est-ETIK”  hyrjes së përdhunshme në Tiranë të Zogut “me trupat mercenare e bashibozuke të armatosura në Serbi”, duke e minimizuar njëkohësisht figurën e Fan Nolit vetëm në një kryeministër që donte ta pranonte ambasadorin sovjetik... Dallimi mes  Zogut dhe Nolit është thelbësor sepse, sipas Kolec Traboinit: “Noli erdhi në pushtet duke shfrytëzuar lëvizjen e forcave të brendshme, përkundrazi ardhja e Ahmet Zogut nga Serbia dhe i armatosur me bajonetat serbe, konsiderohet si përmbysje e një qeverie nga ndërhyrja e jashtme, në rastin e Shqipërisë, të një armiku të jashtëm të deklaruar botërisht.” (f. 44-45)
Ndjeshmëria diç më e theksuar e Traboinit lidhur me trevat dhe disa personalitete të Veriut të “shqiptarisë” mund të shpjegohet se të parët e tij janë nga fshati Traboin i Hotit të Malësisë së Madhe, e sidomos me faktin se bababi i tij ishte askush tjetër përveç Palok Traboini (1888-1951), sekretari (dhe bashkëluftëtari) i Dedë Gjo Lulit.  Eseu “Kush dhe pse e denigrojnë Ded Gjo Lulin?”  flet për mungesën (në Shqipëri) deri sot e kësaj dite të një busti të kreshnikut të maleve që drejtoi Kryengritjen e Malësisë në vitin 1911, është i argumentuar logjikisht dhe i bazuar në faktet historike. Nuk mund të zbehet personaliteti i Dedës në një kaçak që luftoi vetëm për veten,  madje as vetëm për krahinën e vet (Malësi e Madhe), sepse ai (dhe trimat e tij)  nuk e mori lirinë në varr, por e la këtu për Shqipërinë dhe shqiptarët”. (f. 72) Denigruesit e Ded Gjo Lulit, K. Traboini i quan “sulmues qorra e Don Kishotë të kohës sonë”, por  edhe “kope ekstremistësh fetarë” dhe “studiues të rinj të “Intifadës” ndërshqiptare”. (f. 67) 
Historia e flamurit kombëtar shqiptar që malësorët e ngritën më 6 prill 1911 në Bratilë ka disa versione, por Kolec Traboini në eseun “Lajthitje historianësh”  shpalos tezën e vet se ishte pikërisht i ati i tij (Palok Traboini ) ai që Dedë Gjo Lulit i solli jo një po tre flamuj kombëtarë, të punuar jo në Mal të Zi (siç (keq)informon  në një studim të vetin Romeo Gurakuqi), po në Austri, sepse Deda “donte një flamur që të ishte i punuar atje ku punoheshin tërë simbolet e shteteve e mbretërive”. (f.76) Në të njëjtin ese publicisti hedh poshtë një hipotezë (të dhënë në librin “Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës”, botuar më 2002 në Shkodër, (në faqen 11, fusnota nr. 6) të bazuar në një gojëdhënë sipas së cilës “hotjanët e paskan patur krye katragjyshin e vet një sllav, e se prej këtij sllavi e paskan prejardhjen historike si fis.” (f. 79)  Habit fakti se megjithëse doktor i shkencave dhe ligjërues në universitet, Gurakuqi nuk e jep burimin e saktë nga e ka marrë këtë gojëdhënë dhe as nuk e sheh të nevojshme t’ia nënshtrojë një analize apo prove kritike shkencore, aq më tepër kur kjo bie ndesh me kujtesën historike dhe gojëdhënat e vetë hotjanëve, por edhe me rrethanat dhe ngjarjet historike të zhvilluara në këto treva, në parimin e sukcesionit kauzal dhe rrjedhimisht, qoftë kjo edhe vetëm njëra nga hipotezat e ndryshme, mund të shkaktojë keqkuptime dhe të shërbejë për manipulime dhe qasje të ndryshme pseudoshkencore.  Mendoj se përgjigjja që i jep K. Traboini kësaj hipoteze të R. Gurakuqit është e bindshme dhe e zhvlerëson atë. 
Target i piketave publicistike të Kolec Traboinit janë edhe deformimet e ndryshme të jetës politiko-shoqërore aktuale, si për shembull dekorimi dhe nderimi me medalje e mirënjohje që (tani: ish) presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi i akordoi madje edhe ndonjë personi me të kaluarën e dyshimtë, që mori pjesë në krimet e komunizmit, por jo edhe dëshmorëve malësorë që luftuan heroikisht kundër pushtuesve e diktaturave duke sakrifikuar gjithçka patën për të mirën e të gjithë bashkëkombësve. Si rrjedhojë, autori zemërplasur nxjerr një konstatim mjaft të rëndë të cilin mund edhe të mos e pëlqesh, por që megjithatë provokon t’ia kushtosh dy-tre minuta meditim: “ Për mua njerëz si Topi e urrejnë Malësinë e Malësorët pikërisht se e luftuan perandorinë osmane. Konkluzioni është i thjeshtë, mesa duket edhe ai bën pjesë në atë idenë e shpifur të neootomanizmit që po përhapet si murtajë prej Edirneje.” (f.62)
Brenda këtij qerthulli kisha vendosur edhe eseun “Brainwashing” (Trushplarja) në të cilin Traboini i kundërvihet shkrimit të një analisti bashkëkohor shqiptar, i cili për vrasjet e viteve të fundit për motiv gjakmarrjeje, fajëson Kanunin  e Lekës, çka sipas autorit është një keqkuptim tendencioz, sepse “kanuni para së gjithash ishte një kod që mbronte e pastaj dënonte” (f.101), kurse fajtorin e vërtetë për kaosin social, psikologjik, politik  etj. brenda komunitetit shqiptar, e kërkon (dhe e gjen) në mosfunksionimin e institucioneve që nuk e bëjnë punën e vet ashtu siç duhet.
Shkrime që ia vlejnë të lexohen janë edhe eseu për Aristidh Kolën, eseu për zbulimin e një fotografie të Faik Konicës, artikulli që flet për “greqizimin” e shqiptarëve ortodoksë në Amerikë etj.
Libri përmban gjithsej njëzet e pesë ese (pjesërisht të botuara më parë në gazeta të ndryshme) në të cilat autori trajton aktualitete nga jeta shqiptare, si dhe  pikëpamje që kanë të bëjnë me të kaluarën por që influencojnë dhe reflektohen edhe në realitetin e përditshëm. 
Kolec Traboini nuk shkruan si ithtar i njërës apo tjetrës palë, pena e tij nuk respekton kurrfarë imuniteti, përveç ndërgjegjes dhe moralit të intelektualit. Ai është një humanist fanatik në kërkim të së vërtetës. 
Publicisti Traboini nuk heziton që gjërat, personalitetet  dhe dukuritë t’i quajë me emrin që e meritojnë, duke ndjekur  parimin se publicistika është një mekanizëm në shërbim të korrigjimit të devijimeve dhe deformimeve në sferat e ndryshme kulturore, sociale dhe politike.  Kur ka diçka për të thënë, ai këtë e bën me argumente dhe guximshëm,  pa qime në gjuhë, duke iu shmangur sofizmave kuazi-intelektuale dhe formulimeve të ndërlikuara sintaksore e terminologjike.  Një polemist/debatues i rreptë, që mendimet dhe gjykimet e veta i thot drejtpërdrejt dhe pa dorëza.

“Koha javore”, Podgoricë, nr. 531, 30 gusht 2012, f. 12-13