KUR KUJTOJME TEF PALUSHIN!- nga K.Traboini dhe K. Dashi


KUR KUJTOJME TEF PALUSHIN!

shkrim nga KOLEC TRABOINI
dhe anekdoda te Tefes mbledhur nga KUJTIM DASHI


E kujtojmë më së shumti kur duam të shpëtojmë nga stresi, kur duam të largojmë mendimet e zymta e të  gjendemi në gjendje humorale më të mirë. Dhe sa e sjellim ndërmend Shtjefën Palushin, shkurt Tefa, që tashmë nuk është më në mes të gjallëve (është lindur në Shkodër më 28 qershor 1943, dhe ka ndërruar jetë në vitin 1985), por është i pranishëm me barsaletat, humorin e improvizuar të tij, krejt të veçantë e të papërsëritshëm në mjediset shkodrane, buzëqeshim. Në të vërtetë ishte një figurë emblematike humori,  por dhe një artisti i madh. Personalisht kam pas fatin ta takoj e të baj ndonjëherë xhiro në pjacë me Tefën, i cili ishte fort i begenisun e më pyeste:
 "Ç'ka bani ju atje në Kinostudio...se na këtu kena mbet me kanaçe në dorë, e veç rrimë tuj lujt antenat e tue prit me pa filmat tuj...".  Kanaçet ishin disa pajisje elektronike të thjeshta që ndihmonin antenat për të kap stacionet televizive të huaja...  
Ai bënte humor me gjithçka, kishte një guxim - i çmendur për kohën e diktaturës. Por Tefa si Tefa nuk pyeste. Kush guxonte atë kohë të botonte një karikaturë ku fëmija qante "se i kanë rrahur qumështin"? Shteti e shiste qumështin pa një pikë yndyrë....


- Tefë,  - i thoshim, - kujdes në rrugë se po të shtyp ndonjë makinë se i kena shoferat pa maturë...
Ai qeshte e  pak nga pak me veshtirësinë e shqiptimit thoshte:
 - Po shyqyr, tash po gzohet edhe nana se po më drejtojnë.
Tefa kishte një difekt të lindur në trup dhe të folur tepër të ngadalësuar e me ngecje.
Por, Tefa bënte humor edhe ndryshe. E  pyesnim ndonjëherë  për krijimtarinë e vet:
- Si po të shkojnë veprat Tefë?
- Për faqe të zezë,-  përgjigjej.
- Pse ankohesh, Tefë?
- Po si mos me u ankue, mor vlla! Lodhem në punë e dal në pjacë me u çlodhë e me vjen me plasë kur shoh kryeveprat e mia tuj u tund në prapanicë të grave.
Tefa punonte piktor në Tisazhin e Shkodrës e projektonte basmat më të bukura në Shqipëri sa e la kombinatin e Tiranës dhe të Beratit nën hije. Po pikëllimin humoresk e kishte se veprat e tij tundeshin e shkundeshin në pjacë në prapanicë të grave!
Kaq shumë janë të përhapura barsaletat me emrin e Tefës në Shkodër sa nuk arrin të dallosh se çfarë është burimore e çfarë e sajuar në emër të tij. Po sjellim ndonjë prej tyre:

Tefa futet në Kafe të Madhe dhe i kërkon banakierit se mos kishte ndonji paketë cigare "Partizan".
- Pasha besën asnji për be, -ia ktheu banakieri Lin!
Ndërkohë vjen nji bukuroshe shkodrane, e njohura e Linit dhe i kërkon nën za:
- Lin, t'a marrsha a ke ndonji "Partizan"?
Lini i dha fshehurazi dy paketa!
Tefa e pa dhe iu drejtua:
- Lin kam me të paditë, sepse po strehoni Partizanë!
 Në trenin Shkodër -Laç viti 1976!  Futet në stacionin e Laçit në vagonin ku udhëtonte Tefa kompozitori shkodran Ruzhdi Keraj. Mbasi përqafohen, Tefa i zgjat paketën Ruzhdiut që të merrte një cigare. Ndërkohë kur Tefa po pyeste një tjetër - "Si je me punë e me shëndet?" e pa Ruzhdiun që me shaka po i "vidhte" tre-katër cigare e i tha:



- Ruzhdi! Që vjedh muzikë e kam dijtë, por që vjedh edhe cigare sot po e marr vesh!"
Tefa ishte një artist i madh që në Shkodër ka marrë trajtën e një legjende. Janë disa figura reale që kanë jetuar në Shkodër që janë emblematizuar e janë bërë shumë popullore, ata tregohen gojë më gojë nëpër breza si Osja i Falltores, Kol Tivari, Filipi rrobaqepës  e plot të tjerë.  Shtjefën Palushi shkëlqen në mes tyre sepse ai ishte një artist  dimensional,  një piktor dekorator tekstili më i miri në Shqipëri, një karikaturist i shquar me një penel fin, përdorte si teknikë grafikën, por edhe montazhin me tekstile plot fantazi. Ishte pjesmarrës në sa ekspozita kombëtare  e ndërkombëtare dhe me botime të shumta në revistën “Hosteni”,  gjithashtu  me të veçantën e një humoristi popullor i paharruar në qytetin e Shkodrës, qytet fatlum se falë bijve të saj të talentuar ka qenë një gurrë e pashtershme humori në histori.





ANEKDODA TE TEFES
Mbledhur nga shkrimtari Kujdim Dashi
Tefa-Shtjefën Palushi (1943-1985)- “Mjeshtër i Madh”

“Leni intrigat, Fadil, ruaj për dramat e tua!...”

Ato ditë kishte dalë një gazmore me të cilën i thoje burgut hapu. Dhe, si zakonisht, i vihej në “ngarkim” atij e thuhej “Ka thënë Tefa”. Tefa i gjorë që nuk e kishte nxjerrë atë barcaletë ndjehej shumë i shqetësuar. Po ecte në bulevard me dy shokë dhe i nervozuar në kulm, thoshte:
“Këta të poshtër, i bëjnë vetë dhe m’i faturojnë mua”.
Dramaturgu Fadil Kraja, regjisori Serafin Fanku dhe poeti e publicisti Nikolla Spathari, po ecnin pas tyre.
Fadili, për ta ngacmuar Tefën i thotë:
“Hajt, hajt se ti e ke nxjerrë, mos e moho...”
Tefa e shikon Fadilin me një qetësi të jashtëzakonshme, sikur një sekondë më parë nuk kishte qenë në kulmin e nervozizmit dhe ia kthen, duke mos e humbur rastin, që i erdhi në shteg:
“Leni intrigat, Fadil, ruaj për traumat (dramat) e tua!...”

Qysh në …buri të parë

Fetah Jusi-Hebovija, - siç i thoshnin shkodranët, Fetoja, - shoferi i njohur i “Vibertit” dhe mjeshtër i batutës gazmore, me karajfilin në buzë ecte dhe pj…dhte. Tefa e ndjek mbas.
- Ça hoqa me të xan’ mor Feto!- i thotë Tefa, duke iu marrë fryma.
- A ke kohë që je mbrapa meje, a? - e pyet Fetoja.
- Po, besa, qysh në buri të parë!...- ia priti Tefa dhe shtoi: - Më thanë që ke dalë në pension.
- Ou, ka do muej.
- A e ke dorëzue “Vibertin”, a?
- Ku i japin pension shoferit pa dorëzue makinën?
- Me inventar a pa inventar?- pyeti Tefa.
- Dihet ajo punë, me inventar, tana veglat nji për nji.
- Paske harrue me dorëzue burinë, pra,- ia bëri Tefa.

Ty s’të njeh kush për aktor

Një aktor mediokër, nga ato që si rol “kryesor” kishin me dalë një herë në gjashtë a në vit për të thënë vetëm “Mirëmngjesi, shokë” (dhe atë përshëndetje e shtonin në tekst sa me i “gjet punë”), po i ankohet Tefës:
- Nuk mund të pij më kafe me ty, se ka pëshpëritje sikur ne aktorët humbim shumë kohë nëpër kafene.
- Ti s’ke përse bahesh merak, se nuk të njeh njeri si aktor, - ia ktheu Tefa.

Unë mezi po rri këtu, jo më të hypi në degë

Një ditë, Tefa ishte ulur e po rrinte në bordurën para lulishtes “1 Maji” në Shkodër, pranë një peme. Gjoja për ta tallur, një hetues, që po kalonte aty pari, i cili “donte të hynte në muhabet” me humoristin e shquar, për t’u pahitur pak nga lavdia e tij, i thotë:
- Ik prej këtu se po të çoj në degë.
- Unë mezi po rri këtu, jo më të hypi në degë, - ia ktheu Tefa me humor.

Unë shofer e ti pasagjer

Kalon makina e të vdekurve dhe njëri e ngacmon Tefën:
- Tefë, të pafsha në njatë makinë!
- Po, - ia kthen Tefa. - Unë shofer e ti pasagjer!

Kusurin e mbathjeve ma bëj tule…

Hyri Tefa në një dyqan veshmbathjesh dhe kërkoi një palë mbathje
burrash.
- Çfarë mase i don?- e pyet shitësja.
- Nuk e di numrin, por gjithmonë i kam marrë 90 lëkeshe.
- Kena vetëm 120 lekëshe, - thotë shitësja dhe i zgjat një palë
prej tyre.
Tefa i jep 250 lekë e, kur shitësja don me i kthye kusur, ky i thotë:
- Kusurin ma bëj tule, se nuk kam me ç’a me i mbushë njato mbathje.

Konferencierja e kishte shumë të hapur dekoltenë!...

Pas një shfaqje jo shumë të arrirë të estradës, regjisori pyet Tefën:
- Çfarë të bani ma shumë përshtypje, mjeshtër?
- Konferencierja e kishte shumë të hapur dekoltenë!...

Veç mos të ketë fëmijë aty, se nuk kena ça me i dhanë me pi,

Pas një veprimtarie te revista “Hosteni”, Tefa dhe Kolec Pepa,
humorist i njohur shkodran, mbërrijnë te hotel “Peza”. Si zakonisht, sportelisti u thotë se i kishte vendet e zëna. Pasi i premtuan një bakshish, sportelisti e “gjeti” dhomën.
- Kam një dhomë për fëmijë, pra, me krevate më të vegjël se të zakonshmit.
- Veç mos të ketë fëmijë aty, se nuk kena ça me i dhanë me pi, - i thotë Tefa.

Kisha me hypë në ndonjë pemë, që të mos më shtypin njerëzit

Teksa po dëgjonte së bashku me një shok në radio një këngë të njohur të kohës “Ne jetojmë të lumtur, se kemi partinë, kemi…”, shoku e pyet Tefën në konfidencë:
- Me ba vaki e me u hapë kufijtë, ça kishe me ba ti Tefë?
- Kisha me hypë në ndonjë pemë, që të mos më shtypin
njerëzit, - i thotë ai.

Rruaje gotën, masandej e pi unë

Teksa po pinte kafe, Tefa kërkoi një gotë uji. Kamerieri ia solli, por Tefa nuk e zuri me dorë. Kishte vënë re se aty kishte pa ra një qime. Kamerieri kaloi serish nga tavolina e tij dhe e pyet:
- Po ti, Tefë, pse e po e pin ujin, vetë e lype me ngut?
- Rruaje gotën ma parë, - thotë tefa, - masandej e pi unë!