VETVRASJA E NUNIT IM DHE VËLLAI I TIJ I PUSHKATUAR PALOK UCI

USHTRIJA NACIONAL ÇLIRIMTARE SHQIPTARE
SHTABI I PËRGJITHSHËM
Seksioni Juridik
Nr. 36 i rregj
Tiranë, më 12/ III/ 45

R A D I O G R A M
GJYKATËS USHTARAKE TË KRAHINËS USHTARAKE TË KORPUSIT II
SHKODËR

Përgjegje shkresës Nr. 6/121 datë 25/ II/ 45
Aprovohet dënimi me vdekje për Nikoll Toma, Zef Toli, Gjon Marku, Nikoll Keçi, Kol Gjeta, Gjok Gjoni, Nikoll Baçi, Kol Marashi, Palok Uci.
Na njoftoni datën e ekzekutimit.
VDEKJE FASHIZMIT - LIRI POPULLIT
KOMANDANT I PËRGJITHSHËM
Gjeneral Kolonel
(Enver Hoxha)
(vula e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë nacional-çlirimtare)
(firma e E. Hoxhës)

VETVRASJA E NUNIT TIM DHE VËLLAI I TIJ I PUSHKATUAR PALOK UCI

shkruar nga KOLEC TRABOINI

Një djalë Hoti nga rrethi im familjar u pushkatua e u harrua... Kisha kërkuar prej vitesh qoftë dhe një shenjë, një foto a shënim dhe nuk e dija se Muzeu Kombëtar Tiranë e ka një dokument me emrin e tij, që po paraqesim. Personi me emrin Palok Uci që shënohet i fundit në listën e hartuar nga Enver Hoxha me 12 mars 1945, që jep pa mëshirë verdiktin e dënimit me vdekje të 9 burrave malësorë katolikë, ka qenë vëllai i Nunit tim Prek Uci . Mjerisht ky dokument është e vetmja gjë që ka mbetur prej Palok Ucit një i ri nacionalist i ekzekutuar në moshë të re rreth 20 vjeçare. Të pushkatojnë rininë, të mbetesh pa varr, të humbësh sikur nuk ke jetuar kurrë...Vëllai i tij, që ka qënë Nuni im që më ka krezmuar ne Kishën e Madhe në Shkodër, ka qënë dënuar dhe ai me burg politik, dhe vonë ka bërë vetëvrasje duke u hedhur nga spitali i qytetit. Palok Uci nuk ishte i martuar dhe Nuni im nuk kishte fëmijë e kështu dera e tyre u shua përgjithmonë. Si famull, me bie barra e shpirtit të sjell në vemendje të lexuesve dokumentin e dënimit me vdekje dhe tregimin tim për fatin tragjik të vllezërve Palok dhe Prek Uci nga Traboini i Hotit historik por të vendosur në Hot te Ri në Shkodër.
Hot i Ri, është fare pranë qytetit të Shkodrës, në verilindje të saj e shtëpitë e para të fshatit nisin diku mbi Stom Golem. E ngritën hotjanët e ikur prej trojeve të veta në Hotit të vjetër në Mal të Zi. Sipas kësaj mënyre riemërimi, janë krijuar edhe Gruda e re e Shtoji i ri.
Në Hot të Ri kishim shtëpinë tonë, që kur u krijua fshati. Im Atë e ndërtoj për shkollë dhe e tillë shërbeu deri vonë. Ishte ndër godinat e para të fshatit, krejt pranë qytetit e falë kësaj afërsie, ne jetonim sa në Shkodër aq edhe në Hot e Ri.
Në traditën e Malësisë së Madhe, Nuni, ai që e krezmon fëmijën në Kishë, njihet si të ishte bash prind për fëmijën, famullin. E sjell këtë detaj se mungesa e babës, më është kompensuar disi me dashurinë thuaj prindërore të Nunit tim Prek Uci, i cili me të shoqen, Marien, nuk kishin fëmijë, prandaj dhe sytë i kishin tek unë e më rrethonin me përkujdesje e jo rrallë, më merrnin të rrija me ditë të tëra në shtëpinë e tyre diku në qendër të Hotit të Ri. Ishte një shtëpi e thjeshtë, me mure betoni e me një kuzhinë të vogël e në vazhdim kish haurin e bagëtive, se hotjanët tokën e kishin të varfër e për më tepër nuk ishte ujë për vaditje deri vonë sa për kundruall u ngrit ferma e Shtojit, më e madhja e vreshtave në Ballkan.
Një natë gushti të nxehtë, Maria e Nuni më pyetën se, a doja unë të flinim jashtë në oborr. Kurrë nuk kisha fjetur jashtë ndaj, duke e parë ngurrimin tim, Maria mu afrua pa dëgjuar Nuni e me tha me zë të butë e si me drojë
“A mos ke frikë me fjet jashtë, mor bir?“.
„Jo!“ - dëgjova të dilte një zë. Ish zëri im, por përgjigjej sedra, se frikë edhe kisha. E kështu atë natë të nxehtë gushti, ku gjinkallat pëlcisnin duke kënduar, vendosëm të flinim në oborrin para shtëpisë. Maria mi vuri shtrojat pranë vetes. Nuk mbaj mënd çka flisnim, veç di se, duke qenë e para natë e jetës sime që flija në natyrë, nuk doja të mbuloja kokën e të dukesha frikaman në sy të Nunit e Maries, ndaj i mbaja sytë drejt qiellit. Nisa të shoh çka ka ai qiell, që herë-herë zemërohej si i marrë sokaku e gjuante me rrufe në majë të pemëve. E ai qiell po më dukej, herë blu i thellë në vjollcë e herë si i stërpikun me ar, si xhubletat e malësorëve xixa-xixa, kaq të panumërt ishin yjet, e për tmerrin tim të vegjëlisë, ndonjë prej tyre shkiste pjerrët sikur do të binte mbi shtëpitë e Hotit te Ri të përgjumur e ti përflakte, siç u përflak një herë e një kohë shtëpia e dy pleqve hotjanë, Prek Gjoni e Lare Lekja, krejt ngjit me shtëpinë tonë e të Nikoll Lulashit që kishte një djalë të arratisin e të humbur diku në Australi.
Kurrë nuk i kam parë aq gjatë yjet, e mund të them se, që atë natë gushti te shtëpia e Nunit, kam rënë në dashuri të përjetshme me yjet. A thënë disi poetikisht, nuk fjeta unë atë natë, fjetën yjet në sytë e mi.
Kohë e largët, fëmini e vështirë, por nuk e di se si e pse më duket të ishte aq e bukur, a ndoshta se fytyrat që më rrethonin, kishin aq shumë dritë e mirësi në shpirt, sa çdo dhimbje jetimi humbej e tretej si në Hotin e Ri, fshatin e fëminisë time të largët por edhe në rrugën Badra, ku nën lëkurë nisi të më çukiste adoloshenca...
Mbaj mënd se Katedralja e Shkodrës, atë vit që u krezmova, u mbush plot. Tanë banorët e qytetit e nga katundet, kishin ardhur në atë të diel fund pranvere krezmimi. Madje kishin ardhur edhe shkodranë myslimanë sepse u pëlqenin të shihnin ritualin.
Është rasti të them se im Atë, në të gjallë, kishte shumë miq myslimanë, të cilët i kish vëllezër e shkuar vëllezërish, veçmas në Postribë, ku sa herë shkonte më merrte me vete me biçikletë e madje flinim në shtëpitë e miqve të tij. Veçmas për dasma por edhe për festën e Bajramit.
Kisha e mbushur plot, fëmijët përafërsisht 10-12 vjeçarë, vajza e djem veshur me të bardha si engjëj, të cilët, si mbaronte ceremonia fetare, merrnin rrugën kryesore që niste nga Serreqi për Gjuhadol, për të dalë tek Dugajt e Reja, por edhe drejtimet e tjera qenë plot me kalimtarë që bënin diç më shumë se sehir, sepse galdoheshin bashkë me ne të sapo krezmuarit.
Aty mbaj mënd që ceremoninë e drejtonte Dom Ernestoja, që paraprakisht në sa e sa ditë me durim na kishte dhënë mësime katekizmi. Ai ishte nipi e krenaria e Dadës Katrinë. Edhe ajo aty ish, pranë lterit, pranë kolonave që kishte pikturuar, siç thoshte ajo, daja Kolë (Idromeno).
Ndjehesha krenar tek me shihnin shkodranët, me Nunin Prekë e mbaj mënd se dolëm edhe në fotografi. Ka qenë një prej ditëve më të gëzuara e më të shënuara të fëmijërisë sime. Edhe fotografia ka qënë ruajtur deri vonë në shtëpinë tonë, por si gjithçka tjetër edhe ajo, s’u gjënd më.
Është e natyrshme që ajo fotografi të ketë qënë deri vonë edhe tek shtepija e Nunit tim, por veç erdh një kohë kur jeta e tij u këput pa pritur. Por para se të dal tek ajo ditë e zezë, do të kujtoj se ndër herët e fundit që e kam takuar Nun Prekën, ka qënë koha kur sapo isha kthyer nga ushtria dhe kisha nisur punën në Fabrikën e Fibrës, buzë Zallit të Kirit, që ndodhej edhe buzë asaj rruge ku kalonin përditë hotjanët që shkonin e ktheheshin prej pazarit të Shkodrës.
Isha nisur për punë rreth orës një të drekës, sepse punoja turni i dytë. Sa zbrita nga autobusi, pashë Nunin me biçikletë. Me pa dhe ai. U ndal, më shikoi drejt e në sy. Isha rrit. Por meqë në adoleshencë, prej një revolte të brendshme që më vinte prej fatit tim cubel, e kisha lëshuar veten pa i vu kurrfarë caku, isha kthyer si zog i lirë me fluturime pa kaheje, ku të frynte era, a thënë shkodranisht  “kudo rasha mos u vrafsha“.
Nuni kishte dëgjuar për do mbrapshti të mijat e kishte qenë i shqetësuar për fatin tim. Por vitet kishin kaluar bashkë me adoleshencën që vet gënjehet si zogu që brof prej folesë pa ju forcua krahët e pa i dalë mirë puplat. E për këtë Nun Preka më shihte thellë, me një dëshirë të madhe të burrnohesha e të ecja në jetë.
- Po a je mirë - më tha në fjalë të parë.
- Mirë jam, Nun!- ja ktheva.
- Po krejt mirë nuk ke kenë do vite t’shkueme.
- Havaja ndërron, o Nun. Unë tash kam mbarue edhe ushtrinë.
- Po, çka ke ndërmend me ba tash mas ushtrisë?
Po-të e Nunit nuk kishin të mbaruar. Ishte një burrë trup madh, i pashëm, me mustaqe të zeza e të trasha. Fort i urtë e i shtruar, por edhe i fortë si kurrkush ai. Mbaja mënd një ngjarje që bëri bujë në Hot të Ri. Nuni atëherë, i ri në moshë, ishte duke kaluar sipër në rrugë, sepse aty afër e kishte shtëpinë. Një grua Hoti, tek kuvendonte poshtë peqinave, honeve të bregut të Kirit, lëshoi një za të lartë:
“Ku-ke-ja, djali i Mirajve u fut në pus!“. Kush ishte pranë pusit u bë kurioz e nisi një kuvendim i zjarrtë. Si e pse kishte hyrë në pus djali i Mirajve. Thonin se dikë kish qëlluar me gur e kur e pa tjetrin të përgjakur nuk e desh veten. Thonin se ishte i ndjeshem e nuk duronte emocione të mëdha. Dy halle kishin gratë e Hotit të mbledhur me vlakat prej lastiku e litarë në duar, se i riu ishte në rrezik jete, mund të shkiste nëpër gurët e pusit e të binte në fund... E në vdes ky njeri, kush do të pinte ujë prej këtij pusi. Hot i Ri nuk kishte asnjë burim tjetër uji të pijshëm.
Prek Uci, i vështroi gratë e tmerruara, ju afrua pusit e, si hodhi një sy thellësisë së errët e të ftohtë, u tha:
- Rrini urtë, se tash po ja gjejmë anën kësaj pune.
Hoqi xhaketën, këpucët, vuri mbi to orën e xhepit, madje edhe një unazë të rëndë ari me shqiponjë, që nuk e hiqte kurrë nga gishti e nuk ishte trandur ndonjëherë ta shiste prej varfërisë.
Nisi të zbriste në pus nën tmerrin e grave që mbeten topitura. Gratë kishin të drejtë të ishin në frikë, se pusi ishte fort i thellë, në pik të verës shkonte në thellësinë më të madhe.
Pak e nga pak, duke u mbështetur në gurët e murit rrethues të pusit, Prek Uci zbriti deri atje ku qe kapur e rrinte i tmerruar i riu
Qe kish hyrë por nuk kish më forcë të dilte sepse e kish pushtuar frika e paniku...
-Ma jep dorën - i tha Prek Uci, sapo e arriti. Djali i Mirajve i frikësuar i dha dorën shpëtimtarit të vet. Pak e nga pak u ngjitën e së bashku e dolën në krye. Njerëzve në fillim ju duk se u vonuan shumë e nisën të flasin përzishëm. Por kur u lëshua një zë nga poshtë, sikur u gjallëruan. Kur qe, Prek Uci nxori kokën e më pas trupin në grykën e pusit, u kap pas gurëve që litarët i kishin vrague thellë, i dha vetes e me djalin që e mbante fort për dore u gjendën të dy në këmbë në mes të grave e burrave të Hotit të Ri që ishim mbledh sepse fjala mori dhènë. Mori xhaketën e vet e tek ja hidhte djalit në krahë, me zë atëror i tha:
“Mos u lsho mâ në pus se kush dreqin zbret prap. Veç unë e ti jemi guximtar pusesh në Hot e kurrkush tjetër. Asht bojagi i thellë.“
I rrahi krahët, e pa thellë në sy e kur vuri re se i riu e kish marrë veten disi, u tha ta çonin në shtëpi, ti jepnin për të ngrenë, ta vinin për gjumë. E kurrnjë fjalë të mos ja thoshte djalit kurrkush. As një qortim e as të mos ja përmend ma njeri këtë punë.
Ky ishte Prek Uci, Nuni im, ai burrë tashmë i moshuar, por prap i fortë si ujk.
- Të pyta çka ke me ba tash e mrapa, se e kalumja ka shku e ka rru perja.- më tha Nuni, ndërsa unë vazhdoja të përfytyroja atë skenë pusi, që kurrë nuk më hiqet nga kujtesa, se ishte një rast që e mbante në gojë tërë Hoti i Ri.E unë me atë Nun krenohesha.
- Jam duke punue përditë këtu, në fabrikë fjala bie, se unë punoj jashtë, në fushë të hapun, nën ernat e murlanin Zallit të Kirit. Po kjo s’asht gja. Do të filloj prap shkollën- i thashë, - Ma ndërprenë pedagogjiken e më dërguan ushtar në Tropojë, por edhe pse jam vonë, do të përpiqem me fitue atë që kam humbë.
- Çka don me u ba ti? Mësues?
- Jo mësues po gazetar.
- A mundesh?- më pyeti me dyshim.
Tunda kokën me shenjë pohimi.
Në fillim nuk foli, i la kohë mendimit e pastaj më tha:
- Ishalla ta hap zoti rrugën. Zemra ma do, që të mos thyhesh si unë.
Kaq të gjitha. I dhamë dorën njeri-tjetrit. Ja mbajta atë dorë gjatë, pashë unazën me shqiponjë, e thashë se Nuni im e donte shumë Atdheun, Shqipërinë edhe pse...Eh, pse... Jo se shqiponja (se ashtu më dukej Nuni) ishte plakur, por se kish një plagë për të cilën kurrë nuk fliste e kurrë nuk ju mbyll.
Duke u pa në sy, qëndruam paksa. Ndoshta janë pak sekonda, por që herë-herë të duket se kanë shtrirje të pafundme. Ai donte të dinte, a të mësonte prej thellësisë së shikimit se sa i vendosur isha unë për ta ndërtuar jetën. Ndërsa unë, e shihja thellë sepse vija re se ishte disi i lodhur. Nuk ish më njeriu i fortë i pusit. Vija re se Nunit tim më shumë i fliste heshtja se fjala. Sepse fjalët i kishte të kursyera, por mendimet i zienin përbrenda. E shihja thellë sepse tashmë e kisha mësuar se Nuni im para se të më krezmonte, kish qenë 5 vjet në burg politik. Po kjo nuk qe më e keqja, se burgu për burrat është, flitej asokohe një shprehje në Hot të Ri.
Po Nuni im kishte veç burgut edhe një brengë. Një brengë të madhe sa një mal, që e mbante në shpirt si gur Sizifi. Se ishin dy vëllezër. Nuni im më i madh, vëllai i vet Palok Uci ma i vogël. E në fundin e luftës së dytë botërore, Palok Uci nuk i kishte mbushur ende njëzet. U njoh diku në një kuvend në Malësi me Prek Calin, kreshnikun e Vermoshit me trup e trimni, i cili e mori pas vetes si shoqërues, se Palok Uci ishte i ri e trim. E kur Prek Cali u dorëzua me kushtin që t’ia falnin jetën djemve të rij që kishte me vete, komunistët premtuan, por si të pa burrni që ishin, për turpin e tyre, e kafshuan fjalën me përgjakje, e vranë Prek Calin edhe ata djemtë i vranë. E nder ta ishte dhe Palok Uci.
Nuni ishte i fuqishëm si një div, veç brenda në shpirt gjysëm njeriu kish mbetur. Gjysma vetes i qe vrarë bashkë me vëllain.
U sëmur një ditë Nuni. Çudi të vjen të thuash se u sëmur ai farë burri që të dukej si gur a si lis. Por si të gjithë njerëzit dhe ai, erdhi një ditë që e ndjeu veten të ligshtuem. Maria e urtë që tek Preka kish edhe sytë edhe shpirtin, e dërgoi në Spitalin Civil të Shkodrës. Atje veç sëmundjes që i brente trupin, që fundja i gjendej ilaçi, Nunit tim, nisi ti rishfaqej imazhi i vëllait të përgjakur. Nisi të mendonte se fatalisht edhe ajo gjysmë që kish mbetur në gjoksin e tij, do të pushkatohej mizorisht prej komunistëve, që ishin aq në tërbim, sa kishin nisur të hanin kokat e njeri-tjetrit. Nuk mund të rronin hienat pa gjak, nuk mund të rronin pa kufoma.
I tmerruar Nuni nisi të shihte përqark me dyshim, në çdo skaj i shfaqeshin spiunë e sigurims, se vërtetë aq të shumtë ishin. Herë- herë e kishin provokuar, por ai ish i matur, nuk e lëshonte fjalën jasht urtisë. Një pinjoll i derës hotjane që ka njoh historia me bëma të pashoqe, por edhe për besë e urti. Por këtu armiku nuk shfaqej përballë, këtu armiku, spiuni, shpifësi, hjeksi, i ligu, bishtadreqi, ishin të fshehtë. Të shfaqej si mik, të vinte në shtëpi, të pinte një gotë raki mani, e, fjalë pas fjalë, të betohej e të përbetohej e të fuste thikën pas shpine. Burrnia, nderi, e drejta në atë sistem kishin vdekur.
Një ditë, eh, një ditë,.... të vrenjtur e të pikëlluar shkodrane, nga dritaret e spitalit të Shkodrës, Nuni im Prek Uci po shihte qiellin, i cili nuk i shfaqte kurrfarë shprese se tmerret njerëzore do të kishin të sosur.
Sërish ju shfaq imazhi i vëllait të ekzekutuar, e si atëherë, kur pati guximin të hynte në pus, tashmë i ndjehej i lehtë fluturimi dhe, me atë unazën me shqiponjë në dorë, u hodh përtej dritareve të mëdha të spitalit, fluturoi si shqiponjë në qiellin e pjerrët e të metaltë të Shkodrës, për të renë pik i vdekur, si të rrëzohej një shkëmb prej shpateve të malit të Hotit...
E unë në fëmini mendoja se vdekje nuk kish guxim ta prekte atë burrë.
Vetvrasjen e Nunit tim Prek Uci, gjithmonë e kam përfytyruar si ekzekutim prej diktaturës të gjysmës tjetër, që kish mbetur brenda tij pas pushkatimit të vëllait 20 vjeçar, e për më tej, sipas ritit katolik, atij kanunor e njerëzor, si vdekja tragjike e gjysmë-Atit tim.

© Copyright Traboini 2012

Gazeta Nacional, 4 mars 2012, f.10-11