31 January 2012

HISTORI ME HISTERI NUK SHKRUHET


HISTORI ME HISTERI NUK SHKRUHET
 
KOLEC TRABOINI

Atyre që vënë emra bulevardesh apo ngrejnë pavione historike, që e përmendin vend e pa vend e per konsum mediatik Ahmet Bej Zogollin, i cili u vetshpall si në Teatrin e Kukullave mbret i shqiptarëve, duam tu themi se tutmaku i kurores, nuk ra prej qielli si pendë korbi a kukull prej lecke, por hyri me bajonetat ruso-serbe dhe përmbysi Qeverinë e Fan Nolit (le ta quajnë po deshen edhe të paligjshme – nuk ka rëndësi)! Zogu me pasuesit e tij nuk zunë Malet e Shqipërisë, nuk shkuan ta bindnin popullin për drejtësinë e ideve të veta, dhe “paligjshmërinë” e Qeverisë së Nolit, por ndoqën një rrugë tjetër me të lehtë , atë të Beogradit, dhe u bënë puthadorët e vrasësve të popullit shqiptar. Kjo është një e vërtetë historike dhe, sado fakte të reja që të dalin, ato nuk arrijnë ta riparojnë atë preçedent antikombëtar.
Si mund të quhet legjitim edhe veprimi i Ahmet Zogut, i shpallur mbret nga Asambleja e formuar në prapaskenat e Lal Krosit me Pandeli Evangjelat e 27-tës, kur burrat më të shquar të politikës dhe të shtetit shqiptar që prej shpalljes së Pavarësisë morën rrugën e mërgimit politik, si Noli, Gurakuqi, Sotir Peci, Stavro Vijnau, Hasan Prishtina, Mustafa Kruja e shumë të tjerë?! Ku është kriteri i legjitimitetit në këtë rast?! A e dinë këta që duan ta rishkruajnë historinë sipas klaneve e konjukturave se në të gjithë enciklopeditë Zogu është quajtuir mbret i vetshpallur, sepse që të jesh mbret, sipas disa parimeve monarkiste europiane duhet të kesh gjak blu. Ku e gjeti gjakun blu Ahmet Zogu që e shpalli nënë e vet mbretëreshë si në përrallat me magjistrica “ Gëzuarsh Maktheth, sot je Than e nesër Mbret!”
Gjithashtu, kur bëhet vlerësimi i aktit të Ahmet Zogut në dhjetor 1924, nuk ka pse t’i vihet si sfond rreziku i depërtimit të bolshevizmit në Ballkan nëpërmjet Qeverisë Demokratike të Nolit, kjo jo se nuk është e vërtetë, por gjithsesi, nuk e motivon ardhjen nën ombrellën e Serbisë, nuk e motivon bashkëpunimin me armikun më të madh të popullit shqiptar e që kishte pushtuar gjysmën e territoreve shqiptare ku i shtypte shqiptarët me dhune e gjak.
Dihet që Noli e prishi "biografinë" në arenën ndërkombëtare kur njohu Qeverinë Sovjetike dhe ambasadori bolshevik u nis për në Tiranë...por nuk arriti për shkaqe që dihen. Pra, vënia e portretit historik të Zogut në sfondin e rrezikut që i vinte Ballkanit nga idetë e Tetorit, nuk është e motivueshme në asnjë aspekt ngado që ta kthesh, prandaj nuk i lehtëson damkën e turpit të ardhjes nën bajonetat e armiqve të popullit shqiptar.
Por edhe sikur ta zëmë se lehtësohet disi nga kjo rrethanë, le të operojmë në aspektin tjetër; triumfatorit të dhjetorit 24, së bashku me bajonetat serbe dhe ato të rusëve të bardhë, t’i vemë në sfond edhe ngjarjet tragjike të përgjakura që ndodhnin në Kosovë në atë situatë. Pra, ndërkohë që Ahmet Zogu me paratë, armët dhe izën e Serbisë marshonte me hap të hekurt drejt Tiranës, ushtria serbe masakronte popullin e Kosovës me një tmerr gjaku që nuk e ka parë historia e popujve të tjerë as në Ballkan dhe as në Europë, me barbarizma që nuk kanë të përshkruar, me vrasje, djegie, shkatërrime, përdhunime, djegie për së gjalli të nënave shqiptare së bashku me fëmijët e tyre, pa kursyer pleq e plaka, mbytje në puse, masakrime kolektive të fshatrave të tëra, jo një e dy, por me dhjetra e dhjetra Lidica e Borova Kosovare. Kur flitet për Enver Hoxhën, me të drejtë thuhet se masakra e Tivarit rëndon edhe mbi ndërgjegjen e këtij diktatori shqiptar si aleat i Titos. Por kurrkush nga simpatizantët e Ahmet Zogut nuk e prek realitetin tronditës të marrëveshjes me vrasësit e popullit shqiptar.
Mos vallë për hir të interesave të shteteve evropiane (pengimin e influencave bolshevike në Ballkan) duhen fshirë nga historia lumenjtë e gjakut të popullit shqiptar në Kosovë? Pra, në këtë pikpamje, edhe Ahmet Zogu, si shumica e pushteteve të vendosura me violence, kalon përmes gjakut të popullit martir. Kjo do të thotë se historia nuk i bën kurrfarë lehtësimi megjithë bërbëlitjet e disa qeveritarëve që flasin përçartë e kërkojnë votat e monarkistëve të mbetur tashmë pa prinjës sepse Leka i ri nuk ka kurrfarë gjasash të pozojë me uniformë bufonade mbreti. Eshtë tjetër gjë pastaj të diskutojmë se në 15 vjet të “mbretërimit” të Zogut, Shqipëria u konsolidua si shtet - ky është një realitet me të cilin besoj se bien dakort të dyja palët, qoftë ithtarët, qoftë kundërshtarët e tij, por shtet të konsoliduar kishte edhe Enver Hoxha. Ku janë ndryshimet në staturë e tyre si shtetarë veç shpirtit vrasës e diktatorial që kishin si tipar të përbashkët.
Zogu dhe Noli ishin dy figura komplekse bashkëkohore që përfaqësonin dy rryma politike, të cilat fatkeqësisht, në vend që të plotësonin njëra-tjetrën, duke mos gjetur gjuhën e arsyes, ndoqën rrugën e konfrontimit politik që çoi atje ku dihet, me rrjedhime të disfavorshme për popullin shqiptar. Ky stil ndiqet tragjikisht edhe sot e kësaj dite në skenën e politikës shqiptare.
Gjithsesi, sfondi i bajonetave serbe, shpallja e Shqipërisë mbretëri, shpallja e Zogut mbret me gjithë kundërshtarët politikë të arratisur jashtë Atdheut- është pikë e errët në historinë e mbretërimit të tij (arkivat e Jugosllavisë do të duhet të kenë dokumente të marrëveshjeve të fshehta midis Zogut dhe Beogradit).
Nga ana tjetër të mos harrojmë se në Shqipëri u vu prej fuqive të mëdha një Princ, Vilhelm Vidi, dhe se atë e rrëzuan turkoshakët të cilët nuk duronin një princ të krishterë (siç i thoshin “kaur”). Dhe nëqoftëse Shqipërisë i duhej një mbret si nevojë historike në vitin 1927, përse nuk iu kthyen Vidit, a ndonjë personi tjetër me gjak mbretëror në Europë por pikërisht beut të Matit, i cili nuk kishte gjak mbretëror? Të mos harrojmë se Greqia fqinje, për të evituar grindjet e brendshme për sundim, pranoi mbretin e sjellë nga Europa, familja e të cilit u trashëgua mbi një shekull në fron, deri në vitet 1960.
Natyrisht, kjo nuk mund të bëhej në Shqipëri sepse Zogu e kish "zogun" në dorë dhe nuk donte ta lëshonte, dhe, për më tepër, kishte një parlament pa kundërshtarë politikë e, kështu, nuk ishte e vështirë të bënte atë që bëri, madje në fillim e quajti veten plot pompë "Skënderbeu i III, Mbret i Shqiptarëve" ( lexo: The Vorld Book Encyklopedia, Vol.18.faqe 9902, 1956 USA). Më pas, duke e parë se kjo tingëllonte disi groteske, e uli tonin duke u quajtur thjesht “Mbret”.
Se si e qysh mbretëroi ky mbret, që Serbia ia bëri peshqesh Shqipërisë, dhe analiza e krimeve të tij politike, janë një çështje tjetër që nuk është me vend ta trajtoj këtu, por meqënëse disa aludojnë për influenca sllave tek Fanolistet pra kundërshtarët e Ahmet Zogut, mund të themi se kjo, jo vetëm që nuk qëndron (edhe armiku më i madh i Sllavëve, poeti Gjergj Fishta ka qënë antizogist), por historia ka treguar të kundërtën e, për këtë, mjafton të përmendim një fakt: Kreshnikut të Kosovës e të Shqipërisë Hasan Prishtinës, Qeveria Jugosllave i afroi miliona për ta zbutur si kundërshtar, por kur e pa se ai nuk ishte burrë që tradhëtonte idealet e veta, bëri ç'është e mundur që ta vriste, ja kerkoi kete favor Ahmet Zogut "Mbretit të Shqiptarëve". Ky për të zbatuar porosinë e padronëve të tij serb që e sollën në pushtet, vuri katilin Ibrahim Çela të kryente aktin mizor në një rrugë të Selanikut, në vitin 1933. Me këtë vrasje u fik Kosova.
Kështu që, se kush janë të influencuar nga sllavët ruso-serb; Monarkistët apo Republikanët, Zogistët apo Fannolistët, nuk mund të përcaktohet ex - catedra, por duke u përpjekur, sa të jetë e mundur, për të bërë një analizë të paanëshme dhe duke i vendosur figurat historike në sfondin e ngjarjeve dhe në rrjedhimet e tyre. Aq më tepër që klasifikime të tilla, jo vetëm që të çojnë në vlerësime të gabuara historike, por edhe e tensionojnë bisedën deri në atë shkallë sa që humbet kuptimi i debatit dhe i shkëmbimit të mendimeve, sepse monarkistët e sotëm duke e parë se po e humbin terrenin përfundimisht, nuk lënë gur pa lëvizur për të sulmuar Nolin e madh, dhe mjerisht në këtë lojë kanë hyrë edhe politikanë e pushtetarë të cilët molloisin histori me histeri zogiste duke llogaritur disa vota me tepër sa herë afron koha e zgjedhjeve. Por histori me histeri nuk shkruhet.




VETVRASJA E NUNIT IM DHE VELLAI I TIJ I PUSHKATUAR PALOK UCI

USHTRIJA NACIONAL ÇLIRIMTARE SHQIPTARE
SHTABI I PËRGJITHSHËM
Seksioni Juridik
Nr. 36 i rregj
Tiranë, më 12/ III/ 45

R A D I O G R A M
GJYKATËS USHTARAKE TË KRAHINËS USHTARAKE TË KORPUSIT II
SHKODËR

Përgjegje shkresës Nr. 6/121 datë 25/ II/ 45
Aprovohet dënimi me vdekje për Nikoll Toma, Zef Toli, Gjon Marku, Nikoll Keçi, Kol Gjeta, Gjok Gjoni, Nikoll Baçi, Kol Marashi, Palok Uci.
Na njoftoni datën e ekzekutimit.
VDEKJE FASHIZMIT - LIRI POPULLIT
KOMANDANT I PËRGJITHSHËM
Gjeneral Kolonel
(Enver Hoxha)
(vula e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë nacional-çlirimtare)
(firma e E. Hoxhës)

VETVRASJA E NUNIT TIM DHE VELLAI I TIJ I PUSHKATUAR PALOK UCI

shkruar nga KOLEC TRABOINI

Një djalë Hoti nga rrethi im familjar u pushkatua e u harrua... Kisha kërkuar prej vitesh qoftë dhe një shënjë, një foto a shënim dhe nuk e dija se Muzeu Kombëtar Tiranë e ka nje dokument me emrin e tij, që po paraqesim. Personi me emrin Palok Uci që shënohet i fundit në listën e hartuar nga Enver Hoxha me 12 mars 1945, që jep pa mëshirë verdiktin e dënimit me vdekje të 9 burrava malësorë katolikë, ka qënë vëllai i Nunit tim Prenk Uci . Mjerisht ky dokument është e vetmja gjë që ka mbetur prej Palok Ucit një i ri nacionalist i ekzekutuar në moshë të re rreth 20 vjeçare. Të pushkatojnë rininë, të mbetesh pa varr, të humbësh sikur nuk ke jetuar kurrë...Vëllai i tij, që ka qënë Nuni im që më ka krezmuar ne Kishen e Madhe në Shkodër, ka qënë dënuar dhe ai me burg politik, dhe vonë ka bërë vetvrasje duke u hedhur nga spitali i qytetit. Palok Uci nuk ishte i martuar dhe Nuni im nuk kishte fëmijë e kështu dera e tyre u shua pergjithmone. Si famull, me bie barra e shpirtit të sjell në vemendje të lexuesve dokumentin e dënimit me vdekje dhe tregimin tim për fatin tragjik të vllezërve Palok dhe Prenk Uci nga Traboini i Hotit historik por të vendosur në Hot te Ri në Shkodër.
Hot i Ri, është fare pranë qytetit të Shkodrës, në verilindje të saj e shtëpitë e para të fshatit nisin diku mbi Stomgolem. E ngritën hotjanët e ikur prej trojeve të veta në Hotit të vjetër në Mal të Zi. Sipas kësaj mënyre riemrimi, janë krijuar edhe Gruda e re e Shtoji i ri.
Në Hot të Ri kishim shtëpinë tonë, që kur u krijua fshati. Im Atë e ndërtoj për shkollë dhe e tillë sherbeu deri vonë. Ishte ndër godinat e para të fshatit, krejt pranë qytetit e falë kësaj afersie, ne jetonim sa në Shkodër aq edhe në Hot e Ri.
Në traditën e Malësisë së Madhe, Nuni, ai që e krezmon fëmijën në Kishë, njihet si të ishte bash prind për fëmijën, famullin. E sjell këtë detaj se mungesa e babës, më është kompensuar disi me dashurinë thuaj prindërore të Nunit tim Prenk Uci, i cili me të shoqen, Marien, nuk kishin femijë, prandaj dhe sytë i kishin tek unë e më rrethonin me përkujdesje e jo rallë, më merrnin të rrija me ditë të tëra në shtëpinë e tyre diku në qëndër të Hotit të Ri. Ishte një shtëpi e thjeshtë, me mure betoni e me një guzhinë të vogël e në vazhdim kish haurin e bagëtive, se hotjanët tokën e kishin të varfër e për më tepër nuk ishte ujë për vaditje deri vonë sa përkundruall u ngrit ferma e Shtojit, më e madhja e vreshtave në Ballkan.
Një natë gushti të nxehtë, Maria e Nuni më pyetën se, a doja unë të flenim jashtë në oborr. Kurrë nuk kisha fjetur jashtë ndaj, duke e parë ngurrimin tim, Maria mu afrua pa dëgjuar Nuni e me tha me zë të butë e si me drojë „ A mos ke frikë me fjetë jashtë, mor bir?“. „Jo!“ dëgjova të dilte një zë. Ish zëri im, por pergjigej sedra, se frikë edhe kisha. E kështu atë natë të nxehtë gushti, ku gjinkallat pëlcisnin duke kënduar, vendosëm të flinim në oborrin para shtëpisë. Maria mi vuri shtrojat pranë vetes. Nuk mbaj mënd çka flisnim, veç di se, duke qënë e para natë e jetës sime që flija në natyrë, nuk doja të mbuloja kokën e të dukesha frikaman në sy të Nunit e Maries, ndaj i mbaja sytë drejt qiellit. Nisa të shoh çka ka ai qiell, që herë-herë zemërohej si i marrë sokaku e gjuante me rrufe në majë të pemëve. E ai qiell po më dukej, herë blu i thellë në vjollcë e herë si i stërpikun me ar, si xhubletat e malsoreve xixa-xixa, kaq të panumurt ishin yjet, e për tmerrin tim të vegjelisë, ndonjë prej tyre shkiste pjerrët sikur do të binte mbi shtëpitë e Hotit te Ri të përgjumur e ti përflakte, siç u përflak një herë e një kohë shtëpija e dy pleqve hotjanë, Prenk Gjoni e Lare Lekja, krejt ngjit me shtëpinë tonë e të Nikoll Lulashit që kishte një djalë të arratisin e të humbun diku në Australi.
Kurrë nuk i kam parë aq gjatë yjet, e mund të them se, që atë natë gushti te shtepija e Nunit, kam rënë në dashuri të perjetëshme me yjet. A thënë disi poetikisht, nuk fjeta unë atë natë, fjetën yjet në sytë e mi.
Kohë e largët, fëmini e vështirë, por nuk e di se si e pse më duket të ishte aq e bukur, a ndoshta se fytyrat që më rrethonin, kishin aq shumë dritë e mirësi në shpirt, sa çdo dhimbje jetimi humbej e tretej si në Hotin e Ri, fshatin e fëminisë time të largët por edhe në rrugën Badra, ku nën lëkurë nisi të më çukiste adoloshenca...
Mbaj mënd se Katedralja e Shkodrës, atë vit që u krezmova, u mbush plot. Tanë banorët e qytetit e nga katundet, kishin ardhë në atë të diel fundpranvere krezmimi. Madje kishin ardhë edhe shkodranë myslimanë sepse u pelqenin të shihnin ritualin.
Është rasti të them se im Atë, në të gjallë, kishte shumë miq myslimanë, të cilët i kish vllezër e shkuar vllezërish, veçmas në Postrribë, ku sa herë shkonte më merrte me vete me biçikletë e madje flinim në shtëpitë e miqëve të tij. Veçmas për dasma por edhe për festën e Bajramit.
Kisha e mbushun plot, fëmijët përafërsisht 10-12 vjeçarë, vajza e djem veshur me të bardha si engjej, të cilët, si mbaronte ceremonia fetare, merrnin rrugën kryesore që niste nga Serreqi për Gjuhadol, për të dalë tek Dugajt e Reja, por edhe drejtimet e tjera qenë plot me kalimtarë që bënin diç më shumë se sehir, sepse galdoheshin bashkë me ne të sapo krezmuarit.
Aty mbaj mënd që ceremoninë e drejtonte Dom Ernestoja, që paraprakisht në sa e sa ditë me durim na kishte dhënë mësime katekizmi. Ai ishte nipi e krenaria e Dadës Katrinë. Edhe ajo aty ish, pranë lterit, pranë kolonave që kishte pikturuar, siç thoshte ajo, daja Kolë (Idromeno).
Ndjehesha krenar tek me shihnin shkodranët, me Nunin Prenkë e mbaj mënd se dolëm edhe në fotografi. Ka qënë një prej ditëve më të gëzuara e më të shënuara të fëmijënise sime. Edhe fotografija ka qënë ruajtur deri vonë në shtëpinë tonë, por si gjithçka tjetër edhe ajo, s’u gjënd më.
Është e natyrshme që ajo fotografi të ketë qënë deri vonë edhe tek shtepija e Nunit tim, por veç erdh një kohë kur jeta e tij u këput pa pritur. Por para se të dal tek ajo ditë e zezë, do të kujtoj se ndër herët e fundit që e kam takuar Nun Prenkën, ka qënë koha kur sapo isha kthyer nga ushtria dhe kisha nisur punën në Fabrikën e Fibrës, buzë Zallit të Kirit, që ndodhej edhe buzë asaj rruge ku kalonin përditë hotjanët që shkonin e ktheheshin prej pazarit të Shkodrës.
Isha nisur për punë rreth orës një të drekës, sepse punoja turni i dytë. Sa zbrita nga autobuzi, pashë Nunin me biçiklet. Me pa dhe ai. U ndal, më shikoi drejt e në sy. Isha rrit. Por meqë në adoloshencë, prej një revolte të brëndëshme që më vinte prej fatit tim cubel, e kisha lëshuar veten pa i vu kurrfarë caku, isha kthyer si zog i lirë me fluturime pa kahje, ku të frynte era, a thënë shkodrançe „kudo rasha mos u vrasha“.
Nuni kishte dëgjuar për do mbrapshti të mijat e kishte qënë i shqetësuar për fatin tim. Por vitet kishin kaluar bashkë me adoloshencën që vetgenjehet si zogu që brof prej folesë pa ju forcue krahët e pa i dalë mirë puplat. E për këtë Nun Prenka më shihte thellë, me një dëshirë të madhe të burrnohesha e të ecja në jetë.
- Po a je mirë - më tha në fjalë të parë.
- Mirë jam, Nun!- ja ktheva.
- Po krejt mirë nuk ke kenë do vite t’shkueme.
- Havaja ndrron, o Nun. Une tash kam mbarue ushtrinë.
- Po, çka ke ndërmend me ba tash mas ushtrisë?
Po-të e Nunit nuk kishin të mbaruar. Ishte një burrë trup madh, i pashëm, me mustaqe të zeza e të trasha. Fort i urtë e i shtruar, por edhe i fortë si kurrkush ai. Mbaja mënd një ngjarje që bëri bujë në Hot të Ri. Nuni atëherë, i ri në moshë, ishte duke kaluar sipër në rrugë, sepse aty afer e kishte shtëpinë. Një grua Hoti, tek kuvendonte poshtë peqinave, honeve të bregut të Kirit, lëshoi një za të lartë:
“Ku-ke-ja, djali i Mirajve u fut në pus!“. Kush ishte pranë pusit u bë kurioz e nisi një kuvendim i zjarrtë. Si e pse kishte hyrë në pus djali i Mirajve. Thonin se dikë kish qëlluar me gur e kur e pa tjetrin të përgjakur nuk e desh veten. Thonin se ishte i dobët nga sistemi nervor e nuk duronte emocione të medha. Dy halle kishin gratë e Hotit të mbledhur me vlakat prej lastiku e litarë në duar, se i riu ishte në rrezik jete, mund të shkiste nëpër gurët e pusit e të binte në fund... E në vdes ky njeri, kush do të pinte ujë prej këtij pusi. Hot i Ri nuk kishte asnjë burim tjetër uji të pishëm.
Prenk Uci, i vështroi gratë e tmerruara, ju afrua pusit e, si hodhi një sy thellësisë së errët e të ftohtë, u tha:
- Rrini urtë, se tash po ja gjejmë anën kësaj pune.
Hoqi xhaketën, këpucët, vuri mbi to orën e xhepit, madje edhe një unazë të rëndë ari me shqiponjë, që nuk e hiqte kurrë nga gishti e nuk ishte trandur ndonjëherë ta shiste prej varfërisë.
Nisi të zbriste në pus nën tmerrin e grave që mbeten topitura. Gratë kishin të drejtë të ishin të friksueme, se pusi ishte fort i thellë, në pik të verës shkonte në thellësinë më të madhe.
Pak e nga pak, duke u mbështetur në gurët e murit rrethues të pusit, Prenk Uci zbriti deri atje ku qe kapur e rrinte i tmerruar i riu
Qe kish hyrë por nuk kish më forcë të dilte sepse e kish pushtuar frika e paniku...
-Ma jep dorën - i tha Prenk Uci, sapo e arriti. Djali i Mirajve i frikësuar i dha dorën shpëtimtarit të vet. Pak e nga pak u ngjitën e së bashku e dolën në krye. Njerëzve në fillim ju duk se u vonuan shumë e nisën të flasin përzishëm. Por kur u lëshua një zë nga poshtë, sikur u gjallëruan. Kur qe, Prenk Uci nxorri kokën e më pas trupin në grykën e pusit, u kap pas gurëve që litarët i kishin vrague thellë, i dha vetes e me djalin që e mbante fort për dore u gjënden të dy në këmbë në mes të grave e burrave të Hotit të Ri që ishim mbledh sepse fjala mori dhènë. Mori xhaketen e vet e tek ja hidhte djalit në krahë, me zë atëror i tha: “Mos u lsho mâ në pus se kush dreqin zbret prap. Veç unë e ti jemi guximtar pusesh në Hot e kurrkush tjetër. Asht bojagi i thellë.
“ I rrahi krahët, e pa thellë në sy e kur vuri re se i riu e kish marrë veten disi, u tha ta çonin në shtëpi, ti jepnin për të ngrenë, ta vinin për gjumë. E kurrnji fjalë të mos ja thoshte djalit kurrkush. As një qortim e as të mos ja përmend ma njeri këtë punë.
Ky ishte Prenk Uci, Nuni im, ai burrë tashmë i moshuar, por prap i fortë si ujk.
- Të pyta çka ke me ba tash e mrapa, se e kalumja ka shku e ka rru perja.- më tha Nuni, ndërsa unë vazhdoja të përftyroja atë skenë pusi, që kurrë nuk më hiqet nga kujtesa, se ishte një rast që e mbante në gojë tërë Hoti i Ri.E unë me atë Nun krenohesha.
- Jam duke punue përditë këtu, në fabrikë fjala bie, se unë punoj jashtë, në fushë të hapun, nën ernat e murlanin Zallit të Kirit. Po kjo s’asht gja. Do të filloj prap shkollën- i thashe, - Ma nderprenë pedagogjiken e më dërguan ushtar në Tropojë, por edhe pse jam vonë, do të perpiqëm me fitue ate që kam humbë.
- Çka don me u ba ti? Mësues?
- Jo mësues po gazetar.
- A mundesh?- më pyeti me dyshim.
Tunda kokën me shënjë pohimi.
Në fillim nuk foli, i la kohë mendimit e pastaj më tha:
- Ishalla ta hap zoti rrugën.Zemra ma do, që të mos thyhesh si unë.
Kaq të gjitha. I dhamë dorën njeri-tjetrit. Ja mbajta atë dorë gjatë, pashë unazën me shqiponjë, e thashë se Nuni im e donte shumë Atdheun, Shqipërinë edhe pse...Eh, pse... Jo se shqiponja (se ashtu më dukej Nuni) ishte plakur, por se kish një plagë për të cilën kurrë nuk fliste e kurrë nuk ju mbyll...
Duke u pa në sy, qëndruam paksa. Ndoshta janë pak sekonda, por që herë-herë të duket se kanë shtrirje të pafundme. Ai donte të dinte, a të mësonte prej thellësisë së shikimit se sa i vendosur isha unë për ta ndertuar jetën. Ndërsa unë, e shihja thellë sepse vija re se ishte disi i lodhur. Nuk ish më njeriu i fortë i pusit. Vija re se Nunit tim më shumë i fliste heshtja se fjala. Sepse fjalët i kishte të kursyera, por mendimet i zienin përbrënda. E shihja thellë sepse tashmë e kisha mësuar se Nuni im para se të më krezmonte, kish qënë 5 vjet në burg politik. Po kjo nuk qe më e keqja, se burgu për burrat është, flitej asokohe një shprehje në Hot të Ri.
Po Nuni im kishte veç burgut edhe një brengë. Një brengë të madhe sa një mal, që e mbante në shpirt si gur Sizifi. Se ishin dy vellëzër. Nuni im më i madh, vëllai i vet Palok Uci ma i vogël. E në fundin e luftës së dytë botërore, Palok Uci nuk i kishte mbushur ende njëzet. U njoh diku në një kuvend në Malësi me Prenk Calin, kreshnikun e Vermoshit me trup e trimni, i cili e mori pas vetes si shoqërues, se Palok Uci ishte i ri e trim. E kur Prenk Cali u dorëzua me kushtin që t’ja falnin jetën djemve të rij që kishte me vete, komunistët premtuan, por si të paburrni që ishin, për turpin e tyre, e kafshuan fjalen me përgjakje, e vranë Prenk Calin edhe ata djemtë i vranë. E nder ta ishte dhe Palok Uci.
Nuni ishte i fuqishëm si një div, veç brenda në shpirt gjysëm njeriu kish mbetur. Gjysma vetes i qe vrarë bashkë me vllanë.
U sëmur një ditë Nuni. Çudi të vjen të thuash se u sëmur ai farë burri që të dukej si gur a si lis. Por si të gjithë njerëzit dhe ai, erdhi një ditë që e ndjeu veten të ligshtuem. Maria e urtë që tek Prenka kish edhe sytë edhe shpirtin, e dërgoi në Spitalin Civil të Shkodrës. Atje veç sëmundjes që i brente trupin, që fundja i gjëndej ilaçi, Nunit tim, nisi ti rishfaqej imazhi i vëllait të përgjakur. Nisi të mendonte se fatalisht edhe ajo gjysëm që kish mbetur në gjoksin e tij, do të pushkatohej mizorisht prej komunistëve, që ishin aq në tërbim, sa kishin nisur të hanin kokat e njeri-tjetrit. Nuk mund të rronin hienat pa gjak, nuk mund të rronin pa kufoma.
I tmerruar Nuni nisi të shihte përqark me dyshim, në çdo skaj i shfaqeshin spiunë e sigurims, se vertetë aq të shumtë ishin. Herë- herë e kishin provokuar, por ai ish i matur, nuk e lëshonte fjalën jasht urtisë. Një pinjoll i derës hotjane që ka njoh historia me bëma të pashoqe, por edhe për besë e urti. Por këtu armiku nuk shfaqej përballë, këtu armiku, spiuni, shpifsi, hjeksi, i ligu, bishtadreqi, ishin të fshehtë. Të shfaqej si mik, të vinte në shtëpi, të pinte një gotë raki mani, e, fjalë pas fjalë, të betohej e të përbetohej e të fuste thikën pas shpine. Burrnija, nderi, e drejta në atë sistem kishin vdekur.
Një ditë, eh, një ditë,.... të mvrejtur e të pikëlluar shkodrane, nga dritaret e spitalit të Shkodrës, Nuni im Prenk Uci po shihte qiellin, i cili nuk i shfaqte kurrfarë shprese se tmerret njerëzore do të kishin të sosur.
Sërisht ju shfaq imazhi i vëllait të ekzekutuar, e si atëherë, kur pati guximin të hynte në pus, tashmë i ndjehej i lehtë fluturimi dhe, me atë unazën me shqiponjë në dorë, u hodh pertej dritaveve të mëdha të spitalit, fluturoi si shqiponjë në qiellin e pjerrët e të metaltë të Shkodrës, për të renë pik i vdekur, si të rrëzohej një shkemb prej shpateve të malit të Hotit...
E unë në fëmini mendoja se vdekje nuk kish guxim ta prekte atë burrë.
Vetvrasjen e Nunit tim Prenk Uci, gjithmonë e kam përftyruar si ekzekutim prej diktaturës të gjysmës tjetër, që kish mbetur brenda tij pas pushkatimit të vëllait 20 vjeçar, e për më tej, sipas ritit katolik, atij kanunor e njerëzor, si vdekja tragjike e gjysëm-Atit tim.

© Copyright Traboini 2012
Gazeta Nacional, 4 mars 2012, f.10-11

23 January 2012

NOLIN E PENGUAN BAJONETAT E SERBISË!


NOLIN E PENGUAN BAJONETAT E SERBISË!

Ka shumë që rrahin gjoksin si atdhetarë, ndërkohë që shajnë e pështyjnë Nolin e madh, çfarë të kujtojnë të mjerat miza në zverk të elefantit.

Shkruar nga KOLEC TRABOINI

Është për të ardhur keq se shpesh herë, qarqe e grupe të caktuara e trajtojnë historinë duke u nisur nga lidhjet fisnore apo të hierarkisë së sistemit, me të cilin kanë patur të bëjnë dikur pjestarë të familjes apo të afërm të tyre. Ka që bëjnë be e rrufe për mirësinë dhe bujarinë e një sistemi sikur të ishte prerja e artë e historisë. Kur them këtë kam parasysh shkrimin ironik me titull "Kush e pengoi Fan Nolin?" (të bënte demokracinë në Shqipëri-shënimi im, KT) por edhe mjaft shkrime të tjera të pinjollëve të hierarkëve të monarkisë vetanake zogiste. Duke ndjekur këtë stil dhe këtë mënyrë të gjykuari, (“Ja, lexojeni Statutin e Mbretërisë”- të thonë), sot mund të dalin pinjollë të diktaturës e të na bëjnë be e rrufe se koha e Enverit ishte demokraci e kulluar, sepse edhe në kushtetutën e saj ishin shkruar fjalët "demokraci" dhe "sovran është populli...".
Kohët ndërrojnë, por tradicioni politik i interesave mbetet. Shumica e atyre që lavdërojnë deri në qiell një sistem, koha e ka treguar se, ose kanë qënë të ingranuar në atë sistem, ose kanë përfituar prej tij privilegje ekonomike, shoqërore apo politike.
Mirëpo, që të dalësh sot e të thuash se ngjarjet e Maj-Qershorit 1924 ishin një grusht shteti, dhe akoma më tej, se Fan Noli ishte i paaftë për burrë shteti ngase ata që kishte rreth e qark ishin të paaftë gjithashtu, dhe në të kundërt, që veprimet e Ahmet Zogut ishin legale e legjitime, do të thotë që ta vlerësosh historinë që prapa ferrës sipas pikpamjeve tepër të ngushta, e të mos marrësh parasysh asnjë faktor e rrethanë të zhvillimit të atij revolucioni. Është e qartë se revolucionin nuk mund ta bëjë e ta udhëheqë një njeri i paaftë, madje as dhe një njeri me aftësi mbinjerëzore në qoftë se nuk ekzistojnë kushtet e rrethanat e favorshme për zhvillimin e tij, në qoftë se kundërshtitë mes forcave politike nuk kanë arritur në pikën ekstreme - për të cilën thuhet "kur mbarojnë fjalët nxirren shpatat".
Është mirë të studiohet historia deri në hollësi para se të konkludohet se një Revolucion është një Puç apo diçka tjetër.
Përdora shprehjen ‘kur mbarojnë fjalët...’ për të saktësuar se në pranverë 1924 ngjarjet u tensionuan jashtë mase (pra kishin mbaruar fjalët). Plagoset Ahmet Zogu në Parlament nga Beqir Valteri, i cili e finalizon “heroizmin” e tij duke u mbyllur në nevojtore.Ani pse se shumti Parlamenti eshte kthyer historikisht ne nevojtorja personale e pushtetit dhe e pushtetarëve të paskrupullt. Më pas dihet, Ahmet Zogu si mjeshtër i masakrave dhe terrorit, organizon vrasjen e Heroit Avni Rustemi - vrasje që revoltoi tërë popullin shqiptar në jug e në veri. Duke parë rrebeshin e urrejtjes popullore ndaj këtij akti kriminal, Ahmet Zogu nuk kish ç'të bënte veçse t’ia mbathte (mbathja e parë) përtej kufirit për të ndenjur në prehër të Beligradit.
Pa hyrë në hollësira mbi dilemat e Nolit si kryeministër apo në lojën diplomatike për pranimin e ambasadorit sovjetik që do t’i kushtonte rëndë, sepse i shtiu frikën diplomacisë europiane për rrezikun e shtrirjes së influencave ruso-bolshevike sovjetike në Ballkan dhe dobësi të tjera të programit të tij me reforma që mbetën në letër, pra pavarësisht nga këto, është pranuar nga të gjithë historianët se gjashtë muaj të qeverisjes së Nolit në Shqipëri ishin vite të demokracisë e jo të autokracisë dhe pushtetit absolut personal.
Aspekti tjetër i veçantë është se Noli erdhi në pushtet duke shfrytëzuar lëvizjen e forcave të brendëshme, përkundrazi ardhja e Ahmet Zogut nga Serbia dhe i armatosur me bajonetat serbe, konsiderohet si përmbysje e një qeverie nga ndërhyrja e jashtme, në rastin e Shqipërisë, të një armiku të jashtëm të deklaruar botërisht.
Se çfarë ishte dhuna e shovinizmit serb mbi popullin e Kosovës, e tregojnë lumenjtë e gjakut dhe nuk ka nevojë për komente, prandaj dhe ndonjë dashuri e madhe e serbëve për shqiptarët (që vuanin nën regjimin e Nolit!!!) veç ndonjë mendje e çalltisur mund ta bllaçitë. Dhe megjithatë, Serbia (fanatike orthodokse) iu bë krah ushtarakut meskin Ahmet Zogu dhe u vu të përmbyste një qeveri demokratike që gëzonte përkrahje popullore e që drejtohej nga një klerik i kulturuar orthodoks si Fan Noli. Këtë paradoks le ta spjegojnë ithtarët zogistë të rizgjuar tepër vonë tashmë. Le të spjegojnë gjithashtu në kontekstin historik se çfarë ndodhte në Kosovë në gjysmën e dytë të vitit 1924. A mos ishte ndalur, qoftë dhe për një çast, rrjedha e lumit të gjakut shqiptar në tokën dardane?
Paradoks mbetet edhe emri ‘Legalitet’, pra se si mund të vetëquhet legal një regjim që ta sjell armiku i popullit tënd, i cili gjithashtu mban të pushtuar gjysmën e truallit shqiptar, kjo është një nga çuditë më të mëdha monarkiste.
Epra, legaliteti i ardhjes në pushtet të Ahmet Zogut është, jo vetëm i dyshimtë dhe jo legal, por edhe i turpshëm. Çfarë mund të thuhej sikur Sali Berisha, në pranverën e 97-tës të shkonte në Beograd tek Sllobodani, e ky ta ndihmonte të rivendoste "qetësinë", “rendin” dhe “legalitetin” e pushtetit të tij në Shqipëri?! Do të ishte e papranueshme dhe e urrejtshme për shqiptarët.
Po sikur Noli të zbarkonte me trupat ruso-bolshevike e ta “çlironte” edhe ai Shqipërinë sipas stilit përdredhan të Ahmet Zogut? Një mallkim e turp i përjetshëm do të binte mbi të. Por Fan Noli as nuk e bëri, dhe kurrë nuk do ta bënte këtë gjëmë, se binte ndesh me parimet e tij të larta demokratike e, megjithatë, edhe sot e kësaj dite përgojohet prej kallamarëve monarkistë, se gjoja desh solli një ambasador nga Moska, ndërkohë që rastin e invazionit të dhjetorit 1924 nën armët e Serbisë, këtë bëmëzezë në histori, kurrë nuk ia rënduan mbi shpatulla Ahmet Zogut. As atij vetë nuk iu bë qefi qeder, madje edhe kur e kompensoi Serbinë me Shën Naunin. Kjo, se ky riosh ambicioz vinte veten mbi Shqipërinë e shqiptarët, mbi Atdheun e Kombin.
Patriotët si Abas Ermënji, kurrë nuk pranuan që të angazhoheshin nën ombrellën e ndonjë fqinji shovinist si Greqia (akt që është në nderin e tyre) për rrëzimin e diktatorit Enver Hoxha dhe komunistëvë gjakpirës, gjë që Ahmet Zogu e bëri duke lëpirë duart e përgjakura të armiqve të Shqipërisë. Historia është e pamëshirëshme për puthadorët. Shërbimi i Beogradit që shtypte e vriste popullin shqiptar të Kosovës, kishte subvecionuar 2 milion dinarë të asaj kohe, vetëm për të siguruar karierën e Ahmet Zogut. Ky është një akt i pashembullt dhe koha, sado paradoksale, nuk mund ta motivojë e as ta përkëdhelë Zogun e vjetër - se me Lekën, si qytetar i thjeshtë shqiptar (por jo si pretendent), kjo temë nuk ka kurrfarë lidhjeje, pavarësisht nga zgjimi i vonuar i ca zogistëve që u ka mbetur ora një shekull prapa e duan ta bëjnë Shqipërinë mbretëri anadollake me ndonjë Lal Kros të ri.
Nga ana tjetër, është vërtet për të ardhur keq kur dëgjohen vlerësime tendencioze e të pamerituara për burrat e shtetit të cilët e rrethonin Fan Nolin. Ata ishin njerëz të mëdhenj, të cilët qëndrojnë denjësisht në peidestalin e historisë kombëtare. Ministër i Financave të Qeverisë së Fan Nolit ka qënë Luigj Gurakuqi, një nga tribunët e pavarësisë kombëtare në krah të Ismail Qemalit, një njeri me kulturë e dije të gjera, organizator i zoti, një ministër financash të cilin, kurrë më të aftë e më të ndershëm, nuk e ka pasur ndonjëherë Shqipëria. (Ah të kishim një të tillë tani që na mbyten ministrat hajdutë e të paaftë!). Pranë Nolit qëndronte një anëtar kabineti si Stavro Vinjau, një Zija Dibra, i cili nuk pranoi të largohej nga Shqipëria edhe kur Zogu me trupat mercenare e bashibozuke të armatosura në Serbi, hyri përdhunshëm në Tiranë. Si shpërblim për këtë qëndrim dinjitoz e atdhetar të Zija Dibrës, një i paskrupullt që nuk e njihte nderin si cilësi e virtut personal si Ahmet Zogu, vuri njerëz dhe e vrau prapa krahëve gjatë rrugës ndërsa përcillej në internim. Akt i denjë vetëm për një Zog. Pas Zija Dibrës do t’i vinte rradha njërit nga figurat më popullore në Shqipëri, Luigj Gurakuqit, më 2 Mars 1924, në Bari. Vetëm pak ditë më pas, Bajram Curri do të vritej nga bandat zogiste, më 29 mars në Dragobi, për ta mbyllur ciklin makbethian me Heroin Kombëtar Hasan Prishtina, që siç kam shkruar dhe më parë, kur ra ai, u fik Kosova. Kjo vrasje është shërbimi më i madh që i bëri Ahmet Zogu Serbisë shoviniste për gjunjëzimin përfundimtar e të përgjakur të Kosovës.
Ndërsa rreth e qark Ahmet Zogut ishin mbledhur njerëz të kategorisë Pandeli Evangjeli, të cilët nuk janë shquar kurrë për burra shteti por thjesht si nëpunës të bindur kryeulët. Vetëm nëqoftëse është fjala për Lal Krosin, injorantin analfabet i cili bënte ligjin e Maliqin në "Mbretërinë Shqyptare", atëherë po, sepse vërtet, demokratët e mëdhej të plejadës së Fan Nolit nuk kishin në mes vedi ndonjë Lal Kros sharlatan. “Çfarë thotë Zogu bën Lala, çfarë do Lala bën Zogu”.( Enver Hoxha e kishte adaptuar këtë parim zogist lalkrosian: “Çfarë do populli bën partia. Çfarë thotë partia bën populli”. Më shumë çiflik se shtet u katandis e varfëra Shqipëri. Por Shqipëria, as nuk ishte e as nuk do të bëhej kurrë një çiflik Lalësh nëse do të drejtohej edhe më tej nga burra të ditur si Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau, Zija Dibra, Hasan Prishtina e të tjerë. Tashmë historia dihet: Me Enver Hoxhën, për të dytën herë, Shqipërisë i erdhi "shpëtimi" nga Beogradi drejtpërdrejt nga shtabi jugosllav i Josif Broz Titos.
Qeverisja e Nolit dhe e demokratëve të tjerë shqiptarë bashkëkohës të tij, pa pikë dyshimi, do t’i sillnin Shqipërisë zhvillime të reja bashkëkohore europiane. Madje mund shtohet se ndoshta nën influencën e tyre, populli do të mund të shpëtonte nga gracka e Partisë Komuniste Shqiptare e formuar dhe kjo nga miqtë serbë të Ahmet Zogut, por të Nolit kurrsesi.
Kjo për faktin se rinisë shqiptare dhe mbarë popullit të varfër e të mbetur në injorancë, i kishte ardhur në majë të hundës mbretëria e mbretërimi gjysëmfeudal zogist, ku oborri bënte jetë lluksi përrallore. Duke kënduar “Këngën e mjerimit”, populli e pati të lehtë të mashtrohej prej ideve spekulative e demagogjike të barazisë e të mirëqënies shoqërore që do të vendosej (gjoja) pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit fashistë. Nëqoftëse Shqipëria do të kishte patur deri në vitin 1939 një shtet demokratik sipas parimeve të ndritura noliane, padyshim që nuk do të ishte e lehtë të gënjeheshin dhe mashtroheshin njerëzit me pilula sllavo-komuniste të linjës Moskë-Beograd.
Prandaj, se si do të ishte historia e Shqipërisë pa Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën, kjo merret me mend dhe nuk ka nevojë për komente të gjata, ndërsa se si do të bëhej historia nëse Shqipëria do të ecte në rrugën e ideve demokratike dhe iluministe të Fan Nolit, kjo ka vend për hulumtime, sepse Fan Noli ishte një njeri universal dhe bota e ideve të tij ishte mjaft komplekse, por gjithsesi, shumë më e ndritur se çdo lloj diktature e tipit kontraversal Zogu-Hoxha.
Megjithëse këta dy kapituj janë kaq voluminozë e kaq kompleksë dhe me sense të kundërt saqë nuk mund të ezaurohen me një apo dy diskutime, sidoqoftë mund të themi se, me idealin e tij për një Shqipëri ekonomikisht të zhvilluar e kulturuar, për një shtet të ndërtuar mbi principet bashkëkohore europiane, me një shoqëri civile demokratike, Fan Nolin, më parë nga bashibozukët e halldupët pseudolegale të Ahmet bej Zogollit, e penguan dhe e rrëzuan bajonetat e Serbisë, për ndryshe sot, Shqipëria do të ishte Europë e jo siç është, një vend i braktisur në siujdhezën me emrin "harresë ballkanike".


Autori i shkrimit K. Traboini, dale tek varri i Fan Nolit ne Forest Hill të Bostonit, SHBA, eshte nder ithtaret me te zjarrte te Universit Nolian dhe fizikish shqiptari qe jeton me afer vendit ku pushon burri gjenial i kombit.

Shkrimi per Fan Nolin botuar ne gazeten "Tirana Observer " 22 janar 2012.