24 October 2011

KUJTO POETIN- Nje album perkujtimor per 40 poete




POEZIA NE PRANGA
Liria fillon nga kujtesa.

(Me rastin e përkujtimit të 40 poetëve dhe promovimit të librit “Kujto Poetin”, më datën 25 10 2011, në Akademinë e Arteve)


Jeta e vërtetë e poetit fillon atëherë kur zhduket arkeotipi. Poeti është si perla që del prej thellësive të detit për të vezulluar përgjithmonë në rrezet e diellit. Në këtë sens ata e lënë shpirtin e vet të rrezatuar përmes zinxhirit njerëzor me kalim të parendur.
Por, ndodh që edhe të harrohen. Të harrohen jo se nuk kanë vlera, porse, në këtë mishmash idesh, ambicjesh, hallesh të përditshme, këputjesh të lidhjeve mes hallkave të pushtetit dhe artistëve, po ndodh një përçudni që arti e artistët të konsiderohen si një handikap ekonomik dhe social. Disa autorë patën jo vetëm fat tragjik, por u shoqërua me një lënie në harresë e jashtë vëmendjes.
Për të mos i lënë në harrim, ata me të cilët patëm thuajse të njëjtin fat të jetonim një kohë me peshë kolosale mbi shpatulla, por që tani nuk jetojnë më fizikisht, vendosëm të mbledhim nektar e polen prej shpirtit të tyre e t‘i vëmë pranë njeri-tjetrit, ashtu si ndoshta kurrë në jetë nuk kanë qenë.
I vetmi kriter në këtë përzgjedhje të albumit poetik “Kujto poetin” është respekti, dashuria, mirënjohja për kolegët tanë poetë që shpirtin e tyre e kanë të derdhur në vargje, me dëshirën e mirë për të krijuar një traditë në vazhdimësi, sepse mendojmë se poeti duhet ta mbajë poetin edhe në të gjallë, edhe në të vdekur.
Në këtë përkujtimore paraqiten dyzet autorë që nuk janë më, nga të cilët tridhjetë nga Shqipëria, katër nga Kosova, një nga Tetova, një nga Çamëria, një arberësh nga Kalabria si dhe poetë nga Diaspora.
Katërmbëdhjetë nga poetët e paraqitur nga Shqipëria, thuajse gjysma, kanë qenë të persekutuar dhe të dënuar, nga këta, pesë të ekzekutuar nga diktatura, Lazër Shantoja, Trifon Xhagjika, Genc Leka, Vilson Blloshmi dhe Havzi Nela. Nga të arratisurit pas luftës së dytë botërore, një i dënuar me vdekje në Itali, por i amnistuar, Isuf Luzaj, poet e filozof, që ka dhënë mësime në disa universitete, Argjentinë dhe Amerikë, deri në Harvard dhe ka patur lidhje e komunikim me Borgesin dhe Nerudën, si dhe Arshi Pipa, ish i burgosur i arratisur, profesor në disa nga universitetet më prestigjioze amerikane.
Më i madhi lirik i kohës, Frederik Rreshpja, shtatëmbëdhjetë vjet të jetës së tij i kaloi në mungesë të lirisë. Edhe mbas kësaj, ai vazhdonte të shkruante mrekullisht, madje dhe më magjishëm se më parë. Ai bëri të përmbyset dhe ridimensionohet tërë koncepti dhe shkalla hierarkike e poezisë.
Poeti me fat tragjik Viktor Qurku, i imponuar nga rrethanat, kreu vetvrasje. Por nuk mendojmë se me këtë desh të vriste edhe poezinë brenda vetes. Të vetmen gjë që ky poet tragjik nuk do të donte ta bënte është vetvrasja e poezisë së tij si vetvrasja e trumcakut migjenian.
Sa më shumë shkojnë vitet aq më shumë vjen në rritje figura e Trifon Xhagjikës, në etjen e tij të pashuar për liri e dinjitet, i cili meriton të konsiderohet më i madhi poet disident i deklaruar i kohës së diktaturës, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë Europën. Poeti ynë pa iu dridhur qerpiku u tha atyre që po e dënonin:
- “Më sillni një top, të qëlloj sistemin tuaj!”.
Ne, gjithmonë e përftyrojmë Prometeun një atlet trupmadh, por në të vërtetë paska qenë ndryshe. Trifon Xhagjika na mësoi se si mund të ishte një Promete lirie, trupvogël por që krijon me zjarrin e shpirtit.
Kurrë nuk duhet të harrojmë se Poezia e vërtetë gjatë gjithë historisë së njerëzimit ka qenë e mbetet pararoja mbrojtëse e dinjitetit njerëzor.
Ndaj: Kujto Poetin!
Poetin e vërtetë, të pakompromis. Atë që nuk të fsheh asgjë por, të jep në dorë drithërimat e shpirtit dhe rrahjet e zemrës së vet. Atë që thotë vetëm të vërtetën e vet emocionale, pa asnjë mbulesë e artificë e që pas kësaj, ajo bëhet e vërteta jote estetike dhe pjesë e pandarë e botës tënde. Atë gjithherë e ke mik të shpirtit - edhe nëse në mes të gjallëve nuk e gjen.

KOLEC TRABOINI

Tiranë, 25 tetor 2011
Pjesë nga parathënia e librit “Kujto Poetin”
_______________________________________

LAJM NGA NGA GAZETA "PANORAMA"

Një kujtesë për 40 poetë

“Kujto poetin”, homazh për poetët e dënuar



“Kujto poetin”, homazh për poetët e dënuar “Kujto poetin”, kështu titullohet libri-album, i cili u kushtohet 40 poetëve shqiptarë, të cilëve diktatura i rezervoi një fat tragjik. Disa u vranë, të tjerë u mbyllën qelive, të tjerë u dënuan me harresë. Një libër i përgatitur nga poetët Kolec Traboini dhe Iliriana Sulkuqi në segmentin gjeografik Tiranë-Boston-New York, i cili u prezantua në Akademinë e Arteve. “Në këtë përkujtimore paraqiten dyzet autorë që nuk janë më, nga të cilët 30 nga Shqipëria, katër nga Kosova,Azem Shkreli, Din Mehmeti,Rrahman Dedaj dhe Enver Gjergjeku, një nga Tetova, Murat Isaku, një nga Çamëria, një arbëresh nga Kalabria, si dhe poetë nga diaspora. Katërmbëdhjetë nga poetët e paraqitur nga Shqipëria, thuajse gjysma, kanë qenë të persekutuar dhe të dënuar, nga këta, pesë të ekzekutuar nga diktatura, Lazër Shantoja, Trifon Xhagjika, Genc Leka, Vilson Blloshmi dhe Havzi Nela. Nga të arratisurit pas Luftës së Dytë Botërore, një i dënuar me vdekje në Itali, por i amnistuar, Isuf Luzaj, poet e filozof, që ka dhënë mësime në disa universitete, Argjentinë dhe Amerikë, deri në Harvard dhe ka pasur lidhje e komunikim me Borgesin dhe Nerudën, si dhe Arshi Pipa, ish i burgosur i arratisur, profesor në disa prej universiteteve më prestigjioze amerikane”, thotë Traboini. Nuk mungon as Frederik Rreshpja, që shtatëmbëdhjetë vjet të jetës së tij i kaloi në mungesë të lirisë, as poeti me fat tragjik, Viktor Qurku, i cili u vetëvra. “Sa më shumë shkojnë vitet, aq më shumë vjen në rritje figura e Trifon Xhagjikës, në etjen e tij të pashuar për liri e dinjitet, i cili meriton të konsiderohet më i madhi poet disident i deklaruar i kohës së diktaturës, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë Europën. Poeti ynë, pa iu dridhur qerpiku, u tha atyre që po e dënonin: “Më sillni një top, të qëlloj sistemin tuaj!”. Sipas autorëve të këtij libri, “Kujto poetin është një homazh për poetin e pakompromis".