PER NJE GOTE BIRRE STRUGANE


PER NJE GOTE BIRRE STRUGANE

Më pëlqeu shumë shkrim yt se si e shite darkën e poezisë strugane për një gotë birrë, o Kalosh Çeliku. Ja vlen ndonjë herë të shesësh jo veç darkën por edhe shumë e shumë më tepër për një gotë birrë.



KOLEC TRABOINI

Më pëlqeu sidomos ajo puna e mbretërve të poezisë nga nahija e Shqiperisë së vitit 1913, sepse vërtetë në hapsirën vjershëtare shqiptare 1913 ka mbretër, por ka edhe feudalë, po ka edhe veqilë e taksidarë, po ka klane, po ka edhe politikë, ka edhe parti në poezi. Të gjitha i ka.
Problemi është se çfarë soj mbretërish ka këtej kufirit, o i nderuar Kalosh Çeliku matanë kufirit, se ka mbretër e mbretër. Ka mbretër me gjak blu por edhe të vetshpallur e vetkurorëzuar. Dihen mirë këto punë ndër ne.
Po këta mbretërit tanë janë as më pak e as më shumë por mbretër bërsish e jo poezish. Nuk ka nevojë ti them lexuesit se bërsitë janë mbetjet e rrushit pasi ti nxirret rakia. Ashtu dhe poezia. Fut një gotë në gurmaz e shkruaj dy rrjeshta. E me nder jush; shurrë dhe poezi. Të paktën qe pesëdhjetë vjet kjo ka funksionuar në Shqipëri. Se partia ka qënë kundër Lirisë por jo kundër rakisë.
Për të thënë të vërtetën e këtyre pesëdhjetë vjetëve të fundit, përveç Frederik Rreshpes, (dritë i bëftë shpirti poetit në atë botë të pasosun), që ishte i vërtetë si drita e diellit, përpara të cilit dukemi lakuriq edhe sot e kësaj dite, të tjerët veç shkruanin vargje të sforcuara, ku thonin shumë po nuk ndjenin kurrgjë e nuk ngurronin të ngrinin frone për të vënë vetën e sajesat e veta pseudopoetike ndersa Rreshpen( pra poezinë) e rrasnin dy herë në burg. Por edhe sot nga varri si dje nga burgu ky prap po i sfidon. Besa dikush shumë kish dashtë që ky poet të mos kish ekzistuar kurrë, sepse është as më pak e as më shumë por modeli i të vertetës në poezi, ai shteg që vështirë është të kalohet.
Të mos harrojmë se bëjnë edhe këndej nga 1913-ta festivale poezish ku u japin çmime njëri tjetrit. Apo ftojnë ca gra teveqele nga Italia apo gjetkë, i miklojnë e dorovisin me çmime me kusht që tua kthejnë nderin në vendin e tyre.E vërteta është se kjo marrveshje funksionon e pseudopoezia lundron në mes të dy brigjeve.
Edhe Struga nuk mendoj se shpëton nga këto simptoma se poezia e vërtetë kurrë nuk ka pritur ta vënë nëpër tribuna e as ti vënë kurora dafinash. Ajo është poezi pa patur nevojë të ketë kumbar e ti vënë një ëmër, a ta nxjerrin me xhingla mingla në pazar.
Satiriku Niko Nikolla, që paska patur fatin të shkojë në Strugë, ka pas të drejtë kur ka thënë “Jemi popull shkrimtar”. Ai qerrata humorist ka imituar parullat e Enverit kur thoshte jemi popull ushtar. Po ne jemi edhe popull rapsodik e pse jo satirik.
Duke qënë se edhe vetë kam pas dëshirë të vjetër marr pjesë si çdo shqiptar tjetër andej e këndej vitit 1913 , kisha dasht me ditë se kush nga Shqipëria ishte ftuar dhe çfarë produkti poetik kanë sjellë me vete këtë herë. Them produkt se ka ardhë koha ti shohim gjërat siç janë. Se po ftohen më shumë do pseudopoete për kofshë e lezete se sa për poezi. Unë nuk kam ndërmënd t’u vë poezive pseudonine me emrin e ndonjë bukuroshje cicëmadhe tiranase që t’u ndezë fantazinë, të erektohen e zhulaten, që të kandisën të më ftojnë Abdylaqimat e poezise së netëve strugane.
Kam pas nëpër vite dyshimet e mia, por tani që mësoj prej teje se nuk i kanë dhënë kurrfarë çmimi një kollosi si Murat Isaku, krejt origjinal ky, modern e i papërsëritshëm në letërsinë shqipe, tani pra nuk kam më pse të çuditëm që punët kanë ardhur deri në atë zgrip me shit darkën festivalit të poezisë për një gotë birrë.
Nuk e di ku janë poezitë e atyre mizave, brumbujve a ndoshta gjenive që kanë marrë çmime, por di se poezia e Murat Isakut këtu është e pranishme, anipse Murati Isaku i madh nuk jeton më.
Poezia e tij, që po ta shënoj këtu më poshtë çarmatos tërë këta soj mbretërisht lakuriq që thurin shtëpi poezish me purteka ndersa Isaku i thurte me fijet e zemrës e të shpirtit të vet:


ARTA’ MBYLLE DRITAREN

Arta’ mbylle dritaren-me fytyrë në oborr
Se duhmë e të vdekurve vjen nga jug i largët.
Qindra vjet’e dashur’me plumba në kraharor
Trualli po vjell vetëm vrer e gjak....

Arta’ mbylle dritaren se drithmën ma ngjesin
të vdekurit’ që këmbët i lidhin mbi gur
Nga shtizat në grykë-shoqet e tua s‘dua të vdesin
bijë e dashur’
se e rëndë është vdekja me dhunë.

Arta’ mbylle dritaren’krisma zemrën ma shkund’
Prej vdekjes së dytë tremben të vdekurit gjithkund.


Që të davaris retë që lënë nën hije dyshimi mendimet e mia, të kisha lutë pra o Kalosh Çeliku, të më thuash se kush nga Shqipëria kish ardhë në atë kuvend poezie këtë vit në Strugë dhe për më tepër t’i pergjigjesh kësaj pyetje: Abdylaqimat e Maqedonisë që i organizojnë këto festivale a dinë kund ku bie me shtëpi poezia?
Se kush e di, mbase nuk e dinë e nuk kanë fa,j e ne veç po rrahim ujë në havan.
Po më pëlqen shumë shkrim yt se si e shite darkën për një gotë birre o Kalosh Çeliku por( se të gjitha dardhat e kanë një bisht apoetik nga mbrapa), t’i kishe ndrruar edhe Abdylaqimët e poezisë së rremë për një poezi të vërtetë nuk do të kishe bërë keq.
Por Abdylaqimët prap në skenë do të dalin, ndaj të bëjmë sabër deri vitin që vjen.

Shtator 2011