Zbulimi i fotografisë së Faik Konicës - nga Kolec Traboini

Fotografia e rralle e Faik Konices me autograf nga ai per Vasil Panin.

ZBULIMI I FOTOGRAFISE SE FAIK KONICES

Kalon tre herë oqeanin
Gjysëm shekulli fshehur në sëndukët e familjes Pani

Nga KOLEC TRABOINI

Miku im Sotir Pani nga Dardha që tash jeton në Boston, bir e nip i patriotëve të mëdhenj Vasil e Josif Pani, më tregoi disa gazeta të vjetra „Dielli“ si dhe disa botime doracake të gjyshit të tij. Në mes tyre ai ruante si relike tepër të çmuara dy fotografi të Faik Konicës. Në njërën nga ato ishte gjyshi i tij Josif Pani me shqiptarin e madh Konica dalë në Boston. Ndërsa fotografia tjetër ishe një befasi për mua. Kisha parë foto të Konicës, ndër të cilat edhe një me veshje kombëtare, por kjo ishte ndryshe. Bërë në një studio të Vashingtonit ajo kishte poshtë saj edhe shënimin origjinal të Faik Konicës.
Por edhe historia e këtyre fotografive është tepër impresionante.
Ishin të ruajtura me kujdes nëpër vite prej hallës së Sotirit, Fana Raci. Në njërën prej fotove të shumta ishte gjyshi i tij Josif Pani me Faik Konicën në vitin 1910, i pari ishte kryetar i shoqërisë “Besa-Besë” ndërsa i dyti editor i gazetës “Dielli”.
Në fotografinë tjetër të vitit 1920 kishin dalë pranë e pranë baba e bir, Josif e Vasil Pani në Boston. Por kishte edhe materiale të tjera të ruajtura në sëndukun e vjetër të familjes. Veç gazetës “Dielli” ishin ruajtur dhe revistat e gjyshit Josif, i cili tërë jetën e kaloi me letra dhe e vetmja pasuri që u la trashëgimtarëve qenë shkrimet dhe emri i tij si atdhetar i kulluar. Për këtë, kur Hilë Mosi, asokohe prefekt i Korçës, vinte në Dardhë, të parin njeri që takonte ishte Josif Pani, kthyer nga mërgimi në vitin 1922.
Madje pushimet verore Hilë Mosi i bënte familjarisht në shtëpinë e Josifit në Dardhë. Hilë Mosi i pati ndihmuar të bëhej rruga automobilistike Korçë –Dardhë.
Sotir Pani ruan dy fotografi të asaj kohe; njëra tregon drekën e festës, ku Hilë Mosi ndodhej pranë Josif Panit, e një fotografi tjetër e Hilë Mosit në zyrë, kur ishte emëruar ministër i arsimit, me shënimin “Mikut tim z. Josif Pani, për kujtim. Hilë Mosi, Tiranë 9 qershor 1931”.
Në vitin 1925 babai i mikut tim Sotir, Vasil Pani ishte zgjedhur sekretar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, ndërsa nga viti 1929 në kuvendin e 18-të u zgjodh kryetar i Federatës, detyrë që e kreu për 12 vjet.
Në ato vite restoranti i tij ishte kthyer në një qendër ku mblidheshin shqiptarët.
Ai ishte mik me Faik Konicën e Fan Nolin. Në fotografitë e kohës Vasil Pani ndodhet në krah të Faik Konicës, ndërsa në fundin e një fotografie të Faikut, shkruhet ky autograf: “Mikut të dashur z.Vasil Pani. Për kujtim Faik Konitza. Në Vashington më 16 Maj 1937”.
Kjo fotografi qëndron pranë një telegrami ngushëllimi që Vasil Pani kish marrë me 22 maj 1934 nga Faik Konica, kur u hap lajmi i hidhur i vdekjes së Josif Panit në Dardhë të Korçës. “Mësova me hidhërim të madh vdekjen e atit tuaj të dashur Josif Pani. “Ish një shqiptar me karakter të shëndoshë, një nacionalist me ndjenja të kthjellta, një bashkëpunëtor i imi i vjetër dhe një mik i patundur”.
Vlerësimi i lartë i atdhetarit të madh Faik Konica ishte vërtet i meritueshëm.
Josif Pani, gjyshi i Sotirit, ka qenë ndër mërgimtarët e parë dhe ndër të parët veprimtarë e themelues të shoqërive shqiptare në mërgim. Kryetar i shoqatës “Besa-Besë” që në vitin 1906. Bashkë me Sotir Pecin kanë qenë krijuesit e parë të shtypit shqiptar në Amerikë. Ka shkruar në gazetën “Kombi” e më pas ka krijuar gazetat e veta si botues e editor; “Sazani” e “Drejtësia”, si dhe revistën “Adriatiku dhe lufta europiane”. Si gazetar e politikan Josif Pani, njihet si propoganduesi i parë i ideve të social-demokracisë ndër shqiptarë dhe përhapës i zjarrtë i mendimit se përparimi i kombit vjen nga arsimimi i popullit.
At Fan Noli në vitin 1948 do të shprehej: “ Vasil Pani ka qenë tërë jetën nga të parët në fushën patriotike. Patriotizmin, Vasili e trashëgoj nga i ati, i ndjeri Josif Pani. Këtë trashëgim Vasili e vazhdoi deri sa dha shpirt.”.
Familja e Vasil Panit ndodhej në Dardhe. Kishte lënë dy fëmijë të vegjël, Sotirin e Dhoksinë. Dikush u kujdes që gjërat vetjake të të ndjerit Vasil Pani t`i sillte në Shqipëri.
U ruajtën në vite në një sënduk të vjetër të motrës së Vasil Panit, Fana Raci.

* * *

Vite të shkuara, kur hallë Fana nuk jetonte më e Sotir Pani po gatitej të merrte udhën matanë oqeanit, ashtu siç e kishim marrë një shekull më parë gjyshi Josif e më pas babai i Sotirit, Vasil Josif Pani, bashkfshatarët e tij nga Dardha, shokët e miqtë u mblodhën ta përcillnin dhe dikush i lëshoi një zë: “Pse po na lë e po ikën, o Sotir Pani”. E Sotiri me të qeshur por edhe i menduar u tha: “Po iki se kam mall, dua të shoh varrin e babait që për herë të fundit e kam parë kur isha 4 vjeç.”
E shokët e miqtë e kuptuan se çfarë ziente në shpirtin e dardharit të tyre Sotir Pani. Nuk ishte një ikje si të gjitha ikjet e tjera pas të cilave marrosej njerëzia e përvëluar nga skamja. Ishte tjetër, shumë më e fuqishme se sa dëshira për një jetë më të mirë. Ishte pjesa e jetës së tij e munguar që prej viteve të hershme të fëmijërisë.
E kështu, kur Sotir Pani mori udhën e përtej oqeanit, fotografitë e Faik Konicës, si relike të çmuara familiare, u gjendën sërish në Boston.
Kur përgatita librin tim me esè “Bukuri shkodrane” ku ndodhej dhe shkrimi “Një muze atje në Dardhë”, miku im në Boston Sotir Pani më dha të drejtën të botoj në atë libër dy fotot e rralla e të panjohura më parë të Faik Konicës.
Pas gjysëm shekulli ndalimi dhe si e kaluan oqeanin tre herë, fotografitë e Konicës më së fundi botoheshin për herë të parë për publikun shqiptar.

Faik Konica dhe Josif Pani