DY MOTRA SI NË LEGJENDA - K.Traboini


DY MOTRA SI NË LEGJENDA
Nore Kolia dhe Katrina e Luc Nishit-


Nga Kolec Traboini

Dikur në Shkodër ka qënë një rrugë me emrin Badra. Ai emër ishte i kahershëm, por banorët e saj megjithë emrat e rinj që ishin vënë, vazhdonin ta quanin veten banorë të rrugës Badra. Ajo rrugë lidhet me fëmijërinë time, e si e tillë, më ka mbetur e regjistruar në memorie me të gjitha hollësitë e jetës së përditëshme që rridhte e qetë, e njëtrajtshme, por ku në fëmijët rriteshim përditë si zogj të harlisur e të lirë. Se kur je fëmijë, gjithmonë gjen hapsira lirie..Nuk ke as kufizim, as ideologji e për më tepër kurrkund në mes të fëmijëve të rrugës Badra nuk ndjehej ajo që do të mësonim më vonë, e tmerrshmja lufta e klasave, që i degdiste njerëzit nëpër skutat e errta të jetës shoqërore nën diktaturë. Thënë ndryshe, ishim në atë moshë që nuk kishte çfarë na bënte diktatura.Por veç, kur dikush mungonte, e ndjenim thellë në shpirt si humbje, siç ndodhi me moshataren e lodrave fëminore, Bela Luli, motrën e saj Klara e nënën e tyre, mësuesen Lena Miraka-Luli, që papritur nuk u gjëndën më në rrugën tonë.
Të rriturit thanë se mësuesen Lena e kishin futur në burg, burrin e vet kapitenin hotjan Gjelosh Luli, e kishin vrarë a kishte vdekur në male për të mos ju dorëzuar komunistëve.
Në atë shtëpi njëkatëshe me pak oborr përpara ku kishte banuar mësuese Lena, me kojshi shtëpinë e vllezerve Lec, Lin e Tonin Gjeka, erdhën asokohe të banonin dy motra plaka. Njera e shkurtër dhe e mbledhur si grusht, tjetra më e re, më e lartë me trup, e fisme dhe e mbajtur mirë. Të dyjave u ishin vrarë burrat në luftë, e të dyja pinin duhan si burrnesha. Ishin të ndryshme po ti shihje, po kishin gjakun e fatin të njëllojtë ashtu si rubat e zeza që nuk i hiqnin kurrë.
Mbaj mend se Katrina, motra më e re e trupgjatë, ishte shumë më e përmbajtur e nuk merrej kurrë me ne fëmijët e rrugës Badra, të cilët e konsideronin këtë grua disi të ashpër, ndryshe prej plakës së urtë e të butë Nora, e cila, mbajtur në shkopin e vet të drujtë, dilte përditë përpara shtëpisë e shëtiste në rrugicë duke folë me çdo njeri që kalonte. Fliste edhe me ne fëmijët. Na pyeste e jo rallë na jepte këshilla. Na dërgonte për ti blerë bukë a për ti bërë ndonjë harxhet. Një herë plaka Norë më thirri:
- O i biri i Palok Traboinit!
Ju afrova dhe e pashë në sy. Kish nisur të mos shihte mirë dhe kishte vënë një palë gjyslykë me xhama të trashë. Më tha se nuk kishte dritë elektriku. Më ftoi të shkoja në shtëpinë e saj dhe atje më afroi një karrike për të hequr llampën që varej në një tel në mes të dhomës. Kur u futa në atë dhomë më ra në sy se veç krevateve prej hekuri kish dhe një arkë druri, që herë herë i thoshnin kashú e ku ruheshin sendet më të çmuara të një shtëpije.
E hoqa llampën e ja dhashë. E pa. Së pari tundi llampën e më pas tundi kryet me shënjë se llampa ishte djegë. Më dha paret e më porositi të shkoja në krye të rrugës për ti blerë një llampë të re. Vrapova si fëmijë i gëzuar, se më dukej se më kishin dhanë nji detyrë me fort randësi. Kur u ktheva, bashkë me Norën vumë llampen e dhoma ndriçoi për bukuri.
Që atëherë plaka e moçme Nore Kolja më fliste me respekt sa herë më shihte para derës së oborrit, sepse dyert i kishim thuajse përballë, e veç kësaj ajo vinte shpesh në oborrin e shtëpisë sonë dykatëshe, hidhte sytë në dritaret e katit të sipërm e thërriste Dadën time Katrinë, e cila ulej poshtë, se Nore Kolja nuk kishte fuqi të ngjitej aq më tepër se nuk shihte mirë.
Për ne fëmijët e asaj kohe, prania e dy motrave burrnesha me rubë të zezë në rrugën Badra, nuk kishte atë kuptim që do të mund të merrte sot, sepse ne nuk e dinim rëndësinë e bëmave të tyre, jetës së tyre, e për më tepër nuk kish si ta dinim se ato dy plaka ishin pjesë e asaj historie për të cilën tashmë flitet me admirim nga i gjithë populli shqiptar.
Nore Kolja jetonte më shumë me të vdekunit se me të gjallët. Kjo për faktin se mendimet e bisedat e saj shkonin gjithnjë pranë atyre që nuk jetonin më. Se jeta e saj në atë pleqeri të zymtë, nuk kishte kurrfarë kuptimi përpara atyre çfarë kishte pa e çka kishte ba si grua trimneshë, e bija e Kolë Kurtit të Pikalajve të Grudës, e shoqja e trimit Kolë Dedë Gjo Luli për të cilin, duke qënë biri i një legjende si prijsi i Hotit, shpesh ka mbetur disi nën hijen e lavdisë të Atit të vet, por veç Hoti e di, e tanë Malësia e Madhe di, se siç ishte Mirash Luca trim i çartun i Kastratit, ashtu ishin Nik Gjelosh Luli e Kol Dedë Gjo Luli për Malësinë e Hotit.
Kolë Dedë Gjo Luli të shumtën e herës, në emrin e të atit, komandonte drejtë për drejtë luftëtarët në tërë terrenin e luftimeve në Malësinë e Hotit e deri në Tuz. Ai jo vetëm i ngjiste në tipare por ishte fort i ngjashëm për trimni e urti me babën e vet.Edhe Nore Kolja në rrëfimet e veta nuk dinte me i da kurrë. Sa herë fliste për njenin kishte parasysh tjetrin, aq mirë e aq harmonishëm në jetë edhe në luftë shkonin babë e bir.
Duke i ditë këto vlera e cilësi të larta të Kolës, kurrë nuk më vinte mirë, as atëhere e as sot, të dëgjoj(a) çfarë flitet e të lexoj(a) çfarë shkruhet, a çfarë cilësohet ende si, „ trimnesha e Hotit Nore Kolja e reja e Dedë Gjo Lulit“. Ata njerëz që i bëjnë këto klasifikime, që nga i ndjeri poet Sander Gera në librin e kahershëm „Nora e Hotit“ e deri në gazetat e librat e sotëm, i hyjnë në hak hijes së trimave dhe djepit të vëndlindjes duke bërë dy gabime, për mua të papranueshme.
E para se ajo ishte e shoqja e Kolë Dede Gjo Lulit, që ka një emër e një gjak të dhënë në histori, por edhe se ajo trimneshë me emrin Norë e ka rrit një djep në Grudë, në shtëpinë e Kol Kurtit. E pra nëse dikush do ta cilësojë historikisht e ta lartësojë meritueshëm, i mjafton kësaj trimneshe, jo veç për luftë por edhe për sakrifica, të quhet Nore Kolja e Hotit dhe e Grudës , e shoqja e Kolë Dedë Gjo Luli, trimëria e të cilit nuk mund të terrësohet e të lihet nën hijen e babait legjendar.
E pra, kurrkush nuk i pat thënë, as kurrkush ndonjëherë nuk pat shkruar „Katrina e reja e Nik Gjelosh Lulit“, por Katrina e Luc Nishit,. Paj, ku të linte Katrina, sojnikja që njihja unë në fëmini, ta quaje ndryshe...Ajo burrneshë sa e sertë aq fisnike, që ndokush e rëndoi se doli një herë në tribunën e Reçit, ku qëlloi të shkonte dhe Enver Hoxha.
Asesi nuk ishte ajo që pranoi nderimet e diktatorit, përkundrazi ishte diktatori ai që donte të përfitonte prej madhështisë së saj, të vegjëlit, përsa i përket cilësive të shpirtit, gjithmonë kërkojnë me ndënjë në hijen e lisave, se Katrina ishte si lisi që e kishin qëlluar njëqint rrufe e ajo prap në këmbë ish, e drejte, krenare.
Ajo ishte Katrina e Luc Nishit, që për nga shtati e për nga hiret nuk dallonte për asgja nga Tringë Smajlja e Nore Kolja, e me të treja këto gra, që kaluan si meteorë në historinë lavdishumë të Malësisë; ka të drejtë të krenohet Gruda, si nëna që ka rritur në djep amazona shqiptare.

MORTI QË RA E MBYLLI PËRGJITHMONË
DERËN E NIK GJELOSH LULIT

Gjelosh Lulit ka rënë në luftë për pavarësi, me 3 maj 1911, ndërsa Luc Nishi, u vra në Suka të Moksetit, gjatë Luftës së Koplikut, me 25 gusht 1920. Pra babë e bir ranë dëshmor për Atdheun, njëri në Deçiq e tjetri në Suka të Moksetit.
A ka kuptim më të naltë, si akt e si nocion, atdhedashuria...
Por Katrinës, gjithësesi kishte mbetë një ngushllim, i biri Pal Luc Nishi, të cilin e rriti me sa e sa mundime, e rriti si një filiz i ri në deren hotiane të Nik Gjelosh Lulit, e rriti me dëshirën për ti ngja atij trungu familjar që lindi legjenda, por fati për Katrinën u tregua i pamëshirshëm duke i pre shpresën e fundit.
Pal Luc Nishi, i biri i Katrinës, kishte prirje për letërsi, krijonte poezi dhe la të shkruar pjesë nga historia e trungut të fisit Luli që i përkiste. Pjesë nga krijimet e tij u botuan në almanakun Shkodra, viti 1962, që më ra në dorë në atë kohë të rinisë sime të parë. I ndava faqet ku ishin botuar krijimet e Pal Luc Nishit prej librit dhe i kam ruajtur që këtu e 44 vjet. Dorëshkrimet origjinale pas vdekjes se Nore Koles e Katrinës së Luc Nishit, që duhej të ishin në atë kashunin që kisha parë në fëmini, nuk dihet se ku përfunduan. Ndoshta humbën përgjithmonë. Ndoshta i përpiu koha, si shumë e shumë relike e ngjarje. Por kanë mbetur një tufëz shkrime që, siç shkruante redaksia e Almanakut Shkodra, megjithë do „zbrasti dhe ndërpremje, të cilat autori mendonte me i plotësue ma vonë, prap se prap përshkohen nga një frymë e zjarrtë patriotike që i bajnë mjaft interesante. Ai andrronte, siç dëshmon e ama, me mbledhë kujtimet e familjes së vet, që kish dhanë aq njerës për lirinë e vendit“...
Disa prej vjershave të veta, Pal Luc Nishi ia kushton aktit sublim të babës së vet që ra dëshmor për Atdhe, si “Lamtumirë”, vjershë kjo e shkrueme në Chieri të Italisë me 12 maj 1932. Pal Luc Nishi në moshën 22 vjeçare, ndrroi jetë në një sanatorium në bjeshkët e Torinos, Itali, me 31 tetor 1936. Ky mort i fundit, e mbylli deren e Lucë e Nik Gjelosh Lulit përgjithmonë.

LAMTUMIRË…

Lamtumirë, o grue, o shoqe e kësaj jete,
ushtrinat n’ luftë janë nisë me hi,
e unë në front me ba mos me u gjetë
kishte me kenë si një tradhëti.


Trompeta, pra, ka ra,
e prej këndej më duhet me u largue,
s’ke pse mekësh, duhet me u nda,
pse në detyrë më duhet me shkue.


N’anmik unë me ra,
po sa kam me mujtë,
pse gjaku për vatan
gjithherë më ka luejte.


E, jo mue vetëm,
por edhe të parëve të mi,
të cilët dhanë jetën
të gjithë për Shqipni.


Pse deka për vatan,
s’asht gja, thonë, ma e qetë,
çdo kurban qi don me i ba
atmes në këtë jetë
……………………

Pal Luc Nishi, Chieri, (Itali) me 12.V. 1932.


© Nga libri "LUFTA E MALEVE" K. Traboini 2006, 228 faqe, ISBN 99943-36-65-7
Gjëndet në Librarinë "Agolli" pranë Bankës së Shtetit dhe Postës Shqiptare në qëndër të Tiranës.
http://paloktraboini.blogspot.com/