MADU 59 - nga Kolec Traboini


Jamarbër Marko
MADU 59

Shkruar nga K.TRABOINI

Shpesh herë kohrat e vrasin njeriun edhe pa qënë nevoja të jenë diktaturë. E vrasin pak e nga pak, nga një ditë në një tjetër, e lenë duke e varfëruar skajshëm, duke i larguar gëzimin, duke i prerë krahët e shpresës.

Prania fizike e poetit Jamarbër Marko nuk është më, por le të mos flasim për vdekjen por për jetën sepse për njerëzit me botë të madhe siç janë poetët, vdekja është veç një shaka e hidhur, shija e të cilës u lihet atyre që mbeten e jo atyre që ikin.U lihet atyre që tek rrufisin kafenë e mortit filosofojnë fatin e jetëve njerëzore tek thonë "Ma bëj të hidhur se farmaku me farmak mundet". Dhe jeta e Madut kishte diçka nga kjo shprehje proverbiale. Ja bënë jetën helm në diktaturë duke e privuar nga liria, por ky helm nuk ju nda as në kohën tjetër të demokracisë në aparencë, por autokracisë në thelb, kur njeriu mendon se është i lirë. Por liri absolute nuk ka e ky term shpesh herë është për qytetarët e këtij vendi në amulli, një lodhje e madhe. Tragjizmi ndodh që e ndjek njeriun në tërë cirkuitin e jetës së tij, sepse sakohë që e shtypin e privojnë nga liritë ai gjen në vetvete forca e reziston së brëndshmi, arrin të mbijetojë, por ka raste që kur kjo shtypje e jashtme ka sosur, ka nisur një luftë e brëndshme, së cilës ai është shpesh i pamundur t’i rezistojë. Duke mos mundur ti spjegojnë këto fatalitete njerëzit shpesh thonë "Eshte fati!" Me këtë shprehje mbyllet çdo dritëz për të zbuluar enigmat e kësaj bote, kjo shprehje është si guri i rëndë i varrit që perjetësisht mbyll një kapitull shpesh herë të padeshifruar jete. Por Madu në këtë det helmi ku jeta e detyroi të notojë deri në fund sa humbi nga sytë, e deshifroj jetën e vet. E deshifroj në mënyrën më të mirë që mund të kuptohet nga njerëzit. E deshifroi poetikisht. Kaq të mëdha ishin dallgët e jetës, sa ai , si të ishte varkëtari që me kovëz heq ujë nga fundi i varkës së vjetër që të mos mbytet, Madu pra nxirrte nga shpirti ndjesitë e tij. Duke e bërë këtë me siguri lehtësohej dhe arriti deri në kufirin e të 59- ve. Ky ish caku i tij. Pak për një jetë njerëzore, por kur ke travaja është ndoshta disi tepër e gjatë, sepse jetën nuk e masin më shumë vitet se sa perjetimet. Le të marrim Migjenin, poetin më jetëshkurtër e njëkohësisht me epokal në historinë e letersisë sonë. Sa jetoj Migjeni? 27. Po dhembja e tij e tejkaloi kufirin e një shekulli sepse nuk mund ajo dhembje kolosale të mbetej në një shtrirje aq të vogël në kohë sa ç’ish jeta e tij. Kur me Madun ishim bashkëstudent në Universitetin e Tiranës, të shumtët e shihnin me syrin e mendimin "Lum ky. Ishtë i biri i Petro Markos!”. Romancierit të “Hasta La vista”, të “Qytetit të fundit” që lexoheshin me një frymë. Ishte dhe i biri i piktores Safo Marko. Por Jamarbër Marko nuk e shfaqte asnjëherë atë çfarë ne e quanim si lumturi. Nuk kish asnjë dëshirë për tu dalluar e aq më tepër asnjë ambicje për tu ngjitur në shkallët e administratës shtetërore apo partiake, çfarë për shumë studentë të tjerë karieristë ishte një dëshirë e shfrenuar. Vite pas mbarimit të studimeve e pashë në oborrin e Kinostudios dhe kur e pyeta më tha se do të fillonte punë këtu. Mendova se do ta caktonin në Redaksi, si ne të tjerët që kishim mbaruar bashkë studimet për gazetari, por ai më tha se e kishin caktuar punëtor në sektorin e mirëmbajtjes së Kinostudios. Do të bënte llaç për Bim muratorin. Luan Rama më pas ma spjegoj se ç'po ndodhte me Madun. Ish vështirë të lexoje në fytyrën e tij të menduar emocionet që përjetonte aq sa gjithmonë e kam vrarë mendjen se si e kanë zënë në grackë ata që një ditë e burgosen. Me siguri do të kenë qënë shokë të ngushtë që i silleshin rreth e rrotull e bënin punën e Judës. Dhe e mbyllën në ferr, një tmerr për t’ia patur zili edhe ferri i Dantes. E kish provuar i madhi Petro Marko qelinë burgut. Duhej ta provonte edhe i biri. Ndoshta e bënë që Petro Markon, njeriut që u dënua nga tre rregjime, ta gjunjëzonin përfundimisht nga që kishte një shpirt krenar e të pamposhtur. Pastaj, ç'e donin Petro Markon monistët kur kishin ca bilbila të rinjë që cicëronin më mirë se vetë sorra Parti. Aq me tepër kur Petro Marko shkruante në kokë të vet romanin që u ndalua "Në katër rrugë". Romani u riciklua në karton kur lexuesit e aso kohe i prisnin librat e Petro Markos si ujë i pakët. Një kopje e romanit të tij "Hasta la Vista" i kishte shkuar në dorë edhe nobelistit Ernest Heminguej që e kishte përshëndetur. Por monistët i kishin shpresat gjetkë, tek kokat e përulura e jo tek njeriu me karakter të fortë Petro Marko. Kur gjatë një interviste e pyeten për dënimin e tij nga diktatura, Jamarbër Marko tha: “Dënimin e prisja. Unë e dija fatin tim. Isha biri i Petro Markos”. Madu vertetë që njeri i mbyllur por veç në poezi e shfaqi veten çiltërsisht. Aty mund të lexohet më mirë se kudo jeta dhe bota e tij. Tragjizmi do ta ndiqte në vazhdimësi edhe atëhere kur mendohej se liria të sjell edhe çlirimin shpirtëror, por nuk qënka e thënë. I shtrirë në shtrat pak ditë para se të vdiste, në vitin 1991, i madhi Petro Marko i kish thënë të birit: “O Madu kujton se po vjen demokracia në Shqipëri? Pa kaluar dhe 50 vjet s’bëhet hapi i parë për të kaluar në demokraci”. Shpesh kohrat e vrasion njeriun edhe pa qënë nevoja të jenë diktaturë. E vrasin pak e nga pak, nga një ditë në një tjetër, e lenë duke e varfëruar skajshëm, duke i larguar gëzimin, duke i prerë krahët e shpresës. Botoi dy vellimet me poezi “Rastësisht me dashje” 1995 dhePro nobis” 2001 dhe tjetrin “Nuk di të kthehem”e la në dorëshkrim. Le të marrim qoftë dhe një poezi të tij për ditën e shtunë, një poezi e madhe për vogëlsinë e botës në një ditë të veçantë, si më të zgjedhuren e ditëve, e shtunë pra: Sot është e shtunë/ Për të vetmen thjeshtësi dhe mendim/ Për të vetmen kënaqësi dhe trishtim/ Për të bërë një hap/ Në botën e vogël të njerëzve./ Madu e ka derdhur në atë poezi tërë shpirtin e lodhur dhe çuditërisht një ditë të tillë zgjodhi, në ag të së shtunës së 4 shtatorit 2010, për ta lënë këtë botë, duke e bërë këtë ditë të përzieshme. Iku shumë shpejt, në kundërshti me atë që shprehte në poezinë e tij: “Secili ëndërron të jetë cigarja e fundit në paketën e madhe/Ku tymi mbulon gjithçka/Lë pa prekur majën e mprehtë/ Atje ku jeton njeriu i vërtetë/. Pushoftë në Paqe!- themi, ani pse poetët as në këtë botë e as në atë botë nuk gjejnë paqe. Mbase kjo është zgjedhja e tyre. Edhe jeta edhe vdekja për ta është luftë. Se kush më shumë se poetët e luftojnë erresirën dhe vdekjen. Ca thonë e besojnë, e ndërmjet tyre dhe unë besoj, se poetët nuk vdesin. Atëherë pse të hidhëroheni për shakanë e tyre të hidhur tek ikin e na lënë, për atë ikjen e tyre fizike kur i kemi diku rreth nesh, ani pse nuk arrijmë t’i shohim.

shtator 2010

© Copyright Traboini - esè / traboini@yahoo.com
Nuk mund të botohen në asnjë organ shtypi apo sit elektronik pa lejen e autorit.
http://traboini-ese.blogspot.com/

Jamarbër Marko
Poezi

PA EMER

U rrëzuan të gjitha mrekullitë në greminë
Askush nuk i vuri re
Vetëm i panjohuri
Ulur tek stoli i tij
Duke pritur të ardhmen

Secili ëndërron të jetë cigarja e fundit në paketën e madhe
Ku tymi mbulon gjithçka
Lë pa prekur majën e mprehtë
Atje ku jeton njeriu i vërtetë


SOT ESHTE E SHTUNE

Sot është e shtunë...
Për mua dhe për ty
Për të gjithë.
Për të gjithë ata
Që patën diçka në tokë.
Sot është e shtunë
Edhe për ata që janë mërzitur
Për ata që nuk dijnë të jetojnë.
Është e shtunë edhe për ata
Që nuk janë më.
Sot është e shtunë
Për kuajt që tërheqin karrocat në errësirë
Për lodrat që u luajtën
Dhe për vendet bosh në sallat e lavdisë.
Sot është e shtunë
Edhe për ata që nuk e dijnë këtë gjë
Që vuajnë e s'janë të lumtur.
Vetëm sot është e shtunë,
E dëgjova në rrugë
Në derën e spitalit.
Sot është e shtunë
Edhe sikur askush të mos e kujtojë...
Jo vetëm sepse unë sot jam mërzitur,
Por për madhështinë e një dite
Që veshi mbi vete pelerinën e vjetër të botës.
Është e shtunë
Sepse nuk ekziston asnjë ditë tjetër
Si kjo e sotmja
Dhe dikush mund të thotë
Se asnjëherë nuk ka qenë e shtunë,
Se asnjëherë, asnjë ditë
Nuk ka shpënë buzë greminës kuptimin e madh
Jetën e madhe përpara një bluze
Të thjeshtë dite
Siç është dita e shtunë.
Ditë e shtunë sot
Që u përsërit aq shumë
Mbi atë çka bënë ata që nuk jetojnë sot
Me lehtësinë e atyre që jetojnë
Të mbështjellë nga e shtuna
Që si letër karamelesh
Bie mbi butësinë e vjetër.
Sot e shtuna bie mbi kërcënimin e vjetër
Dhe thuhet nga të gjitha buzët kudo
Edhe atje ku dita është ngatërruar me një tjetër
Edhe atje ku dashuria është është zëvendësuar me një tjetër.
Kudo sot e shtuna përkëdheli plagët dhe buzëqeshi
Për t' ua bërë më njerëzore,
Për t' ua larguar sadopak nga pesha e kohës,
Që e veshur me hijen dhe dritën e një të shtune
Ndaloi lozonjare dhe tha:
Sot është e shtunë
Kur filluam të kuptojmë
Se vetëm në botën tonë është diçka
Të rrish pak më shumë në të ftohtë
Për të larguar diku drejt pafundësisë
Nyjen e vërtetë,
Që lëkundet me përkëdheli
Brenda thellë së shtunës
Që duket se nuk do të ndërrohet me asnjë ditë tjetër.
Sot është e shtunë
Për të vetmen thjeshtësi dhe mendim
Për të vetmen kënaqësi dhe trishtim
Për të bërë një hap
Në botën e vogël të njerëzve.