SHPIRTI I ARBERIT RRON - dy fjalë me At Antonio Bellusci, pas 10 vjet ndarje me mikun tonë të përbashkët, Aristidh Kola.



ARISTIDH P. KOLIA
(1944-2000)

Me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së studiuesit dhe veprimtarit të shquar arvanitas Aristidh P. Kolia, miqtë e admiruesit e veprës së tij, organizuan një mbledhje përkujtimore në sallën e Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve në Tiranë. Kishin ardhur jo vetëm ata që e kanë njohur nga afër këtë figurë që tashmë në sytë e shqiptarëve ka marrë përmasat e një heroi, por edhe lexues të shumtë të veprës së tij. Shumica e të pranishmëve ishin nga Tirana por kishin ardhur edhe nga qyteti i Shkodrës i njohur për traditat art e kulturëdashëse. Fjalën kryesore e mbajti gazetari dhe kineasti Kolec Traboini, i cili e ka njohur Aristidh Kolian nga afër në kohën kur nxirrte gazetën shqipe “Egnatia” në Athinë dhe ka botuar librin “E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias”.