NGA ELBASANI NE PRRENJAS

NGA ELBASANI NE PRRENJAS


nga KOLEC TRABOINI


Në një mbasdite tiranase tetori, marr një telefonatë prej kolegut tim gazetar Dilaver Baxhaku, që më fton për një kafe në "Manhaten" në qendër të Tiranës. Deri ne këtë telefonate nuk e dija se paskësh edhe Manhaten edhe ne Tirane. Kisha ca punë nëpër duar, po si t'ja prishja kolegut, aq më tepër kur me thotë se sapo ka mbërritur nga Amerika poetja Iliriana Sulkuqi, kryeredaktorja e revistës "Pelegrin", ku botojnë krijuesit, shkrimtarët e poetët mërgimtarë.
U gjenda në "Manhatenin" tiranas e aty takoj për herë të parë poeten e njohur elbasanase që me Dilaverin e lidh një miqësi e vjetër edhe për faktin se janë të dy nga një qytet. Fjala solli fjalën e më pyesin se sa kohë kisha që nuk kisha shkuar në Elbasan. Të paktën mbi njëzet vjet, u thashë,... që nga koha kur isha në Kinostudio e xhiroja filma dokumentarë. E pra, ma kthyen miqt e mi të tryezës, do të kisha rast të vizitoja këtë qytet ku shumëçka ka ndryshuar, përveç tymrave të metalurgjikut "Korum" që e terrorizojnë këtë qytet "në kërthizë të Shqipërisë" edhe sot e kësaj dite. Tymrat mbeten po tymra. Shkurt fjala, u gjenda i ftuar nga dy elbasanas. Iliriana më tha se kish një festim familjar për nënën e saj e një shkodran në këtë gëzim do të ishte një kënaqësi për nënën e saj. Dilaveri më kujtoi se në Elbasan zhvillohej Festivali Ndërkombëtar i Teatrove, dhe unë mund të isha i pranishëm në shfaqjen e qytetit tim të dashur, Shkodrës.
Ndërsa po bisedonim, u paraqita shkakun e tretë, por që për mua, sa i përket rendit, do të mund të radhitej i pari. Jetoj në Boston dhe jam dëshmitar se si u sfidua vepra e Fan Nolit duke shkelur ne Kishën Katedrale të Shën Gjergjit, uzurpatori i Kishës Autoqefale, greku Janullatos , ndaj dua ta takoj e ti përcjell një mesazh mirënjohje At Nikolla Markut, i cili në Kishën e Shën Marisë në Elbasan, qëndron i papërkulur përballë kësaj sfide dhe ruan të pastër idealin nolian për Kishën Kombëtare Orthodokse Shqiptare. Miqtë e mi më mirëkuptuan dhe më thanë se me kënaqësi do të organizojmë takimin, madje do të jemi edhe ne në atë takim sepse e respektojmë At Markun, jo vetëm si një fetar i pastër, por edhe si një atdhetar i flaktë dhe shtuan se, aty tek kisha pranë mureve të kalasë gjithnjë valëvitet Flamuri ynë kombëtar.
U ndjeva mirë dhe të nesërmen, bashkë me miqtë e mi, morëm rrugën për Elbasan, pasi drekuam tek restorantin Mai Tai. Ishte një mjedis vërtetë fantastik në mes të peizazhit të kodrave të Tiranës, ku ato ditë qe zhvilluar edhe një prej shfaqjeve të miseve nga gjithë bota. Një kompleks krejt modern, me një zgjidhje arkitektonike origjinale, me pishinë, sallë koncertesh, hotel, por e papritura për mua ishte se këtë ansambël e kish ngritur bashkë me një grup miqsh të vet djali i poetes Iliriana, Briken Fejzullahu pas mjaft vitesh studimesh e punës si emigrant në Itali.

Një qytet ku urtia shfaqet si virtyt

Nëna e poetes, zonja Arfa Sulkuqi, nga fisi shumë i njohur i Kazazëve të Elbasanit, një grua e moshuar, dashamirëse, me sy të qeshur prej të cilëve buronte një dritë mirësie, na mblodhi në një drekë ku unë dhe kolegu im gazetar u gjendem në mes të pjesëtarëve të familjes. Aq i ngrohtë që mjedisi dhe aq e përzemërt qe pritja, sa na u duk sikur të ishin ndër njerëz të njohur e miq të vjetër. Elbasanasit kanë një natyrë e temperament për tu patur zili. Janë të shtruar, të qetë dhe burojnë mirësi. I kisha vëne re këto cilësi nëpër vite ardhje për punët e filmit, sepse dikur Elbasani ishte në qendër të vëmendjes së medias, anipse të cungueme të asaj kohe.
U fol për shumë gjëra në atë drekë të gëzuar në mes të urimeve për jetë të gjatë e të gëzuar, e në mes të tjerave për këtë qytet që ka nisur një jetë të re, është ripërtrirë. Ne ishim vetë dëshmitarë të ndryshimeve që janë bërë. Nuk është fjala për pallate të larta e të bukura me një arkitekture moderne,që nuk mungonin, por më tepër për përkujdesjet që tregohen për të zbuluar e ruajtur vlerat arkeologjike dhe për të ripertrirë traditat arkitekturore të ndërtimit.
Gjatë një gërmimi në qytet, tek hapeshin themelet për një pallat të ri, u gjenden gjurmë të rrënojave të vjetra. Ato ishin në thellësi të pjesës së brendshme të kalasë, në qendër të qytetit. E këto objekte arkologjike, si bazamente kolonash, objekte qeramike, shkrime në gur, i detyruan projektuesit elbasanas ti ndryshonin planet e fillestare. U hoqën dhera të shumta e dolën më në pah muret e kalasë, që tashmë thuajse është e plotë dhe është bërë pjesa më e bukur e qytetit, pranë saj një shëtitore ku lëvizin vetëm qytetarët por jo automjetet. Shëtitorja pranë mureve të kalasë ishte vërtetë një zgjidhje fort e bukur. Tek bisedon me intelektuale të Elbasanit, ve re se mosngutjen për ta betonuar qytetin, siç është bërë, ta zëmë në Tiranë, shpreh urtinë a atyre që kanë qenë a janë drejtues të pushtetit në Elbasan.
Nuk e di se kujt i përket në kahje politike kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdinit, por konstatova se kudo shprehen fjalë të mira për kryetarin. E ata me të cilët bisedoja ishin si njerëz të thjeshtë të popullit por edhe intelektualë të njohur.
Madje çfarë më habiti është edhe respekti që kishin poetët e Elbasanit për kryetarin e Bashkisë. Drejtuesi e organizatori i Klub Hajkut Shqiptar, poeti Milanov Kallupi na ftoi në zyrën seli të shkrimtarëve elbasanas. Të them të drejtën ngrita supet, sepse di që në Shqipëri nuk ka ndonjë kthine ku të mblidhen shkrimtarët dhe artistët. Ta zëmë në Tiranë, për të takuar ndonjë ish koleg të filmit më duhet të rri me orë të tëra para një kafeje ekspres tek lokali "Aleanca", në krah të Galerisë së Arteve. Mirëpo në Elbasan ndodhka ndryshe, e kjo në saj të kujdesit që ka treguar kryetari i bashkisë për t'i ndihmuar poetet e këtij qyteti. Një veprim vërtetë për t'u admiruar. Në cilin qytet të Shqipërisë ndodh kështu? Të paktën në Tiranë e Shkodër kurrsesi..


Me bashëkshkodranët e mi në teatrin "Skampa"

Në Elbasan pata kënaqësinë të gjendem në shfaqjen e trupës teatrale të Teatrit "Migjeni" të Shkodrës sime. Në kuadrin e Festivalit Ndërkombëtar të teatrove, ku kishin ardhur edhe nga Italia, Maqedonia e Mali i Zi, ata u paraqitën me metaforën skenike "Putargat e thata" të Stefan Çapalikut, me aktorë; të mirënjohurin e skenës e të filmit Bep Shiroka, aktoren impresionante Paskualina Shllaku, Zef Shiroka dhe Erka Karaulli. Ishte një shfaqje që më la mbresë dhe më ringjalli "epokën" krizës totale e degradimit të njeriut, që mjerisht e për fat të keq të këtij tranzicioni e ushtrimi të pushtetit shkel e shko, gjen rezonancë edhe sot e kësaj dite, e jo vetëm në Shkodër, por edhe anë e mbanë Shqipërisë.
Mbas shfaqjes u gjenda në dhomat e aktorëve për t'i uruar bashkshkodranët e mi, të cilët edhe i njihja personalisht, por dhjetëra vite pa u parë kishin sjellë shumë ndryshime. Me Bep Shirokën njihesha nga koha kur ai vinte shpesh për xhirime filmi në Kinostudio, Paskualina Shllakun e njihja jo vetëm si aktore shumë e mirë por edhe pse ajo është e shoqja e aktorit Bruno Shllaku. Me Shllakët më lidh shumëçka. Poetin Primo Shllaku e kam patur shok shkolle ashtu si dhe Paulin Selimin. Por edhe artistin e regjisorin madh, babain e tyre, Lec Shllaku fatlumturisht e kam patur mësues letërsie dhe pasionin letrar ja dedikoj edhe atij. Aty në dhomat e aktorëve erdhi për të uruar artistët shkodrane edhe i mirënjohuri Luftar Paja. U krijua një mjedis fort mbresëlënës dhe kolegu ynë gazetar Dilaver Baxhaku nuk i qëndroi tundimit për të bërë ca fotografi me digjitalin e tij.

Tetor 2008
( Vazhdon)

Me poetët e shkrimtarët e Elbasanit, Korçës, Beratit, Lushnjës në Mitingun Poetik të Përrenjasit.

Me me poetin korçar Skender Rusi dhe poeteshen elbasanase Beatriçe Balliçi.

Me Namik Selmanin nga Berati dhe poetin Sherif Bali nga Lushnja.

Fotot nga Dilaver Baxhaku