29 November 2008

Amaneti i Hoxhë Muglicës së Okshtunit- nga Kolec Traboini

Amaneti i Hoxhë Hasan Muglicës së Okshtunit:
Rroftë Shqipëria!


Në plejaden e mësuesve që punuan e u flijuan për idealet atdhetare, që me mish e me shpirt punuan për ndriçimin e mendjes së popullit shqiptar dhe çlirimin e atdheut nga pushtuesit e huaj rradhitet dhe Hoxhë Hasan Muglica i Okshtunit të Dibrës.


Shkruar nga Kolec Traboini


Hoxhë Hasan Muglica
I lindur në Okshtun në vitin 1854, ai që në moshë të re u brumos me ndjenja atdhetare dhe shpirt liridashës. Dibra si e gjithe Shqipëria, ishte vendi i luftrave të pareshtura. Vetëm ndonjë shkëndijë revolte të ndizej diku në ndonjë krahinë dhe merrte flakë e tërë Shqipëria. Shqiptarëve historia u kish mësuar që mjeshtria e parë që duhej të përvetsonin ishte ajo e luftëtarit. Dhe të tillë u njohën shqiptarët nëpër shekuj robërie. Të tillë u njohën edhe në vitin 1878, kur fuqitë e mëdha vendosën coptimin e Shqipërisë duke i konsideruar trojet shqiptare thjeshtë si plaçkë lufte, që mund të tjetërsoheshin për të ushqyer babëzinë shovenistëve të ballkanas. Në Prizrenin historik u mblodh "Lidhja Shqiptare" e cila i doli zot atdheut me armë në dorë. Shtëpia e Hasan Muglicës, i cili kishte dy vite që nën petkun fetar të imamit zhvillonte veprimtari atdhetare, u kthye në një vatër ku mblidheshin krerët e maleve. Ai priti e përcolli shumë luftetarë që shkonin në Prizren e në mes tyre edhe Abdyl Frashërin. Duke qenë antar i degës së Lidhjes për Dibrën, ai organizoi forcat vullnetare, nga një për shtëpi, për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Në krye të këtyre forcave Hasan Muglica luftoi kundër ushtrisë otomane të komanduar nga Dervish Pasha.
Vitet e "Lidhjes Shqiptare të Prizrenit" ishin si për të gjithe atdhetaret edhe për Hasan Muglicën një shkollë e madhe. Ai ishte fort i bindur në mësimin që i kish dheënë Abdyl Frasheri, se duhej mbjellë fara e diturisë si hap i parë drejtë çlirimit kombëtar.
I ndezur nga atdhedashuria Hasan Muglica ngriti në shtëpinë e tij të parën shkolleë shqipe në krahinën e Okshtunit në vitin 1904, të cilën edhe pse me ndërprerje do ta mbante të hapur gjer pas pavarësise. E jo vetëm kaq, por me t'u mësuar shkrim e këndim okshtunasve, i shpërndante ata ndër fshatrat e tjerë si mësues të gjuhës shqipe.
Sipas të dhënave biografike të mbledhura ndër vite nga dibrani Xhemal Koçi, rezulton që Hasan Muglica ka bashkpunuar me Komitetin e fshehtë të Monastirit që drejtohej nga Bajo Topulli, me të cilin mbante lidhje direkte dhe merrte udhëzime për ngritjen e çetave kryengritese. Veprimtaria e tij atdhetare e bëri që të lidhej me figurat eminente të luftës për pavarësi, Luigj Gurakuqi, Dervish Hima, Vehbi Dibra, Aqif Pashë Elbasani e tjerë.
Hapjen e "Normales" së Elbasanit në 1909, jo vetëm e përshendeti, por që në fillim u bë një nga përkrahësit me të flaktë të saj. Në kohën kur patrioti i shquar Hasan Prishtina dërgonte nga Kosova djelmosha në "Normale", Hasan Muglica nis për atje një grup nxënësish nga Golloborda e Okshtuni, në mes tyre edhe të birin Osmanin.
Mësuesi i Okshtunit mori pjesë si i ftuar në Kongresin e Monastirit. Për t'i bërë jehonë ne popull vendimeve të marra në kongres, me nisiativën e tij mblodhi popullin e Gollobordës në fushën e Klenjës. Në këtë kuvend ai foli për rëndësinë e gjuhës shqipe, të alfabetit, të shkollës Normale të Elbasanit dhe u bëri thirrje që të dërgonin djemtë në këtë shkollë. Mbledhja që pati jehonë të madhe u shpërnda plot entusiazëm duke qëlluar me pushkë si një sihariq për malet. Kur pushtuesit otomanë e morën vesh ngjarjen, dërguan fuqi të mëdha për arrestimin e Hasan Muglicës. Me të shkelur në këtë krahinë, pushtuesit u pritën me pushkë nga atdhetarët e organizuar ndër çeta, të cilat pas katër orë luftimesh i zbrapsën trupat otomane që ishin të armatosur me topa e mitraloza.
Rëndësia e kësaj ngjarje, shkruante shkrimtari Haki Stermilli, ishte jo vetëm se kjo krahinë mbeti e lirë për zhvillimin e idealit kombëtar, por edhe sepse ndezi zjarr zemrat e njerëzve duke bërë jehonë të madhe në popull. Në vitet 1910-1912 Shqipëria u bë arenë e kryengritjeve të mëdha dhe luftrave të përgjakëshme. Kombi ndodhej para alternativës ja pavarësi, ja copëtim e humbje një herë e përgjithmonë. Hasan Muglica si mesues e atdhetar që i dëgjohej fjala në çdo kuvend burrash, bëri thirrje për forcimin e çetave të armatosura për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Tek vendi i quajtur "Plepi i egër" në Maqellarë, në Kuvendin e Krerëve të Dibrës për organizimin e luftës së armatosur, ai u ngrit e tha: "Të shtojmë forcat duke luftuar për jetë a vdekje. Ne malesorët e krahinave të Gollobordës dhe të Okshtunit do t'i përgjigjemi vendimeve që do të marrë ky kuvend, për të luftuar deri në fund për këto troje të parëve tanë." Në fillim të vitit 1912, kur shkonte të takohej me disa krerë kryengritës, kapet në befasi nga autoritetet otomane dhe burgoset. E torturuan tre muaj me rradhë me qëllim që ta mposhtnin e ta detyronin të largohej nga rruga atdhetare, por ai qëndroi burrërisht, madje edhe pas daljes nga burgu, ai merr rrugën për te çetat e armatosura në malësinë e Dibrës. Në shënj hakmarrje pushtuesit otomane dhe bashkëpunetorët e tij vendas ja dogjën shtëpinë dhe bibliotekën e tij me libra shqip. Por ata mundnin të digjnin shtëpi e libra shqip, madje edhe të vrisnin njerëz siç kishin bërë rreth pesëqind vjet, por nuk mund të ndalnin të bëhej Shqipëria. Kur në Vlorë ndodhej edhe bashkëluftëtari i tij Vehbi Dibra si përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Kombëtar të drejtuar nga Ismail Qemali, që ngriti flamurin kombëtar me 28 Nëntor 1912 duke e shpallur Shqipërinë të lirë e të mosvarme, Hasan Muglica mblodhi bashkëluftëtarët dhe ngriti flamurin me shqiponjën e zezë dykrenare në çati të kullës se vet në Okshtun, për tu valëvitur kështu Flamuri i Skenderbeut edhe maleve të Shqipërisë.
Një rrezik i madh po i kanosej atdheut. Shpallja e pavarësisë i shtoi lakmitë e fqinjëve shovenistë që në programet e tyre kishin copëtimin e aneksimin e trojeve shqiptare e për ta realizuar e bërë fakt të kryer këtë coptim, nxituan të dërgonin trupa ushtarake për pushtimin e Shqipërisë. Serbia në jug pushtoi Kosoven shqiptare, ndersa në jug nguli kthetrat skilja greke duke pushtuar Janinën e Çamerinë që historia, që kur mbahet mend e që kur është shkruar në lashtësi, i ka njohur si troje ilirie me vazhdimësi në tradita, gjuhë, doke e zakone, arbërore. Në këto hapsira shqiptare të pushtuar nga fqinjët agresive shovenistë do të niste shpërngulja e shfarosja e popullsisë vendase, çfarë nuk prajti si gjenocid deri ne fundin e shekullit 20. Ndoshta veç hebrejve, nuk gjendet popull tjetër në botë të ketë pësuar kaq travajë, ndalime e mundime e të ketë derdhur lumej gjaku në histori, si shqiptarët. Hasan Muglica duke e ndjerë rreziku e madh që po i kanosej atdheut, si një fetar që i dëgjohej fjala anë e mbanë maleve të Dibres, lëshoi kushtrimin.
Nuk ish kohë për predikime por për të luftuar. O sot o kurrë! Përndryshe mbetemi përjetë pa atdhe e do të shuhemi me komb e racë shqiptari prej armiqëve pushtues! Vendosi heqjen e përkoheshme të petkut fetar dhe rrembeu pushkën e luftëtari kombëtar dhe në krye të burrave të krahinës doli tek Ura e Spiles mbi lumin Drin përballë pushtuesve të rinj serbë. Ndër luftime të rrebta, ku ushtria serbe e zënë në lak në grykat e maleve la me mijra e mijra të vrarë, dhanë jetën edhe qindra luftëtarë në mbrojtje të trojeve e shtëpijave të veta, e ndër të renët për atdhe ishin edhe 80 bashkluftetarët e tij okshtunas. E megjithë betejat e përgjakshme e humbjet e mëdha, ushtria e panumurtë serbe arriti të pushtojë tërë trojet e Shqipërise lindore duke synuar të dilte në Adriatik, për ta këputur Shqipërinë mes për mes dhe shuajtur çeshtjen shqiptare në Ballkan. I ndodhur në kushte tepër të vështira, Hoxhë Muglica shkoi në Elbasan, por edhe atje e pritën burgu, mundimet dhe torturat, kësaj radhe nga forcat tradhëtare esadiste, të cilat nuk lanë gjë pa bërë për t'a poshtëruar fetarin dhe luftëtarin e moshuar. Me ndihmën e atdhetarëve arratiset nga burgu dhe kthehet fshehurazi në vendlindje që mbahej pushtuar nga forcat ushtarake serbe. Pushtuesit me ta marrë vesh se në Okshtun ish kthyer Hasan Moglica, nisin ta kërkojnë lagje në lagje e shtëpi në shtëpi si armikun e tyre më të betuar në malet e Dibrës. Serbët nuk e kishin harruar disfatën e turpshme përballë luftëtarëve shqiptarë të armatosur keq, por me trimëri të pashoqe. Pushtuesit kërkonin hakmarrje, kërkonin të zhduknin krerët që populli përfundimisht ta pranonte robërimin e tjetërsimin e trojeve. Por me atdhetarë të flaktë si Hasan Muglica populli frymëzohej e hidhej në luftë plot besim e pushtuesit kurrë nuk do gjenin qetësi. Bënë çfarë është e mundur t'a shtinin në dorë dhe ja arritën qëllimit, veçse kurrë nuk do të arrinin t'a kapnin nëse në këtë mes të mos laperdharej tradhëtia.
E torturuan mizorisht tre ditë por nuk arritën t'a përkulnin dhe as t'a bënin bashkëpunëtorë të tyre për të pranuar pushtimin e predikuar përkuljen e nënshtrimin. Nuk ish Hasan Muglica nga ata burra që e shiste atdheun, por nga ata që për atdheun e jepnin jetën si me lè. Atyre që u munduan të ndërhyjnë për lirimin e tij, komandanti i trupave pushtuese serbe u tha: "Edhe sikur ta peshoni me flori, Hoxhë Moglica nuk lirohet!"
E çuan tek vendi i ekzekutimit bashkë me patriotin Abdi Sallaku, të cilin e kishte strehuar në shtëpinë e tij. Ishte 15 qershori i vitit 1915, një ditë e bukur për natyren por e zymtë për kombin. Në ato pak çaste që i mbeteshin, Hoxhë Hasan Muglica mori frymë thellë, vështroi Okshtunin e tij e malet përreth me besim se nuk kish forcë në botë që e vriste lirinë e popullit të vet që një ditë do të gjendej i lirë e krenar e zot në trojet e veta. Ai besim e bënte të mbante kokën lart në qendresë, sepse para së gjithash ishte një luftëtar kombëtar e si i tillë ai duhej t'a pranonte fundin tragjik, kryekreje se për një luftëtar nuk ka nder më të madh se sa rënia për komb e atdhe. Më kot ngazëllenin ushtarakët serbë, burrin e urtë e trim të Okshtunit Hoxhë Hasan Muglica nuk mundën t'a shuanin dot, as aty tek "Ara e Sheremetit", por as në zemrat e okshtunasve e mbarë Dibrës. Edhe sot e kësaj dite në kujtesen e popullit ruhet i shtrenjtë kujtimi i fetarit, mësuesit e luftëtarit të papërkulur, ruhen ndër breza fjalët e fundit, para se të binte nga bresheritë e plumbave të pushtuesve: "Rroftë Shqipëria!". E dëgjuan malet, e jehuan tej e pertej Korabit e ky ja përcolli mbarë trojeve shqiptare si kushtrim lirie. Edhe sot e kësaj dite ende e dëgjojmë trojeve etnike shqiptare anë e mbanë Ballkanit. A nuk e dëgjuam nga zemra e Kosovës, a nuk e dëgjuam në Drenicen e Adem Jasharit, a nuk e dëgjuam në Iliriadë, në Tetovë e Gostivar. A nuk e dëgjojmë në Çamëri e Mal të Zi e botës mbarë ku ka shqiptarë:
Rroftë Shqipëria! Amaneti i fundit i Hoxhë Moglicës rron e do të rrojë ndër shekuj në zemrat e shqiptarëve!
Shkrimi i K.Traboinit është perfshire në  botimin
e nipit të Hasan Moglicës për këtë figurë kombëtare në faqen 546-556,
"Burri i madh Hasan Moglica" Elliott Moglica
Toronto Kanada & Shqipëri 2012.